Shkencetarja Laura Mersini:
“Babai i internuar, më mësoi lumturinë!”
Shkencëtarja shqiptare me famë botërore
Laura Mersini – Hougton,
profesoreshë e fizikës teorike dhe kozmologjisë
në Universitetin Amerikan të Karolinës së Veriut
në një intervistë dhënë për një radio amerikane
krahas arritjeve prestigjioze ne shkencë
ka folur për të kaluarën e saj
si dhe marrëdhëniet me familjen në regjimin komunist.
Vajza e profesorit të Matematikës Nexhat Mersini ka treguar se kur ishte fëmijë është përballur me vështirësi të shumta, ku padyshim ajo që do të mbetet në kujtesë, ishte internimi dy herë i babait të saj vetëm për faktin se vinte nga një familje e pasur që regjimi i kohës i cilësonte si armike të popullit.
Laura në intervistën e saj e përshkruan jetën në regjimin komunist si komplekse dhe me kontradikta të forta. Sipas saj nga njëra anë familja përballej me fatin e internimit të babait pa shkak dhe nga ana tjetër ajo tregon se ishte e rrethuar nga shumë dashuri si brenda familjes ashtu jashtë saj.
Këtë kombinim të dy ekstremeve në ato vite të vështira, Laura Mersini e cilëson si eksperiencë shumë interesante. Laura do ta përshkruante ditën e parë të shkollës si një moment të jetës së saj që nuk do t’i shlyhej nga kujtesa për shkak të internimit për herë të parë të babait që deri në atë kohë jepte mësim në universitetin e Tiranës në degën e matematikës.
Ajo tregon se vetëm një herë në muaj babai ishte lejuar të vizitonte familjen gjatë kohës që ishte në internim dhe se edhe kontaktet me telefon ishin të limituara në atë kohë. Një tjetër moment interesant i rrëfimit të saj për takimet me babain e internuar Laura tregon se si ai përpiqej ti thoshte gjithnjë të vërtetën rreth origjinës së familjes, e cila nuk kishte bërë asgjë të keqe kundër vendit.
Ajo tregon gjithashtu edhe një nga këshillat më të vyera që ajo mori në atë kohë.
“Nga babai mësova se për të pasur një jetë të lumtur dhe të bukur e kisha vetë në dorë, pasi gjithmonë do të kishte probleme pavarësisht regjimit ku do të ndodhesha. Bota do të jetë e ndarë mes njerëzve te talentuar që përpiqen të ndryshojnë gjërat dhe njerëzve mediokër që përpiqen ta bëjnë të vështirë jetën për njerëzit e talentuar…” – tregon Laura për një nga mesazhet më të rëndësishme që do ta shoqëronte dhe do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e saj.
Laura Mersini pas adoleshencës së saj mbaroi me rezultate maksimale degën e fizikës, në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Ndërsa pas rënies se regjimit komunist Laura Mersini kreu studimet pasuniversitare në SHBA, dhe në vitin 2000 mori doktoraturën në Universitetin Wiskconsin-Milwaukee.
Aktualisht ajo është një nga shkencëtaret me aktive në SHBA me peshë botërore në fizikën teorike, që ka zbuluar një teori të re të origjinës së “Big Bengut”, që zgjeron njohjen dhe zbulimin e kozmosit dhe të krijimit të gjithësisë në një bashkësi universesh, “multiverse”
http://shqiptarja.com