back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Një letër e Dr. Filip Papajanit për Lef Nosin, në ndihmë të Poetit Lasgush Poradeci…

Gazeta

Filip Papajani i shkruan Lef Nosit
Filip Papajani i shkruan Lef Nosit

Një letër e Dr. Filip Papajanit për Lef Nosin.

Kërkon ndihmë për Poetin Lasgush Poradeci…

Fort i dashuni Zoti Lef,
Më vjen mirë se sot po gjej rastin t’ju vë një barrë sa do e randë por aq dhe e ambël për t’i shërbye një djali letrar fort të çmueshëm. Asht fjala për Llasgush Poradecin. Juve që dini sa vleftë ka për Shqipninë t’onë të mjerë një mjeshtër si Llazgushi sigurisht që do më epni të drejtë pse ju drejtohem juve. Natyrisht Juve që për veten t’uaj mbani një modesti me gjith që të gjithë ju çmojnë juve për kit detyrë(!!) të ndërmjetësoni atje ku lypset për përmirësimin të jetesës të një Llazgushi.
Mjerisht, fort i dashuni Zoti Lef, këtu tek neve ku shpenzohet mijëra napolona kot vetëm për të përmbushë një egoizëm të poshtër dhe një ambicie të turpshme nuk gjenden disa pak të holla për përmbajtjen me shpirt ndër dhëmbë një vjershëtor? Këtu tek neve ku gjenden me duzina Prefektë, Ndërprefektë, oficera gjithlloj armësh në disposition, nuk u gjendka një burim jetese për Llazgushin tonë?!

Lasgush Poradeci (1899-1987)
Lasgush Poradeci (1899-1987)

Me anë tjetër njerëzit nuk maten me një kutë. Ka njerëz që janë për dobie të përgjithshme dhe atyre nuk aplikohet ligja integral, por bëhet si kur nuk shifet në qoftë se u bë nonjë faj. Ministri i ynë i Arsimit ka gabue mbesoj, tyke i tërhekë bursën Llazgushit. Mbasi Llazgushi i jonë nuk po punon për veten e tij, por për një komb, kombi i tonë ka detyrë t’a përmaj gjall në mos me mish e pilaf n’tombaren me bukë e me djath.
Zoti Lef, jam i sigurtë se fjala juaj ka të shkue shumë dhe ma fort ne Hili (Hil Mosi – shënim i imi) prandaj guxoj t’ju lutem t’i shkruani Hilit ose më mirë të vini vetë në Tiranë për të sigurue bursën e Llazgushit. Llazgushi, asht tepërt t’ju a thom, meriton çdo sakrificë. Ministria e Arsimit pretendon se bursa t’i jepet Llazgushit po qe se niset për Austrie.
Zoti Lef, lutem që të dihet Llazgushi në qoftë se rri këtu nuk rri për çështje tjetër veçse ka nevojë për erë të pastër dhe veçanërisht këtu nuk rrij pa punë: Llazgushi këtu po pregatit tezën për doktorat e cila asht ja 600 faqesh dhe po sa të maroj së shkruari domosdo do të shkoj që ta paraqisi tezën në Universitet për aprovim dhe për shtypie.

Filip Papajani
Filip Papajani

Kjo asht e vërteta.
Llazgushi s’ka seç kërkon sot në Austrie.
M’a falni Zoti Lef që ju drejtohem juve por juve jeni në shkallë që t’më kuptoni ma mir se çdo njeri tjetër.
Për çështjen e Llazgushit mbesoj sigurisht se do të gjini përkrahjen dhe të Z. Mit’hat Frashëri.
Juaj me nderime
Filip Papajani
10.X.1930 Pogradec

(marrë nga muri i F.b. i Shefqet Deliallisit)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.