back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Pjesë nga Komedia hyjnore – Ferri – Përktheu Mark Ndoja

Gazeta

Komedia Hyjnore - Dante - Ferri - Mark Ndoja
Komedia Hyjnore – Dante – Ferri – Mark Ndoja

Komedia hyjnore – Ferri – Përktheu Mark Ndoja 

Pjesë nga Komedia Hyjnore

Urata e mbrames

(Dante Alighieri –  Burgatuer, kangë VIII)

Ish’ tashma ora qi iu siell dëshirë
Voztarve e zemrën m’përmallim ua prekë
Dita qi miqve t’amb’l u than’ lamtumirë;

E qi të rin shtegtar t’dashtnis e thekë
Po t’ndiejë ai s’largu të kumbon’s ndo’j za
Qi giet se po kjan ditën qi â tui dekë;

Kur un filluesh ndigjimin t’kot’ m’e ba
E nji prei shpirtnish t’çuemun me soditë
Qi me i vue vesh lypte me dor’ pa pra.

Ai të dy duert i çoi e bashk’ tu’ i njitë
I nguli syt kah lindet dielli i ri
Si me i thanë Hyjt: “Për tjetër s’due me ditë.”

“Te lucis ante” kaq me përshpirtni
Prei goje i delte n’tinguj ambëltorë
Sa mue ndër mend më treti vehtja unji;

E t’tjer’t mandei të butë e përshpirtnorë
Giat hymnit mbar’ mbas si shkuen qetë e qetë
Tu’i pasun syt kah rrath’t ma t’nalt qiellorë.
Shkodër 1936

Dante dhe Beatrice
Dante dhe Beatrice

(Dante Alighieri –

Divina Commedia – Burgatuer, kangë VIII)

Muzgu kish ra që peshë u çon dëshirën
Detarve e n’zemër mall u kall sa s’thuhet
Për ditën q’u lanë miqve lamtumirën;

E t’riut shtegtar që dashunisë i truhet
I bie si thikë të ndiemit zâ kambane
Q’i duket se qan ditën tek po shuhet;

Kur s’po ndigjoja mâ rreth meje zane,
Dhe po shikoja nji nga shpirtnit çue
Tue bâ me dorë të mbanin vesh matane.

Ai të dy duert i çoi përpjetë bashkue,
Tue ngulun syt nga lindet diell’i ri,
Thue po i thotë Zotit “tjetër me dijtë s’due”.

“Te lucis ante” aq me përkushti
Prej goje i dilte e aq me t’ambla nota,
Sa q’e harrova vehten gjithunji.

E mbas tij ambël përshpirtnishte bota
E vazhduen hymnin der në fund pa mbetë,
Me sy të ngritun nga të lartat rrota.
(Varianti përfundimtar i përkthimit të “Purgatorit”: Zvërnec 1965)

Komedia Hyjnore  - grafike nga poema
Komedia Hyjnore – grafike nga poema

PARAJSA

Kanga XXXIII

“O nana virgjën, bijë e vetë tyt biri,
Q’e vujtë dh’e lartë mbi gjithë krijesat je,
Kufi vendosun nga i amshueshëm hiri,

Natyrën tonë njerzore ngritë e ke4
Aq sa krijuesi i saj nuk e shpërfilli
Që t’bahej pjellë e saja përmbi dhé.

Në barkun tand dashnija u ndez mirfilli,7
E flaka e saj në paqen e amshueshme
Bani që t’çelë kjo lule drandofilli.

Ti je për ne vravashkë e vezullueshme10
Dashnije; e poshtë mbi dhe m’u je burojë
Mortarve e gurrë e shpresës pashterrueshme.

Je aq e lartë e aq fuqi ke, Zojë,13
Që kur don hir e ty s’ta lyp njeriu,
Pa fletë ai ka dëshirë të fluturojë.

Mirsija jote dorën ndimë ia shtriu16
Jo veç kujt lyp, po para me shpejti
I del shpesh hera lutjes vetvetiu.

Ti gjithe mëshirë, ti gjithë me dhimsuni,19
Ti gjithë madhni, në ty bashkue ksodore
Janë gjithë sa nji krijesë mund ketë mirsi!

Tash ky, që prej së funtëmes gropore22
Të rruzullimit der këtu ka pamë
Gjithë nji nga nji krijesat shpirtënore,

Tue të lypë hir, ty para të ka ramë25
T’i japësh aq fuqi sa syt me i çue
Mâ lart të mundet kah shpëtimi i mbramë.

E unë që kurrë për vehte përvëlue28
Me pa s’qeshë sa për tê, po t’lutem pra
Me shpirt, e lutjen ti pëlqema mue,

Me lutje tua sysh me ia shpërnda31
Çdo mjergull vdekshmënije q’i ka veshë,
Që t’mundë gëzimin mâ të lartë m’e pa.

Edhe po t’lutem, ty që mund mbretneshë,34
Me bâ ç‘të duesh, që ndiesitë e tija
T’i ruesh shëndosh, n’aq pamje si t’jetë ndeshë.

Ti mbroje e rueje prej lakmish këqija:37
Shiko Beatriçen bashkë me sa t’lumnuem
Po t’bashkojnë duert pas lutjeve të mija.”

Syt e dashun nga Zoti e të nderuem,40
Ngulë urimtarit, qartas na rrëfyen
Sa i pëlqejnë lutjet shpirtënish t’uruem;

Mandej dritës s’amshueshme iu këthyen,43
Ku s’e thotë gojë se pat krijesë të prirë
Kurrë t’atillë sy m’aqe dritë shkëlxyen.

E unë, që cakut t’dritës së pavdirë46
Iu kisha qasë, ku shpirti i zjarrtë më rreshte,
Tash të plotësueme e shihja çdo dëshirë.

Bernardi që nga gazi buza i qeshte,49
Me shej ma bante të shikoj përpjetë,
Po vetvetiu bamë kisha si ai deshte;

Se tu’ u bamë pamja ime e patëmetë52
Mâ thellë e thellë n’at rreze depërtoja
Të dritës lartë q’asht e vërteta vetë.

Këtej e mbrapa pashë mâ shumë se goja55
Mundet ta thotë, që me ta pamë hutohet;
As qe ta mbajë kujtesa s’asht e zoja.

Po si njeriu që n’andërr peshë i çohet58
Diç, e mbas andrrës jet veç mbresa pranë,
E tjetër gjâ mâ n’mende s’i kujtohet;

Ashtu jam unë; se shue m’asht gati i tanë61
Vegimi im, n’zemër ende currila
Më zbresin t’ambëlsisë që m’pati lanë.

Ashtu në diell shkrin bora; ashtu secila64
Fjalë n’erë përdorej, përmbi gjethe t’leta,
Nga dikur pat parafolë Sibila.

O i dritës kulm që ngrihesh aq përpjeta67
Mbi ç‘kuptojnë njerzit, mendes nji voglinë
M’ia jep nga drita që rreth teje gjeta,

E ban që gjuha ime t’ketë fuqinë70
Aq sa veç nji shkëndijë të lavdisë sate
Të mund jau lâ breznive që do t’vinë;

Se me ma sjellë ndër mend sapak po pate,73
Që pak ndër këto vargje të tingllonte,
Ma fort fitorja jote do t’shkëlqate.

Prej vezullimës mpreftë që të verbonte76
Besoj se n’ato rreze t’farfurishme
Shushatë do t’isha, syni po t’dredhonte.

Por paç guxim me mende të vetdishme79
Që ta duroj aq sa me i ndejë përballë
Me syt e mi fuqisë së pakufishme.

O pafund hir, nga syt e mi me i kallë82
Pata guximin nëpër dritë t’amshueme
Sa me u kapë pamja te mâ e larta shkallë!

Në pafundsinë e saj pashë të bashkueme85
Me dashuni lidhë nye, çka rruzullimit
Përndahet si n’erë fletët e lëshueme.

Gjana e rrethana, sjelljet e veprimit,88
Thuejse së bashku mbledhë aty ngërthye,
Që ç‘po them unë asht nji kandile shqimit.

Të gjithsisë formën mbrenda këtij nye91
Besoj q’e pashë, se kur e them kët unë
E ndiej vetvehten gjithë të ngazëllye.

Veç nji çast ma mahnit mâ tepër trunë94
Se njizet e pesë shekujt çprej ndodhije,
Kur hija e Argut pat çuditë Neptunë.

Se mendja ime, pezull gjithë çudije,97
Soditte ngultas, shtangun e gatitë,
E tue soditë gjithë ndezej flakë dashnije.

I tilli bahesh i rrethuem n’at dritë100
Që të shkëputë soje me pamë njeti
S’asht punë që bahet goja as me ta qitë;

Se çdo mirsi q’e ka synim vullneti,103
Mblidhet aty, e jashta saj molisë
Ç’asht, e përsosun asht aty n’vetveti.

Fjalët e mija që këtu tue nisë,106
Dhe për ç‘mbaj mend, mâ pak do t’mund të thonë
Se t’foshnjes q’ende gjuhën njom në sisë.

Jo pse mâ se nji ftyrë ka në Tënzonë109
Që dritë e gjallë ndër sy kundruell më rrinte,
Se siç ish para mbetet përgjithmonë;

Po nga t’pamt tim që tue m’u shtue po vinte,112
Duke soditun, po nji pamje t’vetme,
Tue ndryshuem unë, të ndryshme po ma binte,

Në qartësinë e qenjes së përjetme115
Të dritës madhe i pashë tre rrathë njiheri
Gjithë me nji masë tri ngjyrash të mëvetme;

E njani tjetrit, si ylber nga ylberi118
I këthyem gjante, e i treti dukej flakë
Që fërfëllonte andej e ktej t’i bjeri.

Oh sa shkurt fjala e sa i pasakë121
Bijt nga mendimi! E kjo për ç‘pashë n’aq pohe,
Asht aq sa nuk mjafton t’i thuesh e pakë.

O dritë e amshueme, që n’vetvete çohe,124
Vetiu kuptohe, dh’e kuptueme teje
E tu’ u kuptue don vehten e gazmohe!

Ai rrethi që përftuem ashtu kryekreje127
Si dritë e kthyeme dukeshe në ty,
Rreth e rreth vrejtun sa nji cikë prej meje,

Nga ngjyra vetë më dukej se kish ndry130
Në vehte ftyrën tonë; prandaj veshtrimi
Im krejtiskrejti mbrenda tij kishte hy.

Si nji gjeometri, q’e gërryen mendimi,133
Ep merr i tani rrethin si ta mati,
E s’ia del dot ta gjejë me çfarë parimi;

Ashtu kjo pamje menden ma humbati:136
Ftyrën me rrethin doja vesh m’e marrë
Se ç‘e bashkoi, e ku arsyen e pati;

Po shpatlla s’kisha për t’atilla barrë;139
Veç vetëtiu nji shkreptimë e qartë
Në mende time e m’ia fashiti zjarrë.

Ktu i mbet fuqija fantazisë së lartë;142
Po tash, si rrotë q’e luejnë njinji në nyjet,
Voll e vullnet m’i siellte t’barabartë

Dashnija që luen diellin e gjithë yjet.145

1934-1967, Përkthyer në: Shkodër-Tiranë-Ishulli i Zvërnecit (Vlorë)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.