back to top
9.5 C
Tirana
E enjte, 14 Nëntor, 2024

Ndrron Jetë Historiani dhe akademiku i njohur Zef Mirdita

Gazeta

Profesor Zef Mirdita (1936-2016)
Profesor Zef Mirdita (1936-2016)

Ndrron Jetë Historiani dhe akademiku i njohur

Zef Mirdita (13 mars 1936 – 4 prill 2016)

Ka ndrruar jetë akademik dje, me 4 prill 2016, në Zagreb, pas një sëmundjeje të rëndë, Akademik Zef Mirdita, njëri nga studiuesit më të mirë të lashtësisë sonë, historian dhe shkencëtar i përmasave evropiane dhe botërore. Me vargun e veprave shkencore dhe së fundi me veprën: “Krishtenizmi ndër shqiptarë…”, mbetet model në historiografinë shqiptare!
Takimi im i fundit me të ishte në Olten të Zvicrës, vitin e kaluar, më 25 prill 2015, në shtëpinë e Pjetër Gjergjajt, me ç ‘rast kemi kaluar një mbrëmje të paharrueshme e ku ishin prezentë edhe studiuesit Albert Ramaj dhe Zef Ahmeti sikundër dhe nikoqiri Pjetër Gjergjaj…
Dritë pastë profesori ynë i nderuar!
Isak Ahmeti

Prof. Zef Mirdita midis miqve dhe kolegeve
Prof. Zef Mirdita midis miqve dhe kolegeve

***

Historiani dhe akademiku i njohur, Zef Mirdita, ka vdekur sot në Zagreb, në moshën 80 vjeçare.
Mirdita, i lindur më 13 mars 1936 në qytetin e Prizrenit, do të mbahet mend si një shkencëtar i rrallë, historian i devotshëm dhe njeri i madh i letrave shqipe.
Vepra e fundit e Mirditës, monografia shkencore “Dardanët dhe Dardania në Antikë”, u promovua më 14 mars në Institutin kroat të Historisë.
Kjo është biografia e tij:
Studiuesi i njohur Zef Deda-Mirdita lindi me 13 mars 1936, në qytetin e Prizrenit në një familje me tradita patriotike dhe atdhetare. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje ku u dallua për rezultate të larta, ndërsa gjimnazin klasik e kreu në Ister. Studimet e larta i përfundoi në Fakultetin Teologjik të Zagrebit ku u diplomua në fushën e filozofisë me 8 korrik 1965.
Me 8 shkurt 1966, kthehet në vendlindje dhe emërohet profesor në gjimazin e Prizrenit ku jep lëndën e historisë dhe sociologjisë. Krahas punës në gjimnazin e Prizrenit jepte leksione për studentët e filozofisë në universitetin e Prishtinës rreth historisë dhe albanologjisë në shqip dhe serbisht.
Profesori ynë i njohur dallohej për korrektësi e siguri në paraqitjen e fakteve historike, njeri i përkushtuar ndaj studimit të vërtetave historike dhe rrënjeve historike dhe kulturore të trevës nga pati prejardhjen familja e tij, prandaj me 01. 01. 1967, emërohet në Fakultetin Filozofik të Prishtinës si asistent në degën e historisë së kohës së vjetër.
Puna dhe përpjekjet e tij kishin filluar të jepnin frytet e para. Tashmë ishte afirmuar si studiues i talentuar në fushën e albanologjisë dhe historisë, prandaj bashkëpunon me shumë organe shtypi në Jugosllavi, Kosovë dhe Shqipëri. Madje këto organe shtypi shërbyen si trampolinë për të kaluar tek botimet e tij serioze dhe të thella me karakter kombëtar. Në vitin 1968, paraqiti tezën e doktoraturës me temë: “Dardanët dhe Dardania në antike” që e mbrojti me sukses me 3 nëntor 1972, dhe me 20 prill 1973 i jepet titulli “Doktor i shkencave historike”, në Universitetin e Zagrebit.
Që nga ajo kohë shkallët e ngjitjes do të ishin të shpejta, pasi po atë vit i jepet titulli “docent” në fushën e historisë. Me 1978 – është asistent profesor, me 1983 – profesor ordinar i lëndës Historia e kohës së vjetër. Me 3 prill 1991 – është anëtare korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Rreth vitit 1993, – largohet nga Kosova për shkaqe politike dhe punësohet në Institutin e Historisë në Kroaci si këshilltar shkencor ku qëndroi rreth 4 vjet, pasi me 1997 – fillon punë në Fakultetin Pedagogjik të Universitetit të Osijekut, ku jep lëndën e historisë së kohës së vjetër-lindjen e lashtë.
Por karriera e tij e suksesshme në fushën e letrave vazhdon më tej. Nga viti 1980-1990, për 10 vjet ka qënë anëtar i Komitetit Nacional të Jugosllavisë për Ballkanologji, ka qënë anëtar i redaksisë kosovare për Enciklopedinë e Jugosllavisë ku ka dhënë një kontribut mjaft të vlefshëm.
Ndërkaq me 1973, ka vizituar Shqipërinë dhe ka marrë pjesë në një ekspeditë arkeologjike e cila i dha mundësi të njihte më mirë historinë e prejardhjes së kombit të tij. U specializua me 1974 në Katedën e Historisë së Kohës së Vjetër pranë Universitetit të Romës “La Sapienza”, më pas kreu dhe dy specializime të tjera po në këtë fushë në vitet 1976-77 në Heidelberg dhe 1991-92 në Mynih të Gjermanisë.
Kjo i dha mundësi të njihte më mirë rrënjët historike të Arbërisë në raport me ato të vendeve të tjera të Ballkanit dhe Evropës gjë që u reflektua në veprat e tij të botuara më vonë. Përveç veprimtarisë arsimore dhe shkencore, mori pjesë edhe në shumë kongrese shkencore ndërkombëtare në Beograd, Ankara, Bukuresht, Insbruk, Dubronik, Mostar, Palermo, Prishtinë, Sofje, Zare, Shtutgard, Zagreb. Është autor i gjashtë librave dhe rreth 100 studimeve shkencore të ligjëruara dhe botuara në organe dhe revista të ndryshme shkencore në Ballkan dhe Evropë.

Zef Mirdita - Studime Dardane
Zef Mirdita – Studime Dardane

Ka botuar këto libra shkencore:
1-“Studime dardane”, Prishtinë-1979,
2-“Antroponia e Dardanisë në kohën romake”, shqip-gjermanisht- Prishtinë 1981,
3-“Mitet dhe mitologjia në antike”, Prishtinë-1988,
4-“Historia e kishës në popullin shqiptar”Shkodër-1994,
5-“Krishtënizmi ndër shqiptarë”, Zagreb-1998,
6-“Religjioni dhe kultet e dardanëve dhe Dardanisë në antike”.
Ai është autor i mjaft shkrimeve me temë historike që zënë fill që nga periudhat antike deri në ditët tona. Ka një aktivitet shkencor befasues.
Ngulmues i palodhur dhe i thellë në mendime. Punon me kujdes me faktin dhe argumentin historik. Kjo vihet re edhe tek punimet e tij shkencore të botuara në mjaft organe shtypi dhe të vlerësuara maksimalisht nga specialistët e fushës së historisë. Disa prej tyre janë:
-“Ilirët dhe etnogjeneza e popullit shqiptar”, ”Seminari…” – Prishtinë nr. 1/1975, fq. 29,
-“Terminologjia biblike në përkthimin e Kristoforidhit”, ”Seminari…” – Prishtinë nr. 10/1985, fq. 119,
-“Elementet religjiozë në poezinë e Ndre Mjedës”, ”Seminari…” – Prishtinë nr. 12/1987 fq. 95,
-“Aspekte teologjike në veprën e Pjetër Bogdanit”, seria historike, – Prishtinë nr. 19/1989 fq. 85.
– “Katolicizmi dhe ortodoksia shqiptare” në BBF, Prishtinë nr. 20/1990,
-“Prejardhja e dardanëve”, në “Gjurmime Albanologjike” – Prishtinë nr. 4/1973 etj, përmes tyre ai ka treguar se argumenti shkencor për tezat e hedhura është i pamohueshëm.
Libri i tij voluminoz për dardanët në antikë, sapo u botua këto ditë nga Instituti Kroat i Historisë (2016), nën titullin “Dardanci i Dardanija u antici” (Dardanët dhe Dardania në antike)
https://www.voal.ch/nderron-jete-historiani-dhe-akademiku-zef-mirdita/ 4 prill 2016

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.