Shigjeta kah qielli nga Lazër Radi
Njerëz: nji… dhjetë… njimijë të panjoftun…
Të gjithë janë mbledhë në oborrin e madh – presin orën e madhe… çastin e dëfrimit! Ndërkaq në njenën qoshe, bri murit legjendar – (pse muret tradicionale të qytetit legjendar – janë plot histori!) – janë rreshtue muzikantët.
…Dritat u shuen… dhe heshtja mbretnon… pritet padurim: nji shpërthim dhe nji e dridhun toke – mandej fill e kah qielli: atje pëllciti e u grimcue në njimijë shkëndija të vogla…
Asht lajmi i fillimit – nisi momenti solemn – çasti tragjikomik! Tragjedi jete? Quejeni si të doni…
Fshatarë të ardhun prej rretheve soditshin e admironin kët moment, bile njeni asht i këtij mendimi:
-A e shef, sa bukur! Eh, po nji ndihmë e vogël e jona na nderon dhe ban që t’kremtohet shkëlqyeshëm kjo festë… Kët e përsëriti shumë herë… haaa… propozonte ndihmë për festë! E pra e – nji këmishë, e nji palë brekë në kët natë vjeshte; ia mbulojshin trupin… por… ç’ka me ba?!
Festa vazhdonte…
Ndërkohë të vjetër e të rij s’mund të duronin pa i çue sentimentalisht sytë kah qielli – si poetët romantikë të viteve të vdekuna – e nji “mëshirë” të marrë kërkojshin… E vërejshin… e kështu gjithnji. Fushqetat herë mbas here çoheshin e shpërthenin në ajër… Mija sy i synonin ato krisma e drita ngjyrash ekzotike – dukej sikur donin me përpi çfaqjen e dehshme të ndonji idhulli… por ishin të gënjyem, sepse ato përzierje kimike s’ishin të destinueme për mrekulli: ato bajnë vetëm at efekt që u cakton vetë dora e njeriut… por, turmat… ato shpresojnë gjithnji… dhe kanë të drejtë; janë arsimue me supersticione e gënjeshtra: armë kryevepra të parazitëve…
Ato përziemje kimike, lëshonin përherë tym-tym të dendun… e nën ato shllunga reshë të krijueme, populli, me sy t’sgurdulluem, shikonte por, s’shihte ma përtej… megjithatë – ai – shikonte hyj të rij, me njimijë ngjyra të bukura – hyj të mëdhenj e të vegjël – hyj me bisht e pa bisht!
Kohët kalojnë. Në çdo çast kemi ndryshime jete; “Kulti modern” asht caku. Dikush mbrriti i pari – dikush pak ma vonë e dikush tjetër s’donte me shkue, asht ajo kategorija utopike – e dikush tjetër me nji “Ti s’guxon me shkue atje!”… Në kët farzë të fundit jemi ne… Nejse – tashma dihet se ata që mbrrijtën të parët në kultin e caktuem kanë për simbol: punën, energjinë e inisiativën… tri pikë të vetme, të thjeshta e bujare: altari i njeriut modern. Ata që e panë, e kuptuen – prandaj e adhurojnë. Atje sirenat grishin gjenerata të tana në nji tempull – jo në tempullin e apoteozave të kota, por në tempullin e punës. Atje nuk ndihen tingujt e kombeve – janë ba fli e simboleve të reja…
Sot, njerëzit inteligjentë s’humbin as kohë, as para për… drita… me ndezë qiellin me fishekzare e me shpue idhullin me shigjeta të zjarrta. Ata e kanë lanë idhullin me fjetë – jo, as me fjetë, po në agoni. Njerëzit modernë mendojnë se: vuejtjet nuk shuhen me fishekzare, por shtohen. Jeta jonë asht jetë mjerimi, e prandaj mendojnë me gjetë shtegun e përmirësimit; mendojnë të mjeruemin vëlla, të mjerët e Kozmosit.
(1937)
Shumë, shumë e qëlluar sidomos pjesa që citon… “Sot, njerëzit inteligjentë s’humbin as kohë, as para për… drita… me ndezë qiellin me fishekzare, e me shpue idhullin me shigjeta të zjarrta…”