back to top
1.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Deri kur në Shërbim të Anmikut… – Letër e Hapët Abaz Ermenit – Kol Bibë Mirakaj

Gazeta

Kol Bib Mirakaj (1899-1968)
Kol Bib Mirakaj (1899-1968)

Deri kur në Shërbim të Anmikut

Letër e Hapët Abaz Ermenit

Përgjigjet Kol Bibë Mirakaj

Nju Jork – Qershor 1967

“…Besoj se shprehi ndiesitë e mbarë Popullit Shqiptar,
se po të jetë që fqijtë tonë e kuptojnë nevojen e bashkëjetesës paqësore
e bashkëpunimin leal të fqinjsisë së mirë,
tue na kthye të Drejtat që na perkasin,
Populli Shqiptar dishron miqësi të sinqertë edhe me Grekët
dhe me Sllavët e Ballkanit.”
Kolë Mirakaj (1967)

M’a beso z. Abaz Ermeni (dhe ju ndjeksat e tij) se bash po më dhemb zemra që më shtërnguet t’u ap këtë përgjegje botnisht, pse e dij që polemikat nuk i sjellin asnji dobi çashtjes së dhimbëshme e të vështirë që fati i randë na ka ngarkue të gjithë atyne që e quejnë veten antikomunista e atdhedashës.
Megjithse në ketë letër të hapët më duhet me dokumentue çeshtje të përgjithëshme të zhvillimit historik të ngjarjeve e veprimeve (sado shkurtimisht), përgjegjësinë e këtij dokumenti e ngarkoj mbi veten time, meqë nuk jam këshillue me askend, përpos ndërgjegjes sime.

***
U mbushën 22 vjet në ketë mërgim të zi, e nuk u mbushet mendjet se  mosbashkimi i grupeve antikomuniste, sulmet kundër forcash të shndoshta kombëtare e sabotimet kundër atyne që dojshin e dijshin me veprue për shpëtim t’Atdheut, kjenë faktori kryesor që e sollen komunizmin në fuqi, e jo forca e tyne vetë. Të njajtin veprim që batë në Shqipni, po bani tash e 22 vjet edhe në mërgim, pa mujtë të merrni asnji mësim nga e kaluemja. Vazhdoni akoma edhe sot mbas 22 vjetësh që popullin Shqiptar e ka mbulue zija, përpiqeni me denigrue forcat kombëtare antikomuniste, tue sulmue vazhdimisht Bllokun Kombëtar Indipendent dhe udhëheqësat e tij, e jo vetem Bllokun po këdo që nuk i asht shtrue vullnetit tuej egoist.
Njizetedy vjet kemi heshtë para trillimeve e edhe fyemjesh personale që keni hjedhë kundra nesh paburrnisht, jo pse na ka mungue guximi ose argumentat, por vetëm për hir të çeshtjes kombëtare; për të lanë shtegun hapët për bashkim të të gjitha forcavet antikomuniste, tue përfshi edhe juve; për bashkim të shpirtnave të Shqiptarëve, pse jemi të vetdijshëm se edhe po të zhduket regjimi komunist, për nji shkak ose nji tjetër, ka me na u dashtë të përballojmë rreziqet që mund t’i kërcnohen Atdheut nga ndokush tjetër e sidomos Greqia, që ç’prej 1913-tës e këndej, nuk hjekë dorë nga pretendimet grabitqare mbi Korçën e Gjinokastrën.
E qé, edhe ndjesitë e mija n’atë çeshtje:
E dini mirëfillit se komunizmi më ka tha loçkën e zemrës; më ka mbytë në gjak e rroposë gjithçka asht e kandëshme për jetën e njeriut. Megjithkëte, po të jetë që Greqija o kushdo tjetër sulmon Shqipninë për të grabitë Tokë shqiptare, unë edhe me Enver Hoxhën kishem me iu vu në dispozicjon, kështu në moshë pleqnijet e i gjymtuem si jam, në mbrojtje t’integritetit toksor t’Atdheut, si ushtar i thjeshtë e pa asnji konditë. E pra jam edhe i dënuem me vdekje nga ai regjim.

***
Tash 22 vjet edhe ma parë, na kemi kërkue bashkëpunim e vllaznim; ju përherë keni predikue mëninë e keni veprue për shkatrrim të forcave kombëtare. Këtë e dokumenton edhe shtypi i të dy palëve. Kjo mënyrë veprimi e jueja dishmon, se ju dashtë o padashtë, jeni tue i shërbye anmikut të përbashkët Komunizmit e anmiqëve të tjerë të Kombit Shqiptar.
Kur tham ju, nuk të drejtohem vetëm ty z. Abaz Ermeni, po njisoj edhe udhëheqësave të tjerë të Partisë Agrare Internacionale, që edhe Ty si të ndjemit Mit-hat Frashërin, duen të mbajnë rob të vullnetit të tyne të çapërdisun, me lajka për qëllimet e tyne t’errta. Unë e dij që Ti je antikomunist e nuk t’a mohoj as ndjenjën patriotike, as guximin trimnor, po kishem me të këshillue të shikosh mirë çka ké për-rreth-e-qark. Rueju mos të bini viktimë siç ra i ndjemi Mit-hat Beu!
Sa me paknaqësi e mora vendimin me u përgjegjë njiherë e përgjithnji, e din ndërgjegja e ime, por mbasi edhe tash mbas 22 vjet tragjedije të Vendit tonë, po vazhdoni rrugën e shpartallimit të forcave kombëtare me trillime e gënjeshtra që synojnë të fallsifikojnë historinë, ka  ardhë  koha që mërgata antikomuniste dhe opinjoni  i  përgjithshëm shqiptar mos të mbeten përherë tue ndigjue vetëm zanin shtremnues të fakteve, po të ndigjojnë edhe zanin e fakteve, zanin e së vertetës. Për të kjartësue gjithshka, nuk mjafton nji shkrim i kufizuem si kjo letër, po duhet nji libër, i cili asht i përgatitun tash 16 vjet (i ruejtun ndër tri kopje në vende të ndryshme) e që auktori nuk ka dashtë ta botojë akoma, për të mos u ba pengim për bashkërendim të forcave kombëtare në nji llogore të vetme antikomuniste, me që e vërteta e dokumentueme, mund të dilte e hidhun për ndokënd, e ndoshta ndonjë Idhull, mund të rroposet përdhé.
Siç e shifni z. Abaz Ermeni, jam tuej u përpjekë të mbaj stil shkrimi si u ka hije njerzëve të qytetnuem e si lypë burrnija shqiptare me u sjellë ndaj kundershtarit, që luftohet, po njiherit nderohet, e jo me fjalë banale, siç e ka zakon ana e juej.

***
Erdha në Shtetet e Bashkueme t’Amerikës mbas 22 vjet mërgim për me fitue bukën me djersën time, pse nuk ma lejonte ndërgjegja t’u bije në qafë dashamirëve e atyne që më besojnë t’u hjekë kafshatën e bukës së fëmijëve. Natyrisht, me mundësitë e mija të vogla me u përpjekë edhe me dhanë kontributin tim modest për çeshtjen kombëtare për të cilën nuk kam kursye asnji therori që nga rinija gati fëmijë.
Që se erdha këtu, kam folë vetëm fjalën e moderacionit, fjalën e vllaznimit që synon t’arrihet në vllaznim e bashkëpunim të Shqiptarëve antikomunista, të Shqiptarëve të vërtetë atdhedashtësa. Këtë kanë ndigjue nga unë miq e kundërshtarë, pse pa bashkim nuk mund të bahet forcë as morale as materiale, e pa forcë nuk mund të kryejmë misionin e randë që fati i randë e zhvillimi historik na kanë ngarkue.
Njizetedy vjet mërgim, para se të vijshe këtu jetova si munda n’Itali, tue fillue ndër kampe për refugjatë, mandej ndër komunitete fetare për sevap, e mandej me djersën time, kur mujta të gjejë ndonjë punë çfarëdo.
Mbasi kaluen gati tre muej mbas ardhjes time këtu e nuk ndigjova se morët ndonji qëndrim ekstremist kundra B.K.I. as kundra meje personalisht o ndokujt tjetër t’anës s’onë, dhe vizitat miqësore që më banë disa agrarista jo të rendit të dytë dhe hallet vllaznore e kombëtare që dertuem, mendova se edhe Partia Agrare, tashma paska arrijtë në kuptim të nevojës së bashkëpunimit kombëtar me tjerat grupe politike antikomuniste, e kjo më gëzoi mjaft, po edhe na ishim prap gati të harrojmë shpifjet e fyemjet personale e t’u shtrijshim dorën vllaznisht edhe juve. Paskem pasë qenë gabue.
Po ka do kohë që Celula (a si e queni?) e juej këtu në New York, ka fillue një fushatë t’egër me anë të radios kundra B.K.I. e kryesisht, kundra prof. dr. Ernest Koliqit e meje.
Ku e keni hallin dhe synimin?
Nëqoftëse mendoni se me kët mënyrë i bani sylesha bashkëatdhetarët tuej t’u besojnë se tue denigrue patriotë që patriotizmin e kanë dishmue me therorina eprore e jo me fjalë demagogjike, kështu i shërbehet çashtjes kombëtare e kështu luftohet bolshevizmi, dinje se i nençmoni teper Shqiptarët dhe i fyeni randë, madje ma teper se askend, vetë ndjekësat tuej.
Po të mendoni se me sisteme të tilla ia doli Enver Hoxha, prandej me të tilla sisteme do t’ua delni edhe ju, aq ma keq. Nji pjesë e Shqiptarëve u gënjyen njiherë nga premtime që i sollën mjerimin, po nuk gënjehen ma. Kushdo që t’i paraqitet popullit me të atilla sisteme e me mëni kundra vllaznish të gjakut, nuk fiton gja tjetër, veçse përbuzje.
Eh, lum bashkëatdhetari! Keni kalue çdo kufi.
Janë ndigjue disa herë agraristat tuej tue thanë njerzëve se po nuk jé me Ballin Agrar, nuk jé Shqiptar! Deri në kët cak i keni fanatizue naivët. Në kët ekstremizëm nuk ka arrijtë as komunizmi. Komunizmi, kundërshtarët i ka quejtë reaksionarë, anmiq të popullit e tradhëtarë; por cilësinë Shqiptare nuk ua ka mohue. E ju proklamoheni demokratë antikomunistë, po në anën tjetër vepra e juej pothuej se e shkapërcen sistemin komunist n’ekstremizëm e fatkeqësisht, dashtë e pa dashtë jeni tue i shërbye anmikut të përbashkët, martirizuesit të popullit Shqiptar, komunizmit, e njiherit anmiqëve të tjerë të Shqipnisë.
Ti z. Abaz Ermeni dhe ju të tjerët udhëheqësa të Partisë Agrare, e dini mirëfillit se demokracia e ka burimin té toleranca e respektimi i mendimeve të ndryshme. Në bazë të këtij mendimi askush prej nesh nuk ka të drejtë me gjykue o nënçmue tjetrin, por vetëm me ba kritikën korrekte, ndërtuese. Kjo e drejtë i përket vetëm Popullit Shqiptar kur të vehet në gjendje të shprehet lirisht dhe Historisë, mbasi të kenë kalue në jetë tjetër protagonistat e ngjarjeve. Ekstremizma e stilit të sistemit bolshevik që u thotë komunistavet (Lenin-i) “Hudhnje Genjeshtren” në qarkullim kundra kundërshtarëve; përsëritnje dy herë, dhjetë herë, njimijë herë, pse dikur ka per t’ia truellue trutë edhe atij që e din se asht gënjeshtër, gati me e besue edhe ai si të vertetë. Ky sistem u ka shti në rrugë të gabueme. Të krijoni çfardo lloj gënjeshtrash jo vetëm kundra nesh të B.K.I. po kundra kujtdo që nuk i shtrohet kryengurtësisë s’uej.
Kët vërteton qëndrimi që keni marrë edhe kundra patriotësh të ndritëshem si Nuredin Vlora, Ali Klisura, Koço Muka, etj. udhëheqësa të Ballit Kombëtar që mbasi nuk munden t’ua mbushin menden ju të hiqnit dorë nga rruga rrënimçare, ata nuk ecën ma në rrugën tuej. Derisa u ndatë prej Tyne, e mburreshit me naltësinë morale, politike e patriotike të Atyne Veteranëve dhe jam i sigurtë, se njilloj do ta kishit denigrue edhe të ndjemin Mit-hat Frashëri, po t’mos ia kishit dalë me miklimet t’ueja t’i terratisni mendjen e t’i tharbëtoni zemrën.
Sot që Mit-hat Frashëri ka kalue në Jeten e Amshueme, unë përulem para kujtimit të Tij e si biri i nji familje që ka lanë emën të lumnueshem në historinë kombëtare, e si Ai vetë që ishte atdhedashës i pa zhigla, i Cili, po për At emen që mbante, ndofta ka qenë (e patën kujtue) personaliteti ma i përshtatshëm i kësaj mërgate që në bashkëpunim me të tjera mendje të ndrituna do të kishte mundë me bashkue, me vllaznue e udhëheqë përsëmbarit kët mërgatë.
Na të B.K.I. ua kemi ofrue ketë mundësi e vetveten në dispozicionin e Tij; pa kushte, mjaftonte që Ai t’ishte Babë i paanëshem. E Ai e çmonte dhe e pranonte këte inisiativë, por mbas takimit me rrethin e Tij e zmbraptë…
Dy herësh e ka thirrë historia në pikëpjekje Mit-hat Beun:
1.Në Shqipni mbas dorëzimit t’Italisë, me bashkue të gjithë Shqiptarët në luftë kundër komunizmit, me ia shporrë qafet kët kolonë të pestë të sllavizmit Kombit, për të muejtë me sigurue për kohën që pritej mbrojtjen e Atdheut në përgjithësi, gja që edhe unë personalisht ia pata sugjerue e ofrue në Gusht të 1944-ës. Nji vepër e tillë, do ta kishte shpëtue Shqipninë pa ra ndër kthetrat e tiranisë komuniste, e ndoshta, edhe Kosovën.
2.Gjatë viteve 1946-’49, kur i kërkojshim të marri Flamurin e Bashkimit, e t’na printe!
Ndër të dy herët ju ekstremistët që dominojshit vullnetin e Tij, e ndaluet pa i dalë në pikëpjekje Historisë! Historia vazhdoi rrugën e vet, e né Shqiptarëve, na la mbrapa në fatin që gjindemi sot. Ky asht shkaku që mërgata Shqiptare gjindet sot në kët gjendje! E ndofta, ky asht edhe shkaku që ç’prej 1948, kur komunizmi i Shqipnisë i prishun me Jugosllavi e akoma jo i forcuem nga Rusia ishte ndër grahma të fundit, po dhe na kishim nji rezistencë t’armatosun ndër Malet e Veriut mirë të organizueme dhe që kishte penetrue në ushtri e deri në polici për kryengritje të përgjithëshme, që po t’i kishim dhanë na të mërguemit pak shpirt e ndihmë, ka fort gjasë që, ç’atëherë, komunizmi në Shqipni do t’ishte përmbysë. E ju akoma sot vazhdoni të mburreni për çka i keni ba Bashkimit të Shqiptarëve e vrasjes morale të Mit-hat Frashërit! (Shih fletoren “Flamuri”, 28 Shkurt 1966, nr. 148-151, kolona e gjashtë).
Jeni turrë kundër Mbretit Zog, simbol i sovranitetit të Shqipnisë, tue i ngarkue çfardo të keqje pa i njohë asnji meritë. E pra, asgja tjetër mos me dashtë me i njohë Atij Mbreti të Shqiptarëve në jetën e Tij politike që prej Kongresit të Lushnjes e deri në vdekje, e mandej si kryetar shteti, njerëzit e ndërgjegjshëm (ndjekësa o kundërshtarë) ashtu edhe historia: Ia njohin që kje Ai që mundi të krijojë nji Shtet Shqiptar me administratë të mbrendëshme politike e diplomaci të jashtme, të njoftun nga gjithë bota dhe rendin publik me qetësi shembullore.
Jeni turrë kundër Ernest Koliqit me mënyra zhburrnore e banale çka nji nxanës i dikurshëm i Tij si ju, z. Abaz Ermeni, nuk duhej kurrë ta kishte lejue, pse nuk e pranon as burrnia shqiptare, as moraliteti i njerëzve të qytetnuem. Të tjerë ish-nxanësa të Tij, e jo ma ultë me kulturë se z. Yte, dhe me ndjenja patriotike të flakta (si Isuf Luzaj), akoma sot e thërrasin Mjeshër. Ky shkrimtar i kalibrit të madh që në moshën e rinisë me novelat, artikujt e romanet e Tij, asht përpjekë vazhdimisht me vue në dukje (pah) virtytet e nalta të Fisit Shqiptar, tue predikue ruejtjen e tyne e shortimin e të mirave të kulturës moderne mbi cungun e atyne virtyteve e zakoneve të mira, pa të cilat Shqiptari nuk do t’ishte mâ Shqiptar. Na nderon edhe sot me personalitetin e Tij të naltë që i sjell kultura e shqueme edhe para botës së huej dhe prodhon gjithnji e mirë sa askush tjetër për kulturën e letërsisë shqiptare.
Asgja tjetër mos të kishte ba Ernest Koliqi për çeshtjen kombëtare, mjafton me e vue në rend të parë të patriotëve vepra e Tij arsimore në përgjithësi e në veçanti, në tokat e çlirueme në Prillin Fatbardhë të vitit 1941.

Kole Bibe Mirakaj
Kole Bibe Mirakaj

***
Mbas bashkimit të Kosovës dhe të tjerave vise Shqiptare me Atdheun, vinte në rend të parë çeshtja e arsimit ndër ato vende ku nën mbretninë e Karagjorgjeviqëve, nuk ishte lejue as ma e ulta shkollë Shqipe. Qeveria e Romës kërkonte me kambëngulje që të ndiqej shembulli i Italisë kur kjo kishte aneksue Alto-Adixhe (Sud Tirol), pa u kujtue se mes dy rasteve nuk kishte analogji me që Sud Tirolasit ishin Austriakë të gjuhës gjermane, ndërsa Kosova e të tjera krahina të lirueme ishin të gjuhës dhe të gjakut Shqiptar.
I deleguemi i qeverisë italiane, ekspert i Ministrisë s’Arsimit t’ Italisë, kërkonte që të fillohej të vihej Gjuha Shqipe ndër ato shkolla nga nji klasë në vit, tue fillue nga e para fillore e nga e para gjimnaz, kështu, vetëm në krye të tetë vjetëve mund të shqiptarizoheshin të gjitha klasët. Qeveria e kryesueme nga Shefqet Vërlaci e kundërshtonte projektin e Romës, por Ai që i dha grushtin kje Ernest Koliqi, që nuk pranoi asnji kompromis, e si përgjegjës i Arsimit i paraqiti Mëkambësit të Mbretit dorëheqjen si protestim. Jacomoni, ndeshet nga nji anë me urdhnat e Romës dhe nga tjetra anë me qendrimin pakompromis të Koliqit, të cilit ia refuzon dorëheqjen në formë konfidenciale tue e autorizue Koliqin me gjetë zgjidhjen e pabujëshme. Zgjidhjen e gjet Ernesti tue e ba faktin e kryem.
Mblodhi 250 arsimtarë (ndër të cilët ishit edhe disa nga ju agraristët e mavonshëm), i dërgoi në Tokat e Lirueme, gjoja me mbledhë folklor, por me urdhën taksativ: Me përgatitë hapjen e shkollave në Gjuhën Shqipe për të gjitha klasët, që prej së parës fillore deri tek e teta gjimnaz për Shtatorin e atij viti, dhe ashtu u bâ. Fondet e nevojshme i kjenë dhanë në tjetër formë nga Mëkambësi i Mbretit dhe nga kryeministri Verlaci. Ishte guximi dhe mendja e hollë e Ernest Koliqit që realizoi kët vepër të madhe kombëtare, që nuk u zhduk as nuk mund të zhduket mâ. Kët e dini mirë edhe ju agraristët po nuk e thoni, kujtoni se errësohet dielli me shoshë.
Dobija e letërsisë dhe e kulturës kombëtare u këshillon të gjithë intelektualëve të mblidhen rreth këtij kroni ditunije, e të punoni sëbashkut për kulturë e letërsi Shqiptare.
Leni hujet (inatet) e ambicjet e vinju punës së mbarë. Me kohë, me mundim e inteligjencë edhe ju mund të baheni kroje të dobishme, gjigante si Ai!
Sot Kosovari nuk mendon si e mendonte shumica me u bashkue me Shqipninë, se atje do të gjente një Turki të vogël, po e ndiejnë se hyjnë në gjiun e Nanës, në gjiun e Atdheut. Kjo shqiptarizëm e flaktë që asht ringjallë ndër Shqiptarët e robnuem, asht meritë e shkollës Shqipe, e në kët meritë vendin e parë e xen Prof. Dr. Ernest Koliqi.
E çka nuk keni lanë pa thanë kundër Mustafa Krujës, kundër asaj mendje të ndritun e zemre të përvlueme nga atdhedashunia e cila, e shtërngoi të kalonte në mërgim ma shumë se 40 vjet ma të mirat e moshës së Tij, e së fundit në kët mërgim, po mos të kishin kenë puna e së motres së Tij dhe bujaria e Mbretit Zog, do të kishte mbetë me vdekë urijet. E pra, dihet se Mustafa Kruja, të kishte mendue për veten e Tij, ka pasë mundësina me e sigurue jetesën dhe ekonominë në shkallën ma të kënaqëshme, por Ai, nuk pat mendue kurrë për vete, po për Shqipninë, t’i shërbente me çdo therori.
Çka keni thanë e çka keni për të thanë kundër meje? – Se jam fashist, se paskam ardhë këtu me organizue grupin fashist. A e kam mohue ndonjiherë të kaluemen time? – As që kam ndërmend t’a mohoj në çfardo rrethane. E pohova edhe kur kjeshë arrestue në Brescia nga policia italiane, në Maji të 1945-ës, atë kohë kur më vrau nji “fashist” edhe pa proces, që t’i quhej “meritë”, e pohova edhe para oficerit amerikan që ishte i ngarkuem me kontrollue veprimet e policisë dhe pata provën se ata që ishin burra, respektoheshin! Ai porsa i tregova  arsyenat kombëtare, urdhnoi kuestorin të më lironte menjiherë, dhe prej atij çasti më deklaroi nën protekcionin e Armatës së V-të; ndërsa do t’ashtuquejtun bashkëpuntorë t’Aleatëve, ishin të ndrymë me ia dorzue Enver Hoxhës, po të mos ndryshojshin rrethanat; pse nuk kishin dijtë të mbanin përherë nji rrugë qëndrimi.
Fjala fashist sot asht krejt pa krypë e kot mendohet se damton kush kënd me at fjalë!
Fashizmi ka kenë nji fenomen historik i kohës së tij e që mbas mendimit tim nuk duhet të kthehet mâ. Kët e përfitoi nji ish-socialist që quhej Benito Mussolini, për të shpëtue Atdheun e Tij, pa ra ndër kthetrat e anarkisë e të tiranisë bolshevike e që me kët lëvizje, e me ndihmën që i dha nacionalizmit spanjol, shpëtoi Europën! Ishte nji fenomen i lindun nga nevojat e kohës.
Në Shqipni, nuk ka pasë as fashizëm e as antifashizëm në kuptimin e fjalës; ka pasë vetëm korrente të ndryshme mendimesh, që të gjitha synonin me i shërbye Atdheut.
Na, nën hijen e fashizmit përpiqeshim të ruejmë e të forcojmë nacionalizmin shqiptar, dhe me atë veprimtari e lealitet nxorëm mjaft koncesione në dobi të çeshtjes kombëtare, dhe patme vu bazat për Shqipninë Etnike e sovrane për t’ardhmen.
Tham se nuk ka pasë fashizëm e antifashizëm në Shqipni, pse fashizmi tek na nuk erdhi as si lëvizje kulturore – propagandistike – politike, as me lëvizje armësh si n’Itali e ngjetiu. U proklamue me nji dekret të Mëkambësit të Mbretit, për analogji me Italinë e prap u suprimue me nji dekret të Mëkambësit të Mbretit pa gjetë asnji kundërshtim.
Ana e juej bashkëpunuet me neve, me italianë e edhe me komunistë njiherit, në të njajten mënyrë bashkëpunuet me Gjermanët e me Aleatët. Siç pohojmë na të t’onat, pohoni me guxim burrnor edhe ju të tuajat!

Synim’i  Shterpët
Për të nda Shqiptarët në fashistë e antifashistë, ndër tradhëtarë e superpatriotë, jeni kapë për verigen e kalbët të disa telegrameve të fallsifikuem që u shpallën nga agjensia “Stefani” dhe u botuen nga fletoret italiane njiherit me pushtimin ushtarak të Shqipnisë, se gjoja disa parësi të Shqiptarëve i paskeshin kërkue Duce-s ndihmë, që ta shpëtojë Shqipninë nga regjimi i asaj kohe. Ata telegrame ishin të fallsifikueme e qé ku asht prova:
Në Mars të vitit 1940, fillova nji qarkullim fjalimesh që i vazhdova në gjithë Shqipninë, që prej Kinema theater Majestik në Korçë, rreth mardhanjeve italo-shqiptare në gjendjen e krijueme nga forcat e rrethanat historike; dhe deklarova:
Asnji Shqiptar nuk e kishte dishrue as ftue pushtimin ushtarak nga Italia, as verbalisht, as me telegrame ose letra. Solla si shembull Kapidanin e Mirditës me veprimin e Tij në ato rrethana, i cili i kje vue në dispozicion Madhnisë së Tij Mbretit me 5.000 burra që pritshin armët për të vrapue në luftë.
Me 15 Mars, Kapidani kje thirrë n’audiencë nga Mbreti Zog për të bisedue për gjendjen që po shihej e turbullt me Italinë. N’atë audiencë Kapidani i dha besën Mbretit se po të ngjiste gja për okupim të Shqipnisë nga Italia, Ai do të vihej në dispozicion me të gjitha fuqitë e Tija, vetëm se i duheshin armë.
Në fund të Marsit, Mbreti emnoi Sul Kurtin rrethkomandant në Burrel, me porosi që të rrinte në lidhje telefonike me Kapidanin, për t’i transmetue porositë e Mbretit. Me 5 Mars, Sul Kurti me urdhën të Madhnisë së Tij, lajmëron Kapidanin të mblidhte menjiherë vullnetarët e t’i grumbullonte rreth Rubikut ku do t’u shkonte armatimi. Menjiherë Kapidani qiti kushtrimin e mblodhi 5.000 burra Mirditas e Thkellas te Kroji i Sh’ Lleshdrit, dhe me 7 Prill i telegrafoi Madhënisë së Tij, tue lajmërue se ishte i gatshëm për luftë dhe kërkonte armët. Po kështu, ju vuna edhe unë në dispozicion me deklaratën që i bana prefektit të Shkodrës, Javer Hrushidit, porsa ndigjova në radio lajmin e tentativës së zbarkimit italian. Këto i thashë publikisht para elitës dhe popullit të Korçës, si edhe para autoriteteve civile e ushtarake shqiptare e italiane, në at kohë kur Italia njihej potenca e tetëmiljon bajonetave dhe ishim nën okupacionin ushtarak të saj. E përsërita që prej Gjinokastres në Kukës, në të gjitha qendrat kryesore të Shqipnisë. E thashë jo vesh në vesh po me të Madhe e botnisht. Me fjalë të tjera i thashë “Duce Gënjeve !” Nuk u mjaftova ta them vetëm me fjalë që i merr era e treten n’eter, po i thashë edhe me shkrim që u botue nga Ministria e Kulturës Popullore “Distapur”, fashikulli nr. 3.
Që unë i bana ato deklarata aq të guximshme për at kohë, nuk isha i interesuem asokohe as sot personalisht, pse as emni i Ernest Koliqit as i imi, nuk figurojnë n’ato telegrame.
Isha i interesuem kombëtarisht për Historinë. E shtoj, se asnji personalitet që ka ba ose ban pjesë në B.K.I. nuk figuron n’ato telegrame të fallsifikueme, përveç nji Burri, (që asht në Jetën tjetër), i cili, me qëndrimin e Tij patriotik të atyne ditëve, i pat përgënjeshtrue edhe vetë. Kjo asht e vërteta lakuriq e atyne telegrameve. Asnji tjetër akt privat a zyrtar nuk ekziston  i nënshkruem nga përgjegjsat e asaj kohë, përveç atyne protokolare t’akordeve e mardhanjeve të karakterit ndërkombëtar në mes të dy shteteve.
E kur unë asokohe N.Sekretar i P.F.SH., pata guximin t’i tham botës dhe Duce-s me fjalë e me shkrim çka u tha ma nalt, z. Yte, z. A. Ermeni e të tjerë, ndofta përshpëritshit fjalë e ndjesi reaksionare kundra gjendjes s’imponueme Shqipnisë (nënza) siç ishin në zemër të çdo Shqiptari, po n’anën tjetër, vrapojshit kush po merr triskën e P.F.SH. sa ma parë. E keni vazhdue me veshë këmishën e zezë e të duertrokitni emnin e Duce-s, në mos ma tepër, po aq sa unë e Ernest Koliqi.
Keni kalue n’anën tjetëër kur Boshtit filloi t’i rrjedhi kazani, e kur u pa se kazani po shterrej, për të muejtë me nxjerrë veten “puritana” filluet edhe të ndani Kombin në fashista e antikolaboracionistë, në patriotë e tradhëtarë, tue cilësue veten superpatriotë.
Na akuzoni edhe për fashiot që iu vunë Flamurit. E di shpirti ynë, e dishmojnë provat që kemi dhanë pastaj sesa plagë e randë ka kenë për neve ajo ditë! E mirë, na nuk mundem ta ndalonim, e prap ishim na me në krye Mustafa Krujën, Terenc Toçin, Shefqet Verlacin, Ernest Koliqin, Ekrem Libohovën etj., që me takt e guxim e bamë Duce-n të tërheqin spatat e të na e dorzojnë Flamurin e Skënderbeut.
Pra më tregoni ju “superpatriotët”, ku ishit e çka keni ba at ditë që ata ia vunë spatat Flamurit? Pse nuk doli nji nga ju me i hjedhë Mëkambësit të Mbretit nobare ndonji vezë skllukë?
Né që na queni fashista, arrijtëm të bindim Duce-n me pranue edhe suprimimin e P.F.SH. dhe zëvendsimin e saj me nji Lëvizje thjesht shqiptare.
Nuk ka as nuk ka pasë tjetër spjegim z. A. Ermeni, veçse frikën që në nji bashkim të përgjithshëm disa nga rrethi Yt, se mos po mbeteshin në hije e kështu o burra, na e vetëm na të përpiqemi të marrim krejt pushtetin (kot t’imagjinuem), qyshse keni nda edhe pozitat që nga Kryetari i Republikës e deri tek Nenprefekti, e mandej (në mendjen tuej), me ushtrue Pushtetin absolut për të zhdukë kundërshtarët. A nuk zbatoi të njajtin sistem komunizmi?
Dinje se mënyra e veprimit tuej sot i shërben vetëm komunizmit: “Ndaj e Mbretno” dhe se për t’ardhmen ka për me pasë efektin e kundërt t’asaj që mendoni ju.
Historia cilëson veprimet e faktet dhe jo pallavrat as dëshirat.
Veprimet e faktet peshojnë në damin tuej si n’Atdhe, ashtu edhe në mërgim.
Po ua kujtoj edhe nji gja me randësi kryesore:
Komb e shtet nuk mund të themelohen mbi mëni (urrejtje) e rreshtna vllaznish, siç mendoni ju dhe komunizmi!
Vetëm me therorina të përbashkta të të gjithë bashkatdhetarëve e vllaznim, Ndërtohet Shtet e Komb!

Ernest Koliqi dhe Kol Bib Mirakaj 1930
Ernest Koliqi dhe Kol Bib Mirakaj 1930

Kartat në Shesh
Na queni kolaboracionistë me të huejtë, me okupatorin. Nuk e kemi mohue as nuk e kemi ndërmend të fshihemi mbas bekimit t’Argjipeshkvit o të Kryemyftisë së Shkodres, siç po bajnë disa prej jush, se gjoja kishin “bekimin” e Mit-hat Frashërit me bashkëpunue me fashista e me “sabotue”(!), a nuk u duket qesharak ky lloj përligjimi? Na nuk e mohuem bashkëpunimin tonë me Italinë fashiste dhe për rrjedhim me Boshtin Romë-Berlin. Kët bashkëpunim e sollën rrethanat ndërkombëtare të kohës e nevojat kombëtare, për të shpëtue çka t’ishte e mundun.
Kolaboracionistë në terminologjinë e ré quhet ai që bashkëpunon me të huejn në vendin e vet. Pra as ju, mos e mohoni pjesën tuej në kët kuptim! Edhe ju bashkëpunuet me të huejin, madje edhe jeni mburrë për at bashkëpunim, pra kolaboracionistë kemi kenë të dy palët, na pa vullnet, shtërngue nga rrethanat e interesi i Atdheut, ndërsa ju, me krejt vullnetin e lirë.
Na me Boshtin, ndërsa ju me Aleatët, për rrjedhim edhe me Rusinë Sovjetike!

Flasin faktet, dishmojnë  Veprat!
1.Me 7 Prill 1939, Italia filloi zbarkimin e ushtrisë në katër limane të Shqipnisë.
Shqiptarët e lanun në fatin e tyne nga e gjithë Bota e bane detyrën që i përkiste nji kombi të vogël. Luftuen sa mundën e do gjak u derdh, sa me i dishmue Botës se Lirinë e mbrojnë me gjak. Nji tjetër shtet 15 milionësh kishte kapitulue pa pushkë e të shtime, tue pasë edhe nji nder industritë ma moderne t’Europës.
Shqiptarët që u gjendën në ball të luftës, ultimatumin e agresorit e pritën me ata plumba që patën. Burra si Kapidani i Mirditës u vunë në dispozicion Madhnisë së Tij Mbretit, të gatshëm me shkue me luftue me trimat e tyne vullnetarë. Koha nuk priti të grumbulloheshin forcat shqiptare. Mbreti, me largpamjen e Tij e gjykoi se nuk ishte koha me shkatrrue Vendin me guerrilje ndër rrethanat e kohës dhe e la Atdheun. Mbrenda tri ditësh ushtria italiane përshkoi Shqipninë anë e mbanë deri ndër kufijë të Greqisë e Jugosllavisë. Ushtria italiane ndër kufijtë e këtyne fqinjëve kje pritë me të dridhuna po edhe me lule e tjera gjeste miqësie.
2.Mbas largimit të Mbretit dhe qeverisë nga Tirana, me 8 prill u formue Komiteti Ekzekutiv i kryesuem nga Kryeinspektori i Oborrit Mbretnor, Shkëlqesia Xhafer Ypi, e Sekretarët e Përgjithëshem të Ministrive. Ky urdhnoi pushimin e rezistencës e pritjen miqësore të ushtrisë italiane.
3.Ministri i Punëve të Jashtme t’Italisë konti Galeazzo Ciano, që me 8 prill kishte ardhë në Tiranë, e në marrveshje me Komitetit Ekzekutiv ishte vendosë me mbledhë nji Asamble në Tiranë me 12 të atij muej. Parësia e krahinave të Shqipnisë bashkë me shumicën e deputetëve të seksionit t’atëhershëm, kishte arrijtë në Tiranë me datën 10 e 11. Vetëm përfaqësia e Shkodrës ngurroi t’i përgjegjej asaj ftese, e mbas dy ditë bisedimesh në shtëpi të Kapidanit të Mirditës, mbasi caktoi nji program veprimi, arrijti në Tiranë në mëngjes të 12 prillit 1939 e prime nga At Gjergj Fishta, At Anton Harapi e Gjon Marka Gjoni. U ndaluen në hotel Internacional e kërkuen nga delegacionet tjera që të dilshin nga Parlamenti, për të ngulë kambë të gjithë sëbashku siç kishte vendosë dërgata shkodrane, “mos me pranue bashkimin e kunorës, por nji Princ të Shtëpisë Savoja mbret”. Nuk iu përgjegjen thirrjes sonë, me që ato dërgata e kishin pranue kërkesën e Ministrit Ciano. Dërgata shkodrane nuk pranoi të hynte në mbledhje pa u skjarue me përfaqsuesin e Italisë mbi fatin e Shqipnisë. Ngarkuem At Anton Harapin dhe Gjon Markagjonin për këtë skjarim e kambëngulje në tezën tonë.
Dy përfaqësuesit tonë u gjetën para fakteve: a.Të gjitha delegacionet tjera kishin pranue formën e Unionit pa asnji kundërshtim; para vendosmënisë italiane që o do të pranohej bashkimi i kunorëve, ose do t’ishte diçka ma e randë. Para këtyne faktorëve të pakalueshëm të ngarkuemit tonë prap nuk e kishin dhanë fjalën e pranimit e sëbashku me kontin Ciano, e me Jacomonin, erdhën në sallën ku pritshim na të tjerët. At Antoni na shpjegoi të gjithë bisedimin e çeshtjen, tue na vue në dijeni se Shkodra kishte ngelë vetëm, pse delegacionet tjera të gjitha e kishin pranue kërkesën e Italisë pa hezitim. Erdhëm në nji kompromis: Konti Ciano, përfaqësues i Italisë, n’emën të Mbreti Perandor dhe të Duce-s, të bante nji deklaratë publike për ruejtjen e sovranitetit e t’integritetit të Shtetit Shqiptar, të pacenueshëm në kët bashkim kunorash.
Ciano e pranoi dhe e bani deklaratën e kërkueme para popullit e përfaqsuesve të tij të rastit. Kthyeme prap në hotel dhe e stilizuem deklaratën si vijon, të cilën, e lexoi në Parlament ish-antari i Këshillit të Naltë shkëlqesa Ndoc Pistulli.
Deklarata: “Mbështetë mbi marrëdhanjet që na perfaqësuesat e krahinës së Shkodrës, që para zhdukjes së regjimit zogist patëm me përfaqësuesit e Italisë fashiste, si edhe mbi besën e dhanun prej Ekselencës së Tij Konte Galeazzo Ciano, i cili njiherë privatisht ia dha fjalën Princit Mirditës z. Gjonit të Markut, e mandej publikisht edhe para dërgatës shkodrane se: Indipendenca E Shqipnisë asht e garantueme në mënyren ma absolute, me Flamurin e vet, me Gjuhë, shkolla e zhvillim të tyne, me administratë shtetnore të veten ushtarake e civile, me përfaqësina para shteteve të tjera dhe me gjithçka asht në natyrë të nji Shteti e nji Kombi, me rracë, gjuhë, histori, tradicione e tagre të veta.
Na Përfaqësuesit e krahinës së Shkodres, pranojmë, që Mbreti Perandor i Italisë fashiste, të jetë njiheri edhe Mbreti i Shqiptarëve.”
Ky dokument u nënshkrue prej të gjithë delegacionit të Shkodrës me rradhë si vijon:
Kapidan Gjon M. Gjoni, Ndoc Pistulli, Don Mikel Koliqi, Patër Gjergj Fishta, Mark Kakarriqi, Kolec Deda, Daut Gjylbegaj, Zejnel Broja, Asllan Bekteshi, Kolë B. Mirakaj, Zef Boriçi, Shaqir  Omari, Taip Hilmija, Gjyl  Gjylbegu. Në të djathtë  të dokumentit, figuron emni i At Anton Harapit, që ka shkrue dokumentin historik me dorën e vet.
Po t’ishin bashkue me kët qëndresë morale edhe perfaqësuesit e krahinave të tjera të Shqipnisë, Italia do t’ishte mendue shumë para se me shkelë disa nga këto kushte siç i shkeli, e që veprimi i mavonshëm i atyne që i queni tradhëtarë e bani prap Italinë t’ia kthejë këto të drejta Shqipnisë.
Në nji libret të botuem në Uashington në 1951, nga Costa A. Chekrezi, ai thotë: “Ata që kundershtuan më rreptësisht vendimin e Duces, ishin krerët katolikë të Shkodrës!” Kostë Chekrezi nuk ka kenë përkrahës i yni, por ka afermue nji të vërtetë historike.
4.Na e konsideruem çeshtjen kështu: Shtëpija ka marrë zjerm; mbrenda kemi familjen, pasuninë e gjithshka asht e denjë për jetën e njeriut. Kush të jetë burrë duhet të hyjë në zjarm me shpëtue çka të jetë e mundun ose me u djegë edhe vetë. Nuk mujtëm me ndejë me duerkryq tue ba sehir si disa “superpatriotë”(!). Gjithshka u ba aty, e ma vonë me protokolle të karakterit të së Drejtës Ndërkombëtare – Shtet me Shtet.
Në këto rrethana shtrënguese kombtarisht filloi kolaboracionizmi ynë me Italinë fashiste e për rrjedhim me Boshtin Romë-Berlin, të cilit na të bindun se interesi i Atdheut n’atë kohë e lypte t’ishim leal, e ashtu qëndruem deri në fund; edhe kur i mbrami ushtar gjerman po lente Shqipninë. I ndejtëm lealë pse, mbas mendimit t’im, për me muejtë me ba politikë të dobishme pë Kombin duhet me kenë dishka, e për me kenë dishka, duhet me pasë nji forcë.
Kjo forcë o përbahet nga fuqia e armëve, ose nga fuqia morale që vjen nga besnikija, nga lealiteti. Na si popull i vogël e i pa mjete që jemi, nuk mund ta mbështesim politikën në forcën e armëve e aq ma pak në demagogjina e dredhina, po vetëm në  Forcën Morale.

***
Tani miq agrarista, duhet pa kolaboracionizmi i juej dhe mandej frytet e këtyne dy kolaboracionizmave, me që edhe ju keni kenë kolaboracionistë me të huejn, dhe frytet e këtyne dy kolaboracionizmave janë:
1.Ju e pranuet gjendjen de facto të imponueme nga rrethanat që u thanë; e pranuet qyshse pa farë hezitimi bashkëpunuet me neve dhe u batë antarë të P.F.SH.
Mbajtët nëpunësinë dhe fituet tjera të reja deri në shkallë të ministrave, madje edhe të Ministrit-Sekretar të Partisë Fashiste Shqiptare, po ashtu si unë. E pranoi edhe vetë Mit-hat Frashëri, përderisa lejoi të nipin Hysref Frashërin të bahej Federal i P.F.SH., e Ai vetë (Mit-hati) mori koncesionin monopol  të furnizimit të të gjitha Ministrive me landë të shkresave.
2.Keni fillue me kalue në opozicion kur Boshtit filloi t’i rrëshqasin fati ndër frontet e luftës, atëherë kur keni fillue me shty disa të rijë të ndezun në flakë atdhedashunije (po naivë), që të arratisen ndër male, ku ju akoma nuk kishit nji udhëheqje të tuejen me i rreshtue në luftën nacionale, e kështu përfundojshi të përpimë nga bandat komuniste, kolonë e pestë e sllavizmit.
3.Edhe mbasi keni fillue me formue çetat tueja keni vazhdue të bashkëpunoni me neve e me komunista njiherit, e me këta të fundit keni vazhdue me punue deri në mbledhjen e Mukajve e që, mbas asaj mbledhje u shtërnguen të ndaheni nga ata, me sulmet e drejta kundër jush.
4.Enver Hoxha, Mehmet Shehu e sa të tjerë i shpëtuet disa herë pa mbetë në duert e autoriteteve qeveritare ose të vriteshin nga nacionalistë, siç ngjau kur i pat rrethue Reis Agaj në Sevaster, e i shpëtoi Skënder Muço me shokë, dhe jo vetëm këta, po edhe Miladin Popoviqin e Dushan Mugoshen i shpëtuet disa herë, dhe patët bashkëpunim e raki me meze me ta, e jo vetëm njiherë…
5.Keni ba njifarë bashkëpunimi dredharak me Misionet ushtarake Aleate (dredharak pse njiheri bashkëpunojshi me italjanë ma parë, e me gjermanë masandej…), pa asnji marrëveshje protokolare konditash për t’ardhmen e Shqipnisë. Krenët tuej të mbrojtun nga qeveria, rrinin të qetë në kryeqytet e tjera qendra të Shqipnisë, tue ua ngarkue aksionet komunistëve kur keni vazhdue të mbanit pozitat “fashiste e naziste”, tue marrë edhe ndihma të posaçme nga qeveritë e kohës me premtime me luftue komunizmin. Ky lloj bashkëpunimi pa kondita protokolare me të huejtë në terminologjinë e së Drejtës Ndërkombëtare, quhet mercenarizëm.
Për hirë të së vërtetës afermoj se ndër ju ka kenë Prof. Isuf Luzaj, që ka ba opozicion që në fillim haptas dhe kje internue në Ventotene. Të tjerët të internuem ma tepër kanë kenë në villegjaturë se sa në internim të kuptimit të fjalës, me që ishin të lirë ndër qytete të ndryshme të Italisë. Rroga e nëpunësisë u paguhej tanësisht, familjet merrnin ndihmën e jashtzakonëshme edhe ndihmën si të internuem!
Kemi nji personalitet që rrinte në hotel De Gasperi, në via Colina, në Romë, si i internuem, e përveç ndihmës që merrte nga qeveria italiane për atë cilësi, merrte edhe nga Mëkambësi i Mbretit dymijë fr. Sh. në muej pra, dyfish rrogën e nji Ministri në fuqi!
6.Nuk ishit të zotët të mbani nji pozitë të caktueme, të ndiqnit nji rrugë të vetme, po kujtuet se politika mund të bahej me akrobacina e demagogjina dhe nuk deshët të parashikoni rreziqet që po i kërcënoheshin Kombit, siç i parashikonim na e ua thonim kryetarëve tuej.
7.Koha provoi se nuk kishit asnji plan për shpëtimin e Shqipnisë, sido që të përfundonte ndeshja e gjigantëve, por edhe sabotojshit me veprimet tueja planin që kishim na n’at drejtim.
8.U mundëm nga nji anmik i përbashkët ju e na dhe dolëm rrugëve të Botës, tue e lanë Popullin në fatin tragjik të tij, por me nji ndryshim: Na megjithse mundeshim me i shpëtue me kohë, i lamë me Popullin familjet e loçkat e zemrave tona dhe shumë të tjerë luftarë, për të mbajtë gjallë shpirtin e qindresës, me shpresë se do të vinte nji ditë që të kishim nji bazë të fortë për ndërmarrje kryengritjeje për të shpëtue vendin nga tirania bolshevike.
Kjo bazë qëndroi deri në Korrik të vitit 1951, tue na pritë neve të mërguemëve.
Ju, me përjashtimin tand z. A. Ermeni, e të vllazenëve Kazazi, ua dhatë kambëve tue i lanë shokët luftarë në fatin e tyne e që unë “fashisti”(!), i shoqnova nëpër Kalvarin u udhtimit në Jugosllavi, i nxora nga Tragjedia e Vjenës, dhe ua çila rrugën e shpëtimit për Itali.
9.Tash 22 vjet mërgim, po sabotoni bashkëpunimin e forcave kombëtare tue u përpjekë me denigrue këdo që nuk u ndjekë juve në rrugën rrënimçare. A ka shërbim ma të çmueshëm që mund t’i bahej regjimit komunist? Miljarda me pasë derdhë Enver Hoxha e Mehmet Shehu (siç duket se i kanë derdhë disa pare) nuk ishte dashtë t’arrijnë me e rrëzue mërgaten antikomuniste në kët shkallë që gjendet sot! Ju ia dolët! Ua dhatë bishtin spatës n’Atdhé e në mërgim!

Kol Bib Mirakaj ne nji Galeri Arti (instit. Luce)
Kol Bib Mirakaj ne nji Galeri Arti (instit. Luce)

***
E tani, më lejoni nji pyetje:
Ku ishit ditën e 7 Prillit të Zi? Ku ishit ditën e 12 Prillit 1939?
Pse nuk doli nji nga ju, që monopolizoni (me fjalë) patriotizmin, t’ia hjedhin gurin atij “Balilos”, me shprazë ndobare nji fishek qorr atë ditë në sallën e Asamblesë për protestë para tribunës së Kontit Ciano?
Veprimet  dhe  frytet e  dy kolaboracionistëve

Na:
1.Ndër ato rrethana që u përmendën e dihen, na vepruem me squtësi e guxim sëbashku tue vu shumherë në rrezik personalitetin tonë, e me kët mënyrë shpëtuem figurën juridike të Shtetit Shqiptar, që të vazhdonte jetën (nobare formalisht) si Shtet sovran – monarkist.
2.Patme Qeveri Shqiptare me Parlament që vepronte në bazë të Statutit që M. Tij Victor Emanueli (simbas traditës së Shtëpisë Savoia) ia dha Mbretnisë Shqiptare, siç ia kishte dhanë i ati Mbretnisë Italiane të bashkueme nën skiptrën e Tij.
3.Ruejtëm të pacënueme Gjuhën Shqipe jo vetëm në Parlament, po në të gjithë administratën e Mbretnisë dhe n’Arsim që e përmirësueme me shtimin e shkollave, me programe kombëtare-edukative, me botime librash që ma përpara mungojshin, sidomos për klasët e nalta të gjimnazeve në Gjuhë Shqipe. Krijueme edhe Institutin e Naltë të Studimeve Shqiptare, drejtimi i të cilit i kje besue mendjes së ndritun të Mustafa Krujës.
4.Sollëm përmirësim ekonomik aq sa Shqipnia nuk e kishte pasë prej shumë e shumë kohe, sa që nga pikpamja ekonomike, Shqipnia kje ba si në ishull lumnije në ngushtica që Lufta i kishte sjellë Europës mbarë, na kishim aq sa kemi shpëtue edhe Greqinë pa vdekë urije!
5.I Bashkueme Atdheut tokët e robnueme, tue realizue të Drejtën ma të Shejtë të Kombit mbarë.
6.Hapem Shkollën Shqipe në Kosovë e të tjera Krahina të Lirueme, shkollë që përveç  përparimit e qytetnisë, ka ngjallë edhe ndërgjegjen e vetëdijen (koshjente) kombëtare që nuk mund të shuhet kurrë ma!
7.Hoqëm spatat e fashizmit në Flamur tue e kthye në pastertinë origjinale.
8.Nxorrëm mundësinë që pranë legatave e konsullatave italiane, ku Shqipnia kishte interesa, t’ishin aty diplomatë Shqiptarë për të trajtue ata interesa.
9.Arritëm të ndrrojmë (shkëmbejmë) Përfaqësi diplomatike edhe me Italinë, në rangun e Legatave, ku ishin akreditue Ernest Koliqi, Perfaqësues i Shqipnisë pranë Qeverisë Italiane, me cilësi Ministër Fuqiplotë; dhe Dr. Silenzi, Përfaqësues i Italisë pranë Qeverisë Shqiptare, po me të njajtin Titull si Koliqi.
10.Kemi nxjerrë pëlqimin nga vetë Mussolini me suprimue P.F.SH., dhe me e zëvendsue me Lëvizjen “Bij të Shqipes”.

Ju:
1.Bashkëpunuet me ne n’administratë shtetnore dhe në P.F.SH. deri ditën që Mussolini kje arrestue në vilen private të Mbretit me 25 Korrik 1943.
2.Në të njajten kohë e deri në Mbledhjen e Mukajëve, bashkëpunuet edhe me komunistë, tue u dhanë atyne prestigj nacional.
3.Koha e faktet treguen se për at lloj bashkëpunimi që patët me agjentët e Aleatëve, nuk kishit asnji marrëveshje protokollare me Aleatët për t’ardhmen e Shqipnisë mbas mbarimit të Luftës së Dytë Botnore, asnji plan veprimi për ruejtjen e asaj që ishte fitue nga kolaboracionizmi ynë, sidomos fitimi që solli Prilli fatbardhë i vitit 1941.
4.Nuk ishit të zotët të mbanit nji qëndrim të caktuem e të përhershëm, siç e mbajtëm né, po njiherit ishit me neve e me komunistë, me agjentët e Aleatëve, me Italinë e Gjermaninë.
Ky sistem akrobacinash, u bani të humbni çdo konsideratë nga të gjitha anët, sa që edhe vetë Aleatët erdhën në përfundim që të përkrahin bandat komuniste ma tepër se juve.
5.Fryti i këtij lloji bashkëpunimi tuej e sabotimi që i bajshit planit të tyne të mbrojtjes me aksione të pafrytëshme, solli realitetin tragjik që po dërmishet Populli Shqiptar tash 22 vjet.

***
Këta janë veprimet e faktet dishmuese për të dy palët, të cilat kronika i ka rregjistrue e që Historia ka për t’i gjykue!
Prandej, z. Abaz Ermeni, as Ti as unë nuk kemi mandat, as nuk jemi të cilsuem me gjykue njani tjetrin!
Megjithatë, unë personalisht, nuk mohoj atdhedashuninë tuej, as t’atyne që u ndjekin në mirëbesim. Por jam i bindun, se ju krenëve ua ka terratisë arsyen e tha zemrat lakmia e Arrivizmës.
Si e keni guximin para ndergjegjes suej t’ua mohoni atdhedashuninë e patriotizmin Atyne që këta virtyte i kanë të zieme në furrën e therorivet eprore?
Vetëm egoizmi i verbët mund t’i përligjin vetes nji qëndrim të tillë.

Apel Ndërgjegjeve të Pastërta
Megjithëqë, tash 22 vjet na keni sulmue paburrnisht me çdo lloj intrige e shpifje, na të Blokut Kombetar Indipendent, jemi prap gati për hirë t’Atdheut t’iu shtrijmë dorën lealisht edhe juve, pse dijmë që pa Bashkim të të gjithë Shqiptarëve nuk mund të bahet forca e nevojshme, dhe pa Vllaznim e therorina të përbashkëta, nuk mund të rindërtohet Shtet e Komb!
Po kje se udhëheqësit e Partisë Agrare Internacionale e Blertë nuk doni të hiqni dorë nga rruga që asht vetëm në dobi të regjimit gjaksuer komunist, atëherë u baj apel atyne burrave e sidomos djelmoçave që u kanë ndjekë në mirëbesim, të hulumtojnë ndërgjegjshmënisht me gjetë të vërtetën e dobisë kombëtare, të tërhiqen nga rruga e juej antikombëtare, nga verbënia e juej dhe të ktheheni në rrugën kombëtare, në rrugen e Vllaznimit Shqiptar!
Nuk i ftoj të hyjnë në rreshtat e B.K.I., ose të O.L.L., apo të ndonji grupit politik që nuk asht origjinalisht i tyne. I ftoj të kthehen në Ballin Kombëtar të vërtetë, që kërkon  bashkëpunim e vllaznim me të gjithë Shqiptarët, në Ballin që udhëhiqej nga zemrat patriotike si, Nuredin Vlora, Ali Klisyra, Koço Muka, Rasim Babameto, Kolë Tromara, Isuf Luzaj, etj.
Me këta Burra pata disa herë bashkëfjalime kur isha  Ministër i Punëve të Mbrendshme, kur akoma ishim në gjendje po t’ishim të Bashkuem, ta shpartallojshim komunizmin, po të kishit ndigjue ju të tjerët (me Mit-hat Frashërin në krye), zanin e këshillat e Tyne, jam i sigurt edhe sot, se Shqipnia nuk do të kishte pësue fatin tragjik që pësoi.
Ata Burra e patën kuptue se të perçamë do të humbëshin të gjithë!
E patën kuptue se po të bashkoheshin forcat nacionaliste me forcat e qeverisë, edhe këta nacionale, jo vetem që do të zhdukshim rrezikun komunist në pak kohë, po të kishim kenë në gjendje me vu në veprim edhe Planin e Mbrojtjes që kishte qeveria, e që ua kishim tregue këtyne Burrave, e fort e mundëshme ishte që Shqipnia, nuk do të kishte pësue as tragjedinë bolshevike, as coptimin e dytë që pësoi.

Plani ynë i Mbrojtjes
1.Me u armatosë sa ma tepër e me u organizue ushtarakisht, për me përballue me sukses luftën e vërtetë që parashihnim se do të shperthente kundër Shqipnisë nga ana e fqijëve, në rasë se ushtritë e Boshtit do të shtrëngoheshin me u tërhjekë nga Shqipnia, para mbarimit të Luftës.
2.Me këte plan, ishte përfshi edhe mbrojtja e Kosovës me të tjerat Vise të lirueme me 1941, që prej Ulqinit deri në Rozhajë, që prej Tetove deri në Dibër
3.Qeveria merrte pergjegjësinë e veprimit të këtij plani dhe të konseguencave personale ndaj Aleatëve.
4.Kur vendi të okupohej i tani nga forcat Aleate, qeveria i dorëzonte pushtetin korrentit të mbajtun proaleat.
5.Për të mbajtë kët korrent proaleat, mendojshim se disa personalitete nacionaliste të deklaroheshin me propagandë përkrahës të kauzes Aleate, por jo, me ba aksione sa me pengue armatimin e planit të tyne. Gjithshka duhej ba në marrëveshje konfidenciale dhe me pëlqimin e qeverisë.

***
Se çfarë fryti do t’epte ky plan, provën e kemi pasë në qëndresën që bane kosovarët, tue pasë përkrah vetëm nji regjiment të vogël ushtrije të rregullt të komanduem nga Heroi kolonel Fuat Xhaferaj Dibra, që jo vetëm ndaloi sulmet e gjithanëshme t’anmikut, po edhe shpartalloi dy divizione bullgare, tue u marrë edhe topat e që ajo rezistencë u shue vetëm me tradhëti të Enver Hoxhës e Mehmet Shehut, që dërguen divizionet e tyne, tue i gënjye kosovarët, se ata do të mbeteshin me Shqipni, kështu, mbasi i çarmatosi me besë edhe i masakroi, ua dorzoi ato Tokë Ilirjane – Dardane, Jugosllavisë.
Merret me mend se mbrojtja simbas planit tonë me 200.000 luftarë, do t’ishte e pathyeshme nga askush derisa t’arrinin ushtritë anglo-amerikane, e merret me mend se tue pasë gjetë ato Tokë në dorë të nji ushtrije kombëtare antikomuniste, e vendosun  me vdekë para se me i lëshue në dorë t’anmikut, se çeshtjen kuptohet se e kishim të fitueme 90%, që mund të zgjidhej paqësisht me Jugosllavinë, me nji plebishit nën kontrollin e Aleatëve.

Kushtet për realizimin e planit
a.Zhdukja e bandave komuniste, kolonë e pestë e sllavizmit, për t’mos i pasë thikë mbas shpine.
b.Organizimi e armatimi i Dyqindmijë Luftarëve që Shqipnia bashkë me Tokat e Lirueme, i nxirrte nga klasat ushtarake të zgjedhuna. Nji forcë e tillë, do të ishte e mjaftueshme për të mbrojtë kufijtë në Veri, Lindje e Jug, derisa t’arrijshin ushtritë anglo-amerikane, me që ishte parashikue (siç ngjau) se forcat jugosllave në shumicen e tyne, do t’ishin t’okupueme me ushtritë gjermane në tërheqje nëpër Jugosllavi.
c.Për armatim e ndihmë organizimi, kishim premtim solemn nga Mussolini, jo vetëm me na dhanë të gjithë armatimin e nevojshëm, po edhe me na lanë teknikët që do të na nevojiteshin për armët ajrore e artilerinë e randë etj. Po na duhet t’epshim proven se n’asnji rasë ato armë nuk do të ktheheshin kundër ushtrisë italiane.
Marrëveshjen për Planin e Mbrojtjes  e pata përfundue unë me Mussolinin, n’audjencën që pata me Duce-n të Premten e Madhe të vitit 1943, në prani të katër kolegëve të mij Shqiptarë, ndër të cilët Hilmi Leka, Hysref Frashëri, Vasil Alarupi, dhe (kujtoj) edhe nji që në këte rasë nuk më kujtohet emni. Ishte pranë edhe shefi i kabinetit të Duce-s, pranë Ministrisë së P. Jashtëme, ambasadori Babuscio Rizzo. Kët takim e di në hollësi edhe Profesor Namik Ressuli, të cilit, si shok që e kishim, ia tregueme po at ditë.
Për të fillue vumjen në veprim të planit të Mbrojtjes, u vendos n’at takim rekrutimi i njizetë batalioneve shetitës, si hap i parë me uniformë të gjendarmerisë Shqiptare dhe me nji shej të ri dallues që do t’ishte distiktivi  i “Bijëve të Shqipes”. Me këta batalione do të bahej spastrimi i bandave komuniste. Këta batalione do të liroheshin t’armatosun e me divizat ushtarake, mbas gjashtë muej shërbimi, që kështu t’ishin të gatshëm për çdo rast nevoje.
Prap do të zevëndsoheshin me njizetë batalione tjerë e kështu me rradhë, derisa të plotsohej numuri i parashikuem prej 200.000 vetësh.
N’at audjencë Mussolini pranoi përfundimisht edhe kërkesën e bame me kohë nga Mustafa Kruja e të tjerë (që kemi përmendë) për suprimimin e P.F.SH., dhe zëvendsimin e sajë me “Lëvizja e Bijëve të Shqipes”.
Kët emen të Lëvizjes së Ré thjesht Shqiptare e propozova unë n’at audjencë dhe Mussolini komentoi: “Il Movimento degli aquilloti, un nome degno per i figli del aquilla di Skanderbeg!”.

Faktorët e dështimit
1.Unë si Minister i Punëve të Mbrendëshme, isha i ngarkuem që ta vijë në veprim Planin e Mbrojtjes. Nji dekret i Mëkambësit të Mbretit (gjeneral Pariani), më autorizonte me zgjedhë oficerat nga çdo armë si dhe civila, e me i gradue e emnue deri në graden e nënkolonelit.
U sabotova nga të gjitha anët, jo vetëm nga t’ashtuquejtunit kundërshtarë të regjimit, po edhe nga vetë personalitetet që ishin të regjimit. Nuk di a asht e vërtetë, por lexohet në procesin që u pat dënue nji grup personalitetesh, se i ndjemi Hilmi Leka kishte deklarue n’atë proces se kryesisht ai me Ekrem Libohoven, kishin sabotue tek Mëkambësi i Mbretit planin tim, të rekrutimit të njizet batalioneve që u sipërpërmendën.
2.Vazhdimi i bashkëpunimit të Ballit Kombëtar e i Abaz Kupit me komunistë, me aksionet e tyne, e vinin në dyshim Mëkambësin e Mbretit, se mos edhe nga ata batalione mund t’u dilte kush nga rradhët për të kalue në rradhët kundërshtare.
3.Arrestimi i Mussolinit me 25 korrik 1943, i pamundun të parashihej, kje shkaku kryesor i falimentimit.
Megjithë ato sabotime, pata arrijtë që në qershor të regjistroj dymbëdhjetmijë vetë të inkuadruem në 20 batalione nga mosha 21 – 35 vjeçare, bashkë me kuadrot e tyne, dhe pata emnue Komandant të Pergjithshem të tyne kolonel Bilal Nivicën. Pritshim armët tjera dhe të tjera paisje për thirrje, që Mëkambësi i Mbretit i sugjestionuem nga sabotuesit akoma nuk i kërkonte. Nga gjysma e korrikut, mbas nji arsyetimi që i bana Mëkambësit, e vuna para dilemës: O me kërkue armatimin dhe çka ishte e nevojshme, o me pranue dorëhjekjen time. Më premtoi se deri me 15 gusht, do të më ishte dorëzue gjithçka, dhe do të më jepej autorizimi me thirrë edhe njerzit nën armë. Si u pa, Mussolini u arrestue. Italia ndrroi fletë e me 8 Shtator 1943 kapituloi.
4.Erdhi ushtria gjermane, komandanti i të parave reparte gjenerali Carchanico, më kërkoi bashkëfjalim me anë të të ndjemit major Lek Marashi. Më deklaroi se ushtria gjermane kishte ardhë vetëm për nevojat strategjike të Luftës, për të nxanë zbraztinën që lente ushtria italiane në Adriatik, se e konsideronte Shqipninë vend mik e n’atë kuptim, do të qëndronte ushtria gjermane, se nuk do të perzihej në punët e mbrendshme dhe më premtoi ndihmën e Tij.
I premtova bashkëpunim për mbajtje të qetësisë me kusht që po të zbarkojnë ushtri anglo-amerikane, forcat shqiptare nuk marrin pjesë në luftim përkrah asnjenës palë, meqë Shqipnia deklarohet neutrale. E pranoi edhe këte tezë, mjaft që mbajshim qetësinë mbas frontit. I tregova se për të mbajtë qetësinë pa trazime, duhen zhdukë bandat komuniste, e i tregova planin tim tue i kërkue armatimin që do të merrej nga ushtria italiane. Ma premtoi! I tregova se kjo qeveri duhet të bijnë, por unë gjithnji jam gati me dhanë të gjithë kontributin tim për çka u bisedue.
Mbas dy ditësh erdhi Ministri Neubacher bashkë me Xhafer Devën nga Beogradi.
Kundërshtarët ia dolën t’ua mbushnin mendjen Neubacher-it e Devës, që të rrëzojnë qeverinë tonë dhe ashtu ngjau. Gjeneral Carchanico kje largue menjiherë nga Komanda e Tiranës dhe vendin e Tij e zuni nji tjetër gjeneral, që nuk kishte detyrim moral ndaj meje. Jo vetëm kaq, po kjeshë lajmue nga njeni nga antarët e Komitetit Ekzekutiv, që u formue nen kryesi të Bedri Pejanit (tregue me besë), se Gjermanët, do të më arrestojshin dhe internojshin në Gjermani si badoljan(!). Kjo më shtrëngoi të lâ Tiranën menjiherë e në zbardhun të dritës së ditës 13 shtator 1943, bashkë me familje e me 25 djelmoça të vendosun me vdekë, t’armatosun deri n’dhambë, lashë Tiranën e po atë ditë arrijta në Pukë.
Vetëm në gusht të 1944, munda të kjarohem me Komanden Gjermane. Gjenerali Fitztum dërgoi tre oficera të vet n’Iballë, të më ftonin me besë të shkoi në Tiranë. Shkova!
I bisedova gjeneralit haptas e më kuptoi se nuk ishte ashtu si më kishin paraqitë kundërshtarët. I tregova Planin e Mbrojtjes (që atëherë i kishte dalë koha asisojt), e marrëveshjen që pata me gjeneralin Carchanico. U bind n’argumentet e mija e më premtoi me më dhanë gjithshka ishte e nevojshme, por me konditë që forcat që do të mblidheshin mos të kishin karakter partinash, por vetëm kombëtar – ushtarak. Kërkoi Besën nga Sylço Beg Bushati, Gjon M. Gjoni, Mit-hat Frashëri e timen, që armët tona nuk do të zbrazeshin kundër ushtrisë gjermane në asnji rasë.

***
Porsa  dola nga audjenca e gjeneralit, (kje edhe këtu prezent major Lek Marashi), shkova menjiherë tek Ministri i Arsimit shkëlqesa Koço Muka dhe i kërkova të më bante nji pikpjekje me Mit-hat Frashërin. Pikpjekja u ba po atë ditë në shtëpi të Koços.
Biseduem me Mit-hat Frashërin në prani të Koço Mukës situatën kritike të vendit.
I tregova fill për fillë bisedimin me gjenaral Fitztum-in, premtimet dhe kushtet e Tija.
I thashë se Shkodra me Malësina të Veriut, do t’ishin gati me iu përgjigjë nji thirrjes së Tij. Kët ma kishin sigurue Sylço Beg Bushati, Gjon M. Gjoni e në përgjithësi Krenët e Maleve, dhe jo ma pak se 12.000 luftarë do të dilnin vetëm nga krahina e Shkodrës. I pëlqej puna ime e u deklarue i gatshëm me  e marrë at barrë, por m’u lut t’ia propozojshe Mehdi Beut që ta merrte inisjativën si Kryetar i Regjencës e së përkrah Tij do t’ishte edhe vetë Mit-hat Frashëri. “Po kje se Mehdi Beu nuk e merr inisjativën, atëherë – tha – e marr unë!”
Të nesërmen u paraqita tek Kryetari i Regjencës, që më pranoi menjiherë e me shumë njerëzi. I shpjegova gjithshkafen si Mit-hat Beut. Pranoi të ftojnë në Tiranë Krenët e Malësive, me përjashtim të Gjonit M. Gjonit e të Sylçe Beg Bushatit. Pa këta dy Burra nuk bahej gja, e kështu nuk mbetem dakord me Mehdi Beun.
Iu drejtova prap Mit-hat Beut, po nuk e gjeta në enthuzjazmin e fjalët e ditës së parë. Edhe kjo ndërmarrje u ba të dështojë nga i ndjemi Mit-hat Frashëri në Tiranë, dhe nga nji tjetër personalitet në Shkodër, që nuk ishte i Ballit Kombëtar.
Për hir të së vërtetës Historike, pohoj e dishmoj se në mbledhjen e “Besëlidhjes së Shkodres” që kje në shtëpi të Hafiz Ali Krajës, kur u referova rreth bisedimeve të Tiranës siç më kishin kërkue dy përfaqësuesit e Ballit Kombëtar: Lec Kurti e Omer Ruzhdija, n’emën të Ballit të krahinës së Shkodrës, u deklaruen të gatshem me qitë kushtrimin sëbashku pa karakter partishë, ashtu si kishte vu konditë gjenerali Fitztum, edhe po t’ishte se Komiteti Qendror i Ballit, nuk do t’jepte pëlqimin. Kjé nji tjetër personalitet që nuk hoqi dorë nga karakteri partiak i cili, deklaroi se ana e tij kishte vendosë të dilte ilegal që at natë, e megjithkëte, pretendonte t’i dërgojshin pjesën e armëve, ushqim etj., që do të merreshin nga Gjermanët.
Ata ilegalë të deklaruem kundër Gjermanëve, dhe me marrë armët nga Gjermanët!!

Pse i qendruem leal Boshtit?
1.Pse prej boshtit kishim premtim e siguri me pasë Shqipninë Indipendente ndër Kufijtë e  vërtetë të sajë Etnikë. Ky premtim filloi të bahet realitet me bashkimin e Kosovës e të tjerave Krahina, që iu bashkuen Shtetit Shqiptar në vitin 1941, i forcuem edhe nga koncesionet që rradhë mbas rradhet po na i lëshonte Mussolini, në bazë të kërkesave të deklaratës së Shkodrës, të datës 12 Prill 1939.
2.Këto premtime nuk i jepshin Aleatët dhe nuk mund të priteshin prej tyne, me që ishin aleatë me Jugosllavinë e Greqinë; për ma tepër, Ministri i Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, shkëlqesa Anthony Eden, kishte deklarue zyrtarisht në Dhomën e Komuneve që më 1942: “Mbas kësaj Luftë me fitoren Aleate, Shqipnisë do t’i njihet indipendenca e integriteti toksor ndër kufijtë e 1913-ës, me nji rektifikim në kufijtë e Jugut.” Kjo për neve, do të thonte me ua lëshue Korçën e Gjinokastrën Greqisë, pa të cilat nuk do të kishte mâ kuptim nji Shtet Shqiptar.
Donte të thonte që patjeter, duhej t’i lëshonim Jugosllavisë Kosovën e të tjerat Krahina të Lirueme në Prillin e vitit 1941. Né, nuk mund të tradhëtojshim këto pjesë të shejte t’Atdheut. Përveç kësaj, (e që vërtetonte angazhimet e marruna nga Anglia në dam të Shqipnisë) ishte edhe fakti që Aleatët nuk pranonin formimin e nji Qeverie Shqiptare në mërgim nën Mbretin Zog, siç kishin veprue për të tjerat kombësi t’okupueme nga ushtritë e Boshtit.
Me u vue në shërbim t’agjentave Aleatë kundër Boshtit ndër të tilla kondita, neve na dukej se i vejshim thikën me dorën tonë Nanës!
3.Bindja e nevojës së lealitetit ndaj Boshtit ishte forcue në mënyrë të posaçme, mbasi patëm shti në dorë planin e gjeneralit serb Dragutin Mihajloviç (Drazha), aso kohe Komandant i Përgjithshëm i Çetnikëve në Jugosllavi, e Ministër i Luftës në Qeverinë e M. Tij Pjetri II, me qendër në London. N’at plan e në urdhënat për zbatimin e tij ai i jepte udhëzime komandantëve të reparteve çetnike, që në diten që do të caktohej të marrshonin mbi Kosovë e Metohi dhe Sanxhak, të shfaroseshin çka ishin Shqiptarë e muslimanë. Të marrshonin edhe mbi Shkodër dhe t’okuponin edhe portin e Shëngjinit e që do t’i aneksoheshin Jugosllavisë së ré.
Që Shqiptarët e Tokave të robnueme nuk u shfarosën, kjé fati që nuk fitoi Mihajloviçi!

Drejt Aleatëve
Na nuk bame akte anmiqësie veprimit kundër Aleatëve. Nuk i ndoqëm me i kapë as vra misionet e tyne ushtarake që u zbritën në Shqipni për të ba turbullime në dobi të kauzës Aleate. Kët mund ta vërtetojë majori i atëherëshem i RAF-it Neell, që e shpëtova pa ra në dorë të Gjermanëve në Truen të Pukës e që dy herë e pata mysafir për bisedime (kërkue nga Ai), por që përfunduen pa marrëveshtje bashkëpunimi, me që unë refuzova ofertat për përfitime personale, tue i kërkue kondita kombëtare që nuk kjé në gjendje të m’i apin.
Sot rrethanat historike kanë ndryshue, e me që politika nuk asht demagogji, po realitet, me ato fuqi Aleate t’atëherëshme, na do t’ishim lealë e besnikë siç ishim me Boshtin, mbasi edhe ata si na Shqiptarët janë antikomunistë, po kjé se na sigurohen të Drejtat që i përkasin Kombit Shqiptar!

***
Ju z. Abaz Ermeni, për ma shumë se njizet vjet, jeni krenue me fjalë dhe shtyp se keni vra ushtarë italianë e gjermanë, tue i dhjetëfishue numurat. Harroni se ata ushtarë nuk mund të konsideroheshin fashista e nazista, po Bijtë e dy popujve për miqësinë e të cilëve, Shqipnia ka pasë përherë nevojë e ka për të pasë, e se ju me ata kapadaillëqe, i fyeni ata popuj.
Turkia na pat okupue e na mbajti në robni e errësinë për gati pesë shekuj, prandej e kishim anmike, por mbas vjetit 1912, kanë ndryshue rrethanat historike edhe me Turki. Sot Turkia e Ré e përkrah Pavarsinë e Shqipnisë, prandej asht n’interesin kombëtar të përpiqemi ta kemi mike e jo ta fyejmë vazhdimisht siç bani ju!

***
Kemi ba na e ju, çka na e ka marrë mendja se ishte e dobishme për çeshtjen kombëtare. Mirë o keq, dishka koha e ka tregue e Historia ka me dhanë verdiktin përfundimtar. Por mos harroni se dishka e randë ka ngja! Shqipnia u rrënue! Kush e ka fajin? Përgjegjen ka me e dhanë vetëm ndërgjegja e Shqiptarëve dhe Historia! Nji gja do ta kishit për detyrë: Nobare mos u përpiqni me i ba gjithkëndin anmik të Shqipnisë!
Pa më thoni: Mbasi Lufta mbaroi si mbaroi me rrjedhimet e saj fatzeza për vendin tonë,  çfarë dobije i del Shqipnisë  për t’ardhmen  me u tregue anmiq kundër Italisë e Gjermanisë, me vazhdue tue përbuzë e denigrue Turkinë? E që këta janë sot të vetmit popuj që bajnë pjesë në aleancë me Amerikën në Paktin e Atlantikut!
A e dini se në Paktin e Atlantikut asht edhe dikush anmik i Shqipnisë, e se Shqipnia zyrtare (jo Populli) asht anmike e kolegëve të atij Pakti; prandej, sot kemi nevojë për miq mbrenda Paktit!
Mos harroni se sot Italia asht Shteti ma i interesuem për ruejtjen e Pavarsisë e integritetit të Shqipnisë! Ju kujtoj deklaratën e de Gasperit! Ju njoftoj se kur kishin në rrezik Triesten me ia dorëzue Aleatët Jugosllavisë, dhe Shqipnia me u përpi si republikë autonome nga Jugosllavia, Shtatmadhoria Italiane i pat thanë Qeverisë së vet: “Po të jetë se Italia nuk mundet sot të mbrojë njiherit Triesten e Shqipninë, lè të lëshojnë Triesten, po n’asnji mënyrë me lanë të zhduket Pavarësia e Shqipnisë.”
Edhe Gjermanët kanë interesë të jetë shteti Shqiptar i pavarun në Ballkan, për të balancue influencën serbe. Përveç kësaj, ata kanë tregue përherë simpati të posaçme për Popullin Shqiptar, sa që shkecëtarë albanologë na kanë quejtë “Herrenvolk” (Popull zotnishë), jo për pasuni e qytetnim modern po për karakter e traditë Fisnike, pa të cilat Shqiptari nuk do t’ishte mâ Shqiptar!
Unë shtoj, e Besoj, se shprehi ndiesitë e mbarë Popullit Shqiptar, se po të jetë që fqijtë tonë e kuptojnë nevojën e bashkëjetesës paqësore e bashkëpunimin leal të fqinjsisë së mirë, tue na kthye të Drejtat që na përkasin, Populli Shqiptar dishron miqësi të sinqertë edhe me Grekët dhe me Sllavët e Ballkanit.
New York, Qershor, 1967
Kolë B. Mirakaj

Shënim: Ky material nuk ka asnjë ndryshim nga origjinali.
Mbrenda kllapave janë shënimet e Autorit.
U kopjue besnikisht nga Fritz Radovani.
Melbourne, Shtator, 2012.
Studimi i këtij materiali historik duhet të vlejë pwr njohjen e së vwrtetws!
Botimi nuk duhet të ketë asnjë ndryshim prej origjinalit.
Me respekt, Fritz Radovani.
Melbourne, Shkurt 2013.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.