back to top
15.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Poeteka 36 – vjeshtë 2015 – E’hem Haxhiademi nga Hortensia Haxhiademi – Pellumbi

Gazeta

Poeteka 36 - Vjeshte 2015
Poeteka 36 – Vjeshte 2015

Përmbajtja

Poeteka 36 – vjeshtë 2015

4 Arian Leka – I’m nobody! Who are you? Letërsi shqipe
10 Petraq Risto – 12 poezi
20 Ilir Kalemaj – 11 poezi
28 Natasha Lushaj – 1 tregim
37 Valbona Bozo – 2 tregime Letërsi e huaj
42 Alain Bosquet – 15 sonete Përktheu Edmond Tupja
51 Wiclava Szymborska – 9 poezi Përktheu Pandeli Çina
65 Jurij Hudolin – 11 poezi Përktheu Fadil Bajraj Esse
74 Ylljet Aliçka – Lufta e pamëshirshme për të parë televizor
85 Roland Gjoza – Çerek ëndërr amerikane Përballë tekstit
90 Dan Coman – 10 poezi rumanisht – shqip Përktheu Kopi Kyçyku Studime – Albanologji
116 Violeta Murati – Shmangje e gabime në transmetimit e tragjedisë “Neomenia” të Santori-t In Memoriam
134 Et’hem Haxhiademi – Dossier Ad Honorem
182 Naim Kryeziu – Elias Canetti – “Unë e kapa për fyti shekullin tim”
191 Letërsi bashkë kohore nga Ballkani: – Enes Karić, – Nikola Madzirov, – Edo Popović, – Tomaz Salamun, – Renato Baretić, – Vladimir Arsenijević, – Emir Imamović Pirke, – Georgi Gospodinov, – Alek Popov, – Srdjan Valjarević.

Et'hem Haxhiademi i Ri
Et’hem Haxhiademi i Ri

“Do ju duhen 50 vjetë ta prodhoni nji si unë!”

Hortensia Haxhiademi – Pellumbi

Fletë, nga ditari i nji fëmije..

Gjithnji mahnitje dhe ndér… të jesh jot mbesë!

Kujtimet e mia të fëminisë janë ma t’kthjelltat, ma të dashmet, dhe s’ka asnji randësi sa udhëtime kam ba, n’sa brigje kam jetu – ma shumngjyrshet, rrethu prej nji realiteti gri. duhet të ishte kështu për të gjithë, prehën i ngrohtë e andrra të bukura… kur të tjerët andrrojnë e shqetsohen për ty e me ty… dhe jeta duket e pafund. O ndoshta unë i ruaj paksa ma fort se të tjerët kujtimet e fëminisë sime, (i kërkon!! – më tha dikush), ato që isha me aq fat t’i jetoja e ato që më kishin grabitë…
Kujtoj me shumë mall shtëpinë ku u rrita, aty te namazgjaja, me at kopshtin me aromë limonash e portokallash, lojnat me flokë kukllash e biçikleta të vogla, ninullat magjike e madje qortimet paksa poetike… Nji fëmini si e mjaft fëmijëve të viteve ‘70 – ‘80, në Shqipërinë e asaj kohe… Veç ti e ndjeje tek rriteshe, se ishte paksa ma ndryshe, nji botë kaq e ngrohtë, por paksa kërkuese… Rrethu nga të rritun që kishin pa shumë, kishin lexu shumë, kishin dhimbje shumë, e qi buzqeshnin pak… Po paksa ma bukur se tjerët. u rrita në shtëpinë e Haxhiademëve.
Qe babi im i ekuacioneve – me shpirt poeti; nana – ajo zonja e randë me sharp të zi – që udhëtoi me çantat e brengave drejt qelive dhe kujtimeve; mama praktike, e mençme dhe kurajoze; daj’ Homeri – i bukur, që dinte aq shumë… oh… Kushedi sa gjuhë të huaja; daj’ dini që e kam ende, jetoi tanën, e të tregon madhshtinë dhe vuejtjet e Haxhiademëve gjithë natën; halla e fisme; edhe unë, edhe im vëlla e kushërini… dhe Gjyshi… Gjyshi im… I madhi sa jeta!
Kur më kërkohet me shkrujtë për Et’hem Haxhiademin, ndalem pak dhe mendohem gjatë… Për kët gjysh të shquar që shkroi vargje aq të bukura e që s’më priti ta njoh… E t’i ulem në prehnin e tij… nuk e lanë të kthehesh ku e prisnin të gjithë. Për mu, gjyshi ishte portreti i atij fisnikut te setri i dhomës poshtë, dhe tregimet e tim eti për të; ishte ai libri i trashë
Te biblioteka që zgjatesha majëgishtave ta merrsha e ta lexoja… Ishin ato vargje nymfash që më tingllonin aq ambël edhè kur isha fare e vogël dhe s’i kuptoja aq mirë…
Gjyshin s’e pata vërdallë tek rritesha, por aq pranë dhe aq brenda meje. Ai qe njeriu me jetë të madhe tragjike si prej librave që ai vetë kishte shkru… Ai e kish prekë jetën e tanë të mive, në nji mënyrë a nji tjetër, madje edhe tonën, edhe timen. Bába – e thërrisnin. të gjithë ne flisnim për të sikur ai të ishte mes nesh: Bába kështu, e bába ashtu… Libri i Babës, dhe librat e Babës…
I imi, më foli gjithnji për të tijin me nji buzëqeshje të mendueme e fisnike. Se ai fliste për poetin, për tragjedianin, atdhetarin, idealistin, për filozofin e për politikanin, për të birin e Eminit, i kohës së Kristoforidhit, Baba i Madh qi shkroi letra të bukura të mohueme… Gjyshi ishte për mue – fllad vargjesh e dhimbjesh. Si nji e vërtetë në kufijtë e legjendës…
Kështu ma rrëfente im Atë në prehën, mbase të mos ma mundonte at mendjen e vogël time me të madhërishmen dhe tragjiken e tij… Ma tregonte aq ambël, sa gjyshi për mua ishte Ai njeriu me penën e bukur, që kishte lanë aq shumë gjurmë te im Atë… ishte Ai që kishte shetitë në rrugët e Berlinit, Vjenës dhe Romës e që kishte shkrujtë aq shumë vargje; ishte Ai që lexonte e fliste latinishten dhe greqishten e vjetër; që e shkruejti tragjiken me nji pak dashni, dhe dashninë me shumë dhimbje…
Ai që shkroi e vuni në skenë drama gjithë rimë dhe ritëm; Ai që jetoi e punoi në kohë mbretnie në Lushnjë, në Gjinokastër, në Tiranë… po që gjithmonë u kthye në elbasanin e tij aq të dashtun… edhè kur i rrezikohej jeta…
Gjyshi ishte ai që papritmas shfaqej në leksionin e letërsisë së gjimnazitit tim… Më buzëqeshte Et’hem Haxhiademi, pse ishte aq i madh sa e përmendnin gjithsesi, në nji histori letrash të tjetërsueme e të shëmtueme, Ai tok me ca klasikë të tjerë të mëdhenj…! Nji shoqe me pyeti nji ditë në klasë gjithë shqetësim: “Është një Haxhiadem në kët leksion, a mos ka lidhje me ty!?” unë thjesht i buzëqesha dhe i thashë: “Po, asht im gjysh!” Shoqja ime e ngushtë s’ma kuptoi buzqeshjen, dhe më shihte e hutume! “Po, flitet keq për të!!” – më tha, ndërsa unë vazhdoja t’i buzëqeshja tinëz… Si t’ia shpjegoja shoqes sime të vogël që unë e njihja ndryshe!! Se ato që mësonim ishin nji gënjeshtër e madhe!! Veçse mendova: “Ka me ardhë nji ditë që të flitet drejt për të!”
Dami ma i madh që na bani ajo kohë e poshtër ishte se i burgoste vargjet hyjnore, dhe na e mbushte kokën me pallavra…
Ma vonë, tek rritesha, ai, i miri im, më tregoi edhe mjaft të vërteta të tjera. Ashtu – shush shush… nën za mbramjeve. Édhe pse unë isha tashma e pjekun, dhe ca gjana i kuptoja ma mirë!
A dhembin tregimet!? Për at natën e zezë, kur jeta ndryshoi për të ndryshu jetë brezash? Për prangat e gjyshit në hetuesi që i kishin vanë – po që nuk dukeshin nga plagët përmbi; për torturat që vazhdun edhe pas dënimit me vdekje; për nanën që trokiti “derë me derë” me shpresë se do e shpëtonin miqtë që ai kish dashtë aq shumë!!
Për atë që do t’ia rriste e do t’ia mësonte katër fëmijët e vegjël të mbetun rrugave… për rrugët e burrelit që u banë aq të gjata e aq të dhimbshme… im At dhe vlleznit e tij, u rritën tuj rrugëtu te Baba, gjithnji me nji shpresë, me shpresën se do ta kishin prap nji ditë mes tyne… nji ditë lexoja letrën e tim eti (s’e paskam ditë që e kishte shkrujtë), e bashkë me tregimin që lexojnë të tjerët, shoh dhimbjen në sytë e tij tek më tregonte…
Për njeriun që shkroi si andërr e i mbylli sytë (pak kohë para se të “lirohej”!) në qelitë e burrelit…
Sot, pak ka mbetë nga ajo fëminia ime gjithë tregime të babit.
Ai më la varret nën selvi, që më sjellin herë mbas here në Atdhe… Sidomos njeni, mes varrezave të elbasanit tim të dashtun, diku pranë nji çesmeje që gurgullon…
Nji Varr i thjeshtë e fisnik, ku shkoj e ve lule përherë… Për epitaf ka ca vargje të shkrume nga dora e të zotit, që prehet – veç ndër qiej e kujtime…

“Qëndro gjersa të marrish frymë i lirë
dhe krenarin’ që t’ fali ty gjithsija
të mos e lshojsh duke kërkue mëshirë
nga plogështija…”

E’hem Haxhiademi tha veç dy gjana kur i komunikuan dënimin me Vdekje: “Të rrojë Shqypnia!” dhe “Do ju duhen 50 vjetë ta prodhoni nji si unë!”
Po unë besoj se nuk ka ma si Ai. Nuk mund të lindë kurrë nji i dytë… Ai asht tempulli im që këndon atje lart e larg, në piedestalin që i gdhendi vetes!

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Poeteka 36 – Vjeshtë 2015
    I ka kushtuar 48 faqe shkrimtarit Et’hem Haxhiademi… Ky është botimi më i gjerë dhe më i plotë rreth kësaj figure të rëndësishme të letërsisë shqipe, e mbytur me heshtje për gati 80 vite.
    Falenderojmë Poetekën, stafin e saj dhe Arian Lekën, për paraqitjen tejet dinjitoze dhe si askush tjetër deri më sot, të këtij personaliteti të rrallë siç ishte Et’hem Haxhiademi, duke i shprehur mirënjohje të thellë për vullnetin e mirë dhe kurajon, deri sot të munguar, ndaj vlerave të përbaltura të gjiganti të kulturës shqiptare… j.r.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.