back to top
15.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Pak rreshta për shkrimtarët e Viteve ’30 nga Lazër Radi

Gazeta

Lazër Radi 1940
Lazër Radi 1940 

Pak rreshta për shkrimtarët e Viteve ’30

nga Lazër Radi

(Shkëputë nga libri “Shqipëria në Vitet ’30”)

Nji artikull mjaft interesant, por që hapi mjaft polemika n’at kohë ishte edhe ai me titull: “A asht poet Lasgush Poradeci?” i studiuesit dhe kritikut prizrenas, Krist Maloki. Ma së shumti ky artikull i gjatë u keqinterpretue, mbasi autori ndërsa përpiqesh me rrëzue nji artikull të shkruem me superlativa nga miku i poetit, Mitrush Kuteli, nga ana tjetër dëshmonte nji nivel të naltë të kulturës kritike dhe analitike, të pashfaqun deri asokohe, edhe pse shkrimi mund të ishte marrë pak ma shumë me vlerat e padiskutueshme të poezisë së Poradecit… E megjithatë vorbulla e kësaj polemike që na përfshiu të tanve, e pasunoi edhe ma tej fushën e shkrimeve dhe leximeve tona…

Poeti Ali Asllani (1884-1966)
Poeti Ali Asllani (1884-1966)

***

Nji tjetër poet fort i dashtun dhe lirik i asaj kohe qe edhe Ali Asllani nga Vajza e Vlorës. Si n’at kohë, po edhe ma vonë, asht për t’u çuditë, pse ky poet aq lirik, aq i hollë dhe mjeshtër në artin e fjalës, ka mbetë sot e kësaj dite i pavlerësuem si duhet dhe aspak njashtu siç ai e meriton.
N’ato vite ai njihej kryesisht me poemën e famshme të “Hanko Hallës”.
E theksuem edhe me nalt se rrymat letrare ndikojnë te njena-tjetra dhe poetët shpesh padashtas, futen në vërtikun e krijimeve të kohës. Pikërisht në këto vite, Ali Asllani nisi me shkruejtë edhe poezi që pasqyronin realitetin e kohës, e kështu ai futet te ata poetë të atij lloj realizmi të veçantë “sui gjeneris”!
Pika ma e naltë dhe ma delikate e Ali Asllanit mbetet poezia lirike. Vargjet e tij kanë nji organizim akustik të theksuem, ku ndjehet harmonia e tingujve, muzikaliteti i vargut, ambëlsia e ndjenjës po dhe shpirti tradicional i Labërisë. Le të marrim strofën e parë të poezisë “Vajzat heqin valle” – me pa sa bukur dhe sa me mjeshtri e përdor ai fjalën, me pa se ç’dinamikë marrin vargjet, e ndërsa ti lexon, të ngjallet parasysh figurat e atyne vajzave valltare:

“Vajzat heqin valle,
njëra flet me vetull,/ tjetra me qepalle,
valle deli valle,/ valle për shtat’ qejfe
s’paska më t’mirë valle, se këto me defe”.

Ja edhe një poezi tjetër:

“Çapëzat e çupës, çapëza pëllumbi,/ të lehta si penda, të shpejta si plumbi,
edhe vajza vetë në krye të valles,/ mu si pikë e lotit në maja të qepallës”.

Këto vargje kanë nji aromë karakteristike, që s’mund të ngatërrohet me asnji poezi të kësaj kohe. Gjuha dhe ritmika e poezisë së Ali Asllanit na tregon se shpirti i tij qe përplot me kangën popullore të Jugut, se lirika e vendlindjes për të ka peshë dhe ndikim të dukshëm në krejt poezinë e tij. Le të shofim edhe nji poezi të tij: “Katër stina, katër çape”:

“Vjeshtë…/ Nëpër hije s’ka me shije,
lot’i parë dhe më i thjeshtë/ është fletë e gjor’ që bije”.

Edhe nji tjetër strofë të këtij poeti lirik që aq bukur, aq me kursim dhe peshë e përdor fjalën, që asht aq i pasun në ngjyra, aq përplot me emocione të delikate dhe aq i ndjeshëm ndaj objekteve të natyrës:

“Kërkoj fletë borziloku/ nëpër fije aq përçeme,
kërkoj gjurmët e një zogu/ nëpër fletë të një peme”.

Apo ajo poezia, ku ai mbasi ka humbun të dashurën, s’mundi ma as të jetonte në qytetin e andrrave të veta:

“O ti moj e mira/ që m’hike nga dora,
ti hike nga mua/ unë hika nga Vlora…”

Ali Asllani ishte si nji fllad lirik ndër mendjet tona të përpime nga “idealet e mëdha”, dhe nga bindja se “idetë tona mund ta shpëtonin botën…”!!! Vargjet e tij ishin nji frymë që ndoshta ndër kokat tona nuk zunë fort rranjë, pse ndoshta mund të thuesh që ndër ne qe në modë kundërshtimi i së keqes, që për ne, me siguri padrejtësisht e në vazhdimësi e identifikonim veç me figurën e mbretit Zog…

Nexhat Hakiu (1917-1978)
Nexhat Hakiu (1917-1978)

***

Nuk mund ta mbyllja kët pjesë e këtij fluturimi pa përmendë edhe disa poetë e shkrimtarë tjerë që n’ato kohna posa kishin nisë me shkrue tregimet dhe vjershat e para. Sigurisht, nuk asht ky misioni i kësaj pune, por gjithsesi e gjej t’arsyeshme, qoftë edhe rrëshqitas me përmendë ndonji kontribut të tyne, gjithnji i pamë me sytë e kohës kur ato u shkruen…
Këtu s’mund me lanë pa përmendë Nexhat Hakiun, nji tjetër lirik delikat të atyne viteve. Nexhati ka edhe nji meritë tjetër të cilën kritika e ka kapërcye me heshtje: e gjithë poezia e tij përpiqet të thithë frymëzimin prej kangve popullore. Pikërisht aty qëndron forca dhe bukuria e vargu të tij:

“Ç’mu dogj zemra, ç’u zhurita/ për levendin trim me fletë
për bandillin seç u rrita,/ po ky plak më pat kismet…”

Në nji vjershë tjetër “Nazemadhes” ai thotë:

“Ia kërkova borzilokun/ Që me dorë vet e mbolli, ,
Zuri qeshi, krehu flokun/ Po gjëkafshë nuk më solli:
-Prit o djalë, tha, të rritet/ Pa le të kalojnë vitet!”

Po citoj edhe një strofë nga poezia “Kam një fjalë…”

Kam një fjalë për të thënë/ fjalën që të kam dhënë:
mos më rri e zemëruar/ mos të rri i dëshpëruar,
eja mike bashkë të bredhim/ lule, gjethe prap të mbledhim,
eja moj mikeshë e mallit/ se të kam si sytë e ballit,
të kam shoqe moj për jetë/ zili bota të na ketë!…”

Mitrushi, Vedat, Sterio, Nexhati
Mitrushi, Vedat, Sterio, Nexhati… 1944

***

Nji tjetër poet i revistave dhe gazetave të kohës ishte edhe Shefqet Musaraj. Të gjithë poetët e naltpërmendun ishin dishepuj të Lasgush Poradecit, dhe të poezisë së tij… e megjithatë ata përpiqeshin me sjellë karakteristikat e tyne edhe pse në ma të shumtën e rasteve s’ia mbrrinin atij synimi. Ja çfarë thotë në nji poezi të tij me titull: “Këng’e vërtetë”:

Them ta prek, po shum’ më dhëmbet./ Do ta prek, se e di që s’shëmbet,
Do ta puth në buz’e duar/ M’u në faqe e kraharuar.

Iu err syri, iu ndez gjiri,/ Dridhet gjithë si një fletë
Ndaj të gdhiri nga zefir,/ Fjal’e saj këng’e vërtetë.

Zemr’e saj’e pasqyruar/ në vështrim e ligjërim
Më shikon e psherëtuar,/ “Ndjej – më thot – po s’kam guxim”.

Vedat Kokona i ri
Vedat Kokona i ri

***

Edhe Vedat Kokona, ishte pjesë e këtij realiteti letrar. Ai kishte studiue në Francë dhe sillte në letrat shqipe frymën e kulturës së atjeshme. N’at kohë veç nji vëllimi me poezi, kishte shkrue edhe nji libër udhëtimi “Prej Tiranë në Stokholm”. Ai ishte i pari libër udhëtimesh që lexoja. E ndoqa me mjaft vëmendje udhëtimin e tij dhe thosha me vedi:
-Eh, i lumi Vedat, i ka ndodhë rreziku me i ra Europës kryq e tërthuer, deri te akujt e përjetshëm të Veriut…
-Në nji mbasdreke, të atyne viteve, isha në kafe “Kursal” me nji shokun tim të vjetër të vendosun në Tiranë prej kohësh. Kur pranë na kaluen dy djelmoça të pashëm, të cilët zunë vend në nji tryezë afër nesh. Eleganca e tyne më bani fort përshtypje. Si duket shoku im ma lexoi në fytyrë kët kreshëri dhe më pyeti:
-A i njef ata të dy?
-Jo! – i thashë – nuk i njof,
-Ai me kapele dhe me kostum gri asht Vedat Kokona, kurse tjetri, pak ma i gjatë, asht Nexhat Hakiu.
Vazhdova me i ndjekë me vëmendje, pa u ra shumë në sy. Eh sa të mëdhej më dukeshin, edhe pse nuk kishin ma shumë se dy-tri vite diferencë mes nesh. Si duket ajo fryma europiane, ku ishin shkollue, ua randonte mjaft edhe pamjen dhe qëndrimin…
-Mos u habit – vazhdoj shoku im, – Këtu te “Kursali” dhe te pastiçeri “Bella Venezia”, në rrugën Mbretërore, mundesh me e takue krejt ajkën e kulturës shqiptare. Në Tiranë s’ka as qendra dhe as vend-takime tjera të intelektualëve. Janë bash këto dy lokale aq elegante vend-takimet e tyne pothuej të përditshme…

Shkrimtari, tironasi i urtë, Mustafa Greblleshi
Shkrimtari, tironasi i urtë, Mustafa Greblleshi

***

Asokohe kish dalë në qarkullim edhe nji roman sentimental, që po korrte mjaft sukses te rinia shkollore. Titulli ishte paksa befasues “Gremina e dashurisë”, po ma befasues qe fakti se shkrimtari i ri tiranas, ishte krejt i panjoftun dhe quhej Mustafa Greblleshi.
Qe mjaft në modë të lexoheshin kësi lloj romanesh sentimentale, dhe ma së shumti ishin vajzat ato që i kalonin dorë më dorë pa ra fort në sy, se çfarë librash po lexoheshin. Kujtoj sot, se lexohesh edhe “Ura e psherëtimave”, edhe “Vuajtjet e Wertherit të ri”, “Hermandi e Dorothea”, “Lulja e kujtimit”, “Për mbrojtjen e Atdheut”, “Sonata e Krojtzerit”, etj. Gjithkund ndër rrethe të ngushta shoqnore dhe familjare flitej për personazhet dhe ngjarjet e këtyne librave… e ndërkohë shtoheshin përditë emra të rinj poetësh edhe librash…

Gaspër Pali - (1916 -1942)
Gaspër Pali – (1916 -1942)

Po Gaspër Pali?
Eh, sa i ri vdiq ky poet aq premtues dhe aq delikat! Ai qe ma i ri edhe se Migjeni edhe se Helenau… Në vitin 1942, ai kishte mbarue fakultetin e letërsisë në Firence, dhe qe kthye plot andrra në atdhe ku nuk pati jetë të gjatë – pse vdiq në moshën 26 vjeçe.
Me Gaspërin kam pasë mjaft shoqni dhe miqsi. I kisha lexue krejt poezitë e tij dhe ai të miat. Ende e kam parasysh at zanin e tij të ulët kah m’i lexonte plot emocion poezitë e veta, që ishin po aq të brishta e delikate si vetë Gaspri. Shpesh e nxitja t’i çonte për botim në ndonji nga revistat e gazetat e kohës, mirëpo ai ishte aq kërkues ndaj vedit sa asnjiherë nuk kënaqej prej tyne.
-S’duhet me u ngut, mor Lazër, – me thonte – se kjo çka shkruejmë mbetet. Ma së pari duhet me qenë të sigurt se ato çka shkruejmë t’mos jenë pallavra dhe së dyti a ja vlejnë kësaj kohe e kësaj shoqnie që ne i përkasim!?
Dhe kështu Gaspër Pali, si nji mjeshtër “i labur lima-s” i punonte e i ripunonte nga fillimi në fund vargjet e veta!
Mezi ia mbusha mendja me e dërgue nji poezi në revistën “Rilindja” të Korçës. Kujtoj se ka botue diçka edhe në rivistën “Cirka” që dilte në Shkodër, prej Cuk Simonit, mjeshtri që e bani me folë aq bukur shqip “Pinokun” e Carlo Collodit.
Te poezia e Gaspër Palit dallojnë tri veçori: e para asht tendenca kontemplative ose primja e tij soditëse; e dyta nji melankoli e lehtë po jashtë pesimizmit, kjo edhe prej gjendjes shëndetsore që ai kalonte, nga e cila nuk kishte asnji shpresë shërimi; dhe e fundit nji lirizëm fluid e gurgullues si t’ishte nji përrua mali…
Pjesën ma të madhe të poezive të tij, ai i kishte shkrue gjatë kohës student në Firence. Ato dalloheshin menjiherë, pse aty shpërthente malli për Shkodër locen e tij të dashtun. Po nuk i mungonin as poezitë erotike, veçse ky erotizëm i Gaspër Palit shfaqesh i pastër si pika e lotit. Shpesh ai synonte me e kapë lumtuninë, mirëpo kjo i mbetej gjithmonë nji andërr e parealizueshme.
Sikur ta kish ndihmue sado pak shëndeti e të kishte jetue do kohë ma tepër, sigurisht ai do t’i kish dhanë letërsisë shqipe shumë vepra me vlerë.
Po si duket fati desh njashtu! (ndoshta Zoti e pshtoi prej së keqes që hoqën sivllaznit e tij të penës…!)
Vetëm mbas vdekjes dikush u kujtue dhe e mblodhi veprën e tij të vogël dhe e nxorri në dritë në trajtë të nji libri delikat si jeta e tij: “Yjet mbi greminë”, për të cilin asht folë fare pak, për mos me thanë se edhe ajo çka u botue kah vitet ’60, u zhyt si pa u ndje në heshtje bashkë me fatin e shkruesit të saj…

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Lame Fandi: Sot, si me porosi, mbasditja ime ishte e qetë. Duke i hedhur një sy facebook-ut lexova ato “pak rreshta për shkrimtarët e viteve ’30”, që Dr. Lazër Radi i kishte shkruar jo vetëm me qartësi e saktësi, por edhe me një gjuhë të bukur që, duke mos patur asnjë fjalë të tepërt, jam i bindur se do të kuptohej nga çdokush, pavarësisht nga niveli i formimit, në çfardo shkollë që të këtë bërë. Dhe me sa dashuri!
    I pushtuar prej saj, vazhdova leximin edhe të poezive të tij të mrekullueshme, apo kujtimeve, veçanërisht për Nene Sav(r)ën dhe gratë, të cilat nderohen nga çdo shkronjë e rreshtave të shkruara si nota muzike në pentagramin e simfonisë së tyre prej Doktorit. Kur veçoj dhe dëgjoj tingëllimin e fjalës “Doktor” për Lazër Radin, nuk përftoj vetëm ndjesinë e një titulli shkencor, dhënë me meritë ndaj këtij intelektuali të nivelit të lartë. Me dëgjimin e fjalës doktor, për Lazër Radin, te unë vjen edhe kuptimi i fjalës mjek që, në këtë rast, tingëllon njelloj si ai i shëruesve të palodhur të njerëzve…
    Lazër Radi ishte doktor i vërtetë, shërues dhe lehtësus i shpirtit dhe i trupit të të gjithë të gjallëve, që vuajtën bashkë me të, por edhe i gjithë të tjerëve që kanë përjetuar në një mënyrë apo në një tjetër shqetësime, të ngjashme, gjithsesi të dhimbshme.
    Sot mbasdite, unë pasurova shpirtin dhe mendjen time, në sajë dhe të punës tënde të bërë me respekt, dashuri dhe mençuri, i dashur Jozef.
    Faleminderit!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.