back to top
12.5 C
Tirana
E diel, 24 Nëntor, 2024

Dorëshkrimet e Don Nikoll Mazrekut nga Ndue Dedaj* & Gjergj Marku

Gazeta

Dom Nikolle Mazreku 26 vjeçar
Dom Nikolle Mazreku 26 vjeçar

Dorëshkrimet e Don Nikoll Mazrekut

nga Ndue Dedaj* & Gjergj Marku

Dorëshkrimet e Monsinjor Nikoll Mazrekut
flenë nën pluhurin e harresës.
Gjuha e këtyre shkrimeve është në gegërishten
që ka përdorur shkolla letrare e Klerit Katolik.
Vepra letrare prej shtatë vëllimesh e françeskanit,
e gjitha në dorëshkrim,
në pritje për botim apo marrjen e
statusit si pasuri kombëtare…

Nikollë Mazreku (1912-1996) grafikë F. Radovani
Nikollë Mazreku (1912-1996) grafikë F. Radovani

Letrat e palexuara të françeskanit të burgosur

“Absurdi më i madh jam un që më duhet të shkruej realizmin socialist të veshun në velin e mesjetës për me mujtë me u shpëtue torturave që më kërcënohen kur të m’i gjejnë nën kontroll…” Kjo ishte përgjigja që Dom Nikolla i dha shokut të tij të vuajtjeve të burgut, At Zef Pëllumbit, kur ky do t’i shprehte se ç’mendonte për shkrimet e tij: “Dom Nikollë, këto janë shumë të bukura, por tash tingëllojnë si anakronike. Sot arti modern asht krejt i lirë nga ligjet e rregullat. Sot stilet e reja janë të zgjidhuna: futuri, abstrakti, absurdi, këto sundojnë.”
Sot, kur kanë kaluar mjaft vjet nga vdekja e monsinjor Nikoll Mazrekut, falë kujdesit të At Zef Pëllumbit, janë botuar nga ky autor vetëm dy vepra postume, poemat “Dukla” dhe “Sapjana”. Në parathënien e tyre, At Zefi shënon se poemat e shkruara nga Dom Nikolla, i përkasin romanticizmit “ndërsa kur i lexon të çojnë mallin e të shkon mendja te romancat mesjetare të zigematëve të Evropës Perëndimore, paraardhëse të të gjitha letërsive artistike të qytetërimit oksidental, baladat, idilet, eposet, vajtimet, dashnorët, aventurat e rrezikshme kalorsiake me episode heroike…”
Në burg Dom Nikolla nisi të shkruajë në vitin ’72, kur ishte në Burrel.
Shkrimet e tij shpëtuan në sajë të emrit të Skanderbeut, shkrime që u ruajtën në arkivat e Ministrisë së Brendshme.
Në vitin ’73 ai dhe Zef Pëllumbi u takuan në burgun e Ballshit dhe të dy i ndrynë në një bunker, në birucat ngjitur. Ishin aty brenda 19 vetë, në një dhomë 6 me 4. Në atë bunker Dom Nikolla shkroi poemën “Dukla”, në të cilën projektonte një lëvizje popullore kundër të gjithë tiranëve. “Poemë e vogël, por që mund të quhet kryevepra e tij poetike”, thotë At Zef Pëllumbi. Gjithashtu në atë bunker projektoi edhe poemën tjetër “Sapjana”, ku përshkruhen, mes të tjerash, vuajtjet e kampeve të internimit ndër fushat e Myzeqesë, Grykat e Tepelenës, pa guxuar t’i emërtojë ato.
Vepra letrare e tij është e madhe dhe përfshihet në 7 vëllime. Gjuha e këtyre shkrimeve është në gegërishten që ka përdorur shkolla letrare e Klerit Katolik. Ndërsa këto dy poema janë botuar nga Hylli i Dritës, pyetja që vjen më pas është: ç’do të bëhet me dorëshkrimet letrare të Dom Nikollës, një prej figurave më të veçanta të shkollës letrare të veriut? Aktualisht ato janë në dorë të së motrës, Marie, një 80- vjeçare që ka provuar kalvarin e internimeve në kampet e regjimit. Ruajtja dhe botimi i tyre, nuk është më një detyrë e familjarëve apo trashëgimtarëve. Dhe rasti i Dom i Nikollës i shtohet, numrit të madhe të personaliteteve të harruar, dorëshkrimet e të cilëve rrezikojnë harrimin ose zhdukjen, nëse nuk vlerësohen si pasuri kombëtare që janë.

Në shtëpinë e Maries

Ditë më parë në shtëpinë e Maries, motrës së Monsinjor Nikoll Mazrekut në Shkodër shfletuam dorëshkrimet e tij, që presin të publikohen. Ishte një punë voluminoze, e jashtëzakontë, shumëvjeçare që flinte në fletore të trasha.
Dom Nikoll Mazreku (1912-1996), alias Nikë Barcolla, u bë i famshëm me broshurën polemike “Skandali Cordignano”, më 1941, me Fulv Kordinjanon në kohën e pushtimit fashist të Shqipërisë. Studiuesi i njohur italian i dijes albanologjike, Kordinjano, në rrethana delikate, kishte ndërruar “rrjedhë” dhe kishte shkruar me neveri kundër shqiptarëve, ndërkohë që për 30 vjet iu kishte ngritur monument në studime serioze, skrupuloze. Nikoll Mazreku i përgjigjet atij me dinjitet, me një polemikë të gjërë dhe të argumentuar, që e publikon në formën e një libri. Ai gjen mbështetje në një tjetër polemikë të profesorëve të shquar të gjimnazit të Shkodrës. Ngjarja bëri shumë jehonë për kohën dhe Dom Nikoll Mazreku transferohet për dënim nga zv.famullitar i Tiranës, në famullinë e largët të Kryeziut në Pukë, në vitin 1942, siç paraqitet dhe në disa foto të ruajtura nga e motra.
Atdhetarinë e tij të kulluar, pushteti komunist, që erdhi në fuqi pas Luftës e “shpërbleu” me 37 vjet burg politik, pushkatimin e të vëllait, Rrokut, dhe persekutimin e familjes dhe të të afërmëve. Motra e tij Maria, afër 80 vjeç, një grua fisnike shkodrane, me kërkesën e të afërmëve ka publikuar kohët e fundit fletoren e saj të kujtimeve: “Cirka kujtimesh të hidhura”, ku të duket se lëviz nëpër konturet e një romani ngjethës. Përnjëherësh mendon se një film dokumentar për Mazrekët, nëse kanë mbetur ende kineastë me shpirt të madh, do të ishte më e pakta gjë që do t’i bënte nder të vërtetës së panjohur.

Nikoll Mazreku e Zef Pllumi  - "Armiqtë e Popullit" nën akuzë
Nikoll Mazreku e Zef Pllumi – “Armiqtë e Popullit” nën akuzë

1500 faqe bukurshkrim

Por le të kthehemi tek dorëshkrimet e Nikoll Mazrekut (Nikë Barcolla), të shkruara në burg. Ky “armik i popullit”, i dënuar më 37 vjet burg, shkroi veprën madhore “Flamujt e Kastriotëve”, rreth 1500 faqe, të cilën në vitet ’70-’80 e kopjoi me bukurshkrim në dy fletore të vëllimshme, pajisur me shënime të imta anash fletëve. Dorëshkrimi të mahnit sidomos me pastërtinë e gjuhës, një gegërishte letrare, pikërisht pak vite mbasi ishte mbajtur Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, si një qortim në heshtje për mospërfilljen e këtij dialekti, në procesin e krijimit të normës letrare. Duket se Mazreku e kishte për zemër Heroin Kombëtar, Skëndërbeun, pasi i kushton atij një pafundësi këngësh, në dorëshkrimin mbi 400 faqe, që gjithashtu pret të publikohet. Në sirtar presin edhe dorëshkrime të tjera letrare, poezi, prozë etj. Deri tani dorëshkrimeve të tij u është qasur At Zef Pllumbi, i cili ka qëmtuar nga fletoret e Mazrekut, duke botuar pa redaktime, ashtu siç i kishte lënë autori, dy poemat “Sapjana” dhe “Dukla” dhe është për t’u përshëndetur për këtë akt, kur dihen kontributet e At Zef Pëllumbit në fushën e botimeve pas vitit 1990, të veprave të françeskanëve, të revistës “Hylli i Dritës” etj.
Po me dorëshkrimet e tjera ç’do të bëhet? Kush do të ketë mirësinë të financojë për përgatitjen dhe botimin e tyre?
Nikoll Zef Tuci nga Oroshi i Mirditës, një bashkëvuajtës i Dom Nikoll Mazrekut, rezident në Belgjikë, që ishte dhe udhërrëfyesi ynë për tek dorëshkrimet e pabotuara në Shkodër të Mazrekut, sensibilizon këtu, por mendon t’ju drejtohet dhe njerëzve me influencë në diasporë si vëllezërit Simon e Mikel Kuzhnini, që dhe më parë kanë kontribuar për çështjen kombëtare.

Një katalog për dorëshkrimet e humbura

Megjithatë, problemi është më i gjerë. Ka dhe plot dorëshkrime të tjera me vlerë, që po harrohen dhe rrezikohen të humbasin. Të tjera ndodhen në arkiva shtetërorë a privatë, brenda dhe jashtë vendit, por që nuk janë siguruar nga botuesit apo institucionet shkencore e kulturore, akademike apo universitare. Pa folur për dorëshkrimet e humbura, që lënë një shpresë drite për t’i rigjetur. A nuk do të ishte e domosdoshme që të kishte së pari një katalog apo bibliografi të tyre, që do t’u vinte në ndihmë të gjithë të interesuarve? Së fundi, Arkivi i Shtetit, Muzeu Historik Kombëtar, bibliotekat e specializuara lipsen të thithin dhe më shumë nga këto dorëshkrime, në mirëkuptim me familjet që i mbajnë, që ato të bëhen pronë e kulturës kombëtare, qoftë dhe ashtu të pabotuara. Shembulli i Maries, shkodranes 80-vjeçare, motrës së Nikoll Mazrekut, për t’i ruajtur me fanatizëm dorëshkrimet e të vëllait, që kaluan dorë më dorë pa u asgjësuar në 37 vjetët e burgut të tij, flet më së miri për këtë gjë.
*drejtues i shtëpisë botuese “Mirdita”

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.