Kandidati” dhe
Shpagimtari i “Kandidati”- t
nga Fatmir Terziu
Pjesë nga libri i Blushit:
“Baseni ishte një grumbull njerëzish që jetonin buzë rrugës me shpresën se uji i përroit do t’ua pastronte këmbët. Këtë fjali e kisha dëgjuar shpesh nga gjyshja ime, që nuk e di pse e përçmonte këtë qytet ku gjyshi im kishte lindur. Diku afër shtëpisë së Nef Nosit ishte shtëpia e tij. Ai kishte ikur para Luftës dhe pothuajse nuk kishte ardhur më përveçse në raste vdekjesh.
Motrat e tij e kishin shitur shtëpinë dhe unë nuk kisha asnjë dëshirë për ta parë. Edhe unë isha një kalajs. Kur dëgjoja Zeron që thoshte se kalajsit mendojnë se bota ka vetëm dy qenie, kalajs dhe të tjerë, me duket sikur shihja tim atë. Ai kishte një përçmim për shqiptarët që ndoshta ma kishte ngjitur dhe mua…”
***
Kështu kumton narrativi i “Kandidati”-t në brendësi të tij, ku ardhja e romanit duket më shumë si një sfilatë inatesh se sa letërsi. Qartësisht ardhja më e re mes narrativit nga pena e Ben Blushit grimoi më shumë faktin se “Kandidati” është jo thjesht letërsi, por një arsye më shumë se si letërsia mund të jetë dhe mund të (keq)përdoret si armë në duart e shpagimtarit. Edhe shkrimtarët e tjerë e kanë sharë dhe e kanë kritikuar një qytet, të tyrin ndoshta, por kurë nga cinizmi dhe hakmarrja. Midis të shumtëve është edhe John Steinbeck, tek libri i tij “Amerika dhe amerikanët dhe jofikcione të zgjedhura” ku thotë se “Nju Jorku është një qytet i shëmtuar, një qytet i pistë. Klima e tij është një skandal, politikat e tij janë përdorur për të frikësuar fëmijët, ku trafiku është çmenduri, konkurrenca e tij është vrasëse.” Më tej ai nuk harron të thotë se “Por ka një gjë në lidhje me atë – një herë të ketë ndodhur që ju të keni jetuar në Nju Jork dhe ai natyrshëm është bërë shtëpia juaj, nuk ka vend tjetër, që nuk është mjaft i mirë”.
Sidoqoftë kjo ardhje e Blushit, erdhi me shumë skutje dhe ngutje për të formuar një debat mes narrativit në ndihmë të pasnarrativit, asaj që duhej thënë ndryshe në kohë, hapësirë dhe vend, për “një plagë të hershme”, ende të lënë me dhimbjen e saj. Pra, “Kandidati” i Blushit mori formë të re, mori dhe shpërndau shumë shpejt atë që e bën vetëm një shpagesë. Dhe të gjitha shpagimet janë plagëhapëse, janë dhimbëse. Janë të tilla pasi hyjnë në formën e rikompensimit për një “dëm” të shkaktuar dikur dhe nga dikush, por që ende nuk ka marrë formën e duhur të arsyes. Dhe kjo formë e pamarrë e arsyes u situa dhe u citua nga vetë pasnarrativi i Blushit.
Pasnarrativi i shkrimtarit Ben Blushi mori formën e “kandidatit” shpagues. Shpagimi, sidoqoftë u bë, … apo u zhbë? Mes narrativit dhe pasnarrativit mësojmë se retorika mbetet: A nuk do ta bënte çdo nip për dajën?! Sidoqoftë kjo i përket më çartërisht pasnarrativit, shpjegueses që erdhi nga vetë goja e Blushit për të qartësuar një “shpirtdhimbje” të largët, të akuzave që sollën mes gojës së Mitrush Kutelit se “dorëshkrimet e Lef Nosit janë përvetësuar nga Dhimitër Shuteriqi”. Deri këtu duket se, narrativi, pasnarrativi, madje dhe Ben Blushi, shkrimtari me tërë formën dhe forcën e tij fisnore arriti të bëjë atë që bëri mes talentit për të provokuar dhe shestuar dihatjet e së shkuarës. Dhe më tutje vetë Blushi u lakua e u vetëlakua “padashje” me sitën e semantikës satirike, duke rimarë mbi vete të blushmin, ose më saktë na u bë (I)Blushmi. Madje mes intervistës së tij, jashtë romanit ai merr rolin e (I)Blushmit satirik.
(I)Blushmi satirik shkundi pecetën e tij të lagur nga djersa elektorale pikërisht aty ku gurët e Kalasë ende mbajnë shkitazi shenjëzat e disa brezave, a më shumë, ato shenjëza që përkëdhelën “nipin” vogëlush në ecjen e tij të vetëvetshme, herë me gomar, herë me mushkë e herë me kalë. E mbi të gjitha trokamat e atyre kafshëve sinore që kalonin Egnatian e pikëtakonin Kalanë e Basenit ndoshta kanë kapërcyer memorjet dhe kujtesat, tutje sajesave dhe intrigave. Sidoqoftë Baseni i narrativit tashmë ka arsyen e vetme të jetë mes satirës dhe duarve që shpërndajnë “sekuestrot” e memorjeve. Nuk janë në këtë mjedis vetëm duart e gjyshe(ve), që ndoshta nuk ishin aspak, si ato të “skocezkës”, që trazoi qytetin me hamendësime dhe kërkime antropologjiko-folklorike, por janë shenjëzat që shtysën e kapërcyen në një emër. E ai emër më shumë se në narrativ, nuk kursehet edhe në bisedën anatematike që deputeti, politikani, shkrimtari Ben Blushi lëshon për një figurë si Lef Nosi. Aty pikërisht merr forma me bashkëngjitjen narrative, (I)Blushmi. (I)Blushmi nuk kursehet me Basenin e tij narrativ, as dhe me kohërat që e plotësojnë narratin e tij në romanin “Kandidati”.
Por, jo më pak “Kandidati” i përfolur, e as më shumë “Kandidati” narrativ dhe pasfjala e dalë nga narrativi i vetë (I)Blushmit, hakërrehen me kohën, vendin dhe hapësirën, duke na dhënë një debat, i cili është përtej normës së një etike letrare, është larg e shumë larg letërsisë. “Kandidati” është detyrim, larje hesapesh, urrejtje, mllef, intrigë. Aq më shumë me tektonikën e fjalës “kolaboracionist!?” në shekullin e njëzetë e një, në një kohë që edhe vetë autori bën pjesë në një mjedis ku kjo fjalë është votuar, madje në mjedisin e ligjit, ku janë duartrokitur e kartonangritur “lidhje” e stërlidhje në të mirën e Shqipërisë kapitaliste apo edhe në mjedisin me hyrje-dalje europën. Ndoshta në këtë mjedis jo pak herë është zënë edhe emri i skocezkës që ngjizi Elbasanin dhe fatin e Lef Nosit.
Margaret Hasllëk (Margaret Masson Hardie Haslack) (1885-1948), që vinte me firmën e Universitetit të Kembrixhit ishte dhe mbetet nyja ku lakohet dhe kalon fija e ngërçtë. Ndërsa shkruan për Lef Nosin, vetëkuptohet mes një fjalie që gjendet në një libër të saj në gjuhën angleze: Lef Nosi – klasa e mirë shqiptarëve në Elbasan, “Lef Nosi – good class Albanians in Elbasan”. E gjitha duket qartë se ajo që shënohej në atë libër, natyrisht ishte dhe një arsye më shumë e kontributit intelektual të saj dhe vetë Lef Nosit, me të cilin ajo realizoi atë projekt, tek i cili zuri fill “ndëshkimi” i tejtutjeshëm i figurës së Lef Nosit. Ky projekt që u bë libër në formën e një lexuesi shqip-anglisht ka një përmbajtje gramatikore dhe pesëmbëdhjetë tekste shqip duke u përmbyllur me “Fjalurthin shqip-anglisht”. Këtë e përmend edhe studiuesi N. B. Jopson në studimin e tij “Hulumtim i Studimeve Shqiptare”, por nuk shkon më tej në ndonjë term tjetër.
Margaret Hasluck, që u martua në shtëpinë e saj në Skoci në vitin 1912, me arkeologjistin e shkëlqyer, Frederik Uiliam Hasluck, thuajse më pas martese jetën e kaloi duke udhëtuar nëpwr Ballkan. Ajo punoi për inteligjencën britanike në Athinë dhe në Londër, ndërsa pasionin e saj si hulumtuese letrare e shtjelloi me kulturën elbasanase… Ajo ishte Skocezja që ngjizi “Englezkën” në Elbasan dhe aty u ngjiz e u lidh edhe me emrin e Lef Nosit. (Faktet janë cituar më qartë tek “Elbasani në arkivat britanike” (Terziu, Londër 2015).
Dhe nëse ardhja mes narrativit solli lakime në kohë, hapësirë dhe vend, asaj që i tundet vetë shpagimtari i “Kandidati”-t është edhe më larg. Për të mos e trullosur më shumë lexuesin, po e sjell me gojën e vetë narrativit: “Kur dëgjoja Zeron që thoshte se kalajsit mendojnë se bota ka vetëm dy qenie, kalajs dhe të tjerë, me duket sikur shihja tim atë. Ai kishte një përçmim për shqiptarët që ndoshta ma kishte ngjitur dhe mua…”