back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Përdhunimi dhe Sigurimi nga Ilir Hashorva

Gazeta

Ilir Hashorva
Ilir Hashorva

Përdhunimi dhe Sigurimi

nga Ilir Hashorva

Trazira që shkaktoi intervista e Alida Hiskut mbi përdhunimet në masë të grave të dënuara nuk është ulur ende. Pati përkrahje dhe kundërshtime për mundësinë e përdhunimit të grave të burgosura nga hetuesit dhe sigurimsat. Unë për vete,  fjalët e saj i mora me shumë rezervë, jo sepse sigurimi nuk mund të arrinte deri aty, por sepse vetë Alida nuk ishte konsistente në ato që thoshte, se ajo m’u duk se vuante nga përdhunimomania, pasi thoshte që e kishin përdhunuar jo vetëm hetuesit në burg, por edhe shoferët gjatë udhëtimit për në Gjermani dhe pastaj i mohonte të gjitha si dhe sepse disa ish të dënuar politikë që kanë përvojë të gjatë të burgjeve komuniste, të cilëve mund t’u besohet, si Sherif Merdani dhe Maks Velo, deklaruan se çdo gjë mund të ketë ndodhur në burgjet dhe hetuesitë komunist, por jo përdhunimet. Nga ana tjetër, Agim Musta, i dënuar politik, edhe ky me përvojën e një burgu të gjatë, një studiues shumë produktiv dhe i kujdesshëm i terrorit komunist, në librin e tij “Gjëmat e komunizmit në Shqipëri”, jep një listë të plotë me 20 lloj torturash të kryera në hetuesitë dhe burgjet komuniste, por përdhunimin e grave nuk e përmend. Ka edhe plot gra të dënuara në kohë të komunizmit që kanë shkruar apo kanë treguar jetën e tyre nëpër hetuesi apo burgje, por për përdhunime nuk flasin.
Në këtë valë të demaskimit të sigurimit të shtetit për përdhunimin e grave të burgosura e cila u pranua në masë, disa gazeta botuan një lajm edhe më sensacional se ai i Alida Hiskut, të cilit u vunë titullin “Njerëzit e Sigurimit të Shtetit përdhunuan në burg Musine Kokalarin”.  Lajmi merr shkas nga një pjesë e një libri të shkruar nga Novruz Xh. Shehu për Musine Kokalarin, i cili, ndër të tjera, thotë se Hektori, nipi i Musinesë, i ka treguar këtë ngjarje: “Musineja erdhi tek ne kur i vdiq nëna Hanushja, në vitin 1964. Nuk guxonte njeri të fliste me të. M’u afrua vetëm mua dhe më tha: -Në burg kam hequr më shumë nga çdo parashikim… Në qeli më sollën një person lakuriq… -Cili ishte?, – e pyeta – nuk e njoh, – më tha!” Nga ky tregim i mangët, gazetat nxjerrin përfundimin se Musinenë e kanë përdhunuar, kur ajo vetë nuk thotë se e kanë përdhunuar, kur ajo nuk thotë nëse personi që i futën në qeli ishte femër apo mashkull, kur ajo nuk thotë as pse e çuan personin lakuriq, kur për ta përdhunuar mund të çonin edhe një person të veshur. Megjithatë, në kohë të caktuara edhe shakatë më të trasha besohen.
Tashti të vijmë të thelbi i çështjes. Në përgjithësi lajmet që u dhanë për përdhunimet në hetuesitë dhe burgjet komuniste shqiptare u besuan, sidomos u besuan nga jo komunistët. Unë për veten time, edhe pse nuk jam komunist, nuk i besova. Unë mund të pranoj që edhe të ketë ndodhur ndonjë përdhunim në ndonjë rast të veçantë, por nuk janë përdhunuar gratë në masë, dhe as ndonjë një pjesë e konsiderueshme e tyre. Nga ana tjetër, a ishte Sigurimi i Shtetit aq i dhimbsur sa të mos e përdorte edhe përdhunimin si armë torture? Jo, fare. Por, siç kanë thënë edhe të dënuar të tjerë, për përdhunimet kishte urdhra të forta që të mos kryheshin dhe kështu, sigurimsat ruanin kokën e tyre.

Alida Hisku ne Festivalet e Kenges
Alida Hisku ne Festivalet e Kenges

A është të mosbesuarit e përdhunimeve të grave nëpër burgjet komuniste shprehje e përkrahjes së regjimit komunist dhe armës së tij, Sigurimit të Shtetit? Jo, fare, përkundrazi. Për mua përkrahje e sigurimit është të besuarit se gratë shqiptare të burgosura, nga më të fismet e më të moralshmet e këtij kombi, janë përdhunuar të gjitha, ose një pjesë e konsiderueshme e tyre. Për mentalitetin shqiptar, gabimisht, përdhunuesi qëndron më lart se i përdhunuari, i përdhunuari mbetet fajtor e përdhunuesi jo dhe, ndërsa përdhunuesi është njeri abstrakt (hetuesi, sigurimsi, pa emër), i përdhunuari është njeri konkret, (e burgosura, me emër dhe mbiemër). Nuk di nëse këtë hipotezë të përdhunimit të grave e përhapi vetë Sigurimi i Shtetit apo jo, por kjo, me siguri, i shërbeu atij. Ndërsa sigurimit një akuzë më shumë apo një akuzë më pak nuk i prish asnjë punë, gratë e përdhunuar mbeten me një turp të shpifur. Të gjitha gratë që kanë qenë në burgjet komuniste dhe që deri tashti janë parë si të nderuara, si gra që i kanë bërë ballë torturave dhe poshtërimeve, që kanë shpërfillur me dinjitet hetuesit, prokurorët, gjykatësit dhe gardianët injorantë të burgjeve, këtej e tutje do të shihen ndryshe dhe vetë atyre do t’u vijë turp nga familjarët, nga të afërmit dhe nga të njohurit për të shkuarën e tyre dhe do të mundohen me çdo mënyrë të shfajësohen e të thonë pak a shumë nga zori se “mua nuk më kanë përdhunuar, për të tjerat nuk di gjë”. Kjo, me dashje apo pa dashje, është si një goditje e fundit e sigurimit të shtetit që kryhet në postkomunizëm ndaj atyre që ai persekutoi aq egërsisht në atë kohë dhe tashti duket sikur thotë me mburrje: “të gjitha jua kemi bërë, edhe ju kemi përdhunuar”. Deklarimet e Alida Hiskut duhen hedhur poshtë me përbuzje, jo vetëm se nuk na interesojnë, jo vetëm se nuk janë të vërteta, por sepse janë tejet të dëmshme.
Nju Jork, nëntor, 2015
Ilir Hashorva

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.