back to top
1.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Tri poezi nga krijimet e fundit… Jozef Radit

Gazeta

Jozef Radi 2001
Jozef Radi 2001

Tri poezi… nga krijimet e fundit

Jozef Radi

Shakallarja e teposhtës

S’asht
tragjedi
me u shue
mbrenda teje
kuptimi i zjarrit
ruejtun edhe n’kohnat
ma të vshtira të ngricës,
as me i shlye çastet e ditve
dhe netve t’përpjestueme bashkë,
as krejt rrugët e shetituna të botës
që s’fundi na mbrritën te e njejta portë.
S’asht tragjedi, as me i vra fjal’t e thana,
fjal’t e pathana, fjal’t e stërthana e t’çmenduna…
tragjedi asht me fjetë ndër stola të rrugës ku je dashtë
e me andrrue diçka që as grimën e dhimbës s’e lshon n’ty…
tetor 2015

Pasqyra e akullit...
Pasqyra e akullit…

Na jena njerëz

Na jena njerëz
për aq sa dijmë me dashtë
për aq sa ndjejmë me heshtë
e për aq sa n’heshtje lejojmë me u dashtë

Na jena njerëz
për aq sa dijmë me ndry tjerë njerëz
jo ndër burgje cmirash e urrejtjesh
po ndër lutje të përbashkta dashnie e humbje

Na jena njerëz
për aq sa dijmë me e tërhjekë derën
kadalë n’per mesnatën ma të thellë
e me ikë t’përlotun drejt nji bote të panjoftun

Na jena njerëz
për aq sa dijmë me ecë ndër gastare pa u ndje
nëpër terret që na lanë tjerët pa e dijtë
e ndër mjegullat që i kena lshue vetë

Na jena njerëz
pse dijmë gjithnji me e kthye kryet mbas
kur ndjejmë hapat e ndokujt që ngutet
e ndalemi me pritë, edhe kur s’asht askush!

Na jena njerëz
pse gjithçka të bukur, e bajmë me jetue
përtej fjalëve, përtej zhurmave, atje ku heshtjet
i kqyrin dashnitë e kryqzueme ndër shpirtna…
dhjetor 2015

Alexandros Yiorkadjis - Harmoni dhe Kontrast
Alexandros Yiorkadjis – Harmoni dhe Kontrast

Ju s’kishit, Ju keni, Ju s’keni

Ju zbritët prej asgjasë
e kambkryq ratë me dyfek mbas shpine
ndër sheshe që i quejtët tuejat.
E prej asaj dite krejt ajo bot’e vogël
sillet e përsillet në t’kundërt të Botës së Madhe

Dhe morët gjithçka deshët
e tjerve s’u latë asgja, as vedin,
me forcë u batë Gjithkushi Gjithçkaja
e pamëshirë zhytët cilindo n’Askush e n’Asgja,
E megjithatë fitimtarë kurrë…

Në të kundërt të rrjedhës së botës
ju morët prangat, burgjet dhe gjyqet
ne pranuem veç dënimet, vorret dhe përvujtninë,
Ju u zgjatë me ushtrinë, armët, plotonet
ne mbetëm t’pushkatuem pa varre, e ushtarë nën armë druni,
Ju vodhët ndërtesat, zhgrryet muret me bajoneta
ne ndër stanet tueja futëm frymë e dhimbë njeriu,
Ju morët në dorzim fushat, qiejt, detet
ne ruejtëm ndër shpirtna andrrën e fluturimit,
Ju vratë tempujt e Zotit e u rrekët me u ngjitë maje tyne
ne besimin n’Zot e mbrojtëm nën grykat e zjarrta të pushkëve tueja,
Ju sunduet me shkolla, me mësues, me libra,
ne i shkundnim librat prej plumbit e shkollë bamë aq sa ju deshët,
Ju folët për popullin që e batë vegël, e vratë gjithkend n’emën të tij
ne dëshmuem edhe pa varr, se Njeriu jeton përtej lavdive t’rreme,
Ju mobilizuet shkrimtarë, poetë, kangtarë, piktorë
ne ju dëshmuem n’heshtje se ishit pa libra, pa art, pa poezi, pa kangë,
atëherë n’tërbim ju naltuet monumentin e Vdekjes
dhe s’e ndjenit se vdekja ishit ju vetë!
Dhe u kapët ma fort mbas bustesh, mbas krimesh n’përjetsim tiranie
po kurrë s’e kuptuet se as liria, as Zoti
kurrnji lidhje s’kishin me frymën tuej t’kalbun,
E kur e patë se gjithçka mbaroi
shkelët si hije nëpër teh të territ dhe të frikës suej
i kurdisët orët e kohës që t’ringjallej humbja juej fitimtare
dhe gjithçkaje t’keqe kishit mbjellë,
i ndejtët në pritë stinës së t’vjelave

Dhe ja ku jemi sot,
ja ku i keni tokat dhe ndërtesat e grabituna
ja ku i keni shkollat dhe ngrehinat e trushplamjes
ja ku i keni ligjet, gjykatat dhe krimin duke fjetë bashkë
ja ku i keni tuejat ujnat, detin, erën, malet
ja ku e keni palë mykun e krejt nji kohe të vdekun
që e bojatisni pa pra netëve të dimnit që sollët
Ja ku e keni edhe at talljen e madhe me kët popull
që e bani përditë e ma të vogël
përditë e ma turmë,
trumhasun n’harenë tuej mashtruese…
Ja ku jeni edhe ju vetë, mbramjeve pa hanë tek vidhni yjtë
e i rrasni n’shportat e karavidheve,
ja ku e keni begati – gjithçka grabitët… Veç mos harroni,
se n’fund të fundit gjithçkaja jueja s’asht pos asgjaja
ajo ka me e grrye përditë boshllëkun tuej,
ajo nji ditë ka me ju kthye në gur katapulte
e ka me ju përplasë ndër do mure t’lashta e t’lëmakshta
që asnji zezonë s’mujti me i rrëzue
e asnji Djall s’ka me mujtë me ju pshtue…
26 janar 2016

 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.