back to top
7.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Mjaft më me tallje ndaj fatkeqsive tona!* nga Eugjen Merlika

Gazeta

Presidenti Nishani ne Spaç - 6 dhjetor 2015
Presidenti Nishani ne Spaç – 6 dhjetor 2015

Mjaft më me tallje ndaj fatkeqsive tona!*

nga Eugjen Merlika

Të nderuar e të dashur bashkatdhetarë,
ju përshendes me kët shkrim
që menduam se është i vlefshëm të lexohet
e të nxirren përfundime të drejta prej tij.
Urime Eugjenit per trajtimin e thellë
të problemit që ai parashtron.
Lexim të mbarë!
Lek Pervizi (botues i revistës Kuqezi)

Autori Eugjen Merlika 2008
Autori Eugjen Merlika 2008

Vizita e Kryetarit të Shtetit në ish-kampin e punës së detyruar të Spaçit është një ngjarje e rëndësishme, jo vetëm për faktin që, për herë të parë gjatë një çerekshekulli autoriteti më i lartë “denjoi” të shkojë e të shohë rrënojat e njërit nga “ferret” e socializmit shqiptar, por edhe për fjalën që mbajti dhe dekoratat që shpërndau. Duke mbajtur parasysh faktin se z. Nishani përfaqëson shtetin shqiptar e nuk ka folur atje si qytetar i thjeshtë, duhet të pranojmë se fjalët e tij janë edhe zëri dhe mendimi i politikës shqiptare sot. Do të ishim të lumtur të besonim ne, ish të dënuarit e Spaçit dhe të gjithë kampeve e burgjeve të Shqipërisë, se kjo është e vërtetë. Faktet e gjithë kësaj periudhe, të ashtuquajtur të kalesës, na lënë dyshimin se edhe veprimi i fundit i Presidentit mund të jetë thjesht demagogji.
Nuk kanë kaluar veçse pak ditë nga festimet e 29 nëntorit, përvjetorit të ditës kur komunizmi mori pushtetin në Shqipëri. Ajo ditë ishte fillimi i tragjedisë më të egër të kaluar mbi truallin shqiptar, pavarësisht se ajo, ende sot serviret si çlirim nga pushtuesit, të cilët u larguan vetë, si pasojë e humbjeve në të tjera fronte. Në fakt ajo datë ishte robërim, jo për të gjithë, siç thuhet rëndom, por për një pjesë të popullsisë që nuk u pajtua me diktaturën. Nëse himnizohet ende ajo ditë së bashku me njerëzit me të cilët lidhet kujtimi i saj, nuk mund të dënohen veprimet e regjimit që solli ajo, përfshirë këtu edhe Kampin e Spaçit, si pasardhës i denjë i Orman-Pojanit, i Bedenit, i Vloçishtit, i Vlashukut, i Gjirokastrës, i Burrelit, i Tepelenës, i Qafës së Barit e sa e sa emrave të tjerë, dëshmitarë tashmë të heshtur, të diktaturës komuniste në Shqipëri.
Nëse politika shqiptare dekoron 1000 ish partizanë, ish kuadro të organeve të dhunës, ish hetues, prokurorë, gjykatës, oficerë drejtues të lartë të ish Sigurimit të Shtetit, para një viti fshehtas e pa bujë, është një hipokrizi e papranueshme dekorimi i pak viktimave të kampit të Spaçit. Ndërmjet dekorimeve të para një viti dhe atyre të para dy ditëve, të kryera nga i njëjti autoritet, Shteti shqiptar: cili i përgjigjet së vërtetës!?
Pyetja është e ligjshme edhe për logjikën më parake.

Burgu i Spaçit sot...
Burgu i Spaçit sot…

E vërteta është se Shteti shqiptar i këtyre 25 viteve është i sinqertë kur dekoron ish kasapët e diktaturës dhe shtiret kur dekoron viktimat e Revoltës së Spaçit. Mbas dhunës së 47 viteve të regjimit komunist, fatkeqësisht u përballuam me talljen e hapur apo të maskuar të të ashtuquajturit Shtet demokratik. Tallja dhe hipokrizia janë një tjetër variant i dhunës, sepse respektojnë të njëjtën logjikë të kësaj të fundit, raportin e forcave që lejon çfarëdo lloj qëndrimi.
Strategjia e Katovicës, e kthyer në program shtetëror nëpërmjet fjalës së Ramiz Alisë së tetorit 1989, u zbatua deri në imtësi në këta 25 vite. Të kujtojmë disa nga pikat e këtij programi të pashpallur, por të përqafuar fort nga e gjithë politika shqiptare pas komuniste:
1.“Shqipërinë do ta gëzojmë ne dhe fëmijët tanë.”
2.“Brenda dy-tri legjislaturave do të arrijmë që nga klasa komuniste të krijojmë klasën kapitaliste, e cila do të na përjetësojë në pushtetin politik të së ardhmes, që e kemi planifikuar dhe po e përgatisim vetë.”
3.“Neve na intereson karta e tyre morale. Këta do t’i afrojmë e do t’u japim punë të parëndësishme, por kurrë nuk do t’i lëmë të na e marrin pushtetin… Në zbatim të të drejtave të njeriut, duhet t’u japim edhe kompensimin në parà të burgosurve politikë, t’i kompletojmë me komoditete banimi…”
4.“…Ndëshkime të vogla, sa për sy e faqe ndaj nomenklaturës së lartë komuniste…”
5.“Të burgosurit dhe të persekutuarit janë të moshuar, nuk kanë fuqi dhe janë të parrezikshëm. Duhet të kemi kujdes nga fëmijët e tyre. Por këta, duke u dhënë nga një pasaportë dhe duke u bërë presion do t’i largojmë nga Shqipëria. Ata që do të pretendojnë, të kundërshtojnë apo të këmbëngulin, do të lëndohen e do të ndëshkohen. Pasuria e tyre na përket neve, sepse ne e bëmë.”
6.“Përveç aleatëve ideologjikë, nëse do të jetë nevoja, do të kemi edhe mbështetjen e aleatëve të tjerë në Perëndim, me të cilët kemi ruajtur fijet e lidhjeve të vjetra për hir të interesave të mëdha.”

Ambasadori Amerikan Donald Lu ne ish Burgun e Spaçit... 2015
Ambasadori Amerikan Donald Lu ne ish Burgun e Spaçit… 2015

Sfidoj këdo nga politika shqiptare të mohojë vënien në jetë të këtij programi deri në hollësi. Madje edhe aty ku programi nuk është sendërtuar, ka qenë pika e dëmshpërblimeve për punën e papaguar të periudhës së dënimeve. Si duket, parashikimi i Ramizit u quajt tepër “bujar” nga pasardhësit, sa që e reduktuan kokoshin në një thelë.
Prej 25 vjetësh është dhënë vetëm një këst prej tetëve për ata që nuk janë më në jetë. Nuk e di nëse mund të ketë një tjetër term, veç talljes dhe mashtrimit, ky qëndrim i Shtetit shqiptar kundrejt ish të përndjekurve politikë.
Nëse Kryetari i Shtetit shfaq një tjetër qëndrim, nuk besoj të jetë fryt i një evolucioni të brendshëm, i cili të ketë ndryshuar bindjet ndaj problemit. Ndoshta arsyeja duhet kërkuar diku tjetër: mësohet se më 27 tetor, rrugën e Spaçit e ka bërë Donald Lu, ambasador i Uashingtonit në Tiranë. Zoti Lu ka shkruar në Facebook mbas vizitës: “Vizita në burgun e Spaçit është një dëshmi e gjallë e sakrificave të atyre njerëzve që luftuan për liri dhe kundër tiranisë dhe që shpesh humbën jetën gjatë kësaj përpjekjeje.”
Është detyrë e një ish banori të kampit të Spaçit të falënderojë përzemërsisht ambasadorin e SHBA-s për këto fjalë. Në një të katërt shekulli asnjë përfaqësues i atij Vendi nuk është shprehur në atë mënyrë, madje nuk di nëse ato janë fryt i ndërgjegjes vetjake, që ka kaluar edhe vetë një traumë të tillë familjare, apo qëndrim zyrtar i politikës së jashtme të vendit të vet. Sidoqoftë ato fjalë kanë shërbyer si një këmbanë alarmi për klasën politike shqiptare që duhet të japë idenë se vlerësimi amerikan përkon edhe me të sajin. Që këtej turri për në Spaç, fjalimi e dekorimet. Në lidhje me këta më bëri përshtypje fakti i mungesës së dy emrave, të cilët, krahas Xhelal Koprenckës, duhet ta kishin marrë me kohë vlerësimin e Shtetit demokratik, nëse ky do të kishte qenë vërtetë i tillë. Ata emra janë Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezha. Ata të tre, për mendimin tim, janë heronj, sepse kanë shkuar drejt vdekjes, mbasi kanë plotësuar një detyrë qytetare dhe intelektuale kundrejt ndërgjegjes së tyre dhe Atdheut, duke i shkruar nga Spaçi Enver Hoxhës, për t’i thënë me pak fjalë se politika e tij ishte antikombëtare dhe antipopullore.
Ndjesa e pakërkuar është një nga argumentet e trajtuara në fjalën e z. Nishani. Është një argument i prekur me dhjetëra herë nga ish të përndjekurit, por pa asnjë farë efekti praktik, mbasi asnjë nga ish nomenklatura e kuqe, për më tepër nga organet e dhunës, nuk e kanë ndjerë si detyrë morale e njerëzore ta kërkojnë, sepse asnjëherë Shteti demokratik nuk e ka dënuar seriozisht, por vetëm për formë atë dhunë. Sot, kur ambasadorët e huaj po flasin me forcë për këtë aspekt të mjegullt të demokracisë shqiptare, politika nxiton ta nxisë atë dukuri e presidenti bëhet zëdhënës. Kjo nuk bëhet për të korrigjuar një domosdoshmëri morale të shoqërisë e të shtetit, por për ta fshehur mangësinë mbas një fasade, në dukje të pranueshme, duke gjetur një kompromis në këtë drejtim me zemërgjerësinë e ish të përndjekurve.
Krahas kërkesës së faljes përmendet edhe termi “drejtësi” që, për Presidentin, do të thotë: gjetje e eshtrave, hapje e dosjeve, dënimin ligjërisht dhe sidomos moralisht të kriminelëve gjakatarë etj. Të gjitha këto janë fjalë të bukura, madje shumë të vlefshme, por kush mund t’i besojë sendërtimit të tyre, kur për njëzet e pesë vjet nuk kemi dëgjuar asnjë rast, që të jetë proceduar ndonjëri, dhe jo më shumë se një vit më parë janë dekoruar për “veprat” e tyre.
Drejtësi do të thotë procedim penal për ushtruesit e dhunës dhe autorët e krimeve, siç bëjnë në botë edhe me 90-vjeçarë, ish-roje të kampeve naziste, të mbijetuar deri në ditët tona. Gjetja e eshtrave dhe hapja e dosjeve janë një detyrim, i lënë tepër gjatë pa u plotësuar, për një shtet që kërkon të ndreqë imazhin e tij të lyer me gjak. Është një turp fakti që, ende mbas një të katërt shekulli, këta detyrime nuk janë plotësuar, madje vazhdojnë të shpalosen si “të mira” që u premtohen ish të përndjekurve, në mënyrë alternative, nga dy grupet e pushtetit në rastin e fushatave zgjedhore.
Duke nxjerrë përfundimin e arsyetimit mbi fjalën e Presidentit në Spaç, mendoj se kemi të bëjmë me një tjetër veprim fasade, që i shtohet portreteve të martirëve të Kishës, në rastin e vizitës së Papës Françesku në Tiranë.
Zotërinj qeveritarë, ju e dini shumë mirë se çfarë duhet të kishit bërë për viktimat e regjimit që ju e trashëguat paqësisht. Besoj se nuk keni nevojë t’ua këshillojë askush, por ju nuk do t’i bëni kurrë ato sepse për ju, sikurse për paraardhësit tuaj në pushtet, ata mbeten “armiq”, edhe se atë fjalë nuk do ta përmendni kurrë, mbasi nuk jetoni më në “kështjellën e pamposhtur të socializmit në botë”, por jeni në NATO e kërkoni të hyni në Europën e Bashkuar.
Duke qenë të vetëdijshëm për këtë të vërtetë, besoj se kemi të drejtë t’ju kërkojmë vetëm një “nder”: mos u tallni më me ne dhe mos bëni fatkeqësitë tona, armë të luftës suaj për pushtet!
Dhjetor 2015

*Titulli redaksional nga radiandradi.com

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.