back to top
18.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Jehona e gjatë e diktaturës! nga dr. Agron Tufa

Gazeta

Agron Tufa
Agron Tufa

Jehona e gjatë e diktaturës!

nga dr. Agron Tufa

Kujtesa dhe aleatët e një gjaku me të

Parafjalë

1.Kujtesa si organ psikologjik i përjetimit të kohës mbetet e vetmja ndërmjetëse, që na garanton unitetin e thelbit të qenies, identitetin, të projektuar në një shkallë vetënjohje individuale dhe kolektive. Por kujtesa si organ psikologjik individuale apo shoqëror gjendet në kushtet trysnie të përherëshme, që në përvoja ekstremale e relativizon, e deformon, e transformon apo e çorodit krejtësisht psikikën njerëzore, po të merren parasysh dramat individuale dhe kolektive.
Para pak kohësh me ra të kuvendoja me Valer Dyrzin, një artist i mbijetuar nga burgjet dhe kamp-burgjet e komunizmit. Duke hamendësuar trysninë e përvojave të tij, e pyeta: “si ballafaqohesh me kujtesën tënde në jetë dhe në krijimtari”. Ai m’u përgjigj në mënyrë lakonike e kuptimplote: “po bëhen 25 vjet që fle në dy krevate”. “Në ç‘kuptim?”, – thashë”. “E thjeshtë fare”, tha. “Përfytyro: bie të fle në krevatin tim, në apartmentin tim, më pas gjithë natën endem në krevatet e qelive dhe kapanoneve të burgjeve. Habitem fort kur më del gjumi dhe e shoh veten në krevatin e apartamentit tim ne Milano”.
Ky dyshtresim paralel përvojash e sqaron vetevetiu marrëdhënien e tij me kujtesën dhe mund ta merrim me mend, çfarë frymëzimesh i sjell atij muza e kujtesës, Mnemozina.
Doza e hidhur e fatkeqësive, që i ra për short shoqërisë shqiptare, në mënyrë të veçantë përgjatë pjesës së dytë të shekullit XX, i ka pjekur frytet e helmëta në kujtesën individuale dhe kolektive. Me rënien formale të komunizmit në Shqipëri, doli në pah dhe njeriu me kujtesë të shkalafitur…

Burgu i Spaçit
Burgu i Spaçit

2.Marrëdhëniet e shtetit dhe shoqërisë ndaj krimeve të komunizmit dhe viktimave të tij. Qëndrimi i klasës politike shqiptare ndaj të shkuarës dhe krimeve e pasojave të komunizmit në Shqipëri, përgjatë këtyre 25 viteve ka qenë shpërfillës. E ashtuquajtura e djathta shqiptare, e përdori retorikën antikomuniste vetëm si maskë, për të fituar elektorat në shtresën e viktimave të regjimit, duke u marrë regullisht votat dhe, me kalimin e kohës, në mandatet e dyta e të treta, duke mos i përfaqësuar ata në asnjë nivel politik e administrativ. Në thelb, të dyja partitë e mëdha politike shqiptare, e majta, Partia Socialiste (ish-PPSH e Enver Hoxhës) dhe e djathta, Partia Demokratike, vijnë prej një origjine të përbashkët të liderëve dhe krerëve drejtues; përveç trashëgimtarëve direkt të priramidës komuniste, pjesa dërrmuese e aktorëve politikë të së djathtës, sidomos pas mandatit të saj të parë në pushtet, përfaqësojnë si klasë atë tipologji të intelektualit të indoktrinuar të fundviteve 1980, përgjithësisht formate teknicienësh e teknokratësh konformistë. Nëse socialistët vetëm në verë të vitit 1991, ndryshuan thjesht emrin, por jo eksponentët e asaj partie-shtet të diktatorit Enver Hoxha (PPSH), Partia Demokratike, që duhej të shprehte opozitën, përfshiu elitën e zyrtarëve më të sukseshëm të intelektualëve të formuar gjatë komunizmit, ish sekretarë partie, nga ata që F. Dostojevskij i quan “intelektualë me uniformë”. Lideri i demokratëve, Sali Berisha, që kur mori pushtetin me 1992, mbahet mend për frazën pseudohumaniste që e përsëriste shpesh, gjoja në emër të pajtimit kombëtar: “Bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë”! Për ironi, “vuajtësit”, ende vuajnë, ndërsa “fajtorët” kanë bërë karrierë marramendëse në piramidën e politikës dhe pushtetit, në Parlament, në qeveri, në sistemin e drejtësisë në të gjitha shkallët, në oligarkinë ekonomike, etj. Ata trashëgojnë gjithë institutet, akademinë, Qendrat e dijes dhe arsimit, duke diktuar linjën e perceptimit zyrtar.
Prandaj sot kemi mbërritur në një situatë ku hipokrizia, cinizmi dhe dyfishësia karakterizojnë marrëdhënien e shtetit dhe politikës përballë rreth 30% të shtresës së popullsisë shqiptarë, që janë ish të Përndjekurit Politikë. Atyre askush, asnjëherë nuk u adresoi as edhe një “më fal” të thjeshtë. Për ta, pavarësisht se nuk u hakmorën asnjë rast, duke besuar verbërisht tek Drejtësia, drejtësi nuk u vu asnjëherë, qoftë dhe simbolikisht. Pëkundrazi, koha kalon dhe mbi këtë shtresë fyerjet, cinizmi, provokimi dhe dyfishësia shtohen në pikat më të ndjeshme, të cilat po i përmbledh më poshtë:

Të përndjekurit politikë në protestë
Të përndjekurit politikë në protestë

1.Mbahen Rezoluta në Parlament (në frymën BE apo KiE) për Dënimin e Krimeve të Komunizmit, por nga ana tjetër rezolutat nuk kalojnë kurrë në ligj të veçanta për dënimin e diktatorit Enver Hoxha dhe hijerakëve të udhëheqjes komuniste. Enver Hoxha dhe ministrat e kohës së tij vazhdojnë të mbajnë ende gradat dhe titujt e diktaturës, por edhe titujt jugosllave, sovjetikë e kinezë;
2.Nuk bëhet asnjë përpjekje për gjetjen e eshtrave të të pushkatuarve nga diktatura në vendet e ekzekutimit të tyre; Përpjekjet që marrin flakë mediatike për një hop të shkurtër, harrohen shpejt.
3.Me dëmshpërblimin e ditët të burgimeve politike, ndonëse ligji është miratur që në vitin 2003, ende sot në vitin 2016 luhen komedi.
4.Nuk u kthejnë pronën dhe pasurinë e konfiskuar;
5.Nuk ka memoriale për rezistencën antikomuniste. Mungojnë librat, tesktet shkollore/universitare, filmat artistikë e dokumentarë, muzetë, që të dëshmonin përvojën e persekutimit komunist.
6. Kjo shtresë fyhet me karrierën marramendëse politike e administrative të ish-persekutorëve të tyre.
7.Të mbijetuarit nga burgjet e diktaturës fyhen përmes kremtimeve e jubileve të bujshme dhe përkujtimeve zyrtare e shtetërore të ish-hierarkëve të komunizmit.
8.Tekstet e linjës zyrtare të Historisë dhe Letërsisë, që formojnë perceptimin e shkollarit dhe universitarit nuk janë dekomunistizuar. Kanonin në këto tekste e bëjnë ende po ata historianë të diktaturës.
9.Nuk ka asnjë vëmendje shtetërore për përkujtimin e ngjarjeve të rezistencës antikomuniste, përkujtimin e ngjarjeve të përgjakshme e tragjike, siç janë revoltat në ish-burgjet komuniste. Edhe kur ndodh një ndonjë gjë e tillë nga një segment i shtetit, përkujtime të tilla nuk përcillen nga mediat, nuk përbëjnë diskurs të rëndësishëm shoqëror.
10.Fyerja thellohet kur ende sot, rrugët, sheshet, institucionet, gjithë hapësira publike mban emrat e ish persekutorëve të tyre. Kjo hapësirë vazhdon të mbetet ende e pa dekomunistizuar.
11.Mediat e shkruara dhe vizive vazhdojnë përditë me sagën narrative mbi “bëmat” e udhëheqësve komunistë dhe Enver Hoxhës, duke ndërtuar për këta kriminelë një perceptim publik të një”eposi romantik”, apo diçka analogjike me ikonën e stampuar të Che Guevarës.
12.Qindra burgje e kampe internimi të punës së detyruar janë fshirë nga faqja e dheut, pa asnjë shenjë. Mbi ta janë vendosur tashmë projekte bujqësore e industriale. Ndërkohë që ato pak burgje, të braktisur në mëshirën e fatit rrënohen çdo ditë në gërmadha, pa i funksionalizuar në të mirë të kujtesës muzeale.

Torturat Komuniste
Torturat Komuniste

Qasja e Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit

Pak fjalë mbi Institutin që unë drejtoj ende dhe punën tonë me memorien në këto katër vite. Me një staf shumë të vogël, për të përballuar një gamë të madhe detyrash dhe në mungesë absolute të mbështetjes buxhetore për projektet (qeveria u kufizua vetëm në pagesën e rrogave të stafit), Instituti ynë u përqendrua në një strategji sa më pragmatike dhe u vu në kërkim të gjetjes së mbështetjes financiare të projekteve në orgnizatat e huaja e vendore.
Projektet ku jemi të përqendruar më së shumti ne, janë:
1.“Fjalor Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist”, një seri voluminoze që shkon, përafërsisht, në 12 vëllime, i realizuar me ndihmën vendimtare të Konrad Adenauer Stiftung. Në këtë projekt në u nisëm nga ideja, se pas çdo lufte apo katastrofe civile, gjëja më e arsyeshme është hartimi i një inventari të saktë me qytetarët e vrarë e të dëmtuar. Fjalori paraqet tre kategori qytetarësh të persekutuar politikisht nga regjimi komunist, sipas akteve gjyqësore të dënimit, apo pa gjyq: a) të pushkatuarit b) të dënuarit me burg c) të internuarit. Çdo zë në “Fjalor…” paraqitet detyrimisht me ndërmjetësinë e “dëshmisë penale”, si akt i dënimit politik nga shteti komunist. Që në gërmat e para, gjatë punës së hartimit të “Fjalorit”, ndeshëm në parregullsinë e dokumentimit në arkiva dhe dosje. Mungonin kryesisht emrat e qytetarëve të pushkatuar pa gjyq, sipas listave të zeza në periudhën 1944-1953, e cila është dhe periudha kur Partia Komuniste e Shqipërisë implemntoi medotat sovjete të kohës së “terrorit të madh” stalinist. Kjo e çonte katërfish, sipas llogarive tona, numrin e qytetarëve të pushkatuar nga diktatura.
2.Kolana memuaristike “Ad Memorandum”, që përfshin një seri me memuaret më të zgjedhura të intelektualëve shqiptarë që vuajtën burgjet dhe internimet komuniste, kryesisht kujtime, ditare, epistolare.
3. Kolana e bisedave videofilmike me të mbijetuarit nga diktatura komuniste, e cila parashikon dhjetra vëllime dhe ka nisur të botohet si sëri vëllimesh nën titullin “Zërat e mbijetesës”.
4.Konkursi “Si i morën gjyshërit tanë”, narrativa e zgjedhur sipas konkursit me klasat e larta të gjimnazeve të Shqipërisë që do të zbatohet këtij viti me Gjimnazet e Shqipërisë.
5.Seria me studime dhe dëshmi dokumentare nga arkivat e shtetit, që shoqëria shqiptare nuk i njeh. Studimet prekin periudha të Historisë së Shqipërisë nën diktaturë dhe janë botime monografike e tematike, siç e tregojnë dhe titujt: “Kryengritjet e para antikomuniste 1945-1948”; “Gjyqi special mbi intelektualët”; “Sistemi i triskëtimit”, “Konfiskimi i pronës private dhe grabitja e arit”, “Gjenocidi mbi kulakët”; “Gjenocidi mbi besimet fetare dhe ndalimi i fesë me Kushtetutë”; “Krimet e komunistëve gjatë Luftës së dytë Botërore”; “Instalimi dhe funksionimi i Sigurimit të Shtetit”, “Falsifikimi i veprës letrare e shkencore gjatë komunizmit”; “Tortura dhe shantazhi psikologjik në hetuesitë komuniste”; “Mbi Koloboracionizmin”; “Burgjet dhe kampet në Shqipërinë komuniste”; “Vrasjet në kufi gjatë vitit 1990″; “Lufta Civile në Shqipëri 1943-45”; “Bashkimi Demokrat Shqiptar dhe Musine Kokalari sipas dosjeve të diktaturës”, etj.
6.Kolana me veprat e rëndësishme nga letërsia botërore të përkthyera në burgjet dhe kampet e internimit (këtë vit po përgatitim veprën e plotë të Dostojevskit të përkthyer në burg), përkthime të cilat kanë një histori dhe qarkullonin të kopjuara me dorë nga burgu në burg, shpesh të shkruara në qeli në letra cigarjeje.
7.Ngritja e një muzeu me sendet personale dhe punimet arstistike të ish të burgosurve politike.
8.Workshop-e me studentët, nxënësit e gjimnazeve, mësuesit e lëndëve të Historisë së Shqipërisë dhe Letërsisë Shqipe gjatë regjimit komunist dhe dogmës së socrealizmit.
9.Paraqitja e një Draft-Marrëveshje për një Platformë të Përbashkët Kombëtare me Ministrinë e Arsimit mbi edukimin shkollor dhe hyrjen në curriculat mësimore të një lënde të veçantë “Shqipëria nën diktaturën komuniste”, njohjen e rinisë shkollore-universitare me Krimet e Komunizmit nëpërmjet memuaristikës, fakteve dokumentare, Albumeve nga burgjet dhe Kampet e internimit, dokumentarë dhe materiale të tjera filmike. Për fat të mirë kemi gjetur një mirëkuptim me Ministrinë dhe tashmë është firmosur zyrtarisht kjo Platformë.
10.Prodhimi i filmave dokumentarë mbi aspekte të ndryshme të persekutimit komunist, duke synuar një komunikim sa më të shpejtë, të lehtë e tërheqës me brezat e rinj.
11.Ngritjen e disa pllakave memoriale në vendet ku kanë qenë burgjet apo kampet e vdekjes së punës së detyruar.
12.Konferenca tematike e diskursive mbi shtembërimin, falsifikimin e fakteve historike, gjendjen e teksteve shkollore dhe simboleve komuniste.

Censurë komuniste...
Censurë komuniste…

Diktatura në Shqipëri ka rënë, së paku formalisht, që nga viti 1991. Shoqëria shqiptare u ndesh më pas, me me aspektin më të vështirë të një diktature të egër, siç ka qenë regjimi komunist shqiptar, – me trashëgiminë e saj, të aktorëve të saj, të institucioneve dhe mendësisë së saj. E kaluara kriminale e aktorëve të saj politikë e shoqëror ka vazhduar të përdoret si rekrutim politik e si instrument shantazhi nga qeveritë e ndryshme. Mungesa e transparencës, mungesa e një tribunali ku të vendosej drejtësia, ka çuar në përhapjen e një epidemie morale që nxit korrupsionin dhe krimin ekonomik e politik në dëm të së ardhmes së qytetarëve shqiptarë. Mungesa e higjenës mendore e shpirtërore të klasës politike shqiptare, standardet e dyfishta, hipokrizia dhe intrigat e tradhëtuan veten në një gjest domethënës në vitin 2012, kur lideri i partisë në pushtet propozoi radhazi kandidatin për Presidentin e ri të Republikës, dhe të tri herët kandidati u tërhoq nga gara në prag të votimit, për shkakun e thjeshtë, se partia kundërshtare zotëronte dosjen e implikimit të tyre në shërbim të Sigurimit të Shtetit komunist. Kjo mbase është arsyeja, se pse Shqipëria është i vetmi shtet, ku dështoi Ligji i Lustracionit. Dhe s’kish si të ndodhte ndryshe, kur tërë sistemi gjyqësor dhe organet kushtetuese të drejtësisë janë mbushur me figurat gjakatare të diktaturës, kontrollohen prej tyre apo prej bijve të tyre.
Jehona e gjatë e diktaturës vazhdon në Shqipëri dhe dalja e shqiptarëve prej saj, me sa duket shënon njëkohësisht dhe hyrjen në një diktaturë të një tipi tjetër, e cila nëmos jo aq e egër sa diktatura moniste, është një tip diktature demagogjike dyjare, ordinere e vulgare, që stimulon një moçal shoqëror ku qelbën të tria kohët. Ne patëm rastin të shohim se si në fund të vitit 2015 pushteti politik dekoroi pikërisht figurat më të errëta që kanë ushtruar gjatë komunizmit torturat më të egra e më çnjerëzore mbi të burgosurit politikë.
Në Shtëpinë e Harrimit nuk mund të bujë ndërgjegjia. Bujtësi do të përballet me të shkuarën e krimit, sepse kujtesa e krimit nuk mund të shlyhet me asnjë spektakël narrativ. Krimi i shpërfillur dhe shpërfillja e krimit asgjësojnë çdo formacion moral të vetëdijes.
Megjithatë nuk dua ta paraqes kaq zi gjendjen. Detyra e kujtesës nuk mund të quhet e dështuar, përderisa në forma të ndryshme, individuale apo të organizuara në shoqata botohet përditë narrativa e tmerreve të diktaturës, mbahen tubime shkencore-përkujtimore, mbahet gjallë kujtesa për martirët, për data të përgjakshme kryengritjesh, bëhen filma dokumtarë, botohen monografi, etj. Ata janë aleatët e kujtesës, që mbajnë gjallë përvojën tonë të hidhur e traumatike të diktaturës, edhe në kushtet e tendencës për ta ricikluar hijen e diktaturës, përmes simboleve, portreteve, dekorimeve dhe estetizimit të rrezikshëm të objekteve muzeale.
Kujtesa e viktimës është e detyruar të riprodhojë kujën e saj, duke krijuar një narrativë ishullore, jo aq të njohur në publik, ndërsa kujtesa e restauruar e xhelatëve, krijon narrativën dominuese me pedagogjikën e vet të mashtrimit dhe alibisë, duke likuiduar të parën. Vend të tretë për marrëdhëniet tona me të vërtetën, nuk ka.
Por aleatët e kujtesës shtohen. Brezat e rinj të gjimnazeve dhe universiteteve, po përfshihen gjithnjë e më fort në rishqyrtimin e të kaluarës tonë komuniste; ata po njihen me fakte, po shkruajnë diploma, po mbrojnë teza masteri e doktoraturash, po bëjnë filma dokumentarë.
Aleatët e kujtesës nuk janë vetëm midis shqiptarëve. Ata na vijnë nga bota dhe ndërgjegjia qyetetare e Europës, për të na dhënë ndihmë e më fort se kaq, kurajë.
*Drejtor i ISKPK, shkrimtar, pedagog

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.