Ndre Mjeda dhe kanga e Tij e Lirisë…
edhe për Amerikën e Presidentin Washington
E hëna e tretë e muajit shkurt,
në Shtetet e Bashkuara të Amerikës festohet si Dita e Presidentëve, (Presidents Day)…
Është festë kombëtare e shpallur që në vitin 1885,
për nder të Presidentit te parë te SHBA-ve, Xhorxh Uashington…
Zyrtarisht, nga ana e qeverisë federale kjo festë
edhe sot e kësaj dite njihet si “Datëlindja e Uashingtonit”, (Washington’s Birthday”…
…Vetëm njata që janë të apasionuem mbas Letërsisë
e dinë se Poeti gjigand shqiptar Dom Ndre Mjeda
i ka këndue Presidentit të Parë të Amerikës,
në poemin e tij të famshëm “Lirija”
ku poeti Ndre Mjeda duke i këndue ndjenjës së Lirisë
dhe Heroizmit të djelmisë malsore,
evokon figurën historike të Washingtonit …
…Gjatë diktaturës komuniste ndër shkolla
mësohej nji version i cunguem i kësaj poeme hymn të Mjedës…
Po përpiqemi ta sjellim poemën të plotë,
pa asnji prej vargjeve dikur të cungueme o të hjekuna:
Ilir Seci
Lirija – Poemë nga Ndre Mjeda
I
O shqype, o zogjtë e malevet, kallxoni
A shndritë rreze lirije mb’atò maje?
Mbi bjeshkë të thepisuna e nd’ograjë
Ku del gurra e gjimon përmallshëm kroni?
A keni ndie ndokund kah fluturoni
Ndëer shkrepa, me ushtue kangën e sajë
A keni ndie nji kangë të pa travajë?
O shqype, o zogjët e malevet, kallxoni.
Lirim, lirim bërtet gjithkah Malcija;
A ka lirim ky dhé qi na shklet kamba,
A veç të mjerin e mblon anë mb’anë robnija?
Flutro, shqype, flutro kah çelet lama,
Sjellju malevet për rreth qi ka Shqipnija,
E vështroje ku i del lirimit ama.
II
Çon’ju shërbtorët e tokës, leni te shpija
Shjetnit e vangat; e për gjysë, o trima,
Leni parmendat; rrokni pushkët; vettima
Ju duk për së lergu, e qe po vjen lirija;
Washingtoni na thrret. E djelmve pika
Rrani tui hapun zjarm; hija e morrizit
Mujti kështjellat atnorë, mujti katedrën.
E fushë e mal ushtoi: vojt Amerika
Mbas asi zani qi e pat thirrë, e Inglizit
Ja boi luani i Amerikës kulshedrën.
III
U t’huej Inglizi: s’ka me dalë ushtori
Me i grahë bulkut si kaut me sjeçe të bregut;
S’ka m’u fikun ndër të mjelluna puntori
Kur merr era për mëner o vapa e zhegut.
U kputne hekrat, e lirim malcori,
Lirim deti kumbon e ja siellë bregut;
Lirim përgjegjin qysh kah Labradori
E Virgjin’ja e New Jorku syni i tregut.
Të lumtë, o Washington! u zhvillat qielli,
E njom toka për mall me brohorië
E mbi flamuj të zotnuem ndejt luani.
Pushoi te drita qi shpërdan si dielli
Lirimi, tuj britun në Filadelfie:
“Amerikën e zhgon Amerikani”.
IV
Ty të kjosha falë, o dritë, ama e mbrodhsimit,
Ti dave terrin e egërsis’, e tinë,
E lakmuemja e gjith dhenavet latine,
Amerikën e pshtove prej robnimit.
Porsi vegim u mbuze, e prei nalcimit
E puthe tokën me ato rreze, e shkrine
Akllin e vjetër qi kish mbet’, e fshine
Vaj e padije e anëmiq të lirimit.
E ndjeu toka njat shend e u gëzue si fëmija
Qi i qeshet lokes kur ja reshë krahnorit;
E shpirt e zemër nëpër buz’ i shpraze.
Me nji të njyeme ma të bukur, pa tallaze
Shndriti deti njat herë; prei katundorit
Ndër fush’ e male mungulloi Lirija.
V
Lirinë e keni ju; na hekra kemi.
Na terr e mjegull deri në ditt ma të vona;
Na pa emën kërkund, pa atdhe; na jemi
Shërbtorët e t’huajvet nëpër vende tona.
Porsi berre qi bleu mishtari vemi
Mbas shkopit, të kalamenduna, ku s’dona.
Ahte t’ankueshme nëpër buzë polemi,
Vaj e mjerime qet kjo tokë e jona.
E kot duhija e trimnis malcore
Ndër fusha të molisuna plandosi
Si kokërr rr’feje prej nji reje lëshue.
Çuditë prej peshes së nji pushtedës mizore,
Kot Dukagjini e Skandërbeg fatosi
Shpupurishin ndër vorre eshtna të harrue.”
VI
Por nuk u shuejti edhe, jo, Shqyptarija:
Lodhun prej hekrash qi mizori i njiti,
Lodhun prei terri ku robnimi e qiti,
Shpreson me e zgjue fluturim mënija.
E kqyrë: ndër male po përhapet shkëndija
E lirimit t’Atdheut; fshehtas shetiti
Kësollë për kësollë rreth buneve e soditi,
Frymë të re tuj zbrazun për gjithkahna, hija
E Skandërbegut. Që ndër djepa rrisin
Nanat e Hotit djelmnin ushtore,
E idhnim n’armikun nëpër gji ju qisin.
E nalt, ndër maja, bukuri mbretnore,
Hapi flatrat e mnershme qi përshndrisin,
Me thoj t’harkuem Shqypeja arbnore.