Shampanjë e valle nga Lazër Radi (1937)
Shampanja e shijshme shkëlqente ndër kupa t’arta helmi.
Nën at atmosferë ndigjoheshin vetëm melodi e tinguj të kandshëm gotash shampanje.
…Ndërkaq çupat hjedhshin valle. Kështu Jeta ndër pije dhe dashuni rrëkllehej…
Minotauri asht zgjue, – i dëshpëruem. Plagët e Jetës e mundojnë.
Del prej moçaleve të mjerueme dhe futet mu në zemër të qytetit andërrtar dhe nis me shikue: N’atë sallon të mrekullueshëm shkëlqejshin pasqyrat dhe porcelani. Ndër kuadro të bukur që stolisshin muret dukeshin, “Asat e ngjyrueme”. Mandej ndër kolltuqe të rehatshëm kadifesh shtri, vërejshin Zotnitë bujarë. Ishin të veshun me rroba të zeza e me parzëm xixllues. Vashat e hijshme, të stolisuna me xhevahira e me rroba të qëndisuna që u dukeshin si rrobet përrallore të “Njimijë e nji netëve”
Ato, plot veleti hjedhshin valle…
Zotnitë bujarë shikojnë, nëse vashat e bukura shpërndajshin gaz në të katër anët dhe shkojshin tue i shkelë synin herë njenit e herë tjetrit…
Tingujt fluturojshin me andje dhe “Demoni” modern tue mbërthye belin e vashës me dorën e vet të djathtë, shkon tue kërcye tempon magjike të tangos…
“Minotauri” plot dhimba të thella nis me u turbullue, mandej lëshoi nji ulurimë të tmerrshme. Ulurinte sepse dhimbat e kishin pezmatue… Dhe kërkonte “Jetë”
Po, ishte i etshëm për jetë… Ulurinte… dhe ulurima i dilte si hymn i nji Jete të Re…
(Shtypi, e enjte, 21 tetor 1937)