back to top
7.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Kur vdekja vjen në shkurt… nga Shpëtim Kelmendi – (Në kujtim të Frederikut të Madh të Poezisë)

Gazeta

Poeti Frederik Reshpja (1940-2006)
Poeti Frederik Reshpja (1940-2006)

Kur vdekja vjen në shkurt

nga Shpëtim Kelmendi

(Në kujtim të Frederikut të Madh të Poezisë)

Poetët e mëdhenj vdesin në muajin shkurt.
Poetët e mëdhenj vdesin në muajin shkurt si për të na e thadruar pashlyeshëm në kujtesë imazhin kalimtar të pranisë së tyre të shkurtër në këtë botë.
Poetët e mëdhenj rrojnë 66 vjeç.
Poetët e mëdhenj duken si të krisur, si të pabindur, si të sëmurë, si të pamarrë vesh, por në të vërtetë ata u binden saktësisht ca rregullave që vetë Zoti i ka mbruajtur enkas për ta.
Poetët e mëdhenj janë endacakë të paepur dhe atdheu i tyre është çdo cope dheu e këtij planeti.
Poetët e mëdhenj rrojnë fare mirë pa poezinë; nëse shkruajnë, kjo ndodh sepse është poezia ajo që s’rron dot pa ta.
Poetët e mëdhenj varrosen në heshtje, pa zhurmë, me një procesion të vogël njerëzish, pa fjalimet, pa lotët, pa dhimbjen dhe përloshjen e të gjallëve, pra pa patetizmat dhe gulshet emocionale, të cilat s’i kanë duruar dot as në gjallje.

Frederik Reshpja dhe Mark Simoni
Frederik Reshpja dhe Mark Simoni

Në varrimin e poetëve të mëdhenj gazetat nuk shkruajnë, por nëse shkruajnë, thonë gjëra që s’kanë lidhje thelbësore me poetin, por me punën e palodhshme të vdekjes. Në varrimin e poetëve të mëdhenj ka pak poetë të pranishëm, përveç ndonjerit që e ka kuptuar qysh në gjallje. Në varrimin  e poetëve të mëdhenj nuk është kurrë i pranishëm ndonjë përfaqësues qeverie, ndonjë zyrtar ministrie, ndonjë aradhë njerëzish që e mbajnë vetën për shkrimtarë e artistë që grahmojnë nën peshën e idealeve estetike.
Në varrimin e poetëve të mëdhenj përkulen plot nderim deri dhe qiparisat e heshtur të varrezës së Rrmajit, ku prehet pjesa më e ndritur e historisë, artit dhe kulturës shqiptare.
Në varrimin e poetëve të mëdhenj qielli është i vrenjtur dhe, po të kesh mëndjen, mund të dëgjosh gjithandej tingujt që lëshojnë trombat e argjendta të engjëjve që i prijnë kah pafajësia dhe pavdekësia.
Njoh vetëm një poet që i plotëson këto kushte.
Quhet Frederik Rreshpja. Lindi më 1940, për t’u shuar më 17 shkurt 2006, në vetmi, në mjerim të plotë dhe nën indiferencën e paskrupullt të kolegëve, të bashkëudhëtarëve në poezi dhe të shtetit, shtetit shqiptar i cili ka dhënë  prova se nuk di ta çmojë kulturën e aq më pak individët që i kushtojnë jetën asaj.
Fredi është shëmbulli më i saktë i njeriut që na provon se ç’do të thotët’i përkushtohesh artit me tërë shpirtin, e sidomos shembulli i njeriut që na dëshmon se poezia është forma më tragjike e artit.
“Jam i dënuar me pavdekësi”, thoshte në nji nga vargjet e shkruara ditë te fundit të jetës, prejse ishte bindur se vdekja nuk donte ta merrte, e kësisoj t’i siguronte shpëtimin nga tmerri i mbijetesës. Por njëkohësisht, ky është edhe një varg profetik, sepse parathoshte udhëtimin e tij të pasosur në historinë e poezisë.
Nëse dëshiroje t’i thoje Fredit diçka që as i interesonte fare, ishte shprehja “Ti je  poet i madh!”. Atij as s’i plaste fare për kësi lëvdatash. Këtë kompliment të madhërishëm, që e ëndërron çdo poet i kësaj toke, Fredi ishte kurdoherë i gatshëm ta këmbente me një teke raki, në rastin më fatlum me një Johny Walker. Unë që e kam njohur prej vitesh, nuk di asnjëherë ndonjë rast që Fredi të ketë pohuar se është  poet i madh. E as njoh ndonjë tjetër poet që të ketë dëgjuar prej tij ndonjë deklaratë të tillë. E pra, kjo është gjë pothuajse normale për çdo poet tjetër.
Por Fredi ishte Fredi.

Duke shkruar ne karrige... Frederik Reshpja
Duke shkruar ne karrige… Frederik Reshpja

Gjatë një periudhe që ka pasë banuar në shtëpinë time, mbrëmjeve më kërkonte fleta A4. Njëherë më kërkonte tre, ndonjëherë dy e në ndonjë rast tjetër katër ose pesë. Në secilën nga letrat shkruante nga një poezi. Tek e shihja të zhgarraviste me shkrimin e tij skandaloz, nën syzet me skelet të trashë që i vareshin në hundë, ndjehesha i bindur se ishte një zë i padukshëm që ia diktonte vargjet. Nuk mbaj mend t’i jetë rikthyer ndonjë poezie për ta ndërruar një fjalë për një tjetër, apo për të korrigjuar diçka. Fredi ishte pre e frymëzimit të lirë dhe vullkanik; ai zotëronte një mekanizëm poetik të shkëlqyer dhe të vetvetishëm. Edhe mënyra e tij e leximit të librave ishte e hatashme. Brënda një ore mbaronte punë me çdo libër, për të cilin mund të të fliste mandej për orë të tëra. Nuk e di si ia dilte mbanë, por di mirë se ishte kështu. Kur ishte në humor dhe e dëgjoje tek fliste, bindeshe se ky njeri nuk kishte kurrfarë lidhjeje me realitetin lëndor. Rrëfente ca gjëra që as mund të kishin ndodhur e as mund të kishin gjasa të ndodhnin ndonjëherë. I llahtarisur nga realiteti material, Fredi shtatvogël shpikte dhe sajonte një realitet të sublimuar nga imagjinata e tij inkandeshente. Vizatonte një realitet të jashtëzakonshëm, ku askush nuk mund të hynte përveç tij. Kjo ishte banesa e vetme që kishte. Dhe ndjehej i lirë. Dhe ndjehej i pavdekshëm.
Fredi i zotëronte të gjithë regjistrat e një gjeniu. Fredi ishte gjeni.
Latinët kanë një shprehje të mrekullueshme, që mund të perifrazohet pafundësisht: “Omnia mea mecum porto”1]. Kjo shprehje duhet të jetë sajuar që të përdorej për njerëz si Frederik Rreshpja, të cilët kohë më kohë kanë hyrë e kanë dalë nëpër portat e historisë. Sepse Fredi ishte edhe modeli i njeriut që gjithë ç’zotëronte, e mbartte me vete.
Fredi vdiq pa pasuri. Fredi ishte vetë pasuria. Fredi është pasuria jonë. Fredi është pasuria që tashmë e kemi, por që nuk e di nëse vërtetë e meritojmë.

Frederik Rreshpja qe s'e kuptuam kurre - Petrit Palushi
Frederik Rreshpja qe s’e kuptuam kurre – Petrit Palushi

1] Çdo gjë (të mirë) që kam, e mbart me vete – Sipas Ciceronit, këtë shprehje e ka thënë një nga Shtatë të Urtët,  Bianti i Prienit, shek. VI para Krishtit.
Marre nga www.pershkodren.com

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.