William Shakespeare (23 prill 1564 – 23 prill 1616)
400 Vjetori i Vdekjes
“Kjo botë u shthur! O prapësi, o dreq,
Që unë paskam lindur të të ndreq!”
Hamleti – William Shekspeare
Me 23 prill, një qytezë e vogël, në Stratford-mbi-Avon, vendosur në një zonë me pyje përreth, do të bëhet mikpritesja e dhjetra yjeve të teatrit e kinematografisë, që do të luajnë në skenë pasazhe nga veprat e pavdekshme të Dramaturgut të Madh.
Një nderim meritor për William Shekspaere, në përvjetorin e 400 të vdekjes së tij.
Dramaturgu më i famshëm britanik, (mbase dhe botëror), mbylli sytë me 23 prill 1616, në moshën 52 vjeçare në këtë qytezë, duke lënë pas mbi 40 pjesë teatrale dhe 154 sonete, duke filluar nga “Romeo dhe Zhulieta” tek “Makbethi”, e duke kaluar tek “Hamleti”, “Mbreti Lir”, “Endra e një nate vere”, “Nata e dymbëdhjetë”, “Otello”, “Henriku IV”, e sa e sa të tjera, që kanë hyrë në thesarin e trashëgimisë kulturore të njerëzimit.
Ceremoninë përkujtimore do ta drejtojë personalisht përfaqësuesi i Kurorës, vetë Princi Charles, në bashkëpunim me “Teatrin mbretëror britanik!”.
E titulluar “Shekspiri jeton!”, spektakli do të transmetohet direkt nga televizioni britanik dhe do të shihet në mbarë botën.
Ceremoniali parashikon edhe një paradë deri tek vari i tij në kishën e Shën Trinite, shoqëruar me vallzime, këngë, koncerte në qiell të hapur, me fishekzjarre, në rrugë e sheshe publike në mbarë vendin.
Si koincidencë fatlume, 23 prilli, për anglezët, është edhe Dita e Sainte George (Shën Gjergjit), që është edhe Festa Kombëtare e Anglisë. (klodi stralla)
Sonete të William Shekspeare-t
përkthyer nga Maksim Rakipaj
Soneti i 1
Urojmë për çdo të bukur krijesë
Mbettë përherë trëndafil me vesë,
Dhe para se t’i vijë koha të vdesë,
Burbuq’e tyre vazhdoftë kujtesën:
Ti, ke vetëm bukurinë në mëndje
Vetvehten djeg të ushqesh flakën tënde,
Uri mbjell, kur ke gjith’këto pasuri,
Ti, armiku yt, për tënden ëmbëlsi.
Tani që je si një lule e freskët,
E vetmja lajmëtare e pranverës,
Gonxhet e tua i mbyt në lulëzim,
Edhe koprace, dhe prish me shpërdorim.
Ki pak mëshirë, se nga kjo grykësi,
Të vdekur varri, të gjallë na ha ti.
Soneti i 20
Natyra të bëri fytyrën plot hir
Dhe zot e zonjë të pasionit tim;
Të dha shpirt të butë, jo si çdo femër,
Ka plot që kanë ligësi në zemër.
Ke sytë më të dlirë se të tjerat,
Ku hedh sytë ti, atje shtohen vlerat;
Si burr’i vërtetë vehten ke kujdes,
Burrave u vjedh syt’e gratë magjeps.
Me qënë femër Natyra të krijoi,
Ra në dashuri me ty dhe gaboi
Se qe femër, prandaj zgjodhi mua,
Më shtoi diçka, që të mos jem grua.
E di, sheh ty, kënaqet dhe një femër,
Ashtu qoftë, por jepma atë zemër.
Soneti i 35
Mos u brengos nëse bën ndonjë gabim:
Llom ka burimi, trëndafili gjëmba;
Nga eklips dhe re sterron dielli, hëna
M’e bukur burbuqe fsheh brenda një krimb.
Gaboj dhe vetë, si shumë të tjerë
Dhe aq shumë lypim ndjesë çdo herë,
Sa pranojmë të na shkelin me këmbë
Dhe për hiçgjë, hamë vehten me dhëmbë;
Sa herë ndodh kjo – dhe mbaje mirë mënd –
Do t’kesh avokat – vet’ kundërshtarin tënd
Si na ndodh gjithmonë përbrenda vetes
Në luftën mes dashuris’e urrejtjes:
Ndihmoj në mes të luftës, dua s’dua,
Vjedhësen e ëmbël, që më rrjep mua.
Soneti i 55
Mermer, shtatore princash të praruar
S’jetojnë më shumë se këto rreshta;
Më fort do t’ndritësh ti në këto vjersha
Se ato shtatore pluhurmbuluar.
As lufta që shkatërron e s’lë gjë në vend,
Pluhur e hi bën edhe gjithçka përfshin,
As shpata e Marsit, as zjarri i tij
Nuk mundin ta shuajnë kujtimin tënd.
Për inat të vdekjes, armikut harrim
Ti do të jesh gjithmonë, në përjetësi,
Brezat e ardhshëm do të t’kenë ndër sy
Deri kur të vijë i Fundmi Gjykim.
Deri sa të vijë fund’i orëve,
Këtu rro, dhe ndër sy të dashnorëve.
Soneti i 88
Kur të dalësh hapur dhe ti, më në fund,
Me përçmim të metat t’m’i nxjerrësh në shesh
Dhe unë si ti, flamurin tënd do t’tund,
Sado mirë e di, se do të gënjesh.
Veset e mija, që s’kanë të sosur,
Haptas do t’i them, do të të mbështes
Dhe fajet e fshehta ku jam njollosur,
Le të fitosh ti, paçka se më humbet.
Nga tërë kjo dhe unë mbase fitoj:
Kupton dhe ti sa shumë të dua,
Kur të shohësh kundër vetes ç’do t’sajoj,
Një herë gaz ti – dy herë për mua.
Yti jam i tëri, me trup, shpirt e mend,
S’ka gjë që s’përballoj, veç për hatrin tënd.
Soneti i 118
Ndonjëherë, për t’i hapur vetes oreks
Fusim në gojë edhe speca djegse
Siç mbrohemi nga sëmundje që s’dimë,
Sëmuremi edhe me ilaçet që pimë:
Unë, velur nga jotja ëmbëlsirë,
Thashë të provoj edhe hidhësinë;
Ngopur me të mira, m’u duk si lojë
Të sëmurem kot, pa patur nevojë.
Në dashuri të parandalosh, për dreq,
Sëmundje që s’janë, sëmuresh vërtet
Dhe të pish ilaçe kot, është sikur
Helme të pijë kush kujt i duhet kurë;
Dhe unë mora mësimin që duhet,
S’paska shërim, me ty po u sëmure.
Soneti i 130
Syt’e mikes nuk janë si dielli;
Se buz’e saj m’i kuq është korali
S’ka gjinj të bardhë si dëborë mali
T’ishin flokët tel, ka lëmsh të zi teli.
Shoh trëndafil’ të kadifenjtë çdo maj,
Të kuq, të bardhë, te faq’e saj s’i gjen:
Nga ca parfume m’e mirë erë vjen
Se sa kundërmim’i firomës së saj.
Më pëlqen zërin t’ja dëgjoj, po bëj bé
Më t’ëmbla janë të tjera melodi;
S’kam parë vërtet, si ecën një hyjni;
Kur shoh miken time, thjesht sa shkel mbi dhé:
Veç më të bukur s’ka, ja, për atë Zot!
Tjetër s’i afrohet, sa mundohet kot.
Soneti i 150
Nga vjen fuqia jote që më sundon
Dhe bën t’më dridhet zemër e shkretë?
Se ç’shoh me sy, s’besoj ësht’e vërtetë,
E them, s’është drita që ditën zbukuron?
Ti e prek shëmtinë dhe e zbukuron,
Dhe vetë ti, kur bën gjë të shëmtuar
Me kaq hijeshi, sa ngjan zbukuruar,
Ç’ke ti të keqe, së mirës ja kalon.
Ç’më punon ti mua dhe un’ s’e kuptoj
Pse kaq të dua kur duhet të t’urrej,
Çka urrejnë tjerët veç unë pëlqej,
Veç neveritjen tënde dot s’e duroj.
Kur kaq shumë të dua, me ç’më punon ti,
Them se meritoj, më tepër dashuri.
Rreth përkthimit tim të Soneteve të Shakespeare-t
nga Maksim Rakipaj
William Shekspeare krahas dramave, tragjedive dhe komedive të famshme, shkroi edhe 154 sonete.
Pak arithmetikë poetike mbi sonetet e Shekspeare:
Sonetet janë 11 rroksha, dhe nji sonet ka 14 vargje (4-4-3-3) pra 11×14= 154. Me këtë ai zgjidh misterin pse shkroi 154 sonete…!! edhe pse nganjëherë… duke rënë në përsëritje të mërzitshme?
Unë kam përzgjedhur të shqipëroj 100 sonete të tij, duke evituar me aq sa munda përsëritjet,
ndërkohë kam vërejtur se përkthimet e soneteve në italisht, sado të kryera nga pena të shquara, janë gjithsesi të dobta, herë herë s’janë përkthyer as si sonete, e nganjëherë edhe gabim… krejt ndryshe nga përkthimet gjermane, franceze apo ruse.
Në shqip krahas Vedat Kokonës, Napoleon Tases, Mihal Hanxharit, Kristaq Trajës e ndonji tjetri, janë sjellë edhe prej meje. Nga sjelljet në shqip më kanë pëlqyer vetëm përkthimet e ndonjërit prej tyre, gjë e cila më shtyu edhe mua t’i provohem kësaj vështërsie…
Sonete (rreth 46) ka përkthyer edhe Mihal Hanxhari, me parathanie mjaft nxitëse nga Visar Zhiti!
Soneti klasik, ndërtohet kryesisht me rima ABBA, kurse Shakespeare në shumicën e rasteve në origjinal ka përdorur rimat ABAB. Unë i kam shqipëruar si kam mundur… herë ABAB; herë AABB e herë ABBA…
I sjell me kënaqësi këto sonete, në 400 Vjetorin e Vdekjes së një të Pavdekshmi!”
23 prill 2016