Idhujtaria himnizuese
nga Rezart Palluqi
Holanda, njeh mbi 20 shkrimtarë që janë përkthyer në 30-40 ose 50 gjuhë. E megjithatë, holandezët nuk kanë rrëshqitur në patetizëm duke i kënduar atyre këngë, hedhur valle dhe shigjetuar parrullat si: “Shkrimtarët tanë janë më të mëdhenjtë e botës!”
Çdo shkrimtar, thonë ata, na sjell një shkëlqim të përkohshëm. E kështu ata sjellin shkrimtarë të rinj, e të paktën çdo dhjetë vjet, nxjerrin një shkrimtar të kalibrit universal. Ndaj, edhe mendja e këtij populli, ashtu si edhe shumë popujve të tjerë europianë, lubrifikohet me vaj të freskët letrar e artistik.
Holandezët mua, përshembull nuk më quajnë “liliput”, kur i them se shkrimtari holandez Harry Mulisch, përkthyer në 45 gjuhë, nuk më pëlqen. Ai për mua, është i thatë, nuk ka personazhe vizionarë. Ata ngrenë shpatullat me tallje dhe të thonë: aq më bën!
Ndërsa në Shqipëri, nuk guxon dot të thuash se nuk e pëlqej Kadarenë, sepse do të të bëjnë tabelë qitje gjuetarët me syze qorri! Arsyet përse nuk e pëlqej prozën e Kadaresë janë të njëjta me ato të Mylisch: nuk ka personazhe, nuk ka vizion, ujërat nuk i kthjellon, por turbullon edhe më keq! Të mos pëlqesh sot Kadarenë, është sikur të mos pëlqeje në Diktaturë, Enver Hoxhën.
Kjo u pa, edhe gjatë ditëve të fundit, me himnet skizofrenike për ditlindjen e I. Kadaresë. Një mitizim që e ndesh vetëm tek popujt primitivë. Në fakt, sjellja mitike e shqiptarëve justifikohet edhe prej letërsisë së tij. I. Kadareja, mitet vetëm sa i përqafoi, ndërkohë që letërsia e madhe, ua heq atyre maskat.
Arti shqiptar, në vend që t’ia pakësojë idiotizmin shqiptarit, ai ia rrit atë, e bën më idiot se ç’ka qenë. Mijëra poemat, urimet sa foshnjore aq edhe robotike, e vërtetuan këtë edhe një herë. Ne luhatemi midis dy ekstremeve: super-idiotizmit ose ultra servilizmit! Ndaj, një popull që nuk e ka gjetur ekuilibrin mendor dhe shpirtëror, do të mbetet një top futbolli, që përpëlitet prej putrave të tigrave dhe luanëve!!
Festivalet e urimeve për ditëlindjen e tetëdhjetë të Kadaresë, nxorrën në pah një fenomen të ri!
Kadareja mori mbas vitit 1992, si asnjëherë tjetër kaq shumë urime. Atëherë mund të nxjerrim dy konkluzione: Shqiptarët e zbuluan magjinë kadareane në 2016, pra u mençuruan, sepse kur e kupton një shkrimtar të rritet truri!!! Apo e dyta, ata nuk e kanë kuptuar sepse s’ka gjë për të kuptuar, kështu që mbretëria e idiotëve të Kadaresë, sot është më e madhe se kurrë!!
Në mbyllje, një popull mund të jetë krenar për një shkrimtar jo me pallavra, oratori e krenari enveriste por me vepra e sjellje dinjitoze dhe të kulturar në jetë. Tymnaja e ditlindjes së Kadaresë u ngrit qëllimisht nga Tirana komuniste, që po përjeton infarktin e saj të dytë.
Histeria e idhujve këto ditë, tremb edhe Shekspirin në varr, perveç I. Kadaresë dhe Enver Hoxhën, për të cilin, i njëti popull, të njëjtët idhuj i kënduan me një skizofreni sa psikopatike aq edhe turpërues për artin.
Arti shkëlqen 365 ditët e vitit, dhe jo 1 ditë në vit!
Rezart Palluqi
Amsterdam, 28 janar, 2016