back to top
1.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Mit’hat Araniti – Përkthimi i rrallë i “Fjalorit etimologjik të gjuhëve indoevropiane” nga Kolec Topalli

Gazeta

Mit'hat Araniti 1936
Mit’hat Araniti 1936

Mit’hat Araniti

Përkthimi i rrallë i “Fjalorit etimologjik të gjuhëve indoevropiane”

nga Kolec Topalli

Si qëndroi i pluhurosur prej dekadash
në Bibliotekën e Durrësit
vepra voluminoze prej 3 vëllimesh
përkthyer nga gjermanishtja nga Mit’hat Araniti

Prof. Kolec Topalli
Prof. Kolec Topalli

Para më shumë se 15 vjetësh, duke ndjekur botimet albanologjike në gjuhë të huaj, rashë në gjurmë të përkthimit të Fjalorit më të madh etimologjik të indoeuropianishtes, hartuar nga gjuhëtarët e shquar Alois Walde dhe Julius Pokorny. Përkthyesi i tij është intelektuali dhe miku i pandarë i letrave shqipe, përkthyesi i talentuar Mit’hat Araniti, emrin e të cilit e përkujtojmë sot me respekt të veçantë në 100-vjetorin e lindjes. Me të rënë në gjurmët e kësaj vepre, vrapova menjëherë në Durrës dhe e gjeta në bibliotekën e atij qyteti; sigurisht të pluhurosur, të harruar e të lënë mënjanë. Nuk di prej sa kohe dergjej atje kjo kryevepër e albanologjisë pa u kujtuar njeri as për veprën dhe aq më pak për përkthyesin e saj. Libri në fjalë, që përbëhet nga 3 vëllime, është nga më të vështirët. Përkthimi i tij nga gjermanishtja kërkon talent, njohje të mirë të dyja gjuhëve dhe kulturë të veçantë gjuhësore e jogjuhësore, cilësi që nuk i mungonin përkthyesit, i cili zotëronte 8 gjuhë të huaja.
Se sa të vështirë e ka pasur ai të shqipërojë këtë libër, mjafton t’ju kujtoj se kur kisha punuar me botimin origjinal para shumë vitesh në Bibliotekën Kombëtare, më janë dashur disa ditë punë që të kuptoja kodet e tij shkencore, mënyrën e zbërthimit të fjalëve, në një fjalor që përfshin gjuhët që nga lindja duke nisur me indishten e persishten e deri me gjuhët kelte në Irlandë; që nga Veriu me nordishten e vjetër në Islandë, Norvegji e Suedi e deri në Jug me greqishten e latinishten. E gjithë kjo punë, sa e gjerë aq edhe e vështirë, e bën këtë fjalor më të mirin në fushë të indoeuropianistikës, më të besueshmin nga ana shkencore dhe më të përdorshmin në studimet etimologjike, një vepër që mund ta përkthente vetëm një  personalitet i letrave me përgatitje të gjithanshme, jo vetëm nga ana gjuhësore, por edhe me horizonte shumë më të hapta, që lidhen me gjuhësinë dhe shtrihen në fusha të ndryshme të shkencës, të tilla si arkeologjia, etnografia, kultura materiale, folklori, letërsia etj. Dhe përkthyesi i kësaj vepre, që ishte arsimuar dhe edukuar në Austri, Itali e Kroaci, rrinte me ditë e me netë duke kuvenduar me Hahnin e Majerin, me Joklin e Krahen, me De Simonen e Prashnikerin, me Shuflajn e Shuhardtin duke dalë me mendjen e tij jashta qelisë së burgut për të hyrë në botën ilire, në vendbanimet mesape, në trojet etruske, në Europën e lashtë e në Ballkanin e trazuar, dhe nga këto vegime mund ta ketë shkëputur vetëm zëri i çjerrë i gardianit të burgut ose goditjet e çangës, që e thërrisin për apelin e përditshëm në kampin e internimit.
Përse u përkthye ky libër në gjuhën shqipe dhe përse nuk u botua asnjëherë?
Është histori e njohur. Menjëherë pasi morën pushtetin në dorë, komunistët iu vunë punës për të krijuar kulturën e re marksiste duke mohuar pjesërisht dhe duke transformuar rrënjësisht atë që ishte krijuar në shtetin e mëparshëm shqiptar dhe në vendet  perëndimore. U krijuan institute të reja shkencore, që do të mbusheshin me njerëz të rinj, besnikë të partisë-shtet, që në vend të diplomave të marra në ndonjë vend perëndimor, tundnin teserat e partisë.
Këta përbënin falangat komuniste, që do t’i çirrnin maskën kulturës borgjeze për të krijuar kulturën e re proletare. Për këtë qëllim ishte e domosdoshme që veprat e botuara në perëndim të përktheheshin, për t’u studiuar nga shkencëtarët e rinj të partisë, por të mos botoheshin, se çdo gjë perëndimore duhet të kalonte nëpër filtrin ideologjik të censurës komuniste. Për këtë qëllim u mobilizua një armatë të burgosurish politikë, që vuanin dënimin në burgje e kampe dhe të internuarish që dergjeshin në vende të  izoluara dhe jetonin e punonin në këneta e moçalishta. Këta libra të përkthyer do t’u viheshin në dispozicion shkencëtarëve të rinj, disa të përgatitur në vendet lindore me të cilët na lidhte një miqësi e ngushtë, disa në shkollat tona. E në këto përkthime duhej shënuar ku fillonte e ku mbaronte faqja e origjinalit, me qëllim që shkencëtarët e rinj ta shfrytëzonin e ta citonin veprën pa e pasë lexuar e pa e pasë prekur origjinalin. Kjo ishte metoda komuniste e të bërit shkencë. Me këtë shpjegohet që shumë vepra të përkthyera nga ish të burgosurit e të internuarit ishin vetëm për përdorim të brendshëm, monopol shkencor, por ato asnjëherë nuk e panë dritën e botimit. E megjithëse kjo vepër u përkthye në gjuhën shqipe, për vetë fushën e vështirë që përfaqësonte, nga sa kam ndjekur botimet albanologjike, asnjëherë nuk është përmendur a cituar nga gjuhëtarët shqiptarë, me një përjashtim të vetëm, të Eqrem Çabejt, i cila ka punuar me origjinalin e kësaj vepre, si njohës i mirë i gjermanishtes.
Fati i Mit’hat Aranitit nuk është i veçantë, përkundrazi, ai shënon një fenomen, duke përfaqësuar dramën e hidhur të intelektualëve shqiptarë gjatë 50 vjetëve të regjimit komunist. Ndërsa shumë prej pseudoshkencëtarëve mbushnin radhët e instituteve studimore, intelektualët e vërtetë, ata që kishin mbaruar studimet në shkollat perëndimore, mbylleshin në burgje ose në kampe internimi dhe në rastin më të mirë kryenin rolin e përkthyesve anonimë në kushte jashtëzakonisht të vështira. E ndodhte që në një fabrikë tullash a pranë një furre gëlqereje kishte më tepër kuvendime me Homerin, me Danten, me Petrarken, me Arioston, sesa në institucionet tona kulturore e shkencore. Dhe kjo gjendje ishte tipar i kohës, karakteristikë eregjimit totalitar. Prandaj Mit’hat Araniti nuk ishte i vetëm. Ai kishte përkrah një elitë përkthyesish, shkrimtarësh, poetësh e shkencëtarësh, që nuk u pajtuan kurrë me regjimin komunist, si: Mirash Ivanaj, Mihal Sherko, Lazër Radi e shumë të tjerë, me të cilët punoi, gjithnjë i heshtur, por gjithmonë i përkushtuar.

Ded Gjonmarkaj, i pari ulur në Kuç të Kurveleshit të Vlorës 1957, Skënder Qyteza, Nikoll Paluca, Ernest Dosti, Thabit Rusi. Në këmbë Lek Pervizi, Viktor Dosti, Mit'hat Araniti, Valentin Pervizi, Fatbardh Kupi, Tomorr Dine.
Ded Gjonmarkaj, i pari ulur në Kuç të Kurveleshit 1957,
Skënder Qyteza, Nikoll Paluca, Ernest Dosti, Thabit Rusi.
Në këmbë Lek Pervizi, Viktor Dosti, Mit’hat Araniti, Valentin Pervizi, Fatbardh Kupi, Tomorr Dine.

Pranë muzeve të Durrësit e Tiranës ndodhen mbi 250 tituj të dalë nga dora e tij, në vargun e të cilëve po lejohem të citoj vetëm disa: Russu: “Studime Ilirike”, Krahe: “Gjuha e ilirëve”, De Simone: “Gjuha mesapishte”, Krahe: “Fjalor i emrave personalë ilirë të vjetër”, Stipçeviç: “Ilirët, historia, jeta, kultura”, Mayer “Gjuha e ilirëve të vjetër” dhe “Fjalor i relikteve gjuhësore ilire”, Thalloczy “Kërkime iliro-shqiptare”, Schuchardt: “Europa e vjetër. Zhvillimi i kulturave dhe popujve të saj”, Papazoglu: “Onomastika dardane”, Rendiç-Miovçeviç: “Lashtësia e gjallë. Studime onomastike ilire”, Praschniker – Schober: “Fjalor etimologjik i indo-gjermanishtes” e shumë të tjera nga fusha të ndryshme të albanologjisë.
Dhe cili qe shpërblimi i gjithë kësaj pune?
I arrestuar bashkë me të jatin dhe të vëllanë në vitin 1944, disa ditë para të ashtuquajturit çlirim, ai qe ndër viktimat e para të terrorit komunist. Kaloi 10 vjet në burg, pastaj 7 vjet në internim dhe së fundi i dëbuar në vitet që i mbetën deri në vdekje. Fati i tij është i njëjtë, madje edhe më i rëndë se i shumë përkthyesve të talentuar, shkrimtarëve e poetëve, që nuk u pajtuan asnjëherë me regjimin totalitar komunist, që pranuan vuajtjet, burgun, internimet, por nuk u thyen dhe nuk e vunë pendën e tyre në shërbim të klikës rrenimtare.
Një fat i tillë ndoqi orientalistët e shquar, Mykerem Janina, Vexhi Buharaja e Tahir Dizdari, që të tre njohës shumë të mirë të gjuhëve perëndimore e lindore, të vjetra e të reja, filologë, përkthyes e transkriptues të shumë veprave me
vlera shkencore e letrare. Mykerem Janina u burgos dy herë gjatë jetës së tij me akuzën stereotipe “për agjitacion e propagandë”. Kaloi rreth 15 vjet në burgje e internime. Në burgimin e dytë ishte afër moshës 80 vjeçare.
Fat të tillë patën edhe helenistët, latinistët dhe përkthyesit e tjerë, faji i vetëm i të cilëve ishte se kishin studiuar në shkolla perëndimore dhe nuk pajtoheshin me diktaturën. Guljelm Deda, që Orlandon e çmendur të  Ludovico Ariostos e bëri të flasë shqip, kaloi një jetë të tërë në burgje e internime, ai që për 17 vjet punoi për të përkthyer 40 mijë vargje të rimuara në gjuhën shqipe. Dhe kur u lirua, për të nuk kishte punë tjetër veç të thyente gurë në malin e Taraboshit. Këtë fat pati edhe Mark Dema, përkthyesi i talentuar i “Eneidës” së Virgjilit, dhe Veniamin Dashi, përkthyes i shumë veprave me karakter albanologjik nga studiuesit gjermanë. Edhe këta të shpërblyer me shumë vite burg dhe me anonimatin e përjetshëm.
Fatin e hidhur të Mit’hat Aranitit pati edhe një tjetër përkthyes e njohës i thellë i letërsisë klasike, Gjon Shllaku, që shqipëroi “Iliadën” e Homerit, veprat e Eskilit, Sofokliut dhe Euripidit, “Gjeorgjiket” e Virgjilit dhe “Këngët e Rolandit” të eposit francez, por u shpërblye me burg disavjeçar. Nikollë Dakaj, përkthyes i talentuar, poet e kritik letrar, pasi kaloi disa vite në burgjet komuniste, u detyrua të fitonte bukën e gojës duke punuar në fabrikën e tullave, atje ku mes gropave të baltës mund të gjeje njerëzit më të kulturuar të kohës.

Kampi i Çermes - 1958 Në krye Lazër Radi, X, Mit'hat Araniti, Mojsi Miraka, X, X, Guljelm Deda, Tomorr Dine, Sulejman Hoxha, Jozef Radi, Ali Dema, Valentin Pervizi, Fatbardh Kupi, Dedë Markagjoni, Vitore Radi, Bajazit Kaloshi dhe Abdurrahman Kaloshi
Kampi i Çermes – 1958
Në krye Lazër Radi, X, Mit’hat Araniti, Mojsi Miraka, X, X,
Guljelm Deda, Tomorr Dine, Sulejman Hoxha, Jozef Radi, Ali Dema, Valentin Pervizi,
Fatbardh Kupi, Dedë Markagjoni, Vitore Radi, Bajazit Kaloshi dhe Abdurrahman Kaloshi

Këtë fat pati edhe klasiku i fundit i traditës së përkthimeve greko-latine, që u nda prej nesh para para pak kohe. Pashko Gjeçi përktheu rreth 40 mijë vargje nga gjuhët klasike e moderne, duke na dhënë në një shqipe të pasur “Odisenë” e Homerit, “Faustin” e Gëtes, “Hamletin” e Shekspirit, “Andromakën” e Rasinit, poezitë e Leopardit e të Karduçit, dhe mbi të gjitha trilogjinë “Komedia Hyjnore”, së cilës i kushtoi 20 vjet të jetës së tij. Dhe si shpërblim, u burgos që në vitet e para të vendosjes së diktaturës, duke vuajtur për disa vjet në burgjet e tmerrshme komuniste dhe në kampet e shfarosjes. Dhe shumë që hynë në këto burgje, nuk dolën të gjallë, por vdiqën burgjeve të Burrelit e të Spaçit, kënetave të Maliqit e të Bedenit ose në qelitë e errëta të sigurimit të shtetit.
Nëpër burgjet e diktaturës kaloi një pjesë të mirë të jetës edhe përkthyesi i talentuar në gjuhën frënge, Isuf Vrioni. Ai që bëri për vete edhe vetë francezët me përkthimet e tij në një frëngjishte elegante, kaloi 16 vjet në burgje e kampe shfarosëse, dhe kur doli s’andejmi, la në burg emrin e tij, që nuk mund të shënohej në asnjë libër, revistë a gazetë. Ishte i dënuar i përjetshëm edhe kur doli nga burgu i vogël në burgun e madh. Ai mbeti anonim deri në vitet ’90. Disa të tjerë, si Martin Camaj, Arshi Pipa e Sami Repishti tentuan me rrezik të jetës dhe fituan lirinë duke dalë në Perëndim, por emrat e tyre mbetën të panjohur për një gjysmë shekulli në Shqipërinë komuniste.
Përkrah këtyre korifejve të kulturës shqiptare qëndron edhe personaliteti i letrave shqipe, Mit’hat Araniti, që për rreth 40 vjet përktheu vepra voluminoze shkencore, fjalorë, studime të ndryshme të dijetarëve të hershëm e bashkëkohorë nga të gjitha gjuhët e huaja që zotëronte, duke krijuar një fond të çmuar në arkeologji, etnologji, numizmatikë, ilirilogji, etimologji, etj.

Mit'hat Araniti 1992
Mit’hat Araniti 1992

Kam pasur rastin një herë të vetme në jetën time të rri me këtë burrë të mendshëm e të urtë, atëherë kur pas një kalvari të gjatë e të stërmundimshëm u kthye posa gjallë në Tiranë në ditët e demokracisë, në një dhomë përdhese në Rrugën “Ali Demi”. Edhe sot i ruaj të gjalla tiparet e tij të patjetërsuara: fisnikërinë e shpirtit, kthjelltësinë e mendimit të pjekur, karakterin e fortë, vullnetin për punë e modestinë, dashurinë për njerëzit e dëshirën për të pasur drejtësi; cilësi që njeriu ua lë si trashëgimin më të vyer pasardhësve.
Këtu po e mbyll fjalën time me një dëshirë: në enciklopedinë e re shqiptare jokomuniste emri i Mit’hat Aranitit të zërë vendin që meriton, duke u përjetësuar edhe në emrin e një shkolle ose të një rruge në vendin ku ka kaluar pjesën më të madhe të jetës, se personalitete të tillë janë elita e kulturës sonë, janë nderi i kombit shqiptar.
Marre nga Rilindasi 15 prill 2012

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.