back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Stalini, Mozarti dhe Maria Judina (Pjesa e Katërt)

Gazeta

Pianistja e famshme - Marija Judina
Pianistja e famshme – Marija Judina

Stalini, Mozarti dhe Maria Judina  (Pjesa e Katërt)

(poemë nga Jevrem Berkoviç)

Përktheu Lazër Radi – 1989

Maria Judina para pianos
Maria Judina para pianos

Maria Judina

lutet për shpirtin e

Kob Xhugashvilit

Qytetarja Maria Judina
pianiste e lavdishme sovjetike,
ma e famshmja soliste
e nji koncerti t’Moxartit djaloshar!
(Për të cilin dikur ziliqari Salier e kritikonte randë!)

Qytetarja Maria Judina
me 23 shkurt të 1952,
interpretoi në studiot e Radio Moskës
nga Moxart koncertin për piano, Opus 23,
Emision i drejtpërdrejt n’orët mbasmesnate,
kur krejt Rusia ndalesh para radios!

Në Kremlin ndriçon veç dritarja e Tij,
veç dritarja e Tij në krejt Kremlinin,
veç dritarja e Tij, e dhomës së Tij !
në pagjumsinë e Tij,
dhe shpirtit të Tij –
i qe ndezun veç drita e Tij!

Edhe e palodhuna KGB shkoi me fjetë,
Beria asaj nate, plotsonte dosjen e “Bluzave të bardha”,
duke e mbushë me trillime t’freskta prej magjistari
kartelën e Maria Timoshçukut
doktoreshës së re të spitalit të Kremlinit,
e cila nji natë ma parë
kish fjetë me marshallin plak Konjev!

I braktisun prej t’gjithëve me dëshirën e vet
bile edhe prej Matrona Petrovnës,
Kob Xhugashvili, me shishen e vodkës në gjunjë,
ndigjonte i habitun si zemra dhe duert e Maria Judinës
derdhnin muzikë moxartiane prej Balltiku në Vladivostok!
Si shpirti i Moxartit futesh n’pagjumsinë e Tij,
n’errsinën dhe në frikën e tij,
në turbullimin dhe vetminë e Tij,
në qenien e Tij që po shkatrrohej pagjumsie!

Stalini, Mozarti dhe Maria Judina
Berkoviç – Stalini, Mozarti dhe Maria Judina –
Perktheu Lazer Radi Saver 1989

Kob Xhugashvili
nga telefoni special – edhe ky mjet pagjumsie –
e urdhnoi drejtorin e Radio Moskës
që at mëngjes të sillej në Kremlin disku i Maria Judinës
mbi të cilin, gishtat e saj
i kishin dhanë shpirt Moxartit në piano!
Ah, ata gishtat e saj!

Po si mund t’i thuhej shokut Kob se disk nuk ka?!
Si mund t’i thuhej Atij, se Maria Judina
at natë, ndër radiovalë,
drejtpërsëdrejti e kish përjetsue Moxartin?
Si mund t’i thuhej nji gja të tillë shokut Kob?!?

Mbi Moskë binte borë e bardhë si thinjat e Kobit!
Mbi Moskë shtjellesh borë siberiane!
Mbi Moskë zbardhte borë moskovite!
Nëpër Moskë endej bora e Aleksandër Bllokut!
Moska, nëpër natën e bortë, mbetet prap Moskë.
Moska s’i beson asgjaje veç borës:
Borës së përthinjun si flokve të përhinjun të Kobit!

Si t’i thuhej shokut Kob se: Pllakë nuk kaaa!?
Deri sa të zbardhë drita veç pak orë të borta ka!
pak orë të borta si ai mëngjes i bortë,
mbi Moskën e tejzbardhun mëngjesore,
mbi Kremlinin me kostumin vigan të Gjyshborës!
Si t’i thuhet shokut Kob se: Pllakë nuk kaaa?
Se Maria Judina drejtpërsëdrejti i kish dhanë jetë Moxartit?

Pa zbardhë dita pllaka duhet t’ishte në Kremlin,
përndryshe: gjithë Radio-Moska në Siberi!
Të gjithë!
Edhe Maria Judina!
Edhe Moxarti!
Kob Xhugashvili as nëpërmend s’e çon
se n’Radio-Moska mund t’muzikohet drejtpërsëdrejti!!

Radio-Moska,
kjo makinë e hatashme
e fjalës,
e muzikës,
e marsheve,
fanfarave dhe poezisë euforike –
vlon dhe ndizet si të rikthehej 22 qershori i ’41!

Gjithçka njaty asht gati:
Landa e parë e nevojshme, veglat dhe makinat!
Gjithçka  njaty asht gati:
Orkestra, Moxarti, Maria Judina dhe pianoja!
Gjithçka njaty asht gati:
Studio, Sigurimi, zjarrfiksat dhe flaka ndër njerëz!
Gjithçka njaty asht gati:
Veç orkestra ka pësue nji krizë nervore kolektive,
dhe violina e parë infarkt në zemër!

Gjithçka njaty asht gati:
veçse Maria Judina para pianos ndjehet krejt e qetë!
ndërkohë, në Moskën e përgjumun,
i zgjojnë gjithkah muzikantët ma të mirë!
dhe krijohet nji orkestër me sistem nervor të përsosun!
Gjithçka njaty asht gati:
edhe violina e parë me zemër tashma të ringjallun!
Dhe regjistrimi i diskut mundet me fillue!
Fiks në orën shtatë, asnji minutë ma vonë!
Fiks në orën shtatë zero zero!
Fiks në shtatë, me ma t’saktën orë t’mëngjesit moskovit
Pllaka e gramafonit erdh në Kremlin ashtu e ngroftë!
si bukë ende e avullt dhe mbante mbrendë
Moxartin
dhe Maria Judinën!

Moska - Kremlini 1953
Moska – Kremlini 1953

Prej asaj dite,
qysh prej asaj dite –
e deri n’ditë të dekës, me 3 mars ’53:
mbasdrekave,
mbramjeve dhe
mbasmesnatave kremliniane
Kob Xhugashvili s’u ndje ma vetëm –
Bile edhe pagjumësinë ma lehtë e përballoi!
Prej asaj dite,
qysh prej asaj dite
e deri n’ditë të dekës –
pranë tij, çdo natë ishte Moxarti dhe Maria Judina!
n’at mjedis të ngushtë gjithnji të qetë
ishte edhe Matrona Petrovna me ikonë n’qafë.

Të pagjumët në gjithçka janë dorëlshuem!

Të nesërmen,
në adresë të Maria Judinës
shkoi letra e Kobit me 20.000 rubla!!
Ishte dhurata dhe mirnjoftja e nji të pagjumi
të cilin, nga vdekja,
nga gjumi i përjetshëm,
e ndanin veç 373 netë të pagjuma!

Qytetarja
Maria
Judina,
Pianistja sovjetike,
ma e famshmja
e Moxartit në koncertin për piano, Opus 23
Kob Xhugashvilit,
i shkroi ma guximshëm se vetë Tukaçevski:

Ju faleminderit o Josif Visarionoviç,
Ju faleminderit, për mirënjoftjen dhe paratë,
për Ju, Josif Visarionoviç,
çdo ditë do t’i lutem Perëndisë!

Do t’i lutem o Josif Visarionoviç
t’jua falë të tmerrshmet krime
që Ju, Josif Visarionoviç,
i keni ba popullit dhe kësaj Toke!

Zoti asht mëshirmadh, Josif Visarionoviç,
E me siguri ka me e falë shpirtin tand satanik.
Paratë do t’i përdor, Josif Visarionoviç,
me rindërtue nji kishë të shkatërrueme,
në të cilën falem rregullisht! – Maria Judina

Disidentja Maria Judina (1899-1970)
Disidentja Maria Judina (1899-1970)

Sekretari ma i ri i Kobit
(Poskrebishjevi – që dikur kish qenë në Siberi)
e tash stërvitej n’mjeshtrinë
e zhytjes n’rrugën e krimit…
E hapi letrën e Maria Judinës!

Sekretari ma i ri i Kobit
(Poskrebishjevi plak tashma n’rrugë të dekës).
i rrëfente Berias dhe Abakumovit
për letrën e qytetares Maria Judina,
duke mos e ditë qerratai
se me postën personale të Padronit s’bahej shaka!

Sekretari ma i ri i Kobit,
gjà që Poskrebishjevit s’do t’i ndodhte kurrë,
(Ai për diçka krejt të vogël qe siterrdisë n’Siberi)
mori nji dënim shembullor:
Për tri ditë rresht,
sekretari ma i ri i Kobit,
me uniformën e brigadierit të pastrimit komunal,
pastroi borë në Shesh të Kuq.
Dhe letra
e qytetares Maria Judina,
pianistes ma të lavdishme sovjetike,
ma të famshmes
në koncertin e Moxartit për piano, Opus 23,
përfundoi në xhep të bluzës së Kobit.

Qytetarja
Maria Judina
s’e kish pa kurrë as Kolimën,
as Berian,
e as Abakumovin s’e njifte personalisht!

Edhe ma vonë
qytetarja Maria Judina
vazhdoi si pianiste e lavdishme sovjetike,
si ma e famshmja
e koncertit të Moxartit për piano, Opus 23.

Matrona Petrovna
nikoqirja besnike e Kobit,
Matrona Petrovna,
kujdestare e Kobit dhe shoqe n’pagjumsinë e tij,
në agim të 3 marsit ’53 – para Byrosë Politike deklaroi:
“Shoku Stalin mbasdarke piu,
hapi gramafonin, vuni pllakën e tij të dashtun!
E për nji kohë të gjatë, shumë të gjatë ndigjoi muzikë.
Kur befas u ndje se nga dhoma diçka u shemb!
vrapova në dhomë dhe e gjeta shokun Stalin
të shtrimë përtokë, rrëzue para gramafonit,
kish rà përmbys dhe gulshonte
sikur ta kish zanë – Zoti mos e dhashtë! – punëhera!”

Kob Xhugashvili vdiq
duke ndigjue
Maria Judinën n’muzikë të Moxartit…
Maria Judina e shkatërroi shpirtin e tij,
pagjumsinë e tij
edhe at vetë, që po sfilitej n’vetvedi!

Matrona Petrovna tha të vërtetën!
Kob Xhugashvilit i ra kryet mbi gramafon,
sikur – Zot na ruej! – e zu punëhera!
U duhet diçka ksisoji pagjumsave të mëdhenj,
e sidomos atij:
Pagjumsia e të cilit kish zgjatë
plot shtatmijë e treqind net!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.