Krist Maloki
Kritik dhe polemist i shquem…
(Prizren, 8 prill 1900 – Graz, 24 Nëntor 1972)
nga Agim Morina
Shpëtimtari i Kombit”
në këtë pikëpamje (kulturore), duhej të kishte sot
një fantazi krijuese si Platoni;
një panzofi konstruktive, si Aristoteli;
një shpirt plastik si Periklei,
një entuziazëm djalërike si Alkibiadi,
një retori rrëmbyese si Demosteni,
dhe – para së gjithash – një vullnet vetëflijues si Sokrati.
Por kësi shpëtimtarësh të kombit nuk mbijnë aq lehtë në Shqipni e as tjetërkund,
sepse Zoti i dërgon ata vetëm nga një herë brenda qindra e mijëra vjetsh…”
Krist Maloki
Po e lejoj veten të bahem pak provincialist, por kjo, sot, më ka hije. Po e përkujtoj një shqiptar të madh, një prizrenas të madh, një i anashkaluem e pothuej i harruem, Krist Malokin!
Në një ditë si sot, rrafsh para 116 vjetësh Maloki lindi në Prizren. Si 12-vjeçar, tue qenë se ishte nxanës i dalluem, u dërgu në Grac të Austrisë ku mori dy doktorata, një në filozofinë pedagogjike (1927) dhe një tjetër në drejtësi (1934).
Qe profesor i rregullt i Akademisë Tregtare të qytetit të Gracit dhe profesor pranë këtij Universitet për Letërsinë Shqipe e Ballkanike. Më 1966, qeveria austriake i akordoi titullin Kryekëshilltar arsimor.
Vdiq me 24 nandor 1972, po në Grac të Austrisë.
Krist Maloki në letrat shqipe u ba i njohun si kritik letrar. Kritikat e tija ma të njohuna janë ato për Naim Frashërin, Lasgush Poradecin, Gjergj Fishtën, etj. Qysh para Luftës së Dytë Botërore Krist Maloki në Universitetin e Gracit të Austrisë hapi edhe lektoratin për gjuhë shqipe, ku ai ishte ligjëruesi i parë dhe i fundit i këtij lektorati.
Gjykimmprehtë, i pajisun me dituni të gjana e të thella, Krist Maloki, mbeti i harruem si shumë mendjendritun të tjerë që ishin kritikë të ashpër ndaj veseve të shqiptarëve (kujto këtu Faik Konicën, Branko Merxhanin, Vangjel Koçën, etj.).
Periudha e veprimtarisë së tij nis që me revistën “Dialëria” të shoqatës shqiptare “Albania” në Austri, dhe vazhdoi me revistat “Përpjekja” të B. Merxhanit, “Leka” e “Hylli i Dritës” etj. Kritika e Malokit në atë kohë tingëllonte shumë e rreptë, e ashpër, bile shpesh edhe nihiliste. Problemi asht që në këtë vijë ishte edhe Konica. Të dy këta kishin pasë një edukim e arsimim të shkëlqyeshëm perëndimor dhe zani i ashpër i tyne vinte nga një përpjekje e fortë e tyne për ta trandë trupin e mpakun të ndërgjegjes kombtare nga një vetëkënaqësi thellësisht provincialiste. Kritika malokiane e koniciane ishte kritikë që vinte nga një dritë shkëlqyese përëndimore. Kjo dritë, një kombi të sapodalun nga terri mesjetar, natyrisht ia vriste sytë. Në vend që ta kuptonin këtë gja – ashtu si ishte – si një alarm për një këndellje e zgjim të ngutshëm kulturor, ndodhi e kundërta: Maloki, Konica e ndonjë tjetër u anashkaluen, u lanë në heshtje me besimin se mund të zhyteshin në harresë!! Dhe kultura kombtare iu kthy gjumit anadollak, tash të trazuem edhe me opium ideologjik rus.
Qyteti i Prizrenit, tue qenë se ka shumë filozofë, shkencëtarë e dijetarë me nam, nobelistë të shumtë, nuk e sheh të arsyeshme me e përkujtue qysh e meriton ky njeri i madh të cilin austriakët dijtën me e çmu dhe nderu.
Disa sharlatanë, gjysagjela, nuk ia falën kurrë faktin që tha se Naim Frashëri “…nuk asht poet kombtar” dhe guxoi e bani edhe pyetjen: “A asht poet Lasgushi?” – sepse ishin mësu me thurë lavdata e me kriju ikona. Në këtë pazar ku “savantat dhe engjikllopedistat e kafehaneve – mbrenda e jasht Shqipnis! – e dijtun nga frika se mos po i rrëxohen nëpër frymën e re kolibat e veta mendore te vjetrueme…” kishin dëshirë veç për lavdata boshe dhe jo për kritika.
Prej kandvështrimit të sotëm a kishte të drejtë apo jo Krist Maloki me kritikat e tij?
Sa i përket Naim Frashërit, për nga trajtimi që i asht ba këtij poeti nga kritika letrare shqipe sepse ajo joshqipe as që asht marrë me të ndonjëherë, del që në masë të madhe Maloki kishte të drejtë. Argumentet për vlerën e veprës së Naimit sillen vazhdimisht rreth aspektit edukativ si kompensim për mungesë e cilësive estetike. Vepra e Naimit asht krejt e panjohun për opinionin publik ndërkombtar edhe sot. Pse qarqet që e ngritën kaq nalt për konsum mbrendashqiptar nuk mujtën me e bindë edhe kritikën letrare ndërkombtare për vlerat letrare të Naimit? Sepse ato thjesht mungojnë. Disa mëzina estetike janë të pranishme vetëm në një grusht poezish. E me një grusht poezish s’bahet kush poet kombtar! Por koha ka dëshmu që kur bahet fjalë për Lasgushin, Maloki, thjesht, nuk kishte të drejtë. Kritika letrare shqipe, sidomos ajo e Kosovës, e ka shkredhë veprën letrare të Lasgushit me gjithë madhështinë e saj. Dhe rrezatimi i veprës së Lasgushit tek ka nisë për shkak të rrethanave të pafavorshme të ish diktaturës kur u la në harresë të plotë.
Një copëz nga shkrimi i Krist Malokit “Ideja shqiptare” asht si me u pasë shkru sot, për ditë të sotit:
“Problemi shqiptar” kërkon një mendje të plotë dhe intuitive për me e kaptue nga të gjitha anët problematicitetin dhe brendshmeninë e tij, dhe kërkon një shpirt të flaktë e krijues për me i paraqitë idetë që vlojnë në të plot jetë e gjallësië. Nuk mjaftojnë, jo, disa thash-e-thana kafehanesh, apor do përshkrime skolastike e të bamuna klishe, apor do lëvdata të zbrazta albanofile, apor edhe do artikuj gazetash të përditshme me një vleftë efemere, jo, duhen traktate e libra, duhen krijesa artistike, që t’i tundin dhe t’i dridhin shpirtrat, duhen vepra trumbetonjëse që ta zgjojnë shpirtin e vërtetë shqiptar nga letargjija mijëvjeçare. Djelmnija e sotshme shqiptare s’ka gja në dorë nga këto të gjitha, dhe as s’mundet me pasë, sepse asaj i mungojnë materialet ma fillestare, ma paraprake për me i hy një pune me të vërtetë konstruktive. “Shpëtimtari i Kombit” në këtë pikëpamje (kulturore), duhej të kishte sot një fantazi krijuese si Platoni; një panzofi konstruktive, si Aristoteli; një shpirt plastik si Periklei, një entuziazëm djalërike si Alkibiadi, një retori rrëmbyese si Demosteni, dhe – para së gjithash – një vullnet vetëflijues si Sokrati. Por kësi shpëtimtarësh të kombit nuk mbijnë aq lehtë në Shqipni e as tjetërkund, sepse Zoti i dërgon ata vetëm nga një herë brenda qindra e mijëra vjetsh dhe, edhe atëherë (i dërgon) vetëm si një kurorëzim të një pune të gjatë kombëtare plot orvatje e mundime, apor si një lulëzim të shkëlqyeshëm mbi gjethe e gjëmba e ferra të një kopshti të kulturuem kombëtar…”
Vjollca
(Përkthim nga Goethe)
Kristë Maloki (botohet për herë të parë)
Zonjës Sybil M. Andoni
si shenj nderimi dhe adhurimi!
Nji vjollcë e mësheftë në livadh kish dalë,
Perkulë n’urti, prej Zotit falë,
Nji vjollcë për bukuri!
Kur qe po vjen nji blegtoreshë
Me hapa të letë e buzen qeshë
Tuj shkue, tuj shkue,
Nëpër livadh tuj këndue.
“Ah të jem” – thotë vjollca plot mallngjim
“Ma e bukra lule në rruzullim,
Ah vetëm nji grimë herë,
Sa të vjen e dashtna me më këputë letë
E me më shtrengue për zemër të vetë,
Ah vall, ah vall,
E të fishkem unë plot mall!”
Por ajo vajzë, ah, erdh e shkoj,
E të hijshmen vjollcë nuk e veshtroj,
E të shkreten vjollcë e shkeli…
U shtyp e vdiq e prap u gëzue:
“E në kjoft se vdes po vdes e shue
Prej sajë, prej sajë,
T’e bukra kambë e sajë!”