back to top
0.5 C
Tirana
E hënë, 25 Nëntor, 2024

“Në stuhi” – tregim nga Anton Pashku

Gazeta

Shkrimtari Anton Pashku (1937-1995)
Shkrimtari Anton Pashku (1937-1995)

“Në stuhi”

tregim nga Anton Pashku

Variant gegnisht

N’çast ndjeu nji plogshti të madhe që ia përshkoi tan trupin. Çdo gja i dukej e çuditshme, madje edhe vetvehtja. Kurr nuk e kishte tradhtue fuqija si kësaj radhe. Nji lodhje e madhe e kaploi, tue fillue prej qepallave të syve e deri te gishtat e dorës, që i dridhesin bashkë me gotën. Ndjeu nevojën me u çue dhe me ikë prej atij vendi, por mendimi se kur t’eci do të duket qesharak, e pengoi, krenarija e tij nuk e la. Ajo e bani me u ulë edhe nji herë në karrike. Ndezi nji cigare dhe filloi me shikue i lodhun fjollat e tymit.
“Ha, ha, ha… – përçau heshtjen nji e qeshun së brendshmi. – shihe nji herë ti… he, he, he…shihe, shihe nji herë…”
Veshët i fishkllojnë, dora me cigare lëshohet me pritesë mbi tavolinë.
“Tingër…”
E theu nji gotë. Copat e qelqit u derdhën gjithkah. Ky filloi me i mbledhë si yjtë nëpër qiell.
“Ooo! – briti në heshtje, – qe ku jam. Më jep nji akullore… të ftoftë, si bora në mal. Ej!”
Muer gotën tjetër dhe e piu deri në fund. Mandej paloi kryet mes duerve.
“Kërrr… – iu duk se rrëklloi trau mbi derë. I frigsuem, u struk në lëkurën e vet.
“Brum…bram..! – rraplloi dera me të madhe.
– zhzhbërsht, zhbërsht..” i rrëshqitën kambët nëpër baltë, – “fiuuuu..” fiukati era e tërbueme.
Ulet në prehën të mendimeve, i përqafuem prej krahëve të kangës së magjupëve:
“Kush ka për t’ja la fëmijt?”
“Shiu ka për t’ia la!”
“Kush ka me i luhatë për Shëngjergj fëmijt e tu?”
“Era ka me i luhatë!”.
“Po djalit tand kush ka i dhanë gji?”
“Dhija e egër kur kalon atypari.”
Bulza djersësh rrëshqasin nëpër ballin e tij. Çliron kravatën, çon gotën në buzë e pin deri në fund dhe shikon në fundin e saj.
“SOS… SOS… Anija “Titanik” në rrezik… SOS…!”
Klithi me dëshprim. Përreth tij shpërthen gazi. Njerëzit qeshin me të.
Ku me dijtë se çfarë mbretnije lumnish ka andrrue! I tha njeni shokut afër tavolinës së tij.
Ky nuk u vuni vesh talljeve, as që i ndiente. Ishte thellue n’Unin e tij të turbullt. Plotsisht. Ndiente vetëm vërshëllimën e stuhis së marrë. Ajo në mbrendsin e tij, shkonte tue çue valë të mëdha, stërkalat e të cilave e shpijshin si thumba. E ndiente dhimbjen e tyne t’madhe, të stërmadhe; por fija e arsyes së tij ishte e ngjyeme në langun e bardhë; ishte e dehun, e përputhun me rrafshin rrethak të gotës së zbrazun…
Prill, 1957

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.