back to top
11.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Prejardhja e Hotit dhe Flamuri i Deçiqit nga Kolec Palok Traboini

Gazeta

Ded Gjo Luli dhe Palok Traboini 1911
Ded Gjo Luli dhe Palok Traboini 1911

Prejardhja e Hotit dhe Flamuri i Deçiqit

nga Kolec Palok Traboini

-Përkitazi me manipulimet historike

Gjithkush në këtë botë mund të lajthisë. Mund të flasë pa përgjegjësi e duke anashkaluar apo shkelur të vërtetat. Kjo rëndom është sëmundje e kohës ku jetojmë. Më së shumti lajthit politika, lajthisin shtetarët kur tjetër flasin e kurrgjë në ato që premtojnë nuk bëjnë. Nëse tek politikanët kjo edhe mund të pranohet, sepse vjen rotacioni dhe bashkë me ikjen e tyre nga pushteti çdo gjë harrohet, në disa punë e profesione të tjera lajthitjet kanë kosto të rëndë. Por, a është e lehtë të kapërdihet lajthitja e historianëve, një fenomen që është vënë re që pas vitit 1944 e në vazhdim dhe që për fat të keq vazhdon edhe pse kanë kaluar dy dekada demokraci, anipse kohë e mjaftueshme për një reflektim të përgjithshëm e heqje dorë nga stili i manipulimit mashtrues të historisë.
A ka shkak që sot në kushtet e një lirie optimale të jemi ende skllevër të mentalitetit të kaluar që historinë mund ta kullandrisin si e sa të duam. Kushte nuk ka natyrisht, por mesa duket njeriu e ka më të lehtë të ndryshojë botën se sa vetveten. Ne e kthyem këtë shoqëri në mjedis të lirë demokratik, po a u kthyem vetë në demokratë të lirë në mendësi. Kjo është për t’u parë.
Nuk e dimë si e pse, por historiani Romeo Gurakuqi në studimet e veta shkruan se hotjanët e paskan pasur krye katragjyshin e vet një sllav, e se prej këtij sllavi e paskan prejardhjen historike si fis. Mirë kur nuk thotë se dhënia e Hotit Malit të Zi me vendimet e Londrës 1913, na qenka e motivuar me shkakun e atij gjyshi fantazmagorik. Lexoni çfarë thotë ky historian: “Hoti e ka prejardhjen nga një farë Lazer Keçi, me babë sllav, i ikur nga Piperi prej përndjekjes së turqve. Hoti megjithatë, si emër gjeografik, njihet në fakte që nga Mesjeta.” – Referenca: Romeo Gurakuqi, “Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës e vitit 1911”, monografi, 2002, Shkodër, (në faqen 11, fusnota nr. 6).
Ky është një deformim i dyfishtë e më i shëmtuari që mund t’i bëhet historisë së një vendi, të një populli a të një krahine duke shitur të pavërtetat si të vërteta.
Kushdo që është me origjinë nga Hoti apo që jeton ende në Hot të vjetër apo të ri, e di mirëfilli gojëdhënën e origjinës së vet. Por veç gojëdhënave, kushdo që merr përsipër të shkruajë, kërkon edhe materiale të tjera historike apo arkivore.
Dëshmitë më të hershme për banorët e Hotit janë aty rreth vitit 1330. Ndërsa diku në mes 1356 dhe 1362 pas pushtimit të Shkodrës nga Balsha I, shumica e njerëzve indigjenë të Hotit e braktisën zonën e Malësisë dhe u vendosën në fushat e Plavës dhe Limaj (afër Pejës, në Kosovë). Pas kësaj lëvizjeje, popullsia e mbetur në Hot ishte vetëm rreth shtatë shtëpive. Shfaqja e Otomanëve në Ballkan solli presione mbi popullsitë vendase në veri të Dalmacisë, të cilat nisën të zhvendoseshin më në jug. Pas pushtimit turk të Hercegovinës në 1476, të Arbërisë në 1478 dhe dorëzimin të Shkodrës nga ana e venedikasve në 1479, sipas rrëfimeve gojore në Hot, një njeri i quajtur Keqa Preka dhe bijtë e tij u zhvendosën nga zonat veriore në Hercegovinë drejt jugut. Njëri prej bijve, Lazer Keqi u vendos në malin buzë liqenit të Shkodrës ku gjetën një popullsi që fliste të njëjtën gjuhë si të tyren, pra gjuhën shqipe të gegnishtes. Dhe aty u vendosën banorët e rinj të Hotit që janë edhe sot e kësaj dite.
Pse historiani na e nxjerr këtë shpërngulje nga Piperi, një hapësirë tjetër gjeografike? Mos vallë për ta nxjerrë sllave? Krejt e gabuar edhe kjo përpjekje, sepse Piperi është formuar nga një shqiptar arbëror, Pipër Keqi biri tjetër i Keqa Prekës, i cili u vendos në atë vend që sot mban emrin e tij Pipër. Të gjithë këta fise ishin katolike pa asnjë lidhje me sllavët çfarë vërteton të kundërtën e asaj që shkruan historiani Romeo Gurakuqi, pra se banorët e sotëm të Piperit janë shqiptarët e vjetër, të një fisi e vëllezër gjaku me hotjanët, por ndryshe prej tyre nën presionin e fiseve sllave u konvertuan në ortodoks dhe humbën etnitetin.
Po pse historiani në fjalë nuk merr në konsideratë faktin se popullsia që po rrudhej në shekullin e 15-të ishte shqiptare, kur dihet se shqiptarët jetonin në tërë bregun Dalmat dhe ajo pjesë që mbeti, me përjashtim të Raguzës-Zarës në Kroacinë katolike, më vonë u shkombëtarizua, kanë humbur gjuhën dhe fenë, por në kujtesën e largët mbetën gjithnjë shqiptarë. Edhe vetë Mark Milani, kryeministri i Malit të Zi, në dejet e veta kishte gjak shqiptar, anipse konsiderohet “shqiptarvrasësi”. Nuk është aspak e besueshme që një popullsi tipike luftarake si Hoti, krenare për shqiptarinë e vet, që për pesë shekuj nuk ndërroi etnitet e as fe, të paskësh rrënjë historike si popull sllav. Nuk e dimë se ku i merr këto të dhëna Romeo Gurakuqi, por dimë se kjo është fyerja më e madhe që i është bërë Hotit e hotjanëve, që Fishta i madh me “Lahutën e Malcisë” i vuri në piedestalin e kombit shqiptar, Ndre Mjeda po ashtu.
Si është e mundur që kur mblidheshin krerët e shtatë Malësive ia linin kryet e vendit një burri prej Hoti, kur ata qënkan një pjellë sllave. E përsëris: nuk është e mundur, as mendja më e sëmurë nuk mund ta shpërfytyrojë Hotin në këtë mënyrë, duke e prekur në palcën e vet të shqiptarizmit. Masakrat që sllavët kanë bërë mbi Hotin kanë qenë të panumërta. A e dinë historianët tanë se pse hotjanët në shekullin e 19-të vunë në krye rubat e zeza? Pikërisht prej masakrave që u bënë sllavët mbi djemtë e Hotit. Kujtojmë veç një emër vendi ku ekzekutuan rreth 100 burra të Hotit, ai është Samoborri – një emër gjaku në histori.

Ded Gjo Luli me Kolë Dedën
Ded Gjo Luli me Kolë Dedën

***
Duke qenë vetë një pinjoll i njërit prej atyre që bënë luftën për pavarësi, që morën pjesë në kryengritjen e vitit 1911-1912 në Malësi të Madhe, duke qenë pra i biri i atij që mësuesi Gjush Sheldia në shënimet e tij e cilëson “Mësuesi Palok Traboini ka qënë sekretar i Ded Gjo Lulit” gjatë kryengritjes së vitit 1911, gjithmonë i kam ndjekur me shumë vëmendje botimet historike, qofshin këto libra, artikuj, dokumente të botuara, aq më tepër se në rastin tim e vërteta kombëtare lidhet pazgjidhshmërisht me të vërtetën familjare. Në këto kërkime të mia pasionante kam mundur të njihem me veteranë që i kanë bërë luftërat për pavarësi, por edhe me historianë që shkruajnë mbi to. Rasti më ka sjellë gjithashtu të njihem në Amerikë edhe me Gjergj Nikprelën, që ka botuar ndoshta studimin më të plotë e më të mirë për kryengritjen e vitit 1911, kjo falë faktit se ka arritur të shfrytëzojë mirë arkivin e shtetit malazez, çfarë përbën një prurje të re në studimet historike. Edhe në atë libër, veç aspektit të përgjithshëm, dokumentave origjinale që sjell, kam gjetur në disa vende përmendjen e emrit të tim Ati, Palokë Traboini, si një prej njerëzve më aktiv në kryengritje, emri i të cilit lidhet me një nga çastet më kulmore që shënohet edhe në historinë kombëtare – ngritjen e Flamurit në Deçiq, më 6 prill 1911. Fakte të tilla mbi veprimtarinë e Palokë Traboinit në kryengritje, si flamurtar, mësues, publicist e poet e gjejmë tek shumë autorë duke përfshirë edhe dëshmi veteranësh kombëtare apo dhe në fototekën Marubi, i cili në një fotografi ku kanë dalë një grup malësorësh kryengritës, ndër të cilët Palokë Traboini, Mirash Luca, Gjok Prela e tjerë, ka shënuar “Disa nga luftëtarët e Deçiqit”. Nuk besoj se gjendet dokument më autentikë. Gjithashtu figura e këtij luftëtarit të Deçiqit, Palok Traboini, gjëndet edhe tek  Petraq Pepo, “Lufta për çlirim kombëtar 1878-1912-kujtime veteranësh”, Tiranë 1962 f. 446; At Donat Kurti, “Hylli i Dritës” nr. 11, 1937, f. 523; Gjush Sheldia, “Arsimtarë të vjetër të Shkodrës e në rrethe”, dorëshkrim, 3 qershor 1959; Gazmend Shpuza, “Në prag të pavarësisë”, New York 2000; Gjergj Nikprelaj, “Kryengritja e Malësisë e vitit 1911”, New York 2004, f. 123; Hamit Boriçi, “Reflekse në publicistikën e Palokë Traboinit” 2006; Fran Camaj, “Ded Gjo Luli në poemën “Lufta e maleve” e Palokë Traboinit’, Konferencë përkujtimore Tuz 2005; Gjovalin Shkurtaj, “Ne bijtë e xhubletës” 2006; Prenk Gruda, “Mësuesi i parë nga Hoti i Burrave kreshnikë”, ditar 25 prill 1940; Shkrime e kujtime nga Pjetër Pali, Andrea Skanjeti, Mikel Prenushi, Palokë Prel Vuçetaj, Prenkë Uli, Gjergj Gjokë Shabani e tjerë.
Anipse përballë gjithë këtyre dëshmive që tregojnë se cili ishte flamuri i Deçiqit, si erdhi e kush e solli atë flamur, në shkrimet e tij historiani Romeo Gurakuqi vazhdon ta trajtojë historinë sipas disa skemave të vjetra të mohimit të së vërtetës historike. Madje arrin deri atje sa nxjerr se flamurin që ka sjellë prej Vjene përmes Dalmacisë Palokë Traboini e që ia ka dorëzue Ded Gjo Lulit, pra flamuri që u ngrit më 6 prill 1911 në Deçiq, ta konsiderojë sikur ta kenë punue terzinjtë e Krajl Nikollës të Malit të Zi. Le ta citojmë historianin: “…u njoftua nga Cetina se Gjon Gjo’ Kola, terzibashi i Krajl Nikollës me punëtorët e vet, Kolë Jozën, Rrok Pultin dhe Gegë Gurakuqin, ishin duke qëndisur një flamur të tillë shumë të çmueshëm. Flamuri, pasi u ruajt për disa ditë në shtëpinë e Zef Jak Dajçit, duke u shpëtuar ndjekjeve të autoriteteve malazeze, kaloi në duart e anëtarëve të Komitetit të Podgoricës” .
Pasi konstaton këtë, që nuk përjashtohet mundësia të jetë dëshmi e vërtetë në vetvete, menjëherë shkruan për ngritjen e flamurit në Deçiq, çfarë çdo lexues duke i besuar autorit nënkupton sikur ky flamur i terzibashëve të Krajl Nikollës është ngritur në Deçiq. Një sofizëm i gjallë historik.
Ne nuk e dimë se pse historian Romeo Gurakuqi e sposton vëmendjen nga Flamuri i vërtetë e na çon në një tjetër drejtim. Ndoshta se ndër terzibashët e Krajl Nikollës ka qenë edhe një farë Gegë Gurakuqi, ndoshta gjysh-stërgjyshi i tij e ky po don ta fusë në histori në mënyrë të sforcuar duke shmangur protagonistët e vërtetë të aktit të pashembullt në histori – ngritja e flamurit në Deçiq.
Atëherë le të ndalemi së pari duke e vëzhguar atë flamur që quhet prej gjithkujt – Flamuri i Ded Gjo Lulit e jo i terzibashve të krajl Nikollës të Malit të Zi. Ai flamur sipas dëshmive të hotjanëve, por edhe dokumentave historike, ishte krijuar në zemër të Europës me një porosi të veçantë. Kola, i biri i Ded Gjo Lulit, kohë para se të fillonte kryengritja, kishte shkuar në Austri i dërguar nga ati për të kërkuar ndihma e armatim në rast të një kryengritje. Atje është takuar me Alardo Kastriotin, spanjoll, pretendent si vazhdues i gjakut të Kastriotëve e që ka bërë një punë të madhe për përhapjen e idesë së shqiptarizmës në qendrat europiane. Dikush mund ta ketë konsideruar aventurier, Konica në fillim e kishte mik për kokë e më pas e braktisi, gjithsesi porosi-pagesa për flamurin është bërë prej Alardo Kastriotit si dhuratë për malësorët.
Ded Gjo Luli kishte plot flamuj që mbaheshin në një shtëpi që quhej magaze në Skoraq të Hotit në shtëpi të Preç  Prekës, siç dëshmonte veterani Zef Marash Daka me 25 maj 1962, por donte një flamur që të ishte i punuar atje ku punoheshin tërë simbolet e shteteve e mbretërive, pra sipas thënieve të malësorëve veteranë të kryengritjes “tu date me shej mes tanë kombeve të Europës”.
Që këtu kuptohet mënçuria e atij plaku të urtë kreshnik. Deda kishte dashtë me pritë të vinte flamuri e masandej të fillonte kryengritja. Por flamuri s’po vinte dhe kryengritja u nis. Pas dy-tre ditësh ka ardhë lajmi se flamuri i porositun ishte nisur nga puntoria e Vjenës për në Malësi, por dileni e priteni. Ded Gjo Luli ka nisur për ta pritur në Dalmaci sekretarin e vet, mësuesin Palokë Traboini që kishte lënë shkollën në Prizren e ishte rreshtuar në rradhët e kryengritësve dhe dinte disa gjuhë të huaja. Palokë Traboini e ka sjellë në Hot dhe ia ka dorëzue Ded Gjo Lulit. Po në të vërtetë ai ka sjellë tre flamuj. Ja si shkruhet në librin e studiuesit Petraq Pepo botuar në vitin 1962:
“Palok Traboini në 1911, kishte kthye prej Austrisë e tre flamujt që kishte pru prej andej i kishte nda kështu: njenin Ded Gjo Lulit, tjetrin Ujkës së Grudës e të tretin Prel Lucës së Trieshit.” (Profesor Petraq Pepos “Lufta për çlirim kombëtar në vitet 1878-1912”, Tiranë 1962, faqe 446-447).
Historiani Romeo Gurakuqi as nuk e shtron çështjen se cili është flamuri që u ngrit në Deçiq, çfarë është historia e tij, por e kapërcen dhe gjithçka kuptohet sikur flamuri i terzibashëve të Krajl Nikollës qenka ai që populli e quan “Flamuri i Ded Gjo Lulit”. Kushdo që ka sy të mprehtë di të dallojë se flamuri që është fotografuar nga Marubi nuk është një flamur i bërë nga terzinjtë e krajlit të Malit të Zi, nuk është artizanal, por i fabrikuar, madje dhe shtiza është e derdhur bashkë me zogjtë metalikë të larë me ar, që i rrinin flamurit në shtizë.
Mendoj se nuk është mungesa e vëmendjes, e aftësisë për ta përcaktuar atë flamur, por dëshira për ta anashkaluar të vërtetën e për të na afruar qasje të pavërteta.
Nëse donte ky historian të gjente burimin e vërtetë të këtij flamuri, shumë mirë mund të lexonte dëshmitë e veteranëve, por edhe poemën historike me afro 1700 vargje, që vetë Palokë Traboini pat shkruar pas kryengritjes, kur ishte mësues i gjuhës shqipe në Prizren në fund të vitit 1911.

Flamuri ne Deçiq 1911
Flamuri ne Deçiq 1911

Tue krisë pushka shpat e n’ shpat
gjimojnë malet lak e n’lak
nji djalë Hotit vjen prej larg
pa pikë frymë prej Dallmacis,
Dedë Gjo Luli ku e kish nisë
me pru flamurin e Shqipnis.

(Ky djalë Hoti ishte vetë autori P. Traboini, shënimi im K.T.)

N’log të Kishsë kur djali a kapë
dy flamurë n’erë ka hapë,
dy flamurë kuq e zi
qindisë n’ar për bukuri.
Aty at-herë Kolë Dedë Gjo Luli
njenin flamur n’ bli e nguli
prej të gjithve me u soditë.
pala-pala tue valvitë.
N’kambë u çuen në shej nderimit
të tanë djelt e Traboinit;
kërset pushka prej gëzimit,
gjithkah hapet brohorija:
“Rrnoftë flamuri e rrnoftë Shqipnija,
orën çuet e ka Malsija!”
Dedë Gjo Luli u çue n’kambë,
tjetrin flamur ja u ka dhanë
djelve t’Hotit e u ka thanë:
“Çonju tash, djelt e mi,
me dekë sot për flamuri
se i erdh dita ksaj Shqipni.
Në Deçiq ja u due n’kët ditë
flamurin n’majë me e ngritë.
……………………………………………
Shpejt u lshuene djelt petrita
e s’ba, drue, dhetë dekika
n’kulm Deçiqit me iu njitë
ku flamurin e kanë ngritë
tue këndue e pushkë tue qitë
prej gazmendit t’asaj ditë.

Të mos harrojmë se ai që i shkruante këto vargje ka qenë vetë luftëtari që e ka sjellë atë flamur përmes Dalmacisë siç e thotë në kapitullin e fundit të poemës, e jo përmes kthinave të sarajeve të Krajl Nikollës që na sugjeron historiani Romeo Gurakuqi. Nuk e dimë nëse ka dijeni historiani në fjalë se për këtë akt heroik me flamur, sekretarin e Ded Gjo Lulit, Palok Traboini, veteranët e kryengritjes 1911, banorë të Hotit të Ri e kanë propozuar për ta dekoruar në vitin 1962, 13 vjet pas vdekjes, propozim që ka shkuar në Kuvendin Popullor por diktatura ja mohoi, dhe mjerisht në kohë të demokracisë në vend që të vlerësohet, anashkalohet e mohohet pikërisht nga historianët dhe pastaj për rrjedhim edhe nga shteti.

***
Jo më shumë se disa ditë më parë, një historian malazez po fliste në kanalin televiziv TV 5 Monde dhe pyetjes së gazetarit francez se nga çfarë popullsie përbëhet aktualisht Mali i Zi, ai ju përgjigj: “Gjysma e popullsisë është sllave e gjysma otomane”. Mohoi faktin se atje ka shqiptarë. Sikur ky historian malazez të kishte lexuar librin e Romeo Gurakuqit “Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës 1911” padyshim do ta citonte duke thënë se këtë e pohojnë edhe vetë historianët shqiptarë.
Është krejt e natyrshme që gatimi i historisë në atë mënyrë që flamurin e Deçiqit e paskan punuar terzibashët e Krajl Nikollës, apo që fisi i Hotit na paska qenë as më pak e as më shumë, por pjellë e një burri sllav, të jenë aq të mirëpritura në qarqet akademike të pansllavizmit agresiv, të cilët urrejnë e mohojnë çdo gjë shqiptare dhe kërkojnë motivime sado të pabesueshme për dominim historik.
Ah, këto lajthitje historianësh, po na nxjerrin pa taban!

Shënim: Autori i shkrimit është biri i mësuesit kryengritës Palok Traboini-Gojçaj, i cili i ngarkuar nga Ded Gjo Luli, përmes Dalmacisë solli në Hot flamurin që ishte punuar në Vjenë posaçërisht për Kryengritjen e Malësisë së Madhe, flamur  i cili  është ngritur në Deçiq më 6 prill 1911.
_______
Në foto: Nga libri: Romeo Gurakuqi, “Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës e vitit 1911”, monografi, 2002, Shkodër, (në faqen 11, fusnota nr. 6).

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.