back to top
16.5 C
Tirana
E hënë, 18 Nëntor, 2024

Kryeministri sërish në Shkodër, 15 mars 2016…* nga Romeo Gurakuqi

Gazeta

Historiani Romeo Gurakuqi
Historiani Romeo Gurakuqi

Kryeministri sërish në Shkodër, 15 mars 2016…

nga Romeo Gurakuqi

Shkodra jashtë partive
është sot më e fortë se kurrë shpirtërisht,
e bindur se udhën e saj nuk mund t’ia orientojë,
Ai që s’di të ndryshojë nga pararendja,
por ai që di të ecë në udhën e Etërve të Mëdhenj
të mendimit politik, social, kulturor të kombit,
që për fat janë me shumicë nga ai vend.

Brenda 8 ditëve të muajit mars 2016, Kryemnistri i vendit, zoti Edi Rama, i shoqëruar me dhjetra e dhjetra forca policore, që monitoronin çdo kryqëzim të qytetit, ka kryer dy hyrje “triumfale”, në qytetin e Shkodrës.
Ai shkon në Shkodër, në qytetin me Bashkinë më të shtrirë gjeografikisht të Republikës së Shqipërisë, nga Rana e Hedhun në Bregun e Adriatikut, deri në Majën e Harapit në kufirin shtetëror, konfigurim bashkiak ky ndërtuar enkas kështu, për të grupuar këtë pjesë vitale të Shqipërisë tradicionale, për t’ia kornizuar përfaqësinë dhe për ta mbajtur nën kontroll një segment tradicionalisht opozitar ndaj Partisë që më 1981, për pak na mori në qafë një artist, ndërkohë që vriste pa pushim në kufirin shkodran dhe kampet e përqendrimit. Erdhi në Shkodër, ndërkohë që qeveria që ai drejton përmes agjencive dhe varësive të klientelës mazhoritare, ka derdhur respektivisht në këtë zonë, sipas të dhënave zyrtare të botuara nga Kryetarja e Bashkisë, zonja Voltana Ademi, respektivisht:
1.Fondet për Zhvillimin e rajoneve 2014-2015: Shkodra 1%, ndërkohë Vlora 18%, Fieri 11 %, Korça 9%, Durrësi 10%, Tirana 12 % etj.
2.Fondi i financimi për Shkodrën nga Komiteti i zhvillimit të rajoneve – mars 2016 vetëm 3 % ndërohë Fieri është 19%, Elbasani 16%, Korça 7%, Tirana 23 %, Berati 13 % etj. Erdhi dhe i vuri të gjithë në rresht në Pallatin e Sportit, ndërkohë që i rrethuar nga bodigardë të vëmendshëm, të kthyer me shpinë nga ai, Kryeministri hodhi një numër pa fund batutash “pa krypë” për qytetin e humorit dhe artistëve të mëdhenj dhe të pa kompromis me çdo regjim.

Fondi i financimi për Shkodrën nga Komiteti i zhvillimit të rajoneve
Fondi i financimi për Shkodrën nga Komiteti i zhvillimit të rajoneve

Për hir të së vërtetës, prisja të mbante fjalimin e dytë të mirë në Shkodër, si vijim analitik dhe llogaridhënës i fjalimit të së premtes së parafundit të qershorit 2013, por sërish nuk pata fatin të dëgjoj asgjë të tillë. Në fakt, kur sheh shifrat e lëvruara për Shkodrën, lehtësisht kupton që ai s’ka asgjë të thotë, pse ai s’ka bërë pothuajse asgjë. Ai nuk di që një pjesë e Shkodrës dhe e Malësisë është e pa rrugë hyrjeje për gjashtë muaj të vitit; Ai nuk di se për të rigjallëruar jetën në këto anë janë jetike ndërtimi i një rruge që lidh Komanin me Fierzën dhe qe në disa qoshka të saj të mundesohet hyrja në luginat malore ku jeta alpine po shkon fatëkqesisht drejt zeros dhe varfëria është kthyer në mesjetë; Ai nuk di se më parë do të duhej riasfaltuar rruga Shkodër-Koman, e duhej zgjeruar rruga Shkodër Velipojë dhe ndërtuar rruga nga Shëngjini në Pulaj; venia në funksionim e lejeve të lundrimit për turizëm në Liqenin e Shkodrës, ngritja e një porti lundrimi në liqen, zgjerimi i rrugës Shirokë-Zogaj; hapja e një pike kufitare në Zogaj; zgjerimi i rrugës Ura e Bunës-Muriqan, zgjerimi me 4 korsi e rrugës hyrëse Harku i Berdicës-Bushat nga Shkodra përmes një ure të re të vitit 2016 në Bahcallëk (shkoni deri në Podgoricë që të merrni një model, zoti Kryeministër, nëse studiot e përzgjedhura të qeverisë suaj nuk e kanë!); Ai nuk e di që rruga nga Prekali në Kir-Mali Shoshit-Ndreaj-Bregu i Lumit-Theth, është i domosdoshme, jo vetëm për banorët e këtyre anëve, por për gjithë Shqipërinë turistike; Ai nuk e di se për të rritur mirëqenien e njerëzve të këtyre anëve, janë të nevojshmë rigjallërimet i investimeve, të cilat nuk mund të vijnë pa vendosur në mënyrë të vërtetë rendin në thellësi dhe gjerësi, pa krijuar lehtësira fiskale, pa vendosur kontrollin e territorit dhe pa shkëputur lidhjet e padukshme të kësaj mazhorance me faktorët pengues të stabilitetit ligjor, social dhe ekonomik; ai nuk e di që Universiteti i Shkodrës nuk do të mbijetojë si qendër e arsimit dhe shkencës në qoftë se qeveria nuk ndërton një program të efektshëm riprogramimi, nuk e merr në kontroll të plotë të përkohshëm procesin e riciklimit të stafeve dhe nuk prokuron sjelljen e profesorëve nga jashtë dhe nuk u hap rrugën djelmve e vajzave të Shqipërisë që janë shkolluar në universitetet e vendeve të OECD; Ai duhet të kuptojë se qeverisja e tij ka sjellë një tkurrje të cilësisë së burimeve të vlefshme humane në këto anë, ka “trembur” shkodranët e rinj të rikthyer para 5 viteve, me idealizëm për t’i shërbyer vendit të tyre dhe për të rikompensuar mungesën 20 vjeçare të prindërve në atdhe; Ai nuk e din se xhepat e varfërisë në atë vend po atrofizojnë jetën normale, po grryejne ngadalë e në heshtje ligjin, të drejtën e qetësinë e qytetarëve; ai nuk kupton se me një pjesë të masave fiskale të tejkaluara nga logjika financiare, Ai ka rënduar gjendjen e biznesit të vogël; Ai nuk ka një plan orientimi për vendet e interesuar tradicionalisht për investime në Shkodër;
A e din Kryeministri që historikisht qeveria austriake ka paraqitur dhe vazhdon të paraqesë një interest të veçantë për Shkodrën, arsimin universitar, investimet në atë zonë?! Pse nuk ka asnjë sipërmarrje diplomatike në atë drejtim nga Ministria e Punëve të Jashtme?!
E megjithatë, Ai erdhi i qetë, sepse e di se askush nuk do i thotë asgjë; maksimumi do i kërkojnë përvujtënisht, të bëjë zgjedhje në Partinë e tij. E kush ka dashte me ditë ndonjëherë në Shkodër se si funksionon PPSH? Ajo është futur njëherë në gropën e shuarjes së gëlqeres së Taraboshit, për t’u përpirë së bashku me atë, dhe çdo ringritje e së majtës në atë zonë, mund të vijë vetëm e ndërtuar ndryshe, si demokraci e mirëfilltë sociale, e hapur ndaj ndryshimeve, jo persekutore dhe jo si kontinuitet familjar, fisnor dhe i ngurtësuar më 2 prill 1991 i PPSH.

Edi Rama dhe Bruno Shllaku 15 mars 2016
Edi Rama dhe Bruno Shllaku 15 mars 2016

Më duhet të saktësoj se PS në Shkodër e rilindur me 1991, është formue nga një numër djemsh e vajzash dinjitozë, tolerantë, bashkëpunues, konstruktivë, të cilët kanë gëzuar respektin e bashkëqytetarëve të tyre, për bindjet e tyre të majta, të respektueshme. Nuk gaboj të them se fryma që ato kanë mbartur ka qenë shumë më demokratike se e ajo që ka përcuar qendra e asaj partie në kohë.
Mirëpo, pavarësisht se shenja të tilla në Shkodër janë dhënë nga një brez i ri i formuar me kulturën e një shoqërie të hapur, që nuk pranon më marrëzitë politikë të së djathtës së ngurtësuar, për të dytën herë atij askush nuk i tha asgjë, askush nuk arriti t’i mbaje dy ose tre fjali njerëzish me shkollë në atë seli, askush nuk i paraqiti një tabelë të dhënash krahasuese; askush nuk i ekspozoi një tezë për zhvillim regjional, askush nuk e pyeti se si ka punue për kthimin e të shkolluarve nga jashtë. Askush nuk i përmendi mekanizmin e ndërlidhjeve vertikale komunikative, përmes të cilit zgjidhen punët qëndrore në Shkodër; Askush nuk guxoi t’i thoshte që në zgjedhjet e ardhshme, duam largimin e plotë dhe të pastër të njerëzve të fortë nga procesi zgjedhor dhe synojmë një konkurencë të ndershme me pozitën politike krhainore. Askush nuk i shpjegoi se kjo sjellje e kristalizueme dhe e përforcueme në undergound, është përkundër nevojave të krijimit të një demokracie moderne, e cila si rregull del përtej lidhjeve familjare dhe miqësore, përtej lidhjeve të padukshme dhe komandave paramilitare që mbysin lirinë.
Ai mund të kujtojë se po tallet me “delet” që është mësuar të komandojë në Partinë e tij në Tiranë, por do i duhet të kuptojë, brezi i ri i socialistëve shkodranë është një grupim dinjitoz, por që sot në turbullirë e përgjithshme të krijuar nga Kryeministri në Shqipëri, ai grupim hesht. Kryeministri duhet të kuptojë se Shkodra si bashkësi komunitare e marrë në tërësi e pa ndarje, të klasifikon, të analizon në germën e parë, në mimikën e parë të shformuar, të sfidon, sapo orvatesh të dalësh nga salla e mbyllur, edhe me heshtje, sapo nxjerr nga goja një fjalë të pamatur “barinjsh” të pastërvitur. Kjo sepse Shkodra nuk është ajo që mendon Ai; Shkodra mund t’i duket sot një qytet i boshatisur fizikisht nga rezistenca e fjalës, por ajo është një dukuri kryeisht brenda kufizës së organizatës së tij dhe e organizatave politike të kornizuara dhe kontrolluara.
Shkodra jashtë partive është sot më e fortë se kurrë shpirtërisht, e bindur se udhën e saj nuk mund t’ia orientojë, Ai që s’di të ndryshojë nga pararendja, por ai që di të ecë në udhën e Etërve të Mëdhenj të mendimit politik, social, kulturor të kombit, që për fat janë me shumicë nga ai vend.

Rruga e Dugajve te Reja
Rruga e Dugajve te Reja

Një brez i ri djelmsh dhe vajzsh të reja të emigracionit, shkodranë e malësorë, janë të gatshëm të vijnë e t’i shërbejne me kualitet vendlindjes, që i thërret sot për ndihmë dhe ringritje. Është diaspora shkodrane e cila sot sfidon ortën e urrejtjes, të përcmimit, të izolimit, të talljes me të ardhmen e një vendi, një populli dhe një kulture unitare avanguarde. Ajo sot ka fjalën e vet në mbështjeje të përforcimit të dinjitetit, përfaqësisë së kualifikueme dhe progresit në liri. Të gjitha këto me bëjnë të them që Kryeministri duhet të kthehet në Shkodër, por të vijë ndryshe dhe të mos ketë “frikë” të dëgjojë fjalen e lirë të Labiatisë. Mjaft më me inskenime propagandastike dhe fjalë.
(Marrë nga Faqja e Fb, 16 mars 2016)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.