back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Një poezi shqipe të paktën 3600 vjet e vjetër nga Niko Stylos

Gazeta

Disku Festos
Disku Festos

Një poezi shqipe të paktën 3600 vjet e vjetër

nga Niko Stylos

Kjo poezi është shkruar në njërën anë të diskut të njohur me emrin Disku i Festos ose Faistos. Ky disk, që sot ndodhet në Muzeun Arkeologjik të Heraklionit të Kretës, u gjet nga arkeologu italian Luigi Pernier, më 3.7.1908, gjatë gërmimeve në pallatin e vjetër të Festos, i cili llogaritet se ishte në përdorim në periudhën kohore 1850-1600 p.e.r. Është një disk qeramike me diametër 158-165 dhe trashësi 16-21 milimetra dhe konsiderohet, nga vendi ku u gjet, se ruhej në arkivin e këtij pallati.
Për Feston, shkurt do të them, se ishte një nga qytetet më të rëndësishme të Kretës minoike gjatë mijëvjeçarit të dytë p.e.r., dhe sot është qendër (hapësirë) e shkëlqyer arkeologjike. Për emrin e tij, që konsiderohet paragrek dhe nuk ekziston asnjë shpjegim, unë besoj se e ka marrë nga hyu Ifestos (Ιfaistos,Ήφαιστος) me lënien jashtë (rënien) të germës nistore I (Η).
Historiani Diodor Siqelioti apo Diodori nga Sicilia (5,78), themelues të Festos konsideron Minosin dhe te Homeri emrin e tij e gjejmë te Iliada (Kënga 2, vargu 648) dhe te Odisea (Kënga 3, vargu 296).
Sipas arkeologëve, epoka minoike fillon më 2.600 p.e.r. dhe pallati parë i Festos u ndërtua rreth vitit 2.000 p.e.r. me argolitodomi (αργολιθοδομή1), siç e quajnë, domethënë me ndërtim muresh prej gurësh pa asnjë përpunim.

Disku i Festos

Ky pallat u shkatërrua nga tërmeti rreth vitit 1730 p.e.r., dhe mbi gërmadhat e tij u ndërtua më madhështor, ku dhe ai u rrënua nga zjarri rreth vitit 1600 p.e.r. Ndërkohë, me metodat e reja të matjes së vjetërsisë së objekteve, datohet dhe prodhimi i diskut, shpëtimi i të cilit konsiderohet fatmirësi në fatkeqësi, se u ruajt pas një pjekjeje në një temperaturë shumë të lartë gjatë zjarrit, që dogji pallatin e Festos.
Studiuesit që u morën me të na thonë se konsiderohet monumenti i parë i tipografisë (i shtypshkrimit), se teksti u shtyp apo më mirë u vulos në dy pllaka prej argjile të njomë, të cilat në vijim u ngjitën në një. Mbi të gjitha na thonë edhe se është unik për sa i përket mënyrës së grafisë (shkrimit) dhe simboleve të veta; ndërsa qëllimi i ndërtimit të tij dhe prodhuesi i tij, konsiderohen një nga misteret e shumta të arkeologjisë, ngaqë besoj se këta studiues nuk janë marrë dhe aq shumë me këtë temë, po jap dhe paraqitjet e lashta vijuese, ku kemi dhe dy nga simbolet e Diskut të Festos, nga ku mund të them se mëtimi që këto simbole nuk janë gjetur asgjëkund, nuk është i saktë.
Në të parën e këtyre paraqitjeve, ku kemi një monedhë nga Kerkyra (Korfuzi), të quajtur dhe ndryshe ishulli i Epirit, siç shikojmë ekziston dhe simboli, të cilin te Disku i Festos e gjejmë madje katër herë të shkruar.
Në paraqitjen e dytë, ku kemi një hajmali të besimit (fesë) të quajtur në latinisht të Abrax-it, në qendër të mbishkrimit që mban Abrax-i, kemi dhe simbolin, që e gjejmë dhe te Disku i Festos dhe madje dy herë të shkruar.
Lidhjen e Kerkyrës së stërlashtë me gjuhën arvanitase dhe në përgjithësi me gjuhën e shqiptarëve, e gjejmë në historinë e këtij ishulli, gjersa sipas shkrimeve historike, para vendosjes së të quajturve kolonë të parë grekë nga Eritrea e Eubesë në shek. e 8 apo të 9 p.e.r., banohej nga ilirë. Për të vërtetuar origjinën arvanitase të trupit të njeriut me kokëkëndesi, një figurë fantastike, zgjodha dhe hajmalinë e dytë të këtij besimi të karakterizuar nga të krishterët e sotëm satanik dhe i mallkuar, ku siç shikojmë, kemi të shkruar me alfabetin grek emrin arvanitas ΒΡΑCA (ΒΡΑΣΑ, Vrasa), që do të thotë vrasës.
Gjatë kërkimit për më shumë të dhëna, zgjodha dhe paraqitjen e mëposhtme, ku për burrin me këndesin në mburojë kemi emrin ΤΥΔΥΣ (TYDHYS). Për TYDHYS-in, që në greqisht e quajnë Tidheus (Τυδεύς), na është e njohur se ishte bir i Oineas (Οινέα), mbretit të Etolisë (Αιτωλίας), që ishte një vend në bregdetin e Detit Jon. Ndërsa shpjegimin se përse mori emërtimin Vrasa (Βράσα) apo Vrasës, e gjejmë te Apollodori, ku lexojmë: “Kur Tidheu (Tideu) u rrit dhe u bë një djalë trim, u internua, sepse vrau, siç thonë, vëllain e Oineas Alkanthin, apo siç thotë autori i Alkmeonidës, ngaqë vrau bijtë e Melanosi), Fineun, Eurilaun, Yperlaun, Antiokun, Eumidin, Sternopin, Ksanthipin dhe Stenelaun, që komplotonin kundër Oineas, apo më në fund, siç thotë Ferekidisi, se vrau vetë vëllanë e tij, Olenian. Dhe meqë Agriosi (Egri) hapi gjyq kundër tij, u strehua në Argos pranë Adrastit (Άδραστο) (Apoll. VIII. 5).

Niko Stylos - Etruskishte - Toskerishte
Niko Stylos – Etruskishte – Toskerishte

Ngaqë te monedha nga Kerkyra me simbolin, nga ana tjetër kemi lopën që i jep qumësht viçit të vogël, simbol që e gjejmë në më të shumtat e monedhave të të quajturave koloni të saj, domethënë të Apollonisë dhe Epidamnit apo Dyrrahit të mëvonshëm, zgjodha dhe dystatirët e argjendtë të mëpasshëm nga Karistoja (Κάρυστο) e Eubesë, te të cilët kemi po të njëjtën paraqitje. Duke ditur se edhe sot në Karisto flasin arvanitisht, dhe duke marrë këndesin, apo gjelin apo kokoshin, që gjendet në anën tjetër te të dy këto monedha, si simbol etnik i banorëve të Karistos, atëherë do të mund të thosha se alfabeti, të cilin e kemi të shkruar te shishja e bojës e mëposhtme në formë këndesi, nëse nuk është alfabeti i stërlashtë i Karistos, të paktën është alfabet që mund ta përdorte dhe kyqytet i lashtë.

Shishja e bojës e Viterbos

Ky objekt qeramike, i tipit të famshëm të qeramikës së teknologjisë “bucchero”, që është karakteristik për ngjyrën e zezë të ndritshme dhe për paretet e holla, është gjetur në Viterbo të Tirrenisë dhe kronologjizohet i shek. të 7 p.e.r. dhe sot ndodhet në Metropolitan Museum of Art të Nju-Jorkut.
Teksti i Diskut të Festos, i cili është shkruar në radhë (trajtë) helikoidale (spirale) me figura simbole, fillon nga të dyja anët në qendër dhe shkon për nga jashtë, në një mënyrë grafie si e sotmja, domethënë me shkrim me drejtim nga e majta në të djathtë.
Vërtetimin e kësaj mënyre shkrimi, e kemi shumë mirë te të gjashtë simbolet me paraqitje njerëzish: ku siç shikojmë se të gjitha shohin për nga e djathta. Për vulosje janë përdorur në tërësi 46 vula me simbole figura të ndryshme dhe në shumatore me to kemi 241 vulosje, 123 në të quajturën nga unë ana e parë dhe 118 tw tjetra.
Ngaqë numri i këtyre 46 simboleve apo figurave, që secila shqiptohet si dhe tingulli i asaj që pasqyrohet, nuk ishte i mjaftueshëm për të dhënë gjuhën arvanitase, krijuesi i këtij alfabeti, me katër nga këto simbole, plotësoi edhe 7 të tjera me të kthyer në vulosje apo në grafinë e figurës së tyre, duke bërë në tërësi (shumatore) simbolet apo shkronjat e tij 53.
Të katër këto simbole janë: të cilat të shkruara i gjejmë dhe te tabela e mëparshme, të cilin unë e quaj tabelë e alfabetit të Diskut të Festos, jap të gjitha ato simbole me radhën që i gjemë, duke marrë si të parë anën e sipërpërmendur, duke i shtuar madje edhe një shtyllë, ku jap dhe se sa herë secilin nga këto simbole e kemi të shkruar në tërësi.

Alfabeti I Elbasanit (400 vjeçar)
Alfabeti I Elbasanit (400 vjeçar)

Duke arritur në përfundimin se Disku i Festos është shkruar në arvanitisht, nisa të merrem me alfabete të ndryshme të kësaj gjuhe që janë ruajtur. Ndërmjet tyre, që janë jashtëzakonisht të shumta, gjeta dhe një, i cili edhe ai ka 53 germa, domethënë sa alfabeti i Diskut të Festos, dhe që në Epir është i njohur me emrin “Alfabeti i Dhaskal Thodhit”.
Ky alfabet, që për mua është më i përsosuri për interpretimin e gjuhës arvanite dhe në përgjithësi të dialektit toskë, siç e emërtojnë albanologët, në bibliografinë e Europës Perëndimore e gjejmë me emrin “Alfabeti i Elbasanit” dhe nga libri “Das Buch der Schrift” i austriakut Carl Faulmann, po jap në fotokopje dhe tabelën e mëpasshme me titullin “Schrift von Elbassan”. Emërtimin “Alfabeti i Elbasanit” e ka marrë se Elbasani është vendi ku është gjetur apo më mirë është ruajtur. Gjermani Johann Georg von Hahn, që u përket studiuesve të mirë në lëmenjtë e kërkimeve të gjuhës, folklorit dhe gjeografisë të shekullit të mëparshëm, këtij alfabeti i kushton një kapitull të tërë te libri i “Albanesische Studien”.
http://shqiperiajone.altervista.org

Studiuesi Niko Stillos
Studiuesi Niko Stillos

Kush është Niko Stillo

Niko Stillo u lind më 1946, në fshatin Ftinë në Qarkun i Prevezës. Ai është i quajtur ndryshe si djali i Ftinës të Çamofshatrave mbi Prevezë dhe është endur nëpër disa vende europiane duke iu futur studimeve ekonomike derisa përfundon në Gjermani si mjeshtër i interierëve të brendshëm të restoranteve. Prindërit e tij flisnin në gjuhën shqipe në familje.
Gjuhën greke Niko e mësoi në një moshë pak të rritur, gjatë kohës që filloi të ndiqte shkollën fillore, shkollën e letrave, siç i thoshin shqiptarët e Greqisë, gjuhës zyrtare greke vite të shkuara. Në krahinën e tij, njëri fshat dallonte nga fshati tjetër në gjuhë. Diku flitej shqip, diku greqisht edhe me tutje vllahisht. Me idenë e një gjuhe të përbashkët, fanatikët të udhëhequr nga mësuesit e shkollave, gjetën terren për realizimin e qëllimeve të tyre. Mësuesit grekë numëronin fjalët e dëgjuara nga fëmijët që vinin nga familjet me origjinë shqiptare në gjuhën shqipe dhe i qëllonin me shkop në duar. Me gjithë kërkesat dhe metodat e rrepta për të mos folur gjuhën e prindërve, moshatarët e Niko Stilos e mësuan gjuhën e prindërve, shqipen. Kur ishte në gjimnaz e mundonte pyetja se, ç’janë këta shqiptarët, këta arvanitasit. Me vite, njëra-tjetra, librat, ambienti i ndryshëm nga ai familjar dhe shkollor etj, dhanë një përgjigje. Gjeti shkrime 500, 800 vite para Krishtit. Mësoi se ajo gjuha e vjetër është shqipja. Duke lexuar gramatikat më të lashta greke të mbijetuara, i bëri përshtypje që në 12 vjetët e shkollës nuk kishte dëgjuar qoftë edhe një fjalë për to. Duke u angazhuar gjithnjë e më tepër me temën e arvanitasve (shqiptarëve), gjeti fjalorin më të vjetër të gjuhës shqipe të Frang Bardhit “Dictionarium Latino-Epiroticum”. Arriti në përfundimin se librat me të cilat ishte informuar në shkollë, jo vetëm nuk shkruanin të vërtetën, por përpiqeshin edhe ta mbulonin atë. U njoh me epigrame të palexuara të pellgut Mesdhetar të shkruara me alfabetin grek, prej atyre që perëndimorët i quajnë etruske, e vetëm një pakicë studiuesish i konsiderojnë ato se bëhet fjalë për gjuhën e shqiptarëve.
Në shtator të vitit 2004 mori pjesë në Simpoziumin shkencor për arvanitasit si dhe për të botuar librin e tij të parë në gjuhën shqipe “Historia e shenjtë e arvanitasve”. Libri flet për historinë e shqiptarëve në kohën antike. Në veçanti, në libër shkruhet për mumien e Egjiptit që ndodhet në muzeun e Zagrebit. Niko Stillo “devijon”, drejt një kauze tjetër duke ndenjur afër Spiro Muselimit, në rrugët e mërgimit i kushtohet përfundimisht studimit të historisë, gjuhës së popullit të vet, Çamërisë, Shqipërisë dhe lashtësisë së tyre. Si autodidakt, arriti të bëhej një studiues i mirëfilltë, duke kulmuar me veprat “Historia e shenjtë e Arvanitëve” dhe “Fjalori i Marko Boçarit”. Në jetëshkrimin për të shkruhet se “ai ecën në gjurmët e Aristidh Kolës, të cilin e ka pasur mik të dashur e shok të ngushtë jo vetëm në fushën e letrave, por dhe të veprimit…” Marre nga http://www.pashtriku.org

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.