Portret i vogël – për një njeri të Madh
Prof. Isak Ahmeti!
nga Marjan Sebaj-Sopi
Prof. Isak Ahmeti, njeri urtë,
i profilizuar, vizionar, trim e guximtar,
i vendosur, i moralshëm,
intelektual i mirëfilltë i nivelit të lartë mbarëkombëtar dhe ndërkombëtar,
njeri trup-shkurtër, por i Madh me jetën dhe punën,
me veprën dhe veprimtarinë e tij.
Isak Ahmeti, profesor i Gjuhës dhe letërsisë shqipe, shkrimtar dhe studiues i letërsisë, autor i shumë veprave.
Ai kontribuoi shumë në ngritje të moralit të këtyre anëve në ditët më të vështira për popullin shqiptar, punoi shumë në ruajtjen e qenies sonë kombëtare. Në atë sistem (komunist) që po e themi se ishte i rrezikshëm veçmas për ne shqiptarët, ai me urtësi, me maturi, mbajti balancë, ai ndërtoi e kontribuoi në ruajtjen e rendit e paqes, qetësisë, në ruajtjen e nderës dhe respektit, bujarisë dhe mirësisë shqiptare, vlera tona të mirëfillta shumëshekullore… Ai dijti këto vlera të lashta shqiptare t’i ruajë, t’i mbrojë e kultivojë kundra gjitha rreziqeve që i kanoseshin natë e ditë nga pushtues të jashtëm e mbrendshëm. Gjithmonë luftoi kundër të keqes e të kqijave që në këtë “demokraci” tonën të sotme po ndodhin… ai dijti të punoj për fshatin, për komunën për vendin tonë e për Kombin.
Biografia
Prof. Isak Ahmeti u lind në Stubëll të Epërme me 25.03.1946, Komuna e Vitisë, Kosovë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, në Viti e Zhegër. Pas studimeve klasike në Kolegjin e Jezuitëve në Dubrovnik, përkatësisht pas maturës në Gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan, ndoqi studimet për filozofi dhe teologji në Kroaci. Me pas diplomon me sukses të shkëlqyeshëm në Fakultetin Filozofik, në degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, në Universitetin e Prishtinës. Ka realizuar qendrime specializuese nëpër qendra të ndryshme të Europës…
Veprat e Prof. Isak Ahmetit
1.-Gallatea, poezi, Rilindja, Prishtinë 1972,
2.-Uratë zbulimi, poezi, Rilindja, Prishtine 1976,
3.-Kushtime bese, poezi, Rilindja, Prishtinë 1983,
4.-Njeri i kohës sime, poezi te Salvatore Quasimodos, përkthim nga italishtja, Rilindja, Prishtinë 1979,
5.-Qumeshti i zi i agimit, – antologji e lirikës se re gjermane, përkthim nga gjermanishtja, Rilindja, Prishtinë 1988,
6.-Kleri Katolik Shqiptar dhe Letërsia, studim monografik, ShB “Drita”, Ferizaj – Bergamo, Itali, 1994,
7.-Kosova, studim monografik, Prishtinë 1996,
8.-Bibla në Letërsinë Shqiptare, G Rilindja, Prishtinë 1999,
9.-Letërsia Kishtare dhe Filozofia e saj, studim monografik, Illyricum Sacrum, Prishtinë 2000,
10.-Weisse Zeit (Kohë e bardhë), lirikë gjermane, Verlag-Botues “Shtjefen Gjeçovi”, Zym – Has, 2000,
11.-Kur’ani në Letërsinë Shqiptare, 2006.
Përveç këtyre veprave, autori në fjalë ka botuar, gjithashtu, nëpër revista letrare dhe shkencore (në Prishtinë, Shkup, Zagreb, Sarajevë, Shkodër, Tiranë, etj) mbi 200 njësi biblografike (artikuj kritike letrare, vështrime, recensione, studime nga fusha e letërsisë, filozofisë dhe kulturës). Ka dhjetra vepra në dorëshkrim.
Poet, studiues i letërsisë dhe përkthyes i afirmuar letrar nga gjuha gjermane dhe italiane, Isak Ahmeti është përfaqësuar në shumë botime (publikime) të rëndësishme si p.sh. në librin: Kisa u jednoj legendi, (Shiu në një legjendë) Prosveta, Beograd, 1972, në: Regen in einer Legende (libri i parë i poezisë shqipe nga Kosova në gjuhën gjermane), të Rudolf Grulich-ut, Heiligenhof, D, 1976, në: Knjiga mladjih pesnika, të Aleksander Petrovit, Nolit, Prosveta, Zavod za izdavanje udzbenika i nastavna sredstva, Beograd, 1978, në: Shkrimtarët e Kosovës të Nebil Durakut, Prishtinë 1984, në: Lule për Nënën të Dr. Don Lush Gjergjit, Drita, Ferizaj-KS, Zagreb 1985, në: Madre Teresa, EMI, Piemme, Itali, 1987, në: Adresar jugoslavenskih pisaca, Novi-SAD, 1986, në: Leksikoni i Shkrimtarëve Shqiptarë, 1501-1990, të Hasan Hasanit, Shkëndija, Prishtinë, 1990, 2003, në librin: Psherëtime për tokën, të Hysen Kqikut, SHB Kurora, Gjilan, 2004, në: Portrete shkrimtarësh, të Demir Behlulit, Prishtinë, 2002, në: Letërsia shqipe, për klasën e dytë të shkollave të mesme të autorëve: Klara Kodra, Rita Filipi dhe Stefan Çapaliku, SHB Libri Shkollor, Prishtinë 1999, në: Albumi i shkrimtarëve shqiptarë, të Sinan Gashit, Prishtinë 2012, në: La Stella di Dardania irradia terra e cielo, të Engjëll Koliqit, Strigari, Itali, 2010.
Është përfaqësuar edhe nëpër bibliografi të ndryshme të kritikës letrare shqipe, si p.sh., në: Bibliografi e kritikës letrare shqiptare’44/74, të Isak Shemes dhe Ibrahim Rugovës, Instituti Albanologjik, Prishtinë 1976 (me 19 zëra bibliografike), në: Letërsia Shqiptare, autorë dhe vepra, të Ymer Çirakut dhe Maksim Gjinajt, Shtëpia Botuese e Librit Universitar, Tiranë, 2001 (me 3 zera), etj. etj.
Disa nga poezitë e tij janë përkthyer dhe botuar në gjuhën frënge, italiane, gjermane, rumune, turke, serbokroate – kroatoserbe.
Vepra letrare-poetike dhe studimore e tij, në një mënyrë ose tjetër, me kohë ka zgjuar interesim te lexuesit dhe studiuesit, veçanërisht te kritika e mirëfillte letrare, për veprën e tij kanë shkruar me dhjetra e dhjetra autorë, ajo ka qenë objekt studimi dhe observimi, dhe pikë e fortë referimi, si: Mensur Raifi, Ali Aliu, Teki Dervishi, Andon Caci, Emin Kabashi, Mazllum Saneja, Gjergj Gega, Rudolf Grulich, Sreten Perovic, Aleksander Petrov, Engjëll Sedaj, Ramadan Musliu, Rexhep Qosja, Ibrahim Rugova, Isak Shema, Anton N. Berisha, Prend Buzhala, Mehmet Kraja, Klajd Kapinova, Alfred Çapaliku, Mentor Quku, Vehbi Miftari, Fatmir Pera, Tiberius Puju, Zef Ahmeti, Zef Mirdita, Simon Pepa, Dhori Qiriazi, etj. etj.
Njeriu largpamës…
Atë çka ka thënë atëherë mbi jetën dhe politikën tonë shqiptare tanimë ka ndodhë dhe po ndodhë, d.m.th në një mënyrë ishte një politikan profetik …
Isak Ahmeti ka ushtruar një varg funksionesh shoqërore-politike dhe se fundi si kryetar i Komunës së Vitisë (1988-1989), edhe si delegat i Kosovës në Kuvendin e Serbisë, vendosmërisht, institucionalisht dhe publikisht iu ka kundërvënë politikës serbomadhe, edhe në lidhje me ndryshimet kushtuetuese.
Paraqitjet e tij publike (në Viti, Prishtinë dhe Beograd) kanë qenë edhe burim frymëzimi për demostratat dinjitoze gjatë viteve 1988-1989. Për shkak të kësaj, pushteti serbosllav vazhdimisht e ka përcjellë, e ka marrë në pyetje shumë herë, e ka bastisë, e ka larguar nga puna, e ka qitë në rrugë nga banesa, etj.
Isak Ahmeti është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës që nga viti 1972; ishte deri në vitin 2011, profesor në Gjimnazin: “Kuvendi i Lezhës” në Viti, kur edhe pensionohet.
Specializues në qendra të ndryshme të Europës…
Marrë nga http://gazetaora.com/portret-vogel-per-nje-njeri-te-madh-prof-isak-ahmeti/ 2 nëntor 2013