back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Njifarë poezie për nji krijesë të pupëlt – etyd nga Jozef Radi

Gazeta

Jozef Radi 2015
Jozef Radi 2015 

Njifarë poezie për nji krijesë të pupëlt

etyd nga Jozef Radi

Asht dimën në të dalë, dhe dimni i ktyne anëve, ku jam shfaq banor i rishtë, me sa lehtësi i futet kësaj bote të panjoftun, po aq vështirë del prej saj… Kam nisë m’u ndje përditë e ma tepër pjesë e këtij dimni, ndryshe prej krejt dimnave të mi të shumtë. Nji dimën kërcnues, i nji bote aq shumë të mendueme, po të zbulueme pak si vonë… (siç i ka ndodhë shumicës, ndër tana kohnat) Nji dimën lëbyrës që t’i merr sytë edhe mendjen e të zhytë n’at borën e vet e të shtyn m’u harrue n’të…
M’ka dalë gjumi herët, e jam ndalë në dritare tue kqyrë vëmendshëm diçka të përralltë të këtij dimni, ku mbrendë e jashtë janë dy botë që s’përputhen fort, e ku leksioni i kësaj stine të re mësohet ditë mbas dite, dhe të mjafton nji dimën ksisoji, me t’u dukë vedi si i hjedhun enkas këtyne hapsinave pafund, e ku dimnat e kujtimeve tua t’bahen si fushë me lule…
Asht ende mëngjes herët. Përballë shtratit m’asht nji dritare e madhe, fort e madhe, e due s’due, ma fut krejt pyllin mbrendë e ma rras edhe ndër tesha… Çohem, sillem, përsillem, mandej ndalem tue kqyrë jashtë at magji të bardhë e të ngrime të këtij dimni që s’don e s’don m’u zhgulë… Asht mugët, e shumçka të ndërdyshet. Befas sytë më bajnë sikur nji krijesë e pupëlt, ma shumë bisht se trup, ma shumë hije se gjà, flatron gjithkah ndër dega… M’duket krijesë e brishtë, sajue bore o ere, ndoshta edhe halash pishe… qi vallzon njashtu pa u ndalë nji sekondë para syve t’mi… Dhe unë e kqyri, e kqyri… e ai dridhet e spërdridhet degave të xhveshuna, e herë m’fanitet si gjethe e çmendun që ka mujtë me i pshtue ernave… Befas ndalet. Kqyr në njiqind drejtime njiherit, edhe veç kur: pup-pup-pup, kapet, hidhet, rrëshqet, flatron, bahet njish me lkurat e ashpra të pemve: mandej prap pup-pup-pup mbi borën e freskët si t’ishte nji pupël magjike. Kqyr i shqetësuem çdo gja, pse rreziku i ksaj krijese i vjen gjithkah, po si duket ma shumë prej s’nalti… Befas bubrron, kcen, kqyr, ndalet, gërmon e mshefë diçka: diku ndër gjeth n’nji skutë mbetë përtokë, o ndër do gurë, o edhe nën borë, mjaft i leviz gjymtyrët tue shpupurisë borë me mshefë diçka për nesër, për dikur, s’ka randsi, diçka që s’ia merr mendja askujt se çka mund të jetë, pa u shqetsue nëse mundet me e gjetë ndonjiherë njat sendin e mshehun…

Bore e mbetun neper trungje
Bore e mbetun neper trungje

Ndërkohë, edhe unë isha pjesë e atij vallzimi t’paimitueshëm. Ajo krijese shfaqazhdukse, diku delte e kqyrte, diku ngarendte e eterohej sa hap e mbyll sytë. Mandej prap e prap e prap… Pafundësisht e njajta gja, sikur donte m’i krijue atij të posadalunit prej mamurrsisë së gjumit, iluzione me aftësitë prej magjistari, o ndoshta e kishte vërejtë se ishte bash ai vëmendja e ndokujt, e dukej sikur rrekej me m’ndërdyshë… Jam n’andërr a zgjuet, dhe ai s’ishte veç nji fanepsje e përgjumjes sime… Kur ja: fap-fap-fap kcen, kacavjerret, rrëshqet, flatron trungjeve si shkulm ere. Ngjitet deri n’krandet ma të holla të degëve të kristalta…. pup-pup-pup ban do kcime magjike… dhe fiuuu n’nji fluturim t’hatashëm… edhe ti zemërngrimë pandeh mos ra ndokund njajo krijesë që mbahej edhe n’fije të penit, edhe n’halë të pishës, edhe n’rremb të gjethes. edhe n’flok të borës… Dukej sikur njato fluturime ajo krijesë e pupëlt, e gjitha bisht, i kishte krye veç me ma mbajtë zemrën pezull e me m’dishmue mu e krejt botës, se jeta s’asht asgja tjetër veç nji lodër n’teh t’rrezikut…!
Ndjehem i përhumbun tashma. Njat krijesë picrrake e nevrastenike e kqyri ngultas, me habi e buzqeshje, si nji fëmijë n’cirk. Ajo vazhdon m’u mshehë bukur mbas njatij bishti solemn, vazhdon m’u zhdukë e m’u shfaqë, e n’nji t’rrahun qepalle luen aq paqshëm e pirueton njashtu symbylltas… tue e ba dlirsinë e borës së fundit, mos me t’u dukë gja e vdekun e gjithpushtetshme; e tue i ba pemët e xhveshuna mos m’u ndje t’braktisuna gjethesh, e tue më ndërfutë n’jetën e fjetun t’atyne pyjeve t’pafund, lshon do nota muzikore, që jo gjithkush n’kët botë ngarendëse mundet m’i kapë e m’i ba t’vetat…
Para syve m’rrin e ngulitun kjo krijesë bishtbukur, njashtu e grimctë, puplore e spërdredhse, që s’i beson askujt dhe asgjaje, që mbas çdo lëvizje kqyr diku, dikah e gjithkah. Mbas çdo krisje t’lehtë gjethesh t’thame, ajo vallzon pup-pup-pup njimijë herë, ndalet m’nji stom të sigurt, i fërkon njato duer t’vocrra për turinjtë e mprehun, kqyrë edhe njiherë rrethas mos ndoj rrezik i paransyshëm der at’herë mundet m’ia kërcënue harenë… Kur ja prap… fap-fap-fap e si me magji u zhduk, aq sa t’ban me dyshue n’sy tu, mos ajo çka ti po përcjellë n’teh të shpirtit, në të zbardhun t’asaj dite t’re, s’ka ndodhë kurr’njiherë ma parë e askurrë s’ka me ndodhë mëngjeseve tua t’vogla, gozhdue para njasaj dritareje të madhe…
Befas e gjeta vedin të ngulun e ngurtun mbas xhamit, tretë mendsh pyjeve amerikane… Befas u shkunda veç me e kuptue vedin n’se jam, o mos njajo që ma ka shndritë ditën, asht diçka ma shumë se nji ketër…

25 mars 2015

Ketri...
Ketri…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.