Rrëfimi lirik i Adil Ollurit
nga Rrezart Palluqi
Romani “Bartësi i shpirtrave të përzënë” i Adil Ollurit
nuk është sprovë pikënisjeje,
por një arritje e madhe,
një fakt letraro-kulturor jo vetëm në jetën e autorit,
por edhe për letërsinë bashkëkohore shqipe…
Viron Graçi
“Shekulli ynë duhet të rikthehet për pakëz në periudhën klasike kur njeriu e mbante një vesh të ngrehur për dhimbjen, dertet dhe gëzimet e tjetrit.
Këtë e bën Adil Olluri në romanin e tij të parë. Ai sjell dy risi pra. E para është narratori i vetës së dytë: “Ti”. E dyta është rrëfimi i fuqishëm lirik që e përshkon romanin tejpërtej. Rrëfimi lirik i Ollurit nuk është klasik, as vajtues me tepricë romantike.
Lirizmi i tij është në totalitet humanist. Do të thosha se Olluri e vetëflijon personazhin kryesor, Bardhylin që me veshin e tij të durueshëm e ndjek si një Zot i dhimbshëm personazhin tjetër që vuan, Valdeten dhe harron dhimbjen e hallet e tij.
Teksa po e lexoja romanin “Bartësi i shpirtrave të përzënë” mendja më shkoi në romanet e nobelistit Modiano, ku ai i përkushton me aq durim, detaje dhe dashuri “jetës” së personazheve të tij.
Kjo ndodh edhe në romanin e Ollurit. Çdo lëvizje e Valdetes dhe vajzës së saj observohet dhe gjykohet me dashuri të madhe. Romani na shpalos aq trishtë dhe thershëm periudhën e luftës në Kosovë në vitin 1999, si dhe zbrazjen e saj prej diktatorit Millosheviç.
Në kohë lufte bota e njeriut nuk është më e madhe se një dritare. Prej dritares së dhomës së pritjes e ndjek personazhi kryesor luftën. Në kokë ai bluan frikën dhe tmerrin që të ngjallin vrasjet, arrestimet, rrahjet e luftës e njëkohësisht planin për t’u arratisur pa ngrënë ndonjë plumb në kokë.
Dritarja që përmendet dhjetra herë në roman zëvendëson diellin, lirinë. Prej së njejtës dritare, Bardhyli dhe Valdetja kundrojnë qytetin i cili tashmë patrullohet. Malli për qytetin e lirë dhe të qetë para një viti i djeg ata orë e minutë, megjithëse ky mall nuk përligjet plotësisht ngaqë Kosova edhe para një viti nuk ka qenë e lirë por nën tutelën e Serbisë.
Qyteti i zhytur në luftë tashmë është shndërruar në një cigare të cilën Bardhyli e flakëron ndër buzë i hidhëruar.
Se sa e hidhur është jeta në kohë lufte e vërejmë rregullisht në fijen e shkrepëses që ndizet në mes të natës, kafetë që personazhi i pi pafund. Monologjet e tij të parrugëdaljes. Sidoqoftë ai përpiqet që shpresën ta mbajë të gjallë duke e shikuar bibliotekën dhe duke marrë me vete librat më të vyer e më të çmuar.
Skena më e bukur e pjesës së parë është momenti kur një shqiptar me uniformën e ushtarit dëbon me dhunë një serb dhe Bardhyli e kundërshton. Këtu hiqet një paralele e bukur dhe na bën të kujtojmë shprehjen e urtë se gjatë luftës të gjithë derrat një turi kanë, qofshin ata shqiptarë, serbë apo grekë. Kjo vlen edhe për faktin që fqinji serb i shpie shqiptarët me veturën e tij në stacionin e trenit, çka nënkupton se Serbia mund të çlirohet nga sindroma psikike ndaj Kosovës, vetëm nëse ajo distancohet vetë nga ajo dhe jo duke e detyruar atë me dhunë si në rastin e NATO-s.
Autorin e gjejmë në roman në dy forma. Atë letrare mbasi Bardhyli del të ketë shkruar edhe libra. Dhe në formën shpirtërore, formën rrëfimore të vetës së dytë. Aty siç e thashë qysh në fillim ndeshim një lirizëm dhe empati tërësisht letrare, mëmësore dhe bashkëpërjetuese. Për të shmangur prozën monologuese autori e ngjiz romanin edhe me dialogje të shkurtër dhe të zhdërvjelltë. Dialogu sado që dallon për zhbllokimin shpirtëror të njeriut në roman ai mbetet brenda mureve të shtëpisë.
***
Konfliktet ose mosmarrëveshjet familjare vërehen në debatin që Bardhyli bën me Valdeten rreth vëllait të saj, Petritit.
Aspekti kohor këtu merr frymë jo në fushën e shekujve por sekondave, minutave dhe orëve.
Ja një pasazh i vogël që e ilustron këtë: “Kështu që përgjigjen e saj e prisje me një lloj pezmi dhe ajo nuk vonoi as shtatë sekonda e gjysmë.”
“E ndeze cigaren pas pesëdhjetë e nëntë minutave e pesëdhjetë e nëntë sekondave!”
Kjo vjen prej izolimit të luftës. Atëherë përjetësia nuk është më e gjatë së 24 orë. Mbi dhjetë herë koha këtu përshkruhet me minuta dhe sekonda. Lufta ta mpin kujtesën dhe ta shkatërron retrospektivën.
Në pjesën e dytë përshkruhen deri në detaj andrallat e arratisjes nga vendi ku të leu koka. Arrestimi i profesorit në tren përjetohet me dhimbje. Pushtuesi gjithnjë fut në shënjestër ajkën intelektuale sepse atëherë mund ta gjunjëzojë më lehtë një popull.
Edhe skena kur dikush merr qenin me vete, ilustron mizorinë shpirtërore kur i kthen kurrizin shtëpisë ku u rrite duke të dashur të marrësh me vete deri dhe koliben e qenit.
Gjatë largimit nga Kosova, Bardhylin e sfilit ankthi i ndonjë arrestimi të mundshëm ngaqë ai shkruan poezi edhe për lirinë.
Realitetin politik shqiptar Olluri di ta përshkruajë në pak fjalë dhe mjeshtërisht si më poshtë, ku konkludon se shqiptari luhatet midis dy poleve ekstreme: ose poshtërohet skajshmërisht ose zgjedh rrugën e dembelit, llafollogjisë së kafeve, aq të famshme në Shqipëri, ndërkohë që shqiptari duhet të përveshë mëngët e të punojë me zell e nder.
Më herët kishin qenë pjesë e një partie politike, por të dytë kishin dhënë dorëheqje për arsye krejtësisht të ndryshme. Hyseni hoqi dorë se nuk pajtohej me politikën se “kur polici të flakareshon në faqen e majtë, ti duhet t’ia kthesh atij edhe të djathtën, vetëm e vetëm që të mos e hidhërosh atë”. Ndërsa, Bedriu hoqi dorë se nuk pajtohej me oraret e mbledhjeve që kishte caktuar dega partiake e lagjes, e që përkonin me kohën kur ai zakonisht dilte për të pirë. (f. 64).
Gjuha e Ollurit i përkon asaj të tregimeve të tij. E pasur me fjalor shqiptar si dhe fjalë të përbëra që shpesh të nguliten në tru dhe thua: sa e pasur që është gjuha shqipe dhe sa pak që ne e përdorim atë?
Ja disa fjalë: shpuzoroja, dyrrotaku, rrangallë lëvizëse, lumëkaluesja, hekurlëvizësi, vendshkelja, vendlotim, shtirak, etj. Fjalën “vendlotim” unë do ta shpallja fjalën më të bukur të gjuhës shqipe dhe reflektuese të realitetit shqiptar.
Gjuha e tij nuk është artificiale dhe kjo s’është pak. Madje do të thosha është një ndër kolonat më të forta të tempullit prozaik. Ai të bind për atë çka shkruan. Dhe këtu bëhet dallimi i madh i gjuhës letrare prej asaj përdëllyese politike.
Sinqerisht, kam lexuar romane shqiptare me estetikë/stilistikë të lartë, por përjetim mjaft të rremë. Kjo lloj proze i ngjan atyre zonjushave që flasin me etikë marramendëse, janë të veshura si mos më mirë, por zemrën e kanë më të vogël se të një miu, paçka se shtiren sikur përjetojnë dhimbjen ose gëzimin e tjetrit. Shqiptarit që kalamendet në udhëkryqin psikosocial nuk i nevojitet proza që kanë qëllim vetëm stilistikën, por ajo që të lëvron shpirtin dhe të kthjellon mendjen.
Romani e ka shtratin e ngushtë, me pak linja anësore por kjo ndoshta justifikohet me përkufizimet sociale që të sjell lufta.
Olluri i shmanget gabimit ku kanë rënë 90% të shkrimtarëve të rinj: romanet e tyre debutante janë mjaft volumniozë, pa strukturë ose bashkëngjisin dy romane në një. Olluri ka zgjedhur për rrugën e sigurt. Prej shtratit të tregimit ai u hodh në shtratin e novelës. Kështu ai solli një ndër romanet e pakta debutante që nuk lëngon prej mangësive të lartpërmendura.
Ky roman ia vlen të lexohet, ngaqë ai vjen me një ulërimë ndaj kujtesës sonë mjaft të dobët e vetvrasëse. Olluri duket sikur do të na rifreskojë kujtesën duke na sjellë lëngimet, streset, pasiguritë e gjakun që u derdh për një Kosovë të lirë e të begatë për të gjithë. Për fat të keq jo vetëm brezat e rinj, por edhe brezat që luftuan përkrah UÇK-së, po e tregtojnë lirinë e shumë-ëndërruar, pak e nga pak për përfitime personale.
Mendoj se ky roman ose kjo novelë do të kishte pasur vlera më të mëdha letrare nëse aty do të ishin gërshetuar dy ikje: Ikja e shqiptarëve nga Kosova gjatë bombardimeve të NATO-s dhe ikja e shqiptarëve nga Kosova vitin e shkuar. Sepse atëherë do të ishin sjellë dy lloj diktaturash. Në këtë rast, ajo serbe dhe ajo brendashqiptare. Diktatorët kanë një fytyrë. Madje shpesh njeriu yt është më i egër dhe i pamëshirshëm se sa i huaji.
Ky roman lexohet deri në germën e fundit. Ai të prek, të mallëngjen dhe shërben si një leksion empatie, dashurie për dhimbjen e gëzimin e tjetrit dhe kjo s’është pak për kohët tona egoiste dhe narciste. I uroj kolegut tim, Adil Olluri nga thellësitë e shpirtit sa më shumë suksese të tjera në prozë.
(Autori i këtij shkrimi, Rezart Palluqi, është romancier. Jeton në Amsterdam, Holandë)
Mbi Romanin dhe Autorin
“Bartësi i shpirtrave të përzënë” – roman
Autori Adil Olluri
Shtëpia Botuese Parnas,
Prishtinë – 2015
Autori shkruan kryesisht tregime, ky është romani i tij debutues.
Adil Olluri, punon si studiues në Institutin Albanologjik në Prishtinë.
Romani “Bartësi i shpirtrave të përzënë” mund të gjendet në Tiranë,
në libraritë “Adrion” dhe “E përshtatshme”.
Kanë thënë për Romanin…
Pas librit studimor “Romani postmodern shqiptar”, botuar pak muaj më parë nga shtëpia botuese UET-PRESS, autori nga Kosova, Adil Olluri sapo ka promovuar romanin e tij të parë “Bartësi i shpirtrave të përzënë”.
Për romanin e Adil Ollurit kanë folur Gëzim Aliu e Virion Graçi. Ky i fundit ka vlerësuar se romani në fjalë nuk është sprovë pikënisjeje, por një arritje e madhe, një fakt letraro-kulturor jo vetëm në jetën e autorit, por sipas Graçit edhe për letërsinë bashkëkohore shqipe.
Gëzim Aliu shkruan se titullin e romanit Olluri e ka marrë nga një tregim që gjendet në librin e tij “Shumë rrugë dhe një rënie”, botuar në 2013. Në këtë libër Aliu e quan sprovë të Ollurit, të kaluar me sukses në fushën e prozës tregimtare.
Sipas Virion Graçit, romani i Ollurit ka një detyrë të vështirë: të tregojë eksodin biblik të shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999; të tregojë për aparteidin e shtetit federal jugosllav ndaj qytetarëve shqiptarë të Republikës së Kosovës, të tregojë për krimet dhe gjymtimet fizike-psikologjike të pësuara nga shqiptarët nën makinerinë ushtarako-policore të Sllobodan Millosheviçit.