Duke u ndalur në dorëshkrimet
e disa poezive të Migjenit
“E papërsëritshme ndjesia,
kur me gishtërinjtë e tu,
mund të prekësh fletët ku Poeti,
hidhte vargjet e tij,
ndoshta një vit para se ikte nga kjo botë…
Ndoshta i kemi lexuar shumë herë këto vargje,
por dorëshkrimi se ç’ka një lloj magjie!!!
Admirina Peci
Dy Buzë…
Dy buzë të kuqe,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithën,
gëzimin ma fikën,
si fantazma hikën
ndër do bota të larta…
Dy buzë si të përgjakta,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithën
në buzë kur m’u njitën
andjet m’i trazuen,
zemrën ma tërbuen,
trunin ma helmuen
e në fund u mërguen…
Dy buzë të kuqe,
bukuri fatale,
të një gruaje stërzane
një pjsë zemre më nxorne,
një pranverë të tanë më morne
dhe gëzimin ma vodhne…
Ato dy buzë të kuqe
dhe dy lote të mija
qenë shenja të dhimbjes,
kur më vrau bukurija,
kur më zu dashunija
e më dogji rinija.
Ndeshja
O grue që të ndesha në dit’n e fatkobit tem,
kur prirja njellte e syt shikojshin zi
e ndjejshe veten se dhe unë jam fli
te një ndjesi
si ti.
O grue q’u ndeshme në ditne e fatkobit tonë
zemër për zemër edhe ball për ball
e ndjesitë n’u shprehën me mall
me një vall’:
sa hall…
Dhe kështu në rrugë të madhe e shitme zemrën tonë,
njerzve që vetëm një të përqeshun dhanë për të
e shkuen të kënaqun e tu’ u gëzue – pse
panë mfshehsinat intime të kësaj jetesës sonë.
E na, dhe një dhimbë të sinqertë tue ndijë,
vuejshim me zemër të ndrydhun si dy fëmijë
të humbun ndër vise të hueja natën, vonë,
o grue, q’u ndeshme në dit’n e fatkobit tonë.
Z. B.
Buzmramja u dridhte ndër afshet e mbramë
të diellit përndimuer
me kuqlim e tisa purpuer,
me kaltrina të kullueta në qiellë e në sy tand.
ku në fund u pasqyronte një dashni e lume
si vegimet e fatbardhsis në lima,
mbi të cilin tërthuer fluturon një pëllumb
dhe gëzime të pamatna gugon pa pra.
Zojushë, q’ at buzmramje
unë andrroj me andje
dhe me një dashni të pastër
ata dy sy tuej të kaltër,
që m’u falne letë
me një shikim diskret.