back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Nobeli” si një “ambulancë shpirtërore” e njeriut pacient… nga Rezart Palluqi

Gazeta

Medalja e çmimit Nobel
Medalja e çmimit Nobel

Nobeli” si një “ambulancë shpirtërore”

e njeriut pacient…

nga Rezart Palluqi

Sipas mendimit tim, çmimin Nobel e meriton ai shkrimtar që sakrifikon për popujt që kanë rënë në rrjetat e diktatorëve, merr në mbrojtje vlerat e rrezikuara universale, si dashuria, liria e mendimit, ndërton ura miqësie midis dy popujve të armiqësuar nga politikat ekspansioniste, ose i rifreskon njerëzimit kujtesën, duke letrarizuar papushim dramat ose luftërnjenat që janë zhvilluar në të kaluarën, me qëllim që ato të mos ripërsëriten në të ardhmen.
Pra, Nobelin, sipas mendimit tim, nuk duhet ta fitojë, ai shkrimtar që di të shkruajë bukur dhe shpikë fabula të rralla letrare, si “Procesi” i Kafkës, apo “Ferma e kafshëve” të Orwellit, sepse këto libra vetëm se konstatojnë të keqen, por nuk japin një rrugëzgjidhje alternative. Shkurt, Nobelin për mua le ta fitojë ai shkrimtar që letërsinë e konsideron si një “ambulancë shpirtërore” e njeriut pacient.
Njeriu, në sytë e mi, nuk është pjekur ende, për ta konsideruar letërsinë si një art të luksit, pra burim argëtimi. Edhe sot, 80% e njerëzimit është e zhytur në mjerim, varfëri, urrejtje, luftra gjakatare. Madje, edhe 20%, ose bota Perëndimore, që falë luksit dhe paqes gjysmëshekullore, e percepton letërsinë si një burim argëtues, has probleme mjaft serioze, si: monotonia, vetmia, depresioni. Rrjedhimisht, edhe në këtë pjesë të vogël të botës, ku njeriu jeton në Paqe dhe magjet i ka plot me bukë, letërsia nobelisto-humaniste, nuk mund të flejë gjumë me shtatë palë qejfe.

Peter Nadas (1942)
Peter Nadas (1942)

Jo më kot, Nobeli i vitit 2014, iu akordua një shkrimtari, që u mor me rifreskimin e kujtesës së përgjakur të luftës së dytë botërore, duke na folur thjeshtë, por me dhimbje për ish banorët parizianë, emrat e rrugëve, numrin e shtëpisë së tyre, orenditë e tyre shtëpiake, zbrazjen e tyre prej luftës. Një thirrje letrare për të mos harruar lehtë dramat e së kaluarës, përndryshe radhën e kanë shtëpitë tona…
Preferenca ime, shkon këtë vit për shkrimtarin hungarez, Petër Nadas. Librin e tij e kam lexuar në gjuhën holandeze dhe titullohet “Qyteti i kujtimeve”. Një libër prekës, i thellë, ku trajtohen kompleksitetet e të paktën katër brezave në Hungari, përballë, mizerjes familjare, politike dhe shpirtërore. Diktatura komuniste në Berlinin lindor zhvishet mjeshtërisht lakuriq. Dy shokë distacohen nga bota e jashtme dhe zhyten në pusin e së kaluarës dhe kalojnë në sitën e kujtesës gjithçka të mirë apo të keqe që kanë hequr në lëkurë. Shkurt, ky libër të shkund fort, dhe nuk të lë të biesh në gjumin e ri dhe të ëndërrosh në prehërin e diktaturave të reja, ngaqë fytyra e ish diktatorit të shfaqet çdo ditë mjaft qartë në kujtesë.
Favoriti im i dytë, është shkrimtari Amos Oz. Libri i tij, “Kutia e zezë” më ka hapur sytë, dhe i është përgjigjur mjeshtërisht shumë pyetjeve të mia të vjetra rreth armiqësisë psikopatike midis Izraelitëve dhe palestinezëve. Teksa lexoja letrat e djalit palestinez, thoja: o zot, ky është viktimë dhe izraelitët janë përbindësh. Por fill mbasi përhumbesha në letrat që dërgonte personazhi izraelit, më krijohej e njëjta ndjesi dhe zemërim ndaj palestinezit, dhe thoja: edhe mbi të rëndon përgjegjësia. Dhe këtu qëndron magjia e letërsisë së madhe, sepse ajo gjithnjë fajin e një konflikti të madh, e gjen tek të dyja palët. E keqja nuk vjen vetëm prej agresorit, por edhe prej viktimës… E vetmja gjë që i mungon këtij libri, është rrugëzgjidhja. Sidoqoftë, është një kryevepër, një pasqyrë tejet realiste e konfliktit palestinezo-izraelit.
Favoriti im i tretë, është poeti sirian, Adonis. Siç e thashë, edhe më lart, Nobeli mund të shërbejë më shumë si një gjilpërë shpresëdhënëse shpirtërore e popujve në nevojë të madhe. Siria po copëtohet prej predhave të luftës. Poezitë e Adonis, janë të thella, prekëse, denoncuese, por ato tresin edhe mjegullën e luftës gati pesëvjeçare nën qiellin sirian.
Shkrimtarja ose fituesja e katërt e Çmimit Nobel 2015, për mua mund të jetë edhe shkrimtarja francezo-algjeriane, Assia Djebar, e cila me prozën e saj, ndër të tjerat, është marrë me zgjerimin e lirisë së gruas arabe si edhe emancipimin e saj të mëtejshëm.
Holandë, 07 tetor 2015

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.