back to top
6.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Gazeta e Shpresës së Madhe… nga Jozef Radi

Gazeta

Numri i Pare i Gazetes RD
Numri i Pare i Gazetes RD

Gazeta e Shpresës së Madhe…

nga Jozef Radi

5 janar 1991, e shtunë

Kishte ditë që pritej dalja e së parës gazetë opozitare.
Gjithandej qe përhapë fjala e daljes së saj. Mbas nji gjysëm shekulli shtyp që vetëm kishte shtypur mijra njerëz, do të shfaqej nji gazetë që njerëzit do ta donin. Mjaft më me Shtypin e Pushtetit, kishte ardhë ora e Fjalës së Lirë!
Nji mbramje ma parë, ndërsa hanim darkë bashkë në heshtje me “Zotin Lazër”, (mbasi ende krejt familja ishte në Savër, dhe vetëm ne të dy jetonim në Tiranë, në shtëpinë që na kishte lanë Alfred Radi, nën kujdes) n’at kuvend kokë m’kokë, ku asnjiherë nuk mungonte humori, e përcollëm me mendimin se e nesërmja do të ishte nji ngjarje jashtëzakonisht e randsishme, për krejt historinë e shqiptarëve…
Disa prej shkrimeve që mund të paraqiteshin n’at numër të parë, i kishim diskutue edhe në shpinë tonë, e tash çeshtja ishte kur t’i lexonim në gazetë, cila do të ishte shija e emocioneve…?!
Edhe pse ndejtëm deri vonë tue diskutue, në gjashtë të mëngjesit isha rrugave të Tiranës, në kërkim të gazetës së Parë. Ishte terr i thellë dhe binte nji shi i imtë. Dukej sikur kryeqyteti po zgjohej përtueshëm, dhe as e kishte mendjen te liria… aq ma pak te ajo e shtypit. Aty ku shiteshin gazetat kishte potere t’madhe. U futa disa herë n’rradhë, po rezultati ishte: shty të shtyjmë, pritje pafund… po asgja në trastë… Mbasi u tha se kishin sjellë nji numër i kufizuem gazetash, përballë asaj etje të çmendun me lexue diçka ndryshe, s’po dija kah me ia mbajtë!
Mbas dy dështimeve, u nisa kah selia e PD-së doku në “Rrugën Fortuzi”, mbasi dikush përhapi fjalën se atje ishte e sigurt, dhe se aty mund ta gjenim me siguri. Ia dhashë vrapit, duke e vra disi të ftohtin dhe atë shi t’asaj dite janari, që dashtë pa dashtë po futej në histori…
Po edhe te Selia e PD-së, në Rrugën Fortuzi, kishte përfundue shitja.
Përjetova nji çast dëshpërimi, po s’lëviza vendit. Isha i gatshëm me e ble nji gazetë me çfarëdo çmimi. Mjaft ta kisha në dorë Gazetën e Parë, që kishte lindë s’paku me e kundërshtue at të Keqe të Madhe që e kishim të gdhendun ndër shpinat dhe shpirtnat tonë.
Pashë, se si unë ishin shumë me frymën pezull. Veç kur ja befi dikush me gazeta n’dorë e tha: “Shkoni te “Zëri i Popullit… aty mund të gjeni sa të doni gazeta RD”!
-O Zot, – mërmërita me vedi – tue ndjekë turmën që u fut ndër rrugica e pellgaçe që të çonin nga selia e PD-se, te godina e ZP që s’ishin ma shumë se 300 metra! Prap shpëtimin te “Zëri i Popullit” po e kërkojmë?! A s’na kishte mjaftue e teprue ajo e Keqe që na kishte sjellë ajo godinë manipulimesh të frikëshme e të pafundme?! Prap aty na duhej me u falë?!
S’pata kohë me mendue ma gjatë, po iu futa përmes baltnave dhe rrugicash derisa dola te dritarja e nji tipografie të madhe ku ende vazhdonte shtypja e gazetave. N’at mizëri njerëzish u futa në rradhë. Herë mbas herë dikush nga tipografët linte punën, shiste nji sasi gazetash, dhe kthehej e vazhdonte punën nëpër rotativa, derisa lutja e blerësve bahej e padurueshme. E ndërsa shtyheshim, dikush na tha se për atë ditë do të hidheshin në treg dyqindepesëdhjetë mijë gazeta!!!  pabesueshme…!
E besueshme apoe e pabesueshme ishin ba njish… ndërsa unë vazhdoja me u shty, mbasi ende s’e kisha prekë ma së pakut me dorë nji gazetë.
Kur më erdh rradha, n’vend t’nji gazete mora pesë. Le t’ishin në shtëpi, qoftë edhe si suvenir i atij janari ethesh. Kur dola me to n’dorë, njashtu të ngrofta m’u duk sikur kishin aromën e bukës së mbrume. Ia hodha nji sy ashtu vetëtimthi fasadës nëpër ditën që po zbardhte përtueshëm, dhe m’u duk sikur s’po e ndjeja ma të ftohtin e janarit. Ia dhashë vrapit drejt Shallvareve, me i dhanë sihariqin e sigurisht edhe me i “kërkue myzhde zotit Lazër!”
.
Lazër Radi, Robert Elsie, Jozef Radi, 1992
Lazër Radi, Robert Elsie, Jozef Radi, 1992

E zgjova tue ia hjedhë gazetat në gjoks. Më futi nji t’shame të mesme. Si duket u tremb pse ishte në gjumë. Ishte shtatë pa nji çerek. Edhe pse 75 vjeç, u çue pa përtesë, tue mbërthye pantallonat, u ul te karrigia e tij me marrë vesh ma të rejat e asaj dite, që na premtonte se do sillte ma së pakut: shpresë…
Lexuem secili për hesap të vet, prej gërmës së parë te rreshti i fundit. Lexuem gjithçka. Për së gjati, për së gjani e për s’trashi. Jo, s’e lexuem! E hangrëm, e mbllaçitëm, e pimë, e përpimë. Pse ndodh kajherë që leximi i diçkaje t’jetë edhe ma i shijshëm se buka. E njat ditë ishte bash i tillë. Mandej ia ofrova kafen e mëngjesit “Zotit Lazër”, e hera-herës i lexoja me zà të naltë diçka që m’kishte pëlqye, ndërsa “zoti Lazër”, gjerbte si patriark kafen, e përhumbej n’tymin e cigareve të njimbasnjishme t’atij mëngjesin janari. Ishte nji knaqësi e papërshkrueshme me e kundrue njat ftyrën e tij t’mendueme e t’mrrolun si prej filozofi lashtësie. Ndjehesh sikur krejt qenia e tij lshonte nji avull shpirtnor, që e përcillte butsisht përmes asaj pamje përhumbë midis tymnajës së duhanit që sa vinte e bahej ma e dendun… mbasi pa mbarue njenën cigare, niste tjetrën, e mue m’u desht me dalë me i ble paketa tjera…
-E randsishme asht që Visari e paska at shkrimin e tij në numrin e parë të gazetës! Magari nji prej tonëve asht! – tha “zoti Lazër”. Mandej i morëm shkrimet me rradhë e i diskutuem siç ndodhte gjithherë në komunikimin mes nesh…

Lazër e Vitore Radi me miq të Lushnjes - nga e majta Gëzim Lumi, Shpetim Turani, Minella Dani, 1993
Lazër e Vitore Radi me miq të Lushnjes – nga e majta Gëzim Lumi, Shpetim Turani, Minella Dani, 1993

Aty rreth orës dhjetë, i mora leje zotit Lazër me dalë… (Sa herë i thoja “zoti Lazër” – ai më kqyrte shtrembtë e herë mbas here shprazesh me shprehjen: “Zoti Lazër, i  sat’ame!”, që ishte nji prej kënaqsive të mia ngacmuese!!) U vërdalla pak kohë nëpër Tiranë tue u përpjekë me e ndje t’vërtetën e asaj çka ishte shkrue në RD e 5 janarit 1991.
Ndërsa kthehesha, te Banka e Shtetit takova nji piktor nga Lushnja, Gëzim Lumin, i cili u gëzue pa masë kur më pa. E pyeta se si kishte shkue mitingu i Lushnjes, nji ditë ma parë.
-Keq – më tha – kanë arrestuar nja dhjetë vetë. Më duket se edhe disa djem nga Savra. Po ishte shumë i indinjuar dhe i dëshpëruar për diçka tjetër. Më foli mjaft ashpër për poetin Bujar Xh. “Po ai ç’donte atje në tribunë! Pse ka surrat, ai prap për tribunë, mbas gjithë të këqijave që ka bërë. Më vjen keq edhe për ndonjë mik tonin, që i bën shoqëri atij njeriu pa asnjë vlerë! Ka folur dhe flet vazhdimisht keq për cilin ka mundur. Është e padenjë, që nji njeri që e ka parë veten në maje deri dje, të kërkojë edhe sot ta shohë veten në majë!! Ai njeri s’do askënd mbi vete. Ai të bëhet mik vetëm për të zbuluar ndonji dobësi, që më pas ta këtë me të lehtë për të nënshtruar! Ja ky është Bujar Xh…
Vetëm po e dëgjoja. Nuk kisha asnji dëshirë ta kundërshtoja. E pashë që zemërimi i tij ishte i frikshëm. Ndoshta me të drejtë ai dhe shumë të tjerë e kishte vuejtë praninë në tribunë të atij njeriu, me të cilin edhe mund të kishin pasë konflikte të herëshme.
-Tashti s’asht koha me i shpallë luftë njeni-tjetrit o Gëzim. – u mundova ta qetësoj unë – Është koha të goditet përbindëshi.
-Eh, te këta klyshët e vegjël fshihet përbindshi i madh! – më tha Gëzim Lumi, dhe duke u përshëndetë u ndamë…
Në shtëpi e gjeta Zotin Lazër, duke lanë shënimet mbi gazetën e re… I kallzova për takimin me Gëzim Lumin dhe bisedën qe kisha ba me të. Qeshi, si dinte me qeshë veç ai!
-Eh mor bir, as Roma s’asht ndërtue në nji ditë! – më tha, dhe vazhdoi i patrazuem me shënimet dhe nënvizimet e veta mbi RD-në e parë, të 5 janarit 1991!

.

(Marrë nga ditari “Ditët dhe netët e ikjes nga terri!” i Jozef Radit)

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. 5 janar 1991 – Dalja e së parës Gazetë Opozitare, mbas një gjysëm shekulli diktaturë, ka qenë një nga ngjarjet më emocionuese për shumë njerëz të këtij vendi… dhe një nga shpresat që ka ndritur në sytë e shumë njerëzve atë ditë…
    Gazeta pak nga pak, gazeta mori fytyrën e drejtuesve të saj, dhe u bë pjesë e zhgënjimeve të njëpsanjëshme, mbasi nuk i mbajti kurrë në ekuilibër vlerat intelektuale dhe nuk e çoj shpresat me larg se tek zhënjimet…
    Prej asaj kohe deri sot kanë kaluar 32 vjet… pra një jetë, e ne ende një gazetë që bën opozitë leale dhe luftarake, s’e kemi!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.