back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Kavak Hysa s’harroi të buzqeshë… tregim nga Jozef Radi

Gazeta

No comment!!

Kavak Hysa s’harroi të buzqeshë…

tregim nga Jozef Radi

(mbështetur mbi një rrëfim të vërtetë)

-Do t’i vras, për at zot që na jep bereqetin do t’i vras… Ja me këto duar do t’i vras… Atë që ja kam shkulur me aq mund kësaj jete, s’mund të ma marrë askush në botë, veç Zotit… Dëgjuat ju o lamashër, o surratër, o qenër… dëgjuat a jo… është djersa ime ime… s’është juaja… Ju ore, që jeni gati t’i dorëzoni edhe brekët tuaja me daulle e dajre… Harroni se është djersa ime, se është gjaku im, s’është juaja… S’ka burrë që e lind nënja të tallet me djersën time… Dëgjuat ore, apo jeni edhe ju gati t’i bashkoheni shejtanit… Ja ku po ua them me zë të lartë, pse edhe spiunët i kini aty mbas dere… Po le ta shpien llafin tim ku të duan, edhe në të sëmës së tyre, as më plas fare për surratin e tyre të ndyrë, dhe as tuajin… Për at Zot që është lart, e i qofsha falë se na jep dritën edhe bukën, do ta vras me duart e mia këdo që i fut turinjtë te prona ime… Kam një jetë që rroj me djersë balli! S’kam njohur as të shtuna e as të diela, as ditë e as natë, as verë e as dimër… Në punë jam gdhirë e në brazdë jam ngrysur! Me nder dhe djesë kam ecur gjer sot…! As  vjedhur i kam kujt, as lënë kënd të më vjedhë…! Morët vesh ju, o lamashër… o qenër të ndyrë… As borxhe e as hak i kam kujt, veç kujt i kam dhënë borxh, e më ka hyrë në hak! Dëgjomëni, ju o mutër…! Shkoni…! shkoni or shkoni dhe futini ato koqet tuaja në kollkoz, po gjënë time sa të jem gjallë unë, jo… Jo or jo! Or po do t’i vras, me duart e mia do t’i vras, kush guxon e më shkel truallin, do t’i luaj truallin e sëmës – dhe plaku Kavak ngrinte gishtin e këmbzës lart, dhe e lëvizte herë mbas here si të shkrepte pushkën…
-Mos o Lala! Moooos, të keqen o Lala! Do na fusin në burg djemtë! – i afrohej e shoqja ta qetësonte me sa mundte… – Do na marrësh më qafë të gjithëve. Mendoje edhe njiherë… Po të ndahen nga tufa, marrim më qafë djemtë!
-Jo, moj jo… S’marr më qafë askënd veç vetes. Edhe burg le të më futin! Tokën as gjënë time s’e jap… Jo ore, s’e jap dhe pikë! Ju futuni, futuni me çka keni tuajat, dhe do ta shihn… Të keqen e burgut, para asaj ç’do hiqni prej këtyre…
-Mos o Lala, mos të keqen o Lala… do na marrësh më qafë tërëve! – përpiqesh ta qetësonte i madhi i djemve, ndërsa i vogli me sytë e zgurdulluar, s’bënte tjetër veç atij zgurdullimi, aq sa dukej sikur kokërdhokët do t’i dilnin vendit prej asaj çka dëgjonte.
Gruaja, me një qëndrim lutës, nga e keqja që u kanosej, e shihte plakun drejt e në buzë, për të marrë vesh ndonjë gjë më mirë, mbasi kohët fundit ajo s’dëgjonte pothuaj fare nga veshët. Nga lëvizja e buzëve dhe gjestet nervoze të plakut, ajo e kuptonte se ishin të gjithë në hall të madh, po instinkti i nënës, e shtynte të ishte në krah të djemve… S’dinte nga të merrte… Paniku e kish përfshirë atë më shumë se të tjerët, dhe siç i ndodh në kësi rastesh dora e saj qe vendosur në formën e gërvishtjes mbi faqe dhe vërtitej e shoqëruar me një “Upupupu, korba ç’na gjeti…!” që riciklohej pafundësisht, si dëshmia e vetme që tani e tutje s’u kish mbetur tjetër, veç tmerrit…

Burgu i Spaçit
Burgu i Spaçit

***
-Keni gjithë kohën që vetëm më pyesni dhe unë ju përgjigjem… A mundem ta bëj edhe unë një pyetje zoti kryetar? – iu drejtua plaku Kavak Hysa trupit gjykues dhe heshti në pritje të një shenje pozitive – Një pyetje vetëm, thashë, asgjë më shumë?
Me njifarë sigurie trupi gjykues kryqëzoi shikimet dhe me shenjën e tundjes së kokës, sikur u morën vesh. Foli më i gjati i tyre, ai që gati e prekte tavanin…
-Hë… bëje dhe një pyetje zotrote, po mos harro se këtu pyetje bëjmë vetëm ne… shkurt bjeri…!
-Zotërinj, ju gjithë kohës keni ulur e ngritur vetëm fjalën armik! Po mirë ore, pyes veten: a kam vrarë njeri unë, a kam sharë njeri, a i kam vjedhur kujt gjë, a kam dalë me dyfek kundra ndokujt… Po mosni more djema, se fjalën armik e keni bërë si  bukë e djathë… Po është turp ore… Se dhe bota mba vesh e dëgjon!!! Unë i kam aq mend sa ta kuptoj, se as ju dhe as kjo Partia juaj… s’më doni… E po mirë, kur s’duhen njerëzit, rri secili në punë të vet… Po kësaj si i bëhet halli… Pyetja ime ështe: Pse s’rrini ju në punë tuaj dhe unë në halle të mia… dhe s’ia trazojmë fare urat njëri tjetrit…?
– Mbylle, mbylle, – ulëriti i ai gjati – Partia tonë, njerëz si puna yte, jo që s’i do, po e ka për detyrë t’i luftojë deri në fund të jetës! – me njëfarë solemniteti.
-Po mirë ahere, meqë kjo Partia Juaj, njerëz si puna ime i lufton deri ne fund të jetës, pse kërkoni që unë ta dua kët Partinë tuaj?! More djema, kur ju s’i doni njerëz si puna ime, pse na detyroni t’ju duam me zor… Apo e kam gabim??
-Armik! – ulëriti kryetari i gjyqit sa i hante gabzherri – do t’u kalbim gjithë jetën burgjeve dhe kënetave…
-E mirë, e mirë… e dimë se për t’na futur në burg të kanë venë, se s’të kanë vënë të na thuash: Ju lumtë! Po mos brrit aq shumë, se më mirë në burgjet e qeverrisë tuaj, se të lirë e brekgrisur… Po ja mirë! E zëmë se unë s’e dashkam Partinë tuaj! Po pse s’e pyesni njëherë at partinë tuaj pse ajo s’më do mua? Jo or jo, mos u lodhni ta pyesni fare! Për partinë tuaj jam nga të njerkës, dhe kjo punë është mbyllur njiherë e mirë. S’e kuptoj pse e kërkoni mblesërinë me zor… Nuk bëhet mblesëria me dyfek mbas kurrizit. Vetëm se vras mendjen, kjo Parti kaq e madhe, kaq e fortë, kaq e zonja, pse s’më le mua në punë time e në halle të mia, xhanëm… Po qe se asaj i është mbushur mendja të mos më dojë, mirë bën, biles shumë mirë bën: po ç’i duhem unë asaj, ç’i hyn në punë një rrozhgo si puna ime, xhanëm… U tha njëherë kjo punë, dhe le të marrë udhë. I thoni o djem, asaj Partisë suaj, se Kavak Hysa, nuk mërzitet pse ajo nuk e do. As ai e ka dashur, dhe as ka për ta dashur partinë tuaj. Një Parti që i merr shpirtin robit dhe i thotë: Duam ore, duam pse ta mora shpirtin… S’ka bërë vaki gjer më sot o djem. Ja kështu thojani asaj Partisë suaj: Kavak Hysa pa tokën, pa ullinjtë dhe pa bagëtitë e veta është i vdekur, me dëshirë të vet s’e jep një majë gjilpëre, me dhunë mund t’ia merrini të gjitha, prandaj, as mos t’ju dhimbset nji copë litari, e as koqja e plumbit për nji plak të rrjedhur, që tashmë s’e ndreq as dreqi, e jo më Partia juaj… në sallën e gjyqit sundoi heshtja
-E marr vesh, ju me porosi të partisë s’më doni, – ia ktheu plaku me nji buzagas shpotitës – ç’kërkoni prej meje t’ju dua?!… Ja ore e vras mënden: Pse këtyre ju del punë me një plak tetëdhjetvjeçar!? Këtë s’a rrok mëndja… Po kjo tregon që s’jeni fort në rregull… Ju harroni se unë e kam ngrënë çairin, edhe në burg, s’jam si në shtëpinë time, po mirë do t’jem edhe atje! Do kem rreth plot burra si puna ime dhe jo lamashër… se lamashët ju duhen juve dhe i mbani vërdallë, se helbete… Vetëm ata që janë burra burra, – dhe plaku shtrëngoi grushtin, – s’i doni ju… se burrat e vërtetë s’u vijnë fort pas terezisë tuaj… Atje në burg, për aq ditë sa do më falë perëndia, do të jetoj edhe vetëm me frymë, me tym duhani dhe llafosje burrash! Ajo është tashmë shtëpia ime dhe e gjithë atyre që ju as i deshët e as i doni…
Trupi gjykues u ngrit i gjithi në këmbë dhe si një kor korbash nisi të ulërinte e të bërtiste… Fjala “armik”, e “kulak” derdhesh sa prej një gjyryku te tjetri me peshe gjirizi… Po Kavak Hysa s’e prishur terezinë… vazhdoi në të vetën pa harruar te buzëqeshte hidhtas…
-Prandaj mo u lodhni fare, as me dëshmitarë, as me armiq, as me pallavra lamashësh… Jo po kshu i thashë, jo po kshu më tha… Jo po ishte filani, jo po ishte fistëku… Më shumë se kaq sa po them m’u këtu në sy tuaj, s’kanë për të thënë dot ata hallexhinjtë e shkretë që ju ua shtrëngoni fytin me darë, dhe ua hiqni koromanen e kalamanjve… Ma jepni at racion, që u ka porositur ajo Partia tuaj, dhe biem rehat njiherë e mirë edhe ju edhe unë… Gjer më sot, s’u kam firmosur asgjë. Sot m’u këtu në gjyq po deshët ua firmos të tëra… Po ja ku po ua them… Ju s’e doni kët popull, veç i jepni llustër! Ua keni qorruar sytë dhe mëndjen… Kur ta kuptojë do të jetë vonë, e s’do ketë më as kohë të kthehet prapa… Mbylleni kët mesele, dhe merruni me të tjerë të shkretv si puna ime, se kështu e ka kjo punë… Juve ju shtyn një lanet më i madh, që është larg, dhe jo ligji… Po të jetë për ligj e drejtësi, unë jetoj njëqind vjet atje te arat dhe ullinjtë e mi, si kam jetuar gjer më sot… Pse kam parë vetëm punët dhe hallet e mia… Po ju s’të lini as të merresh me hallet e tua… Kjo është pikë e zezë. Prandaj ma jepni at kostumin që ma a prerë që ditën që hyri Partia tuaj, e le të bëhem dhëndër edhe njëherë në tetëdhjetë vjeç…
Salla e gjyqit qe zhytur në muzg të beftë dhe dukej sikur gjithçka qe mpirë… Edhe pse trupi gjykues gjeti forcë dhe egërsi përmes ulërimash të deklarojë nenet e agjitacion e propagandës për të vendosur njifarë qetësie… Asgjë s’ishte më bindëse as autoritare…
Mes nji solemniteti të frikshëm iu dha fjala prokurorit, i cili kërkoi dënim më të rëndë dhe trupi gjykues u mjaftua vetëm me formalitetin e daljes jashtë për marrjen e vendimit… Gjithçka kish humbur kuptim, edhe ajo egërsi barabare e atyre që ishin ngarkuar t’i shkonin deri në fund atij spektakli të pashijshëm që do të vazhdonte përsëritjet pafund…
Ndërsa lexohej vendimi, kryetari i trupit gjykues kërrusur i gjithi mbi letër, sikur të lexonte diçka që s’i përkiste atij, ndiqte në bisht të syrit Kavak Hysën që edhe pse ashtu i shkurtë buzqeshte tallshëm dhe shfaqej shumë më i lartë nga ç’ishte…
7 mars, 2012

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.