Sigmund Freud
Psikoanaliza – Rekomandimet e mjekut
Botim me përkthimin e Dr. Lazër Radit
Ardhja në shqip e një autori sistem-krijues të teorisë së psikanalizës siç është Sigmund Freudi, tashmë nuk përbën një tabu, por nëse deri më tani sistemi botues shqiptar i është përkushtuar sjelljes në mënyrën sa më të përshtatëshme të këtyre përkthimeve, duhet përmendur se këto përshtatje janë një kontribut për gjuhën pritëse.
Në këtë botim të leksioneve të ripunuara në formën e veprës së plotë nga Freudi gjatë mërgimit të tij në Angli, pra si mendimi përfundimtar i shkencës së psikanalizës të gjeniut të shekullit XX, kemi një qasje shkencore të përkthimit nga një autor i viteve ’30 si Dr. Lazër Radi, i cili në thellësinë e tij të përvojës i diplomuar në universitetin “La Sapienza” arrin të na japë pas Branko Merxhanit në vitet ’30, pjekurinë e patrandëshme të lakueshmërisë së gjuhës shqipe qoftë edhe në termat teorike mjekësore. Pikërisht në ardhjen e termave në shqip Dr. Lazër Radi ka shqyrtuar e përzgjedhur fjalën me kuptimin më adekuat në riprodhimin e mendimit sintetik të Dr. Freudit. Duke qenë një i shkolluar në perëndim në Romë, në kulmin e famës së Freudit, Radi sjell një aromë romane në përkthimin e tij të viteve ’90, dhe të katedrave të rrepta ku receptoheshin së pari teoritë moderne psikanalitike të Frojdit. Vlera e librit qëndron në njohjen e gjuhës korrente të termave siç konceptoheshin asokohe në Perëndim, si nostalgji e Radit për t’i transmetuar gjeneratës së ardhme konceptet në njëmendësi.
Leka Ndoja