back to top
11.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Ahmet Zogu… sipas Blendi Fevziut dhe Kristo Frashërit nga Ilir Hashorva

Gazeta

Ilir Hashorva
Ilir Hashorva

Ahmet Zogu…

sipas Blendi Fevziut dhe Kristo Frashërit

nga Ilir Hashorva

Gjatë vitit 2015, u botuan dy biografi të Ahmet Zogut. Duket se kjo figurë politike vazhdon të tërheqë vëmendjen e shqiptarëve, madje më shumë se më parë. Njëra biografi u shkrua nga gazetari Blendi Fevziu dhe tjetra nga historiani Kristo Frashëri.
Nga përvoja, kam parë se, po e shkruan historinë gazetarët, do përqendrohen në kuriozitete dhe sensacione pa ose me pak vlerë, mjafton që ato të bëjnë bujë, mjafton që ato të lënë përshtypje te lexuesit, duke lënë mënjanë pjesë me vlera që duan punë e studime më serioze, ndërsa, po e shkruan historinë historianët e politizuar, edhe pse mund të jenë me përvojë profesionale, duke qenë robër të doktrinës së tyre, duke mos pasur ndershmëri profesionale, duke mos pasur respekt për të vërtetën, madje, shpesh, edhe duke mos e dalluar atë, nuk mund të shkruajnë histori të paanshme, pra të besueshme. Këta lloj historianësh, që sot nuk janë pak, si rregull, ia përshtatin veprën që shkruajnë doktrinës së tyre. Të dy librat në fjalë janë vërtetim shtesë i përvojës sime. Libri i Fevziut për Zogun është i mbushur me kuriozitete të tipit të një personazhi të revistave “Play Boy”, ndërsa ai i Frashërit i shtrembëron aq shumë të vërtetat, saqë herë-herë përfundimet që jep, janë në kundërshtim edhe me dokumentet që paraqet vetë.
Ahmet Zogu është një personalitet politik shumë i veçantë shqiptar por, në të njëjtën kohë, aq i sulmuar dhe aq i denigruar, sa është transformuar në një figurë vërtet tragjike. Fillimisht Zogu u kritikua dhe u sulmua nga Nolistët për qëllime pushteti dhe, meqenëse Fan Noli ishte ndër personalitetet më të larta kulturore të vendit, kritikat e tij zunë vend atëherë dhe zënë vend edhe sot, sidomos në mjedise intelektuale; më pas, Zogu u kritikua dhe u sulmua nga kleri katolik, për shkak të shtypjes që i bëri ai kryengritjes seperatiste fetare të Dukagjinit dhe të mbylljes të shkollave fetare private në kuadrin e krijimit të shkollës shtetërore kombëtare shqiptare; më tej, Zogu u kritikua dhe u sulmua nga Italia fashiste dhe nga njerëzit e saj në Shqipëri; në vazhdim, Zogu u kritikua dhe u sulmua nga Balli Kombëtar, si parti republikane dhe antimonarkiste dhe, në fund, kritikat më të forta dhe sulmet më të ashpra e më të pabaza Zogut ia bënë komunistët e djeshëm dhe të sotëm të Enver Hoxhës. Mund të shtoj këtu edhe kritikat dhe sulmet e demokratëve të fillimit të viteve nëntëdhjetë.

Ahmet Zogu ne Vjene
Ahmet Zogu ne Vjene

Nga propaganda antizogiste, e bërë pa ndërprerje për afro 100 vjet, edhe sot, në mendjen e shumë shqiptarëve, Zogu njihet si injorant, si i prapambetur, si anadollak, si dinak, si intrigant, si i pabesë, si kusar, si gënjeshtar, si vrasës, si njeri që e prunë në fuqi jugosllavët, si njeri që bëri një marrëveshje të fshehtë me kryeministrin jugosllav Pashiç për t’ia nënshtruar Shqipërinë Jugosllavisë, si njeri që i fali pjesë të Shqipërisë Jugosllavisë si shpërblim për ndihmën që i dha ajo për të rimarrë pushtetin, si njeri që e la Shqipërinë të prapambetur, si vrasës që vrau njerëz të zakonshëm dhe atdhetarë të mëdhenj, si diktator që nuk lejoi pluralizmin politik, si njeri që ia shiti Shqipërinë Italisë, si përgjegjës për pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste, si hajdut që vodhi thesarin e shtetit, si frikacak që tradhtoi vendin dhe u largua nga lufta etj., etj.
Nëqoftëse studiuesi i Zogut nuk merret seriozisht me këto probleme, t’i vërtetojë apo t’i hedhë poshtë këto dhe të tjera të ngjashme me to, në bazë dokumentesh autentike, arsyetimesh logjike, dhe krahasimesh me persona dhe regjime të tjera shqiptare (sepse gjërat janë relative), ai kot shkruan për të. Jeta e tij, në vija të përgjithshme, dihet, për kuriozitete shtesë kanë nevojë ata që nuk kanë ndonjë interes për histori serioze, apo që duan thjesht të zbaviten.
Nuk them se në një biografi nuk duhet të zënë vend kuriozitete nga jeta e atij për të cilin shkruhet biografia, edhe kur ato nuk janë të rëndësishme, por Fevziu më duket se e tepron me hollësira të panevojshme si, për shembull, me veshjet e Geraldinës dhe të Zogut, me ngjyrat e veshjeve, me llojet dhe ngjyrat e bizhuterive, me emrat e firmave ku bliheshin rrobat dhe bizhuteritë, me dashnoret e Zogut, me kujtimet e Geraldinës dhe të biografes së saj që nuk i shtojnë pothuaj asgjë personalitetit dhe punës së Zogut. Në libër vihen re në disa raste arsyetime të Fevziut që mua më duken të gabuara, të pabazuara mbi fakte, apo që hedhin poshtë faktet që jep ai vetë. Disa prej tyre po i shtjelloj më poshtë.
Thotë Fevziu: “Zogu iu mbijetoi shumë atentateve, zbuloi shumë tentativa për atentat, por edhe organizoi dhe urdhëroi shumë të tilla!”. Fevzi, cilat atentate organizoi dhe urdhëroi Zogu? Jep, qoftë, një shembull të vërtetuar.
Përsëri, Fevziu: “Raporti me Nolin është nga shembujt tipikë të raporteve që Zogu vendosi gjatë gjithë jetës me kundërshtarët. Ai ishte një qenie tipike orientale që, për të neutralizuar apo vënë në shërbim kundërshtarët, përdorte joshjen, tundimin, ryshfetin ashtu edhe eliminimin fizik”. Fevziu jo vetëm që nuk jep ndonjë shembull të eliminimit fizik të kundërshtarëve, por këtë e thotë kur pak më parë ka shkruar: “Në vitin 1936, pas largimit të Mehdi Frashërit, Mbreti Zog e ftoi Fan Nolin të merrte drejtimin e qeverisë Shqiptare, por ky refuzoi me pretendimin se ishte në gjendje jo të mirë shëndetësore. Po ashtu refuzoi në vitin 1938 që të merrte pjesë në dasmën e Zogut ose që të kthehej në Shqipëri për të themeluar universitetin shqiptar që Zogu kishte ndërmend ta hapte brenda pak vjetësh”. Ku duket këtu sjellja orientale e Zogut? Mos vallë politika shumë e butë dhe afruese ndaj kundërshtarëve është sjellje orientale, domethënë e dënueshme? Ku duket përdorimi i ryshfetit apo i eliminimit fizik? Përse, për shembull, nuk bëri të njëjtën gjë edhe Enver Hoxha me Mit’hat Frashërin e ta “joshte” me propozime të ngjashme?

Blendi Fevziu - Ahmet Zogu - Kopertina
Blendi Fevziu – Ahmet Zogu – Kopertina

Thotë përsëri Fevziu: “Më 25 qershor ai thirri në fushën e Shallvarit një tjetër dërgatë prej 3500 burrash. Gjatë ceremonisë shpalli faljen e të arratisurve politikë dhe kërkoi rikthimin e tyre normal në vend”. A ka këtu ndonjë tentativë për eliminimin e kundërshtarëve? Përse nuk bëri edhe Enver Hoxha një veprim të ngjashëm, por shkoi i ndoqi e i vrau kundërshtarët e tij edhe jashtë Shqipërisë?
Gjatë kohës që Faik Konica ishte ambasador i Zogut në Amerikë, në një mesazh që i dha njeriut të besuar të Zogut, Abdurrahman Krosit, për t’ia përcjellë Zogut, i tha: “Do të vazhdoj t’i shërbej me besnikëri dhe me zemër, sepse jam përfaqësues i tij dhe ai është koka e shtetit shqiptar. Por personalisht unë ndiej përbuzjen më të madhe për karakterin e tij”. Zogu, pra, mbante pranë dhe i vendoste në poste të larta shtetërore edhe njerëz jo lajkatarë, madje njerëz me mendime shumë të këqija ndaj tij dhe që ato mendime pa droje i shprehnin hapur. A mund të mendohej që, për shembull, Enver Hoxha të mbante pranë njerëz të tillë, njerëz që t’i shprehnin Sulo Gradecit ndonjë pakënaqësi ndaj tij? Duket sikur Nelson Mandela ka pasur parasysh sjelljet e Zogut dhe i ka zbatuar ato kur thoshte: “Miqtë mbajini pranë, armiqtë edhe më pranë.”
Çështja e kalimit të Jugosllavisë të Vermoshit dhe Shën Naumit është një nga pikat më kritike e më të debatueshme të politikës së Zogut. Mjerisht, në këtë libër për të flitet vetëm në një paragraf me 8 rreshta, ndërsa për çështjen e dashnores hipotetike të Zogut, Tanja Visarova, dhe dashnoreve të tjera, flitet në një kapitull me 9 faqe!
Largimi i Zogut nga Shqipëria pas pushtimit italian dhe marrja prej tij e një sasie ari nga banka e shtetit, është një tjetër pikë shumë e debatueshme e sjelljes së Zogut, e cila kërkon njëfarë shtjellimi. Fevziu thotë se Zogu mori prej arkës së shtetit 178 kg. flori, pa sqaruar se i kujt ishte ai flori, apo ç’pjesë e atij floriri ishte e tij.
Shumë nuk e dinë se çdo të thotë 178 kg. flori dhe mendojnë se me të, Shqipëria mund t’ia kalonte Zvicrës për nga pasuria. Vetëm tregtarit Alfons Dovana, nga Durrësi, komunistët i gjetën dhe i sekuestruan 516 kg. flori! 178 kg. flori që mori Zogu, me kursin e sotëm, do të thotë rreth 6 milionë euro, shumë që është më pak se sa gjyma e pasurisë së Tom Doshit, apo më pak se 1 për qind e pasurisë së Samir Manes. Një njeriu me pasuri mbreti në Shqipëri që ikte me qeverinë e tij dhe me mbi 1000 pasues, i cili do të vazhdonte në mërgim aktivitetin e tij për Shqipërinë, natyrisht i duhej një sasi paraje. Ashtu siç veproi Zogu, vepruan edhe monarki të tjera ballkanike dhe europiane. Floririn e thesarit të tyre ato u munduan të mos ua linin pushtuesve dhe pushtuesit u munduan me çdo mënyrë të futnin në dorë thesarin e shteteve që pushtonin. Floriri në kohë lufte, përveç të tjerave, është armë, është forcë. Ashtu siç veproi Zogu në vitin 1939, kur iku, veproi edhe Fan Noli në vitin 1924, kur iku, por, ndërsa Zogu u quajt hajdut, Fan Noli jo. Nuk mund të ketë dy standarde!!
Nuk di se përse Fevziu nuk i referohet raportit  të Komisionit Parlamentar të ngritur në vitin 1991, për të verifikuar gjendjen e thesarit të shtetit nga viti 1939 deri në vitin 1990 i cili ka nxjerrë se Mbreti Zog, kur ka ikur, ka marrë me firmë 181 kg. flori si të ardhura personale të Oborrit dhe nuk ka marrë thesarin e bankës, ashtu siç akuzohet, i cili gjendej në Romë. Nëqoftëse Zogu do të kishte marrë thesarin, si do të gjendeshin në Romë 2574 kg. flori shqiptar, i cili më vonë u mor nga gjermanët dhe përfundoi pas lufte  në Angli. Vonë, pas përmbysjes së komunizmit, Anglia pranoi të kthente floririn shqiptar në Shqipëri, me kusht që të mbante rreth 1000 kg flori si dëmshpërblimin për anijet e saj të mbytura në Kanalin e Korfuzit si dhe për të kompensuar pronarët amerikanë dhe shqiptaro-amerikanë, pasuritë e të cilëve u konfiskuan nga komunistët. Si përfundim, Shqipëria mori 1574 kg. flori, afro 10 herë më shumë nga ç’mori Zogu, të cilat një Zot e di se ç’i bëri dhe, as ka njeri që të japë llogari, dhe as ka njeri që të pyesë se ç’u bë ai flori.
Fevziu bën herë pas here disa krahasime dhe paralelizma krejt pa vend si, për shembull, ky këtu: “Më 17 maj të 1925-ës, u zhvilluan zgjedhjet e para. Ato s’kishin asnjë krahasim me zgjedhjet e prillit të 1921-it apo dhjetor të 1923-it. Në Shqipëri filloi epoka e zgjedhjeve të kontrolluara, që do të merrnin fund, plot 66 vjet më pas, më 31 mars të vitit 1991”. Mos vallë Fevziu nuk e di se pikërisht në vitin 1991 filluan të zhvilloheshin zgjedhjet më të parregullta në historinë e shtetit shqiptar, duke përjashtuar, natyrisht, ato të periudhës komuniste që nuk ishin fare zgjedhje?!
Në përfundim nuk mund të lë pa shtuar se libri ka pasur nevojë për një korrektim të kujdesshëm letrar, i cili nuk është bërë. Libri është i mbushur me gabime gjuhësore e me pasaktësi emrash të cilat ia ulin në mënyrë të dukshme vlerën. Ndonëse për shumë ato mund të kalojnë pa u vënë re, Fevziu duhet të jetë kërkues ndaj vetes. Gabimet gjuhësore fillojnë që me ballinën e librit dhe pastaj hasen kudo në brendësinë e tij.

Mbreti Zog i Parë dhe Stema Mbretnore
Mbreti Zog i Parë dhe Stema Mbretnore

***
Kristo Frashëri thotë se e ka shkruar biografinë e Zogut edhe për të përgënjeshtruar “lajkatarët” dhe “apologjetët” e tij, domethënë të gjithë ata që kanë thënë ndonjë fjalë të mirë të pa dokumentuar për Zogun. Dhe mirë bën që nuk pranon asgjë të pa dokumentuar. Por, e keqja me të është se edhe ai pranon ato që i interesojnë edhe kur nuk janë të dokumentuara dhe nuk pranon ato që nuk i interesojnë, kur janë të dokumentuara. Që të qe i besueshëm, Frashëri do të duhej të përgënjeshtronte jo vetëm “apologjetët” dashamirës të Zogut, por edhe “kritizerët” dashakeqës të tij.
Historinë reale të Ahmet Zogut, Frashëri e nis me pesë kapituj që kanë lidhje me çështjen e Vermoshit dhe Shën Naumit. Ndoshta është studimi më i hollësishëm i bërë për këtë çështje, çështje e cila ka qenë dhe mbetet nga më të diskutueshmet për veprimtarinë e Zogut. Pasi tregon me hollësi se si lindi dhe si u zhvillua ajo çështje, Frashëri jep raportin e zyrtar të tetorit të vitit 1925, për zgjidhjen e saj, ku thuhet: “Të dy dhomat legjislative… miratuan njëzëri marrëveshjen e bamun midis qeverisë sonë dhe asaj të Jugosllavisë… e cila asht plotësisht në favorin e Republikës sonë. Veç ndërtesës së Manastirit të Shën Naumit dhe përroi Voçopotok, qeveria shqiptare as Vermoshin, as Velipojën, as një pëllëmbë toke nuk humbet por, përkundrazi, kundrejt ndërtesës së Shën Naumit, merr katundin Peshkopi, fushën e Çërravës, kishën e Ajazmës dhe kodrat strategjike të Shën Naumit… dhe fiton një tokë prej 22 kilometrash katrore duke larguar kufirin dhe duke siguruar rrugën Pogradec-Korçë. Në Vermosh kundrejt përroit Voçopotok, merr kullotën e Libovicës, dy shtëpi të katundit Grenca, udhën e Lumrajës, Majën e Vogël me gjithë liqenet, Kurrizin e Velipojës… dhe gjithë vargun e malit, duke zgjeruar kufirin 25 kilometra…”  Megjithëkëtë, megjithëse kemi një dokument zyrtar që vërteton se nuk kemi të bëjmë me falje territoresh, por me shkëmbime, madje me leverdi për Shqipërinë, Kristo Frashëri vazhdon e thotë: “Lëshimi i Manastirit të Shën Naumit dhe i Velipojës në favor të Jugosllavisë nuk ishte një shkëmbim territoresh… lëshimi i tyre qe thjesht një dhuratë që A. Zogu ia jepte Jugosllavisë kundrejt ndihmave që mori nga Beogradi për shtypjen e Qeverisë shqiptare të Qershorit”. Për Frashërin dokumenti zyrtar i zgjidhjes së problemit të Vermoshit dhe Shën Naumit nuk ka asnjë vlerë. Për të ka vlerë akuza e pabazë që është bërë dhe është përsëritur për 90 vjet rresht kundër Zogut për shitje apo falje të pjesëve të Shqipërisë për interesa të veta. Madje, Frashëri zëmërohet edhe me biografin amerikan të Zogut, Bernd Fisher, i cili nuk e trajton atë çështje ashtu siç do ai, pra si tradhti.
Një çështje tjetër shumë e diskutueshme është ajo e ashtuquajtur “marrëveshje” me 16 pika e lidhur midis Zogut dhe kryeministrit jugosllav Pashiç. Siç thuhet, pasi Zogu do të rimerrte pushtetin me ndihmën jugosllave, ai do të zbatonte marrëveshjen në fjalë e cila do t’i hiqte krejtësisht sovranitetin Shqipërisë. Kristo Frashëri nuk jep asnjë dokument zyrtar që të vërtetojë “marrëveshjen” dhe nuk jep, sepse nuk ekziston asnjë dokument i tillë. Dokumenti “zyrtar” që jep Frashëri është thjesht një botim propagandistik i një gazete italiane për qëllime politike të kohës, pa asnjë rëndësi zyrtare historike. Përveç kësaj, vërtetësinë e “marrëveshjes” e hedh poshtë moszbatimi i asnjë pike të saj nga Zogu dhe mospasja e asnjë reagimi jugosllav për të. Biografi i Zogut Xheison Tomes, as që e përmend fare këtë marrëveshje.
Thotë Frashëri: “Një nga kundërshtarët më aktivë ishte Hasan Prishtina, i cili kishte siguruar mbështetjen e Romës. Pikërisht në këto rrethana, Zogu organizoi vrasjen me atentat të Hasan Prishtinës në Selanik”. Pa asnjë lloj dokumenti, vrasjen e Hasan Prishtinës Frashëri ia vesh Zogut, ashtu siç kanë bërë edhe shumë para tij.
Në një intervistë me Zërin e Amerikës në vitin 2014, stërnipi i Hasan Prishtinës, Hasan Prishtina, thotë: “Për mua është fatkeqësi që Hasan Prishtina dhe Ahmet Zogu nuk kanë shkuar mirë. Ahmet Zogu akuzohet se ka vrarë Bajram Currin, Luigj Gurakuqin dhe Hasan Prishtinën, por… sot… duhet të kërkohen dokumente dhe akuzat të bëhen me fakte, sepse pa fakte s’mund të bëhen akuza”.
Zogu është quajtur vrasës. Përveç vrasjeve hipotetike të Luigj Gurakuqit, Hasan Prishtinës e Avni Rustemit, atij i vishen edhe vrasje të tjera. M’u desh para ca kohësh të bëja një shkrim për të krahasuar, ndërmjet të tjerave, vrasjet që janë kryer në kohën e Zogut dhe ato që u kryen në kohën e Hoxhës. Nga të dhënat që munda të mblidhja, më dilte se, ndërsa në kohën e Hoxhës shifrat gjysmëzyrtare flasin për mbi 6000 veta të vrarë, në kohën e Zogut më dilnin vetëm 18, të gjithë të dënuar pas 4 kryengritjeve të armatosura kundër qeverisë, dënime që do t’i jepte çdo qeveri e Europës së asaj kohe, kur dënimi me vdekje nuk ishte nxjerrë ende jashtë ligjit. E si mund të quajnë komunistët vrasës Ahmet Zogun që vrau 18 veta me gjyqe të rregullta, madje nuk vrau e as dënoi Beqir Valterin që i bëri atentat, por e fali, kur i pari i tyre vrau mijra, duke përfshirë edhe gra e shokë e shoqe të tij komuniste, prej atyre që nuk e kërcënonin aspak?

Kristo Frasheri - Ahmet Zogu
Kristo Frasheri – Ahmet Zogu

Në bazë të doktrinës së Enver Hoxhës që marrja e kredive nga jashtë është  tradhti, Kristo Frashëri është i bindur se Ahmet Zogu e përgatiti pushtimin e Shqipërisë nga Italia Fashiste, sepse kishte marrë prej saj kredi dhe nuk ia shlyente dot. Nuk ka gjykim më fëminor se ky! Duket se, sikur Zogu të mos kishte marrë kredi nga Italia, apo t’ia kishte shlyer ato, Shqipëria nuk do të pushtohej dhe lufta do të qe shmangur! Vetë Italia gjatë agresionit të saj, nuk i ka përmendur kurrë kreditë që i kishte dhënë Shqipërisë.
Në lidhje me veprimet e Zogut në prag të agresionit fashist italian, Frashëri thotë se Zogu duhej t’i shpallte luftë Italisë dhe të vepronte ashtu siç veproi presidenti i Çekosllovakisë, Eduard Benes, i cili iu përgjigj agresionit nazist me shpalljen e gjendjes së luftës. Këtu profesori, nga zelli i madh që ka për të diskredituar Zogun, gabon dy herë: herën e parë gabon se Presidenti i Çekosllovakisë në atë kohë nuk ishte Eduard Benes, por Emil Hacha dhe herën e dytë gabon se ushtria çekosllovake u urdhërua nga presidenti i saj të mos luftonte. Hitleri e thirri presidentin çekosllovak në Berlin dhe nën kërcënimin se do të bombardonte Pragën, e detyroi atë të urdhëronte ushtrinë e fuqishme Çekosllovake të mos i paraqiste asnjë rezistencë ushtrive të Hitlerit. Çekosllovakia u pushtua pa shkrepur asnjë pushkë.
Ambasadori amerikan në Tiranë në atë kohë, Hju Grant, tregon takimin që pati më 6 prill të vitit 1939, një ditë para pushtimit të Shqipërisë, me mbretin Zog. Ai thotë: “Në përgjigje të pyetjes sime kategorike nëse Qeveria do t’i rezistonte me forcë zbarkimit të trupave italiane… mbreti u përgjigj se kishte urdhëruar mobilizim e përgjithshëm dhe evakuimin e popullsisë civile nga Durrësi. Madhëria e tij tha se Shqipëria nuk kishte shumë ushtarë, vetëm 373, dhe se ai kishte qenë në gjendje të dërgonte vetëm dy batalione në portin e Vlorës. Njësitë e tjera tha ai ishin vendosur në pozicione strategjike… Mbreti tregoi se nuk do të ishte e mundur për ushtrinë e tij t’i rezistonte shumë gjatë ushtrisë së fuqishme e të pajisur mirë italiane. Ai tha se rezistenca shqiptare do të jetë një protestë kundër agresionit italian dhe një demonstrim për botën, se shqiptarët nuk do të vdesin pa bërë luftë… Sjellja e përgjithshme e mbretit ishte e qetë, por gjatë bisedës që zgjati për gati një orë ai manifestoi emocione të forta, sidomos kur deklaroi se agresioni italian nuk do të përmbushej në Shqipëri, ashtu siç kishte ndodhur në Çekosllovaki. Ai tha se në asnjë rrethanë nuk do të binte dakort të nënshkruante dorëzimin e vendit të vet, siç kishte bërë Presidenti i Republikës Çekosllovake”.
Blendi Fevziu në librin e tij përmend një rast kur Zogun, pasi italianët e joshën me një jaht, deshën ta çonin në Itali me gjithë familjen dhe aty, nën kërcënim, ta detyronin të pranonte kushtet italiane për pushtimin e Shqipërisë, njëlloj siç do të bënin gjermanët pak më pas me presidentin çekosllovak. Zogu u nis për në Itali me jaht, por e kuptoi kurthin dhe nën pretendimin se po i zinte deti, u kthye mbrapsht e nuk u ra në dorë italianëve.
Ikja e Zogut gjatë agresionit fashist italian është e diskutueshme, sidomos për mentalitetin shqiptar, i cili e konsideron luftën e armatosur si të vetmen luftë të mundshme dhe është quajtur tradhti, ndërsa tradhtitë e të tjerëve, të atyre që bënë vërtet tradhti nuk përmenden fare. Xheison Tomes, biograf i Zogut, thotë se nuk dihet nëse tradhtoi Zogu, apo Zogun e tradhtuan. Siç bëri Zogu, do të bënin më pas edhe të gjithë mbretërit e vendeve europiane sapo u pushtuan nga nazistët, por asnjë prej tyre nuk u quajt tradhtar.
Dështimi i përpjekjeve të Zogut për ta ndihmuar fuqitë kryesore europiane të kthehej përsëri në fron, nuk ka lidhje me personalitetin dhe politikën e tij, ashtu siç pretendon Frashëri, por me njohjen e pushtimit italian të Shqipërisë nga ato fuqi, me ndërhyrjen e grekëve pranë qeverisë britanike kundër tij, tek i cili shihnin kundërshtarin më të fortë të synimeve të tyre helenizuese në Shqipëri dhe me mosqenien e kurorës mbretërore shqiptare të lidhur me kurorat mbretërore të vendeve të tjera evropiane.
Për të treguar se ryshfeti ishte një nga tiparet kryesore të regjimit zogist, Frashëri tregon këtë ndodhi: “Në një takim të fshehtë që agjenti i njohur italian Giovani Giro organizoi… në shkurt të vitit 1939, me dy krerë dibranë Murat Kaloshin dhe Miftar Kaloshin u dha 5000 napolona ar ryshfet me qëllim që ata të vrisnin mbretin Zog. Të dy krerët dibranë… shkuan te mbreti Zog… Murat Kaloshi i paraqiti Mbretit Zog 5000 napolonat duke i deklaruar se ua kishte dhënë G. Giro për ta vrarë. Mbreti qeshi dhe u tha: “Ju merrni paratë dhe ju bëfshin mirë. Mos besoni fare në këto propaganda se qeveria i ka marrë masat kundër Giros dhe të tjerëve.” A ka këtu përdorim ryshfeti nga regjimi zogist dhe a duket lakmia e Zogut për pasuri? Nuk duken, as njëra e as tjetra!
Zogu kritikohet se nuk lejoi pluralizëm partiak. Por, a e dini se përse nuk e lejoi? Në modë në kohën e Zogut kishte vetëm dy ideologji: fashiste dhe komuniste. Zogu preferoi të kishte vetëm një ideologji: ideologjinë kombëtare shqiptare dhe në saj të edukimit të popullit shqiptar me atë ideologji, populli u ngrit në këmbë për të protestuar dhe luftuar kundër agresionit italian. Mendoni se ç’do të bënin shqiptarët në vitin 1990, të edukuar me ideologjinë komuniste, po të vinte në Shqipëri një fuqi pushtuese italiane!
Profesori e mbyll kështu librin e tij: “Si përfundim, nga sundimi i Zogut… vendi pati shumë pak përfitime, madje mund të thuhet se Shqipëria humbi shansin që nën një udhëheqje më patriotike, më të kulturuar, më të ndershme, më largpamëse, t’i afrohej më tepër qytetërimit europian. Për këtë kohë të humbur përgjegjësinë kryesore e ka, për shkak të vetive personale, vetë Ahmet Zogu!” Asnjë nuk mund të kundërshtojë në parim  që, nën një udhëheqje më të mirë (sepse e mira nuk ka fund), Shqipëria do të ecte më mirë e më shpejt, por, a s’na thua, Profesor, cila do të ishte kjo udhëheqje më e mirë? Ali Kelmendi me shokë?
Nju Jork, shtator, 2015

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.