Stalini, Mozarti dhe Maria Judina (Pjesa e Dytë)
(poemë nga Jevrem Berkoviç)
Përktheu Lazër Radi – 1989
Jon Jakiri,
natën para pushkatimit
i shkruen Kob Xhugashvilit
Jon Emanueloviç Jakiri,
marshall i kuq, bolshevik i vjetër e drejtsidashës!
Jon Emanueloviç Jakiri,
në kohën e lirë shpendrritës kafazesh,
Jon Emanueloviç Jakiri,
luledashsi ma i përkushtuem midis marshallëve!
Jon Emanueloviç Jakirit
i erdh radha për në Lubjankë!
Dy punëtorë të rinj të Sigurimit
erdhën me ia nënshkrue fletë-udhtimin
për në vendin e theqafjes!
Urime! Jon Emanueloviç,
prej andej s’asht kthye kërkush, as mareshallët ma t’famshëm!
Jon Emanueloviç Jakiri,
natën, para nisjes për në vendpushkatim,
i shkruejti shokut të vet – Kob Xhugashvilit:
“Po vdes besnik ndaj teje,
ndaj atdheut dhe Partisë,
me besim të pakufi në fitoren e komunizmit!!”
E mesazhi mbrriti në Kremlin
njizet minuta mbas vdekjes së Jakirit!
O Jon Emanueloviç,
nganjiherë edhe mareshallët n’vendpushkatime
bahen njerëz naivë e krejt të randomtë:
rritës shpendësh bile edhe luledashës!
Me mesazhin paravdekjes së Jon Jakirit
shoku i tij i armve: Kob Xhugashvili,
tashma i njoftun si Josif Visarionoviç Stalini,
Me dorën e vet shkroi:
“I poshtër, o kurvë e shkërdhyeme…!”
“Vlerësim plotsisht i saktë, i shokut Kob!”
Shënoi nën të, mareshalli Voroshillov,
mik dhe shok i vjetër lufte i Jon Jakirit!
O Jon Emanueloviç,
ç’terr mundet me ndry skëterra
që edhe shoktë ma të ngushtë të betejave
papritmas i shndrron në tradhtarë?!
Të nesërmen,
nji sigurimas mesoburrë
(pa të djathtin sy e pa të djathtën dorë)
ia dorzoi edhe Klement Jevremoviç Voroshillovit
letrën e paravdekjes së Jon Jakirit:
“Mikut dhe shokut tim K. J. Voroshillov!
Si kujtim për luftën e përbashkët shumvjeçare,
për shërbimet e shumta në Ushtrinë e Kuqe,
Të lutem o shok, o miku im i vjetër,
ndihmoje familjen time,
e veçanti fëmijtë e mi ende të parritun!!
I yti Jakiri!”
Klement Jevremoviç Voroshillov,
shok i vjetër i lufte i Jon Emanueloviç Jakirit,
shënoi në letrën e mikut të vdekun:
“A mund të ketë nder nji tradhtar i tillë?!”
Çudi, o Klement Jevremoviç, çudi e madhe!
A s’asht po ai Jon Emanueloviç Jakir
që dy herë të shkuli nga thonjtë e Kollçakut,
dhe nji herë edhe nga kthetrat e Vrangelit?!
Po nga panxhat e Kobit,
o Klement Jevremoviç,
s’ka me t’pshtue kërkush, veç nji sjellje prej sahanlëpimsi
ka me t’pshtue, e jo Zoti,
edhe nëse natve, fshehtas i lutesh
n’ato vende që njerzit e Berias ende s’i dinë!
Sergej Aleksandroviç Kravshçenko,
komandant i plotonit të ekzekutimit
që kreu vrasjen e Jon Emanueloviç Jakirit,
solli fluturim n’Kremlin të fundmet fjalët të Marshallit:
“Jakiri, në vendpushkatim, qëndroi indiferent
e, si nëpër dhambë mërmëriti:
Për çka t’hynte n’punë rradakja ime, O Kob!?!”
O Jon Emanueloviç,
si asht e mundun që nji mareshall kaq i zoti t’bahet dele
e të përulet, e të lutet e të përgjërohet
veç me e gjetë vedin sërish në tryezën e padronit?!
S’ban kështu jo, o i nderuem Jon Emanueloviç?!
Familja e Jon Emanueloviç Jakirit:
e shoqja Anastasia, fëmijët, vllaznit, prindët e kushrinia
dimnuen në Siberi veç nji dimën të vetëm,
në pranverën e vitit ’38, ishin likuidue krejt me far e fis:
e prej asaj dite Jakirë ma n’Rusi nuk ka!