back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Një roman tronditës mbi dënimin e së keqes dhe afirmimin e lirisë… Qazim Shehu

Gazeta

Qazim Shehu
Qazim Shehu

Një roman tronditës mbi dënimin e së keqes

dhe afirmimin e lirisë…

Qazim Shehu rreth romanit “193 Kafazet”

Me romanin e ri “193 Kafazet”,
jo vetëm me temën, motivet ngjarjen,
skalitjen e personazheve, funksionalizimin e ambjenteve,
kryeneçësinë estetike të detajit realist dhe simbolik,
por edhe me gjuhën, autori Rezart Palluqi, na sjell një befasi të re.
Ky roman duke i shkrirë kohrat në një pikë reflektuese:
dënimin e së keqes dhe afirmimin e lirisë,
përcjell kumte njerëzore, shpërfaq ide të lirisë dhe të antikonformizmit,
të cilat shoqëria shqiptare duhet t’i përthithë në qenien e saj
për t’u ngritur në lartësitë e lirisë dhe të guximit.

Romani më i ri i prozatorit të talentuar Rezart Palluqi “193 kafazet” më solli një ndjesi të mirë leximi. E thënë që në fillim, Rezarti shkruan me një stil dinamik dhe materien rrëfimore e mbush me jetë, përshkruan mirë ambientet, skalit personazhet dhe sjell një informacion të këndshëm rrëfimor për to. Si një prozator që e ka stërvitur dorën edhe në romane të mëparshme, të cilat i kam lexuar, vura re se në këtë roman ai ka një ngjitje tjetër drejt nivelit të fjalës e cila nuk ka të sosur.
Shkurt, është një roman që nuk të ikën nga dora dhe, kur e mbaron së lexuari, të ve në mendime, çfarë ndodh me vepra të mira, me atë lloj proze që shkruhet me gjakun e zemrës dhe sjell realitete origjinale. Si një autor me eksperiencë, me një pasuri vëzhgimesh dhe si njohës i strukturës së romanit, Rezarti do të na sjellë shpalosjen e një bote njerëzore në diktaturë dhe pasdiktaturë, duke i vendosur ngjarjet në Shqipëri e Hollandë për të treguar se filli njerëzor shpaloset në hapësira të gjëra, por edhe për t’u dhënë atyre gjërësi.

Rezar Palluqi - Roman -"193 Kafazët"
Rezar Palluqi – Roman -“193 Kafazët”

Kjo mënyrë e ka shpëtuar atë nga rrëfimi rrafsh, në linearitetin e mërzitshëm ose nga gërmimi i kotë për të mbushur thjesht faqet. Me pak fjalë fabula është kjo; babai shihte yjet me dylbi, për këtë arrestohet, burgoset dhe më vonë familja, nëna e Yllit, Ylli dhe xhaxhait arrastisen dhe përfundojnë në Hollandë. Ylli njihet me Zhanetën, martohet me të, po qëllon që babai i saj është një ish sigurims dhe pas gjurmimeve, ai del që është protagonist në vrasjen e babait.
E gjitha kjo bërthamë dramatike e ngjarjes me një teknikë rrëfimtare ku frymon dëshira për t’iu afruar misterit të babait, gjetjes së eshtrave të tij, “ndihma” që do japë Viktori, i vjehrri, bëhet leva e shqetësimeve të përditshme që kërkon pikën e mbështetjes dhe njëherit na e afron Yllin në formatin e Hamletit, i cili kërkon gjithnjë enigmën e vrasjes dhe të gjetjes. Pa dyshim, lexuesi e ndjek këtë personazh që vërtet jeton në Hollandë, po kurrë nuk i ndahet kujtesës, as dëshirës për kërkim. Ai kërkon ta zbërthejë të kaluarën me një ndershmëri që të habit, guxim dhe dashuri për babanë e humbur. Rasti e sjell dhe përjashton mundësitë, por ai këmbëngul, sepse jo vetëm është një tip pasionant dhe kurajoz, por edhe nuk mund të rrijë i qetë. Në gjithë ndodhitë e tij ndihet vazhdimisht një protestë ndaj moralit hipokrit të kësaj bote, moral që thuret në mistifikimet dhe simbolet e rreme, simbole të ngritura mbi vrasje dhe qasje të rreme. Kështu ai bëhet tipi antikonformist, por kurrë arrivist, bëhet njeriu që në mënyrën e tij, që sjell shpërfilljen e drejtë, përmbys tabu në emër të arsyes dhe jetës së lirë.
Në këtë zhvillim autori ka sjellë një karakter të ri letrar në letërsi,duke e skalitur atë përmes pasazheve njerëzore dhe episodeve interesante të cilat në një zinxhir të spikatur ngulfaten dhe hijeshojnë estetikisht në roman. Ylli është një i ri poet, i ditur dhe kërkues, me shpirt të ndjeshëm dhe shpërfillës, kjo ndjeshmëri e tij e çon ndonjëherë deri në vetvrasje, ashtu si tek Hamleti; por në momentin e fundit ai tërhiqet nga kjo dilemë e marrë, sepse ia vlen të mos dorëzohesh dhe të luftosh në emër të zbulimit të krimit dhe demaskimit të tij.
Mendimet e tij sa ç’janë personale dhe burojnë nga situata dhe ngjarje vetanake, aq ngrihen në rrafshin e përgjithësimit filozofik duke i bërë një skaner shoqërisë shqiptare, të shkuar e të sotme. Por edhe të shoqërisë hollandeze që ndryshon kryekëput nga ajo e jona. Si të tilla, këto mendime i japin romanit një peshë të fuqishme dhe asnjëherë nuk vijnë si mendime të stisura, por ato dalin nga fluksi i ngjarjeve dhe episodeve në një natyrshmëri të pranueshme dhe kështu autori e lidh pazgjidhshmërisht fatin e individit dhe shoqërisë, duke na dhënë jo vetëm dramën e moskuptimit dhe të divergjencës në këtë raport, por edhe dramën e shoqërisë që shpesh bie në dorë të individëve vrasës. Romani i Palluqit ngërthen në vetvete jo vetëm dilemma, por ai shpesh u shkon këtyre dilemave me një qartësi habitëse duke ia sjellë lexuesit të vërtetat që i ngre në të vërteta artistike hapur, pa dorashka, me një ngulm dhe pasion poetik, por edhe me një racionalitet të pranueshëm.
Duke e njohur mirë temën dhe zotëruar lëndën, duke bërë kujdes që kjo lëndë të transfigurohet përmes gjuhës së artit, Rezarti e shpalos atë me një temporitëm rrëfimor që, siç e cekëm, të bën ta lexosh romanin me një frymë. Kjo, jo vetëm ta sjellë kënaqësinë se po lexon një vepër të mirë, po njëheri të fut në mendime, sepse realitetet përafrojnë dhe përgjithësojnë edhe sot, po të kemi parasysh se Viktorët nuk janë një, por pjesa më kriminale që ende mban peng shoqërinë shqiptare, arrivizmi dhe ngushtësia provinciale e njerëzve që pasurohen dhe fitojnë pushtet nga krimi, hipokrizia dhe gënjeshtra shqiptare, psikologjia dehidratuese e të gënjyerit dhe retorika provinciale, mosvrasja e ndërgjegjes, etj; plagë të rënda të shoqërisë shqiptare që, në paralele, autori na i sjell me shoqëritë e zhvilluara ku fitohet këtu një kontrast i thellë nëntekstual. Edhe në këtë pikëpamje romani e fiton një mesazh të rëndësishëm, duke thirrur me gjuhën e estetikës për ndryshim dhe reflektim, çfarë e dallon në të vërtetë njeriun modern. Edhe pse babai del në fillim të romanit me dylbitë e tij të famshme duke parë yjet, në gjithë vazhdimin e rrëfimit, hija e tij, kujtesa për të dhe kërkimi i enigmës së gjetjes së eshtrave shtrihet si një obsesion i personazhit kryesor. E kaluara do ishte harruar nëse e sotmja do ishte përballur me të në mënyrë të sinqertë, duke bërë një katarsis përmes reflektimit njerëzor, por kjo nuk ndodh. Ndaj kjo bëhet burimi i shqetësimit të personazhit kryesor, burim i kërkimit dhe i shpalosjes së saj në ballafaqim me ata njerëz, të cilët ende jetojnë me të kaluarën për ta mjelë sa më mirë të sotmen e lodhur. Kjo nyje kompozicionale i jep romanit një dinamizëm të paparë, por njëherit, konturon vazhdimësinë e kërkimit. Mungesa e ndërgjegjes dhe vrasjes së saj nga ajo çfarë ke bërë, mbulesa dhe sajesa, gënjeshtra dhe përzierja e saj me reflekse dashamirësie fallso, shihen në portretin e Zhanetës.
Autori na e sjell portretin e saj femëror në kontekste të njohjes dhe të familjes, ajo sa ç’është një femër e butë, aq mbetet e egër. Bën edhe një vrasje dhe Ylli nuk denoncon. Ylli që lufton për një qëllim të lartë e lë këtë për më vonë. Ai nuk është egoist, as fshehës i krimit, madje lufton çdo ditë ta zbulojë atë. Por ai nuk është një zbulues dhe denoncues i krimit ordiner, por i krimit shoqëror dhe nuk do t’i largohet hijes hamletiane.
Zhaneta është gruaja e tij, ai e di se ajo, as atë s’e kursen, por çuditërisht jeton me të. Sepse Zhaneta ka baba Viktorin, ish shefin e sigurimit hoxhist,  dhe jemi pikërisht në atë moment kur Ylli nuk e humb prakticitetin dhe qëllimin, sepse Viktori do ta ndihmojë në gjetjen e eshtrave të babait.  Ambjentet familjare jepen me dramacitet e lirizëm, me skena të holla sensuale dhe dashurinë prindërore, ambiente që gjithnjë na e sjellin idenë se njeriu nuk mund të krijojë një familje të saktë dhe të besueshme kur ndodhet i trysnuar nga hjjet dhe makthi shoqëror, por edhe kur sjellësit e këtij trysnimi janë disa njerëz që ti i ke zgjedhur as njerëzit e tu.
Mjaft interesant del figura e marokenit Mustafa, të cilin autori e përshkruan me detaje bindëse. Ai i hedh poshtë konceptet nacionaliste dhe fetare kur ato shkojnë ndesh me racionalitetin illuminist njerëzor. Përmes episodeve dhe dialogjeve, shpalosen mendimet e personazheve të cilat shtjellohen në një fluks të kënaqshëm përjetimesh. Në të vërtetë të duket se Ylli ngrihet kundër të gjitha këtyre normave dhe tabuve si një qytetar i lirë i ndërgjeshëm, konseguent, pa vrarë mendjen se ato i sjellin kokëçarje apo mënjanime të padëshëruara. Sepse ai është një qytar i lirë, jeton në Hollandë, ka zgjuarsinë dhe intuitën ta kuptojë realitetin, nuk do të bashkëjetojë me të keqen, edhe pse ajo, nganjëherë e trysnon fort, ai nuk i bindet imazhit të saj gri apo të zi. Ngrihet kundër së keqes me guxim dhe e përball atë me kurajo.
Personazhi i Palluqit përfaqëson ata të rinj të guximshëm me ideale të larta, që kërkojnë jetën në emër të lirisë. Këta të rinj, s’ka rëndësi ku ndodhen, në Shqipëri a Perëndim, kërkojnë një defaktorizim të së keqes, zhbërje të saj dhe sjellin mesazhin se vendi nuk duhet mbajtur peng i njerëzve të cilët kërkojnë të përfitojnë nga e keqja. Romani është shkruar me nerv, gjallëri të frazës dhe konseguencë të logjikës rrëfimore. Çdo ngjarje, episod, sjellje apo motivim i personazhit i rri bukur dhe mirë hijeshisë së shtjellimit ideotematik të romanit dhe na sjell me bindje përvojën romaneske të këtij prozatori të talentuar.
Autori operon me simbolet, herë duke i ngritur ato në lartësinë e tyre të vërtetë e herë duke i zhvlerësuar. Ai nuk është kundër tyre, përkundrazi, por është kundër simboleve dhe miteve të rremë që mbart shoqëria e intoksikuar shqiptare, e cila nganjëherë u beson idhujve të rremë, apo njerëzve të cilët petkun e krimit ia veshin kohës së shkuar dhe vetë lajnë duart si Ponc Pilati.
Dinamika e rrëfimit është e shkathët dhe autori di ta ndërtojë atë e ta sjellë në bulëza jetësorë. Ndaj romani lexohet me kënaqësi, por edhe di të shtjellojë fatet njerëzorë në natyrshmërinë e tyre sipas rrugës që kanë zgjedhur vetë. Gjuha rrëfimore e këtij autori është plot impulse të gjalla mendimesh e përjetimesh, gjithçka kalon në filtrin e një ndjenje të pastër dhe njerëzore. Përshkrimet herë herë me intonime filozofike vijnë përputhshmërisht si nevojë e natyrshme e personazhit kryesor pas asaj që ndesh apo kalon, e sidomos dialogu i shkathët, veprues e ndikues në sjelljen e personazheve. Fraza e kulturuar e mbresëlënëse është një tjetër cilësi e aspektit rrëfimor të autorit, ashtu si dhe informimet që ai bën për ambientet të cilat flasin për një prozator që di çka të kumtojë. Nervi i të treguarit është i shkathët i lëvizshëm dhe e mbart gjithë befasinë dhe konseguencën e episodit i cili bëhet premisë e episodit tjetër. Me një gjuhë që herë përsillet metaforike, e herë simbolike, autori di të zgjedhë fjalën dhe ta çojë posaçërisht në pozicionin refektues ku ajo tingëllon më mirë.

Kopertina e pasme "193 Kafazet"
Kopertina e pasme “193 Kafazet”

Mund të përmend disa fjalë që më bëjnë përshtypje si: gërhush, katron, tërmekem, bjerrafat, hundëruar, rrëngshore, kacagjeloheshin, rys, dokëndis, zhvellur, etj, etj, çka na flet për një pasuri fjalori; apo mjaft krahasime dhe gjetje interesante të cilat e metaforizojnë dhe e sjellin fjalinë në një bukurtingëllim estetik. Poetika e fjalisë së këtij autori nuk arrin në poetizim të panevojshëm, çka do e dëmtonte prozën, përkundrazi kjo poetikë vjen në çaste apo përjetime që sillen në vendosjen e fjalës aty ku duhet, sepse vetë jeta e mbart poetikën dhe bukurinë e saj dhe detyra e çdo prozatori të mire është ta rrëfejë atë. Mundësitë e shprehjes në prozë dhe në art përgjithësisht janë të pafundme. Autori di të zotërojë intuitivisht dhe me dashje gjithë atë arsenal shprehësishë që mbart gjuha shqipe. Kjo na flet se është një prozator që kërkon, punon dhe pranon.
Me romanin e ri “193 kafazet”, jo vetëm me temën, motivet ngjarjen , skalitjen e personazheve, funksionalizimin e ambjenteve, kryeneçësinë estetike të detajit realist dhe simbolik, po edhe me gjuhën, autori na sjell një befasi të re. Ky roman duke i shkrirë kohrat në një pikë reflektuese: dënimin e së keqes dhe afirmimin e lirisë, përcjell kumte njerëzore, shpërfaq ide të lirisë dhe të antikonformizmit, të cilat shoqëria shqiptare duhet t’i përthithë në qenien e saj për t’u ngritur në lartësitë e lirisë dhe të guximit.
7 mars 2015, Tiranë.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.