back to top
0.5 C
Tirana
E hënë, 25 Nëntor, 2024

7 prilli i 1939 në ditarin e kujtimeve të Lazër Radit

Gazeta

Lazër Radi 1940
Lazër Radi 1940

7 prilli i 1939

në ditarin e kujtimeve të Lazër Radit

1 prill 1939
Me nji prill – më kujtohet si sot – ishte e shtunë. Shkova në Bar Dei, gjithnji me shpresë se mund të gjeja ndonji student shqiptar me marrë vesh gjana të reja për ngjarjet që po rrokulliseshin me shpejtësi n’Europë. Prej larg vuna re se në tavolinat e trotuarit të barit ishin vetëm dy vet: Komendator Baldacci dhe nji student nga Durrësi, nji Vangjel Sotiri. I përshëndeta dhe u ula në tavolinën e tyne.
-Bane mirë që erdhe se përndryshej do të çojsha me të thirr. Më tha Komendator Baldacci tuj më dorëzue nji zarf zyrtar, të mbyllun e të vulosun nga Kuestura e Romës. Dhe vazhdoi:
-Këtu ke nji biljetë udhëtimi për det për në Tripoli të Libisë. Nisja bahet nga Napoli, të mërkurën n’ora 17-të. Ti do të nisesh që këtej po atë ditë n’ora 7 dhe për dy-tri orë je në Napoli. Do të kesh kohë të qëndrosh disa orë: në qytet. Përveç  biletës ke edhe 1000 lireta për shpenzimet e rrugës me tren o për ndonji nevojë tjetër…
-A ka studentë të tjerë? – e pyeta.
-Nga Roma – më tha – je vetëm ti, të tjerët do të jenë nga Firence e nga Torino.
Nuk e mora vesh nëse ishte për mirë, apo ishte ndonji masë largimi, sepse banesën e kisha në rrugën “Venti Settembre”, rrugë në të cilën kalonte katër herë në ditë Mussolini. E sa për pushtimin e Shqipnisë prej ushtrisë italiane as në popull e as ndër studenta nuk fliste kërkush. Na vazhdojshim të ishim në errësinë të plotë. Njiherë që e pyeta Baldaccin më tha:
-Unë nuk kam ndigjue asgja, fjalë duhet të jenë… dhe nuk e zgjati ma tutje.
Hapa zarfin kishte vetëm nji biletë të shoqërisë “Tirrenia” dhe nji bankonotë 1000 lirëshe.
(Marrë nga libri “Në vorbullën e jetës universitare”)

E mërkure, 5 prill 1939 
Rruga nga Roma për në Napoli nuk qe edhe aq e mërzitëshme. Shumë herë udhëtimi bahej tërheqës edhe vetëm tuj ndjekun pamjet e natyrës nga dritarja e trenit. Në muzg, me nji valixhe të vogël në dorë, së bashku me Paolon, u futëm në njenën prej të tri urat e Motonaves “Augustus” që, në llojin e saj ishte ma e madhja e botës.
Simbas biletës kishim dhomën dhe shtratin e caktuem.

E enjte, 6 prill 1939
Mëngjesi i parë në anije. Udhëtimi kishte nisë, po ende s’kishim dalë në det të hapët. Larg, në nji gjysë mjegulle shiheshin konturet e qytëtit të Napolit, dhe krejt bregdeti i Kampanjës. Prej nga kuverta tash shifja vetëm qiellin dhe detin. Por… kishte diçka tjetër interesante në anije: ishte nji rini universitare nga të gjitha kombet e nga të  gjitha ngjyrat. I thashë Paulos se duhesh me u familjarizue me jetën në bordin e anijes. Aty, kishte çdo gja. Ishte si nji qytet modern, lëvizës. Bare kishte në çdo qoshe, tre restorante të mëdha, salla lojnash, poligone qitjeje, salla për vrapime me kuaj (artificialë), sallë kinemaje, theatër, kishë, bibliotekë, salla vallzimi të të gjitha kategorive. Aq e madhe ishte anija sa po të mos i jepje tjetrit pikëpjekje në nji vend të caktuem rrezikoheshe të mos e takoje tanë ditën, veçse në mbramje në dhomën  e  gjumit.
Pjesa ma e madhe e udhëtarëve ishin studentë nga Gjermania, Franca, Anglia, Amerika, Kanadaja, etj. Të gjithë vajza e djem, e shumica studentë.

Bersaglieri in Albania 1939
Bersaglieri in Albania 1939

E premte 7 prill 1939, 
E kisha harrue krejt se ajo ditë ishte e Premtja e Zezë. Së bashku me Paolon dhe nji franceze, që e njoftëm aty, do të shkonim tek “pista e gjahut”, nji vend ku gjujshim pulëbardha artificiale që hidheshin prej nji katapulte të vogël. Rruga kalonte përskaj Bibliotekës. Përgjegjësi që më pau nga dritarja doli dhe më tha të shkojsha te ai në orën 8, se kishte lajme interesante. Shikova orën kisha nji gjysë ore kohë. Blemë nga pesë fishekë dhe filluem “gjahun”. Paolon dhe francezen i lashë aty dhe unë shkova në bibliotekë. Mbërrita taman në kohë.
Lajmi i parë ishte “Zbarkimi në Shqipëri”. Ku tregohesh se në Durrës kishin hasë në rezistencë. Nga eksperienca e dija se në të gjithë “buletinët” e luftës kurrë nuk tregohet e vërteta. Ajo që më trondiste ishte pikërisht minimalizimi i ngjarjes. Reizistencë e pakët dhe asgjë! E dija se të gjitha Kodrat e Durrësit ishin me zgavra topash, pikrisht për të gjuajtun anijet që do ta tentonin mësymjen e qytetit. Nuk u ktheva fare tek “pista e gjuetisë”, por, bleva për herë të parë nji paketë cigare dhe nji shkrepse dhe u drejtova te kabina e fjetjes. Kështu e ndeza cigaren e parë. Mbas pak të dytën, të tretën dhe po tymosja rregullisht si të kisha pi duhanin tanë jetën. Nuk e di pse po më shijonte. Në kabinë sikur kishte ra nji mjegull verbuese. Ashtu i shtrimë në shpinë, me shtëllungat e reve të tymit përpiqesha ta shikoj me imagjinatë betejën navale që do t’ishte duke u zhvillue në Durrës. Hera herë më dukej sikur ndonji predhë e mortajës, lëshue prej ndonji kryqëzor, shkonte e binte m’u në mes të shpisë sime të brishtë në Rrugën e Pazarit. Çfarë gjendje e çuditshme shpirtnore m’u krijue në ato çaste. Mendimet sikur m’u zhdavaritën krejt. Erdh nji çast që  s’po mendoja asgja, as mirë e as keq. Desha vetmi, tym dhe duhan… Sa do të më vlente ta kisha afër vedit nji shok shqiptar që të qaja hallin me të dhe ai me mue!
Paolo ishte ba marak për mue! Mbas do kohe erdhi dhe më gjeti në kabinë. Ishte së bashku me francezen. Pasi ju tregova arsyen e mërzitjes sime, francezja më tha: “Mos u mërzit! Nga fashistët dhe nazistët mos pritni asgja të mirë, veçse luftë dhe shkatërrime…”

7 prill 1939
Ishte e Premtja e Zezë e 7 prillit.
Unë aty midis Mesdheut, ndërsa ndigjoja në radio Pushtimin e Shqipërisë, ia kisha nisë duhanit, për të parën herë në jetën teme. pa e ditë as vetë pse. Kështu e fillova at ves të shëmtuet e të kushtueshëm që do të më përcjellte me siguri për tanë jetën…

Në anijen “Augustus” drejt Libisë Prill 1939 Musine Kokalari ne qender me Liber Lazer Radi anash me te bardha.
Në anijen “Augustus” drejt Libisë Prill 1939
Musine Kokalari ne qender me Liber Lazer Radi anash me te bardha.

Prill 1939, në anijen Augustus me Musinenë
Me anijen Augustus, e cila udhëtonte nga porti i Napolit në atë të Tripolit prej datave 6 prill deri me 13 prill 1939, ndërkohë që kishte ndodhur pushtimi i Shqipërisë nga Italia Lazër Radi dhe Musinë Kokalari pa e ditur asnjëri ishin bashkë në të njejtën anije. Ata e morën vesh praninë e përbashkët vetëm nji ditë mbas pushtimit. Sigurisht largimi i tyre ishte bërë i qëllimtë dhe ata nuk mundën të shkëmbënin bashkë vetëm shikime dhe dëshpërim për atë që po ndodhte. Lazri i Ka ruajtur me kujdes tri foto të këtij udhëtimi në dy prej të cilave është edhe Musineja… Foto të rralla që paraqiten për herë të parë.
Në foto, Lazri është me pantallona të bardha dhe xhaketë të zezë, kurse Musineja, me nji pulovër të hedhur krahëve… Të dy si Musineja dhe Lazri patën ftesa të ngutshme nga Comendator Baldacci, për këtë udhëtim, për shkak se ata ishin studentët me mjaft influencë ne rrethet universitare, dhe mund të shkaktonin ndonjë trazirë në kryeqytetin italian… Për këtë, ata u ftuan në nji rreth intelektualësh (duken ne foto) edhe për të mos qenë midis studentëve shqiptarëve në ditët e pushtimit, po edhe për t’u ftuar në biseda ku flitej se ky pushtim ishte jo vetëm pasojë e nji situate ndërkombëtare, po edhe nji shans për Shqipëria, e cila mund të përfitonte prej kësaj situate…! Lazri e theksonte gjithnji faktin, se prej ditës së 7 prillit, aty në anijen Augustus, ai kishte provuar nji dëshpërim të madh dhe se prej asaj dite ai kish nisur ta pinte duhanin…

E martë, 11 prill 1939 
Qysh herët në mëngjes ndigjova radion. Lajmet italiane më revoltuen. Gjithçka në Shqipëri po u shkonte si në “vaj”. Buletinet lajmëronin se e gjithë Shqipnia ishte nënshtrue, se puna po vazhdonte rregullisht, se Parlamenti i “mehmurëve” qe mbledhë dhe po pregaditej për t’i dhurue Viktor Emanuelit “Kunorën e Skandërbeut…!”
Erdha në përfundimin se nji fatalitet i mbrapshtë i rregullonte punët e gjithësisë, dhe se Atdheu jem vuetjen nën shtypjen e të huejit e paska nji pjesë të qenies së vet. Politikanët në përgjithësi, po ata shqiptarë në veçanti, janë njerëz të pa skrupullt. Ata, s’e kanë për gja ta ndrrojnë flamurin dy herë në ditë. Po ata që i thurnin “Hossana” Mbretit të Shqiptarëve, dje, po ata sot po glorifikonin nji mbret të huej.
Më shqetësonte pyetja: “Unë kush jam? Unë çfarë jam? Çfarë kam unë në dorë?” Ma në fund i thashë vedit: “Lëni punët të ecin në rrugë të vet, ti as mund t’i ndryshosh asnji fije floku kësaj “meseleje” të madhe, ku po futet bota!”
Mora nji libër me vete, dhe shkova drejt e në kuvertë.
(Marrë nga libri “Në vorbullën e jetës universitare”)

E enjte 13 prill 1939 
Asgja interesante nga lajmet e radios.
Radiot e hueja as e përmendin fare, ndërsa agjensitë italiane e djallosën krejt. Telegrame urimi nga të katër anët! E pse? Sepse fashizmi italian pushtoi Shqipninë!! Eh, sa poshtë ka ra katundi. Si asht e mundun të arrijë njeriu në nji degjenerim të tillë? Vetëm duke e mendue nji gja të tillë po shkatërrohesha nga nervat. Ajo që ishte ma e çuditshme asht se përmenden emna të njoftun si atdhetarë qoftë mbrenda qoftë jashta Shqipnisë. Sido që të jetë, historia e ardhëshme ka me e ba punën  e vet dhe ka me i shoshitë njerzit.
Sot asht dita e dytë në Tripoli.
M’u duk nji nga ditët ma interesante, sepse simbas programit të organizatorëve të këtij udhëtimi do të shkojshim në nji oaze, në oazen ma të afërme të qytetit. Dëshira për të shkue në oaze ishte e përgjithëshme. Prandaj autobuzat shkojshin dhe vijshin. Këtë punë banë tanë ditën…
(Marrë nga libri “Në vorbullën e jetës universitare”)

E premte, 14 prill 1939 
Si gjithmonë  para se me u ngjitë në kuvertë ndigjoja lajmet e ditës.
Tashma rrjedhën e përgjithshme të ngjarjeve në Shqipëri e dija: Parlamenti shqiptar, njaj i Zogut, e kish vulosë pushtimin e Shqipnisë dhe po i dhuronte Kunorën e Skënderbeut Viktor Emanuelit të III-të.
Telegrame të neveritshme urimi vinin prej autoriteteve shqiptare, të cilat deri dje i njifshim si atdhetarë e njerëz të ndershëm…
(Marrë nga libri “Në vorbullën e jetës universitare”)

Në anijen “Augustus” drejt Libisë Prill 1939 Musine Kokalari ne qender me Liber Lazer Radi anash me te bardha.
Në anijen “Augustus” drejt Libisë Prill 1939
Musine Kokalari ne qender me liber Lazer Radi anash me te bardha.

E shtunë, 15 prill 1939 
Lajmet e sotme m’u dukën vërtet “skandaloze”.
Ishte nisë për në Itali nji delegacion i madh qeveritar për dorëzimin e Kunorës së Skanderbeut, Mbretit të Italisë. Ana ma e çuditshme e kësaj ceremonie ishte nisja për n’Itali e Gardës Mbretnore e përbame prej njëqind djelmoshash shqiptarë, të gjithë të veshun në kostume piktoreske shqiptare që do bajshin roje para “Quirinales”, Pallatit Mbretëror.
S’po e marrja vesh se ç’ka po ndodhte me kët Shqipninë  tonë…
(Marrë nga libri “Në vorbullën e jetës universitare”)

E dielë, 16 prill 1939 
Në radio po flitet pak o aspak për çeshtjen e Shqipnisë. Jepeshin vetëm sukseset dhe pritjet “triumfale” të ushtrisë nëpër qytetet e Shqipnisë!!! Sot asht e nanta ditë e pushtimit dhe nga bota asnji reagim. Si duket të gjithë pasakan qenë dakort! Mendoja se krejt bota e qytetnueme, shtypi i lirë, dhe radiot do të protestonin. Por hiç asgjë… Veç heshtje, si të ishin pajtue të gjithë me pushtimin e këtij vendi të vogël që s’i bante sherr askujt!!!
Në orët e vona të mbramjes, si për humor, Radio Roma lajmëronte se me 7 prill, ditën e pushtimit të Shqipnisë nga Italia Fashiste, kryeministri i Anglisë, Çamberlen kishte qenë tuj gjuejt peshk!! Në kët kohë sekretari i shtetit shkon me e njoftue për agresionin italian, dhe Çamberleni i pa turbulluem fare, si të mos kish ndodhë asgja, e porositi Ministrin e Jashtëm të fliste me za sa ma të ultë dhe të mënjanohej pak, mos ia trembte peshqit që po i aviteshin karremit…!!!
(Marrë nga libri “Në vorbullën e jetës universitare”)

E mërkurë, 19 prill 1939 
Ishte muzg kur po kalojshim Grykën a Ngushticën e Mesinës. Të dy krahët e bregut të detit, qoftë ai i Italisë, apo ai i Siçilisë dukeshin si të zhytuna në zjarr. Mija drita, shpesh herë edhe me ngjyra nga ma të ndryshmet, i jepnin qiellit nji pamje të përflakun me dy vatra zjarri që kishin nji zgjatje prej afro nji kilometri.
Ditën e udhëtimeve në det, pjesën ma të madhe e kalojsha në kabinë tuj plotësue ditarin, tuj ndigjue emisionet e lajmeve në radio dhe tuj lexue ndonji revistë të ilustrueme. Natën e fundit së bashku me Xhinon dhe me familjen Caravaggio vendosëm me bredhë nëpër anije. Vizituem të dy sallat e ballos. Meqë ishte edhe nata e fundit, njerzit kishin vendosë me e gdhi at natë. Të ndaheshin me sa ma shumë kujtime e sa ma shumë emocione. Nëpër cepa shifshim të rinj të përqafuem qi zhgreheshin në vaj… mbasi nesër do të ndaheshin…
Në fakt kjo shëtitje qe e bukur. Të gjithë u kënaqën si për gjanat e reja që pamë ashtu edhe për organizimin e përsosun. Edhe unë do ta kisha shijue shumë ma tepër kët udhëtim sikur të mos koincidonte me Pushtimin e Shqipnisë prej ushtrisë Italiane. Gjithë ato net kam qenë i shqetësuem. Nuk po më zinte gjumi. Zakonisht fleja pak orë, por ama bajsha nji gjumë të thellë. Mbramë nuk ndodhi ashtu! Vërtitesha në shtrat si mishi në hell. Tepër vonë, duket dikur u lodha, e ma në fund më kishte zanë gjumi. Por edhe ai gjumë njashtu copa copa, s’ishte as gjumë e as zgjim, diçka e papërcaktueme që s’e lën trupin të çlodhet e as t’i fitojë energjitë e humbuna, kurse mendimet ta len të turbullta e të mpime si të ishe i dehun me venë.
(Marrë nga libri “Në vorbullën e jetës universitare”)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.