Stalini, Mozarti dhe Maria Judina (Pjesa e Tretë)
(poemë nga Jevrem Berkoviç)
Përktheu Lazër Radi – 1989
Mihail Nikollajeviç Tukaçeski
nuk kërkoi mëshirë!
Ma i riu marshall i Ushtrisë Kuqe
Mihail
Nikollajeviç
Tukaçevski,
aristokrat,
n’Revolucion hyni me dorashka të bardha
njashtu si dashnorët në Bulevardin Nevski.
Mihail
Nikollajeviç
Tukaçevski,
Udhheqës i madh në gjitha frontet e Tetorit,
shtypi kryengritjen e detarëve në Kronshtad,
luftoi si luan kundra Polonisë
dhe u ndal në të dymbëdhjetin kilometër para Varshavës!
Mihail
Nikollajeviç
Tukaçevski,
delegat në kunorzimin e mbretit të Anglisë Gjergji i V-të,
kur e pa Ledi Elizabet e Uindsorit,
ma e reja shoqnuese e Nanës Mbretneshë,
deklaroi për gazetat që dilnin at mëngjes se:
“Revolucioni i shëmtoka gratë, por i hijeshoka burrat!”
Mihail
Nikollajeviç
Tukaçevski,
i vetmi mes katër marshallëve sovjetikë të zhdukun
që Kob Xhugashvilit s’i kërkoi mëshirë!
Mihail
Nikollajeviç
Tukaçevski,
nji natë para burgimit,
në klubin e oficerëve ‘Aurora’ darkoi “kambë ariu”,
piu shampanjë për shëndetin e nji armeneje t’re,
të cilën as EN-KA-VE-DEJA s’mbrriti me e identifikue!
Në letrën nisun Kob Xhugashvilit
Mihail
Nikollajeviç
Tukaçevski,
që në shtypin londinez gjatë festës së Kunorës
u quejt, “Ariu i Kuq” – me sjellje xhentëlmeni –
në letër pohoi se ishte akuzue rrejshëm,
se lajthitja e Kobit ishte ma e madhe se vetë Kremlini,
se dyshimi i Kobit ma i rrezikshëm se nazizmi,
se Xhinxhis Kani para Atij s’ka qenë tjetër
veç nji qingj i randomtë Mongolie, hypun mbi kalë!
Në letër,
Mihail
Nikollajeviç
Tukaçevski,
s’kërkoi falje,
s’pati dëshirë t’i faleshin mëkatet që s’i kish ba kurrë,
nuk ngjiti në qiell askënd,
bile as Rusinë e Shenjtë s’e përmendi!
Kob Xhugashvilin e shpërfilli
duke thanë se: Kremlini po digjet ndër flakë dyshimesh!
Në letrën e tij
Kob Xhugashvili shënoi: “I poshtri!”
Klement Jevremoviç Voroshillovi,
si zakonisht, ra dakord me Kob Xhukazhvilin
dhe qartas firmosi nën firmën e Stalinit!
Llazar
Mojsijeviç
Kaganoviçi,
bolshevik i vjetër dhe anëtar i politbyrosë së Kobit,
shkroi pocaqinë e rradhës,
të cilën asnji Kaganoviç i vjetër s’do ta bante:
“Tradhtar, ndysinë, plehurinë nga bordelli i ushtrisë!”
Dëshira e fundit
e Mihail
Nikollajeviç
Tukaçevskit
Ishte që n’pushkatim të shkonte me dorashka të bardha!
Dëshira s’iu plotësue.
Rreshteri plak Nikollai Sergejeviç Gurkov
urdhnoi ushtarët e tij
me qëllue mbi marshallin, njashtu duerçveshun!