back to top
11.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Kush na i prishi njerëzit? nga Ilir Hashorva

Gazeta

Ilir Hashorva
Ilir Hashorva

Kush na i prishi njerëzit?

nga Ilir Hashorva

Ndërsa kundërshtarëve të tij komunizmi iu sul me tërbim dhe i shkatërroi kulturalisht, ekonomikisht dhe  fizikisht, njerëzve të tij u shkatërroi dhe u përçudnoi moralin.
Këtë mendim e kam pasur gjithnjë, por m’u forcua dhe m’u vërtetua disi nga transformimi i disa personave që u bënë komunistë e që Liri Lubonja, e shoqja e Todi Lubonjës, i jep në një libër kujtimesh.
Ndërmjet të tjerave, Liria flet për disa persona që i kishte njohur më parë si normalë, por që më pas ndërruan krejtësisht.
Thotë për Nexhmie Hoxhën: “Ishte vajzë e butë, e arsyeshme, me buonsens. Më pas, si gruaja e Enver Hoxhës, bëri distancim nga njerëzit”.
Thotë për Liri Gegën: “Ishte gjithnjë e qeshur dhe me humor, tejet komunikuese dhe e dashur me nxënëset. Ishte ajo që vrau Mustafa Gjinishin”.
Thotë për Ismail Kadarenë: “Kjo lidhet me ndryshimin e Kadaresë gjatë viteve ndaj të vërtetës… Afrimi i Ismailit me ne, deri në krijimin e një miqësie familjare, është ndikuar padyshim edhe nga kjo – se Todin e shihte si mbrojtës dhe mbështetës në karrierën e tij letrare. Todi ishte anëtar i Komitetit Qendror, mik i Ramiz Alisë”.
Ndërsa për Nexhmien aludon se e prishi Enver Hoxha, për të tjerët nuk thotë se kush i prishi. Dhe vërtet, kush na i prishi këta persona? Unë mendoj se këta persona dhe të gjithë të  tjerët që u bënë komunistë i prishi vetë komunizmi. Madje edhe për Enverin nuk gaboj të them se e përkeqësoi komunizmi. Ata që e kishin njohur para se të bëhej komunist, i vinin në dukje shumë të meta, por asnjë nuk kishte aluduar që të qe kriminel. Kriminel u bë pasi u bë komunist. Komunizmi nxjerr në pah dhe shfrytëzon në interesin e tij instinktet më të këqija që mund të ketë njeriu.
Cilësitë e një doktrine nuk mund të kuptohen kurrë nga baza teorike e saj. Ajo duhet provuar në jetë. Kur komunizmi u shpall si doktrinë, asnjë nuk mund të parashikonte të gjithë perversitetin e tij, asnjë nuk mund të parashikonte se ai do të ishte jo diktaturë e një grupi a klase, por diktaturë e një njeriu të vetëm, të cilin e ndante nga shoqëria njerëzore dhe i jepte fuqi të jashtëzakonshme, fuqi Zoti. Dhe, siç thotë Lordi Akton, “Fuqia të korrupton dhe fuqia absolute të korrupton absolutisht”.
Të izoluar nga populli, të ndarë me mure e me roje prej tij, komunistët e lartë rreth Enver Hoxhës as që dinin se ç’bëhej. Kur i dhanë vendimin e internimit, Liri Lubonjës, ajo tha: “Ne as që e kishim ditur se ekzistonte një Komision i Dëbim-Internimeve”, në një kohë që mijëra njerëz internoheshin pa pushim nga ai komision; ndërsa Nexhmije Hoxha, kur i dhanë lajmin se kishin rrëzuar monumentin e Enver Hoxhës, sipas nuses së djalit të saj,Teuta Hoxhës, tha: “Enver, ku vajtën gjithë ato sakrifica? Ku vajti gjithë ajo punë titanike?”, në një kohë që sakrifica dhe puna titanike e Enver Hoxhës lidhej vetëm me krimet, me vrasjet e shokëve dhe kundërshtarëve të tij.
Liri Lubonja ka po atë mendim që kanë shumë nga të persekutuarit komunistë të komunizmit se përgjegjësinë për çdo gjë të keqe që u krye e pati vetëm Enver Hoxha. Ndonëse ky mendim ka shumë të vërteta brenda, nuk është tërësisht i vërtetë dhe i drejtë. Enver Hoxha nuk do të bënte dot kurrë ato që bëri, në qoftë se do të ndodhej në një tjetër sistem politik dhe në se në sistemin që u ndodh, nuk do të gjendesh një numër njerëzish kriminelë si ai, që u bënë bashkëpunëtorë në krim, të cilët i dhanë atij të gjithë ndihmën e nevojshme për të denigruar dhe persekutuar të gjithë ata që viheshin në shënjestrën e Enverit, paçka se më pas do të denigroheshin dhe do të persekutoheshin dhe ata vetë.
Komunizmi ishte një sistem i tillë që pasi i jepte vlera dhe fuqi të plota “njëshit”, u jepte edhe të gjithë të tjerëve vlera dhe fuqi jo të pakta, në vartësi të afërsisë që kishin ndaj “njëshit”. Komunizmi prodhonte njerëz që vlerësoheshin jo nga cilësitë individuale, por nga afërsia që kishin në momentin e dhënë ndaj epiqendrës së pushtetit. Sa më afër asaj epiqendre të ndodhej personi, aq më shumë vlera kishte, madje edhe thjesht të qenit anëtar partie, të jepte vlera shtesë. Por, vlera, miqësia, respekti, nderimi ndaj tyre vepronin për sa kohë ai ishte në pushtet. Kur binte nga pushteti, binin të gjitha. Komunizmi prodhoi njerëz skllevër, servilë, idhujtarë, spiunë, të pabesë, njerëz pa personalitet, pa dinjitet, pa ndërgjegje. Ndërgjegjja e tyre ishte Partia, ishte Enveri. Vlerat morale e njerëzore, madje edhe kulturore të dikujt, as që viheshin në kandar.
Më ndonjë përjashtim të mekur, asnjë nga viktimat komuniste të regjimit komunist as sot nuk e kritikon sistemin komunist dhe nuk e quan atë kriminal. Ata kujtojnë me nostalgji vitet kur militonin në Partinë Komuniste, apo në Partinë e Punës, dhe pretendojnë se çdo gjë u prish, duke përfshirë edhe vetë partinë, kur ai, Enver Hoxha   persekutoi ata vetë. Nuk është fare e vërtetë. Partia Komuniste ishte ajo që ishte që në ditët e para të themelimit të saj. Që në ditët e para ajo planifikoi të asgjësonte të gjithë ata që kishin ndonjë mendim ndryshe nga udhëheqësi apo udhëheqja e saj.
Kryekrimineli ynë, ndryshe nga ata klasikët, ishte edhe sadist, ai nuk kërkonte vetëm ndëshkimin për ata që i quante armiq, por, para së gjithash, i detyronte të poshtëronin veten deri në ekstrem e t’i luteshin atij për shpëtim.
Lexoni letrat që i çonin komunistët e persekutuar Enver Hoxhës, kronikat e plenumeve të Komitetit Qendror apo të organizatave të Partisë në mbledhjet që bëheshin për të demaskuar apo ndëshkuar ndonjë komunist të rangjeve të larta, dhe do të shihni se me sa vrull, se me sa egërsi, se me sa urrejtje, i suleshin shokët atij që tirani e kishte vënë në shënjestër për ta ndëshkuar dhe se me sa paburrëri, se me sa mungesë dinjiteti, se me sa hipokrizi, se me sa servilizëm, se me sa budallallëk silleshin vetë ata që do të ndëshkoheshin, ata të cilët pak kohë më parë konsideroheshin trima që të merrnin gjak në vetull.
Arben Putoja në librin e tij “Jetë me kujtime”, në përpjekje për t’u larguar nga regjimi komunist të cilit, siç mendojnë shumë, i shërbeu plotësisht e me të gjitha mënyrat, jep edhe këtë paragraf të cilin, për rëndësinë që ka për shkrimin tim, po e jap të plotë:  “Ka edhe një gjë që e plotëson tablonë. Janë procesverbalet e dy plenumeve të ushtarakëve të botuara më vonë në shtyp. U implikuan një numër ushtarakësh të niveleve më të ulëta. U kërkohej të shpjegoheshin. Një spektakël mjeran. Ata mundoheshin të shfajësoheshin, përbetoheshin për besnikëri ndaj Partisë, ia hidhnin fajin njëri-tjetrit. Ishin luftëtarë të LNÇ-së, gjeneralë dhe kuadro udhëheqës të ushtrisë me dekorata në gjoks. Binin në gjunjë, shkelnin çdo personalitet”.

Kazmë - Pushkë dhe Parime
Kazmë – Pushkë dhe Parime

Po japim më poshtë sjellje dhe pjesë nga autokritikat dhe kërkesat e disa prej  komunistëve që po persekutonte Enveri, për të parë se si e bënin veten leckë, ashtu siç donte ai, se si i luteshin atij që t’i falte për gabime a faje që nuk ishin as gabime e as faje e si e trajtonin atë si Zot, ashtu siç donte ai që kishte në dorë fatin e tyre dhe të të afërmve të tyre. Tashti këto na bëjnë të vëmë buzën në gaz, por atëherë nuk ishte kështu.

Beqir Balluku (Letër Enver Hoxhës, Roskovec, 18.09.1974)
Megjithëse un tani nuk kam asnji të drejt morale t’i baj partisë edhe kërkesën më të vogël, por me gjithë atë po i drejtohem me lutje zemrës së madhe të kësaj mëme fisnike që të më fali për gabimet e fajet e rënda që kam barë, dhe të mos më rreshtoj në radhët e armiqve të saj, por të më konsideroj si ish birin që ka gabuar rëndë, dhe që kërkoi dorën e fuqishme të saj, për të dalë nga bataku i botës së urryer borgjezo-revizoniste… E siguroj partinë e shokun Enver se me gjithë gabimet e fajet që kam bërë… të cilat i dënoj me ndërgjegje të plotë, se në zemrën e mendjen t’ime nuk ësht shuar e nuk do të shuhet kurrë dashurija ndaj partisë e shokut Enver.
I lutem partisë që të më japi mundësinë të filloj jetën rishtazi, i lutem që me shpatën e saj të mpreht, të presi nga rrënjët pjesën e keqe të jetës t’ime që të vete në varr jo si armik i partisë e popullit, por si qytetar i thjesht patriot, dhe që fëmijët e mij dhe i tërë rrethi i im familjar që jan të lidhur si mishi me kockën me partinë dhe që dënojn me ashpërsi gabimet e fajet e mija të ecin në rrugën e jetës si bij e bija të saj.
E përfundoj kët letër me ndërgjegje të tronditur dhe i penduar për gabimet e fajet që kam bërë dhe i bindur se damet që i kam sjellë partisë nuk lahen as me jetën t’ime e cila ësht në dispozicjon të partisë në ç’do moment.
Afirmoj solemnisht para partisë e shokut Enver se me gjithë gabimet e fajet që kam bërë në zemrën e mendjen t’ime aktualisht jo vetëm nuk ësht shuar, por në të kundërtën ësht shtuar urrejtja kundër armiqve imperialisto-revizionistë dhe besimi e vendosmërija për të luftuar e fituar kundër tyre si në fushën politike, ideollogjike dhe për t’i dërmuar e asgjesuar në luftën e armatosur.
Rroft partija
Rroft shoku Enver
Me respekt të thellë ndaj partisë K.Q e shokut Enver

Kristofor Mertiri, hetuesi i Beqir Ballukut, thotë: “Ish-ministri edhe në gjendjen që ishte e ruante respektin për Enver Hoxhën. Edhe kur e internuan në Roskovec, pasi e përjashtuan nga Byroja Politike dhe Partia, kur hyri në shtëpinë ku ishte caktuar të rrinte, mbante në dorë portretin e Enver Hoxhës. Ndërsa Arben Putoja shkruan se në gjyq Beqir Balluku u thoshte atyre që e gjykonin: “More, a e di shoku Enver këtë që po më bëni mua?”

Dashnor Mamaqi
Tregon Maksim Rakipaj, i dënuar politik, për një bisedë që pati në burg me Dashnor Mamaqin:
Thotë Dashnor Mamaqi: “I thosha një ditë Shpresës (gruas): A mban mend Shpresë kur na erdhi në shtëpi komandanti ynë i dashuri, i madhi Enver…
“Nuk u përmbajta dot… – thotë Rakipaj – dhe i thashë: kjo është e fundit herë që rrimë bashkë. Me gjithë këto që ke hequr e po heq… ende e do kriminelin Enver Hoxha?… Kur do të të vijnë mend ty more… apo kur të kesh përpara vetes skuadrën e pushkatimit, si shokët e tu? Edhe atëherë prapë do të ulurish: Rroftë ai kriminel?!
“Po prit more djalë, ule zërin” – i thotë Dashnor Mamaqi… – dhe pasi u sigurua se nuk e dëgjonte njeri, më tha duke pëshpëritur: Ah sikur ta njohësh more bir, atë qen ashtu si e njoh unë… duhet ta kesh vërtet frikë. Po ti s’e ke idenë se ç’kriminel përbindësh është ai.

Halim Xhelo (Letër KQ, viti 1966)
Jugosllavëve, grekut, amerikanëve, revizionistëve modernë e reaksionit të brendshëm u kam arrestuar me qindra njerëz dhe me dhjetëra nga ata i kam pushkatuar me dorën time… Pavarësisht nga fajet që kam bërë, unë i përkas vetëm Partisë dhe pushtetit dhe po jetova, koha do ta provojë… Në qoftë se kjo kërkesë e imja për jetën do të më refuzohet dhe vdekja ime i intereson Partisë, atëherë me anë të kësaj letre uroj: Të rrojë Partia, pushteti dhe shoku Enver!

Fatmir Gjata (Autokritikë në organizatën bazë të kooperativën e Lapardhasë në Berat, viti 1966, ngaqë u tremb në Zvicër, sepse dikush i drejtoi një pistoletë lojë)
Në Zyrih, unë i ktheva shpinën armikut, më mungoi fryma revolucionare dhe humba disa veti revolucionare, që besoj se i kam pasur. Gabimi që bëra është i rëndë… Mua s’më lejohet jo si komunist, jo si përfaqësues i popullit që isha (deputet), jo si shkrimtar, por as si qytetar që të frikësohem.
Komunisti duhet të vërë interesat e popullit mbi ato të tijat, ndërsa unë u tremba, mendova vetëm të shpëtoj kokën…
Unë gjatë kësaj kohe kam pyetur veten:
Përse unë, një komunist revolucionar… veprova kështu? Pse ndodhi kjo me mua? Kjo s’është e rastit, ndodhi jo se s’kisha eksperiencë, por do të ndodhte ashtu si ndodhi që unë të trembesha, mbasi ishte përfundim logjik që do të më shpinte aty ku më shpuri.
Pres nga organizata bazë kritikat më të ashpra. Shumë mirë që u ndodha në një organizatë prodhimi se do më skuqni veshët…

Todi Lubonja (autokritika në KQ, viti 1973)
Fjalët i shoh të tepërta. Masën për përjashtimin tim nga radhët e Komitetit Qendror te Partisë e shoh me vend mbasi bagazhi i gabimeve dhe devijimeve të mija është i rëndë… Por mendoj të më jepet mundësia të militoj në radhët e partisë së cilës me të mirat e të këqijat i kam kushtuar jetën time pa të cilën jeta ime do të humbiste kuptimin dhe përmbajtjen e saj.
Lufta kundër imperializmit dhe revizionizmit kundër ndikimeve të huaja ka për të qenë e gjatë. Beteja te reja do të vijnë. Ne këto beteja do ta kem për nder të militoja për mësimet e partisë e të shokut Enver kundër armiqve të betuar të partisë, atdheut, socializmit e revolucionit po të jetë nevoja edhe me jetën time. Kjo është kërkesa ime e parë që i bej Partisë gjate 31 vjetëve të jetës sime në parti dhe them të jetë e fundit që i bëj plenumit dhe shokut Enver: kërkesa ime është për të jetuar dhe për të vdekur komunist.

Ismail Kadare: (Autokritika për vjershën “Pashallarët e kuq”, viti 1975)
Unë si komunist dhe si shkrimtar, në vend që të jem në ballë të situatës, të ndihmoj Partinë, jo vetëm që s’e zë këtë pozicion, por bëhem vetë problem për Partinë, pra, bëhem pengesë për të. Vetë ky fakt është tepër i hidhur për ndërgjegjen time dhe nuk zmadhoj asgjë po të them se ky është hidhërimi më i madh dhe vrasja më e madhe e ndërgjegjes që unë kam pësuar ndonjëherë në gjithë jetën.
I vetmi qëllim dhe preokupim i jetës sime këtej e tutje do të jetë kthimi në llogore, në vendin e madh të nderuar të ndihmësit të Partisë, pa të cilën as jeta ime, as vepra ime s’do të kishin ndonjë kuptim.

Thoma Deliana (Letër drejtuar Enver Hoxhës, viti 1976)
I jam shumë mirënjohës Partisë dhe shokut Enver për ndihmën dhe kujdesin që kanë treguar ndaj meje dhe më vjen shumë rëndë që ua shpërblej në këtë mënyrë…
Unë premtoj se jam dhe do të jem besnik deri në fund të jetës time Partisë dhe Shokut Enver, kam besim të madh te Partia dhe jam gati të pranoj edhe dënimin më të rëndë që do më japë ajo. Më vjen rëndë dhe turp që s’e ka kaluar akoma as një vit që shoku Enver më kritikoi rëndë dhe më paralajmëroi në plenumin e VII të KQ për mungesë vigjilence e mprehtësi politike… dhe tamam në këto gabime kam rënë përsëri.
Unë jam plotësisht dakord me propozimet e bëra në organizatën e Partisë që të shkarkohem nga funksionet që mbaj dhe për gabimet dhe dëmin e madh që i kam sjellë Partisë të shkoj në skajin më të largët të vendit, ta filloj jetën nga e para, se kam nevojë të edukohem midis klasës punëtore dhe të kalitem në gjirin e saj…
I them Partisë dhe shokut Enver se dëshira ime e fundit është të mbyll sytë si ushtar i thjesht i saj.

Mehmet Shehu (i vet-vrarë) 1913-1981
Mehmet Shehu (i vet-vrarë) 1913-1981

Mehmet Shehu (Letra para vetëvrasjes, viti 1981)
Po, shoku Enver, unë gjithmonë kam qenë i gatshëm për të lënë jetën për Partinë. Dhe pikërisht këtë po e bëj tash: po lë jetën për Partinë, për të të dhënë rastin e vetëm që më mbeti, ty, shokut, mësuesit dhe vëllait tim të dashur, unë, shoku yt më i afërt i halleve dhe i fitoreve, siç më ke quajtur me të drejtë, që të mësosh të vërtetën…
Poshtë imperializmi, me imperializmin amerikan në krye! Poshtë reaksioni! Amanet familjen time – Fiqiretin, djemtë (përfshi dhe Skënderin dhe Bashkimin), fëmijët e nuset e djemve!

Vladimir Shehu (Letër Enver Hoxhës, viti 1982)
I dashur shoku Enver
Me anë të kësaj letre dëshirojmë t’ju shprehim dënimin e plotë dhe pa rezerva të veprimtarisë armiqësore të tradhtarëve të Partisë, Mehmet e Fiqret Shehu… Gjithashtu, dëshirojmë t’i shprehim falënderimet më të thella Partisë dhe juve personalisht, për diferencimin që bëtë midis nesh dhe pjesëtarëve të tjerë të ish-familjes sonë të përlyer në veprimtari armiqësore…
Ne ju jemi borxhli me gjakun tonë dhe të fëmijëve tanë. Ju falënderojmë nga zemra, veçanërisht për interesimin e posaçëm që treguat ndaj nesh në ditët e para të vetëvrasjes së Mehmet Shehut.
Për sa i përket qëndrimit ndaj pjesëtarëve të familjes së Mehmet Shehut, ndarja me ta është çështje parimore. Çështja në këtë rast shtrohet: o me Partinë, o me armikun. Ne jemi me Partinë dhe s’kemi të bëjmë me ata njerëz.
Me respekt Vladimir e Fatbardha Shehu, Tiranë më 4.1.1982
Shënim: Vladimir Shehu u vra apo u vetëvra në Gramsh dy muaj më pas.

Bashkim Shehu, djali i Mehmet Shehut, në librin e tij “Vjeshta e ankthit” tregon për varrimin e Mehmet Shehut: ” Vëllai tjetër i Mehmetit, oficer në Ministrinë e Mbrojtjes, nuk erdhi (në varrim), pasi ministri Kadri Hasbiu  e këshilloi të mos vinte… Nënën (Fiqiretin, gruan e Mehmet Sheut) e bindi Vladimiri (djali i saj) të mos vinte (në varrim), duke qenë se ajo vazhdonte të ishte anëtare e Komitetit Qendror dhe ardhja e saj në varrimin e Mehmet Shehut, kushedi, mund të ndikonte që ta përjashtonin, ose, sidoqoftë, mund të jepte shkas për këtë”.
Ata që thuhej se ishin përleshur me guxim me forcat “nazisto-balliste”, që kishin vrarë kaq e aq prej tyre, tashti kanë frikë të shkojnë të varrosin njeriun e tyre! Çfarë sistemi!

Nuk ka dyshim se pasardhësve të këtyre komunistëve, apo të të tjerëve të ngjashëm me ta, sot, kur lexojnë fjalët dhe qëndrimet e paraardhësve tyre, nuk do u vijë mirë, madje, disave do t’u vijë edhe turp.
Krahasoni tashti fjalët dhe sjelljet këtyre komunistëve, me fjalët dhe sjelljet e antikomunistëve në gjyqet komuniste të cilat do t’i dënonin rëndë apo edhe me vdekje, apo me qëndrimet e tyre para pushkatimit dhe do të shikonin se me sa me burrëri, me sa dinjitet, me sa mençuri i pritnin ata dënimet dhe vdekjet, do të shikoni se sa ndryshim kanë ata që nuk u përlyen me komunizëm me ata që u bënë njësh me të. Vazhdoni e krahasoni qëndrimet e familjeve komuniste që shkatërroheshin në çast, sapo një pjesëtar i tyre goditej nga Partia me qëndrimet e familjeve jokomuniste që, me ndonjë përjashtim të rrallë, jo vetën nuk shpërbëheshin, por i ndiqnin njerëzit e tyre të burgosur nga një burg në një tjetër me një torbë me ushqime që ua hiqnin nga goja fëmijëve të vegjël, apo sjelljet e tyre nëpër kampe internimi kur qëllonte që edhe pse njërit prej bashkëshortëve i mbaronte dënimi e tjetrit jo, bashkëshortit që i mbaronte dënimi vazhdonte të qëndronte në internim, për të mos e lënë shokun a shoqen e vet vetëm.  Kohët e fundit u botuan disa intervista të këngëtares Alida Hisku e cila, ndër të tjera thotë: “Fill pas izolimit tim për veprimtari armiqësore, filluan të mbajnë në mbikëqyrje babain. Një ditë e thirrën zyrtarisht në komitet dhe i shtruan dilemën e tmerrshme: Ose dorëzo dokumentin e partisë, ose moho Aidën! I gjendur para një situate të tillë, im atë me zgjuarsi zgjodhi alternativën e dytë, për të shpëtuar pjesën tjetër të familjes e të fisit”. Burri mund të mohojë gruan, apo anasjelltas, apo fëmija prindin, por shumë rrallë ndodh që prindi të mohojë fëmijën për shkaqe politike! Dhe raste të tilla të turpshme dhe imorale komunizmi i trajtonte si triumfe të kauzës së tij!
Thonë se komunizmi duke krijuar “njeriun e ri”, përçudnojë “njeriun e vjetër”. Më duhet të them se më shumë se sa përçudnoi “njeriun e vjetër”, ai shkatërroi njeriun e tij, njeriun e ri, komunistin, dhe e shkatërroi atë aq më shumë, sa më pranë majës së pushtetit të ndodhej. Atë ai kriminalizoi, e ç’burrëroi, e çnderoi, e hipokritizoi, e budallepsi.
Nju Jork, nëntor, 2015

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.