back to top
8.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Rrasa e Vorrit të Poetit… nga Ilir Seci – përkushtim Martin Camajt

Gazeta

Martin dhe Erika Camaj
Martin dhe Erika Camaj

Rrasa e Vorrit të Poetit…

nga Ilir Seci

përkushtim Martin Camajt

Do kohë mbas Gjamës së poetit Martin Camaj, në vendlindjen e tij, në Telumë të Shllakut, erdh Erika bashkëshortja e tij gjermane… shoqe e jetës së tijna… Erika, kjo bashkëudhtare e tija ndër motè, kje ajo grueja sojnike që ju gjind te kryet kur ndrroi jetë e la amanetet e mbramè… nji ditë erdh prej Gjermanie me takue njerëzit e burrit të saj, njerëzit që s’i kish njoftë kurrë ma parë!…
A thue kish ndie për Gjamën!? A thue e kish pru Erikën deri n’Telumë jehu i Gjamës që ja banë fisi poetit?! A thue njaq larg kish mbrri jehu i Gjamës së poetit?! O mos ndoshte edhe malet e Dukagjinit kishin rrahë gjokset e tyne në Gjamë për poetin?! E njashtu kishin përcjellë jehun e Gjamës majave të Gadishullit Ilirik… Alpe m’Alpe… Prej Bjeshkëve te Namuna deri në Lenggries, ndër Alpet e Bavarisë ku prehej poeti…!? A thue vargu i maleve Dinarike të ngjituna sup në sup ja kishin përcjellë njana-tjetrës kumtin e Gjamës, njisoj si burrat dukagjinas!? …dhe kumti kish mbrritë në Lenggries të Bavarisë… o ndoshte Erika kishte pa ndokund ndër libra a gazeta fotografinë e bamun ditën e Gjamës n’Telumë të Shllakut… fotografine e marrun ditën e Gjamës nga fotografi anglez Rhodri Jones, që e kish ba at foto madhështore!?
Asnjiherë s’u muer vesh kjo gja… Erikën nuk e dveti kush pse e qysh… si mund të dvetet robi në shpi të vet pse ka ardhë!? Njaty për habinë e të tanëve Erika u kërkoi nji rrasë guri prej rrasave të katundit të tyne… Pleqtë s’mund u përmbajtë dhe e dvetën se çka i lypej nji rrasë guri prej Telumit n’Dukagjin, me shkue ne Gjermani!?
“E due nji rrasë guri të Telumit, nji rrasë të vendlindjes së Martinit për me ja vendue te kryet e vorrit, në Gjermani… me ja vendue si rrasë vorri!”
Ra heshtje… Tanë e kqyrën sho-shojnë të habitun…
“Má ka lanë amanet Martini! – u kish thanë gjermanja, – Më ka pasë thanë se si asht kenë zakoni… Po kje se burri dès n’dhe të huej dhe nuk vjen me u kalbë n’dhè të vet, ka mè mbetë i pakalbun… se at s’ka me e kalbë dheu i huej! Trupin e poetit e kalb veç dheu i vet!

Martin Camaj (1925-1992)
Martin Camaj (1925-1992)

“Dita e malit tem”

Dheu im âsht i përmendun
për humneret e thella
ndër banorët e malit e të fushës
deri në dét. Mbramjeve atjè
ndëgjohet klithma e grizhlës
ndër kthetrat e shqipes e shpirti i sáj
u flijohet hijevet.
Atje lot drita në sytë e njerzve tash e parë
e epshet s’i njeh kurrkush me emën.
Shpagimi me gjak âsht, për shembull,
gjarpën nën gúr e gjarpni
vetë na qenka mende femne
nën rubën e bardhë ose të kuqe.

Në muzg atje secili prek ballin
e vet e ndien ndër gishta fillin e jetës
e gëzohet.” …

Martin dhe Erica Camaj me Papas Solano
Martin dhe Erica Camaj me Papas Solano

…Rrasën e gurit të Telumit! Nji rrasë të nxjerrun njaty, te i njajti vend ku prej se ka mbi njeri mbi tokë janë nxjerrë ato rrasat e mblojes së kullave… Njaty ku janë nxjerrë rrasat e vorreve brez mbas brezi prej se Dielli ka shndrit ndër Male… Nji rrasë guri Telumi, rrasë e lmuet si rrasat qi zgjedhshin për me shkrue në to, kur mësojshin shkrim e këndim në klasë të parë! Njashtu asht mësue shkrimi në fëmininë e Martinit, tue shkrue mbi rrasë guri… Njaty mësoi me shkrue fjalën shqipe má se parit poeti, njaty mësoi fjalën e gurtë, bash njashtu si mësojshin burrat ndër Oda “Bir, fjalës bania qukun që me ndejtë në ta” …Fjala e thanun njisoj si rasa e shkrume don qukun me ndejtë ndrejtë! Shkrimi në rrasa asht i lashtë sa bota, ndoshte poeti prej se e mësoi shkrimin n’rrasë Telumi, edhe u lidh má shumë me at dhe që nuk prajti tue i këndue… Prandej poeti i kërkoi të shoqes me i sjellë nji rrasë nga vendlindja… Rrasa e sjellun në Bavari, ndër hije të lisit Ilir ka me bajtë emnin e tij, si me kenë nji poezi e fundit e tij:

Hija e Kështenjës

Hija e kështenjës ia mbulon vorrin
ma e randë n’mendim
se rrasa e shkambit mbi të.

Me të asht fryma që më fali
te shpia e re në mal:
amza e arkës së kalbun
përqesh mishin e mishit të saj.

Nji botë e tanë,
nji grusht eshtna ma të bardha
se lulet e borës tua hapun sytë
atje,
n’pranverën e vonë.

“…Ja zgjodhën nji rrasë e shkambit dukagjinas me ja dhanë me veti Erikës…” Heu grue e sojshme paska kenë Bija e Nemces, pasha kët gur!” – fshanë pleqtë kur e përcuellën der në megje të Shllakut… E muer me veti Erika rrasën e gurit të Dukagjinit… Më veti në Gjermani, me ja vendue te kryet e vorrit Martinit… Njashtu me at rrasë guri të Dukagjinit të kryet, vendue si rrasë e vorrit, trupi i poetit mundet me u kalbun n’dhe t’huej…

“Letër nga Jugu”

Larg në nji tjetër botë jam
e shikoj kah mali:
rêt ruejnë majën kujdesshëm
pse ajo âsht e vetmja mbështetje
e qindresës së tyne në ajër.
Harrova gjithshka, Lule,
në botën e malit e të qiellës
unë pasqyrë e pandame e rêve.
Po të shkruej se këndej
sa shkambi ka ngjyrën
e faqeve të rrezituna.
Muret e shpijave janë kështjellë
të rrxueme me frangjija të panjehuna
e njimijë sy më shikjojnë
nëpër to kur parakaloj
në pikë të mjesditës
pa hijen teme për bri.

Lule, sonte ndoshta do të bijë
shi i nxehtë në Jugë,
e nesër do të shoh mes avullit
ylberin e shtrëngatës së kalueme
e atëhere kam me kthye te ti…”

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.