back to top
6.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Ledia Dushi – Nji enfant terrible i poezisë shqipe… nga Gjergj Jozef Kola

Gazeta

Poetja Ledia Dushi
Poetja Ledia Dushi

Ledia Dushi – Nji enfant terrible i poezisë shqipe…

nga Gjergj Jozef Kola

Ledia Dushi, ishte krejt e re, si gonxhe, si vetë demokracia e sapoardhun shqiptare, kur e ndesha për t’parën herë në fillimvitet ’90, diku te shatervani para bashkisë së Shkodrës.
Me nji fletore në dorë, ajo erdhi e u përplas në egzistencën time poetike për me mbet gjithnjë e shpërndame si ylber: “Unë jam 14 vjeçe”, më tha tanë krenari poetike. Hapa fletoren me poezi në sytë e saj dhe lexova 4 rreshta, të cilat mbetën për gjithnji të gdhendun në kujtesën time. Këto rreshta ishin si nji çilës që i hapen asaj rrugët në letrat shqipe.

Përmbi ne, në pallat jetojnë njerëz me halle;
poshtë nesh në pallat jetojnë njerëz me halle
Ndërsa tek na jetojnë hallet e njerzve.

Wow! Kisha ndeshë nji 14 vjeçe që shkruente për hallet e njerzve në nji kohë që bashkmoshatarët andrronin kukullat dhe dhuratat me ngjyra. N’ato ditë fillonte edhe konkursi i parë i poezisë për rininë, i organizuem nga gazeta e bashkisë demokratike, Shkodra, ku unë pwr disa numra isha redaktor dhe me kët rast e ftova të sillte disa poezi. Ndërkohe pata rastin me u njoftë edhe me familjen saj të mrekullueshme dhe nuk pritova me krijue mozaikun e Dushajve. “Nga dashunia e nji qytetarit katolik shkodran me nji qytetare ortodokse tiranase, lindi nji vajzë agnostike par excellence e poezisë shqipe” – ishte kjo eskpozeja ime ne dy rreshta. I jati, Aleks Dushi, profesor matematike mbetet për mue “Njeriu me erudicionin ma të madh në letrat shqipe”. Ndërsa e ama e saj, përkthyesja e talentueme Manda Dushi, nji nga njohëset ma të apasionume të letrave ruse. Franci, vëllai i vogël asht sot regjizor apasional dhe piktor i talentuem, gjithnji në kërkim të modernes.
Në at konkurs Ledia Dushi fitoi çmimin e parë të padiskutueshëm, tuj marrë maksimumin e vlerësimit nga Juria, megjithse ishte ma e vogla në moshe. Qysh prej asaj dite e kam takue shpesh në “pjacën shkodrane” ku ajo nxanëse e gjimnazit të gjuhëve të hueja shkonte e vinte bashkë me kushrinën time, Nanda Ashta, mike të pandame, e më lëshonte nga nji poezi në dorë. Ndërkohë, Ledia – kjo agnostike e pafjalë nxorri “Ave Maria bahet lot” nji vëllim poetik në gegnishte shembullore dhe me nji elegancë të mrekullueshme tuj e ngritë atë në olimpin e letrave shqipe. Ky vëllim i dha asaj çmimin “Penda e artë” tuj i ba të turfullojnë eunukët e Lidhjes në Tiranë, që mbronin standartin e Kostallarit. Me të mbarue universitetin e Shkodrës për gjuhë-letërsi, megjithse ajo flet ma shumë gjuhë të hueja se gjithë fakulteti i universitet, nuk e mbajnë aty, porse ja gjejnë “rrfanen” dhe ja mbyllin dyert. Falë bashkisë demokratike të qytetit të Shkodrës asaj i besohet kultura në qytet dhe nji aktivitet i tillë ja mbush jetën me experiencë e gjallni. Ndërkohë vazhdon me shkrue poezi dhe i rrin besnike linjës së saj origjinale, njashtu si Mozarti marsheve të tij të gzueshme. Del në dritë mbas shumë mundimesh vëllimi i dytë : “Séance dimnash”, ku pjekunia e stilit dhe thellësia e ndjenjës arrijnë maja të pakapshme deri me sot në brezin e ri të poeteshave. Jeta ja zbukuron shpirtin e saj poetik duke i ba dhuratë poezinë ma të bukur që ajo ka nxjerrë deri me tash në dritë: Olimbian, vajzën e saj të mrekullueshme, tironsen që flet gegnishten e pastër shqipe.
Ledia jeton aktualisht në Tiranë, si shumë shkodranë të cilëve Shkodra nuk ju dha nderimin e duhun, me shpresë se nji ditë Shqipnia ka me u kujtue tek ajo, padyshim talenti ma i jashtzakonshëm vajznuer i poezisë shqipe.

Ledia Dushi ne kostum popullor shkodre
Ledia Dushi ne kostum popullor shkodre

Dy Poezi nga Ledia Dushi

***

ndjej nji si aromë lulesh t’pikueme ujnash e m’therin për dekë
tjetër s’lypi veç me mujt me pa si ka me m’kullue
trupi kujtesë e sende t’heshtuna
ushqye n’gjak e n’dritë mbyllun sa pak nën lëkurë
sa fort nën lëkurë me emna e t’paemna
tinguj që n’fyt m`vijnë e dalin pa pra
andej kah kanë ardhë s’i duhet gojë me dalë
veç kohë t’shtyeme tashma që bajnë vend
nëpër mue e m’grishin për me i thirrë e me i ulë
diku mes mendes zemrës territ me ditë me heshtë
e me lutë asgjanë sa për pak pa mend pa zemër pa terr
me u bartë n’atë t’imtë kohe sa për tana kohët me lutë asgjanë sa për pak
me dalun vedit zemret territ nji peme t’plasun
me kambë t’pshtjelluna çudë e pa kurrnji kohë n’duer as n’mend
15.03.2010

***

bijnё e bijnё e vdesin sytё e natyrёs me vajin e sendeve tё shkrueme pёr me vdekё
duel Shpirtit t’vet Shejtani e ka me i ndёrrue ngjyrat a frymen qё i shtyn lulet pёr kah era
a prania e heshtun e Zotave qё s’janё grue asnji Zot s’asht grue
e Zeza asht grue e Zeza dhe e Zbrazёta janё grue qё lshohet nёn diell
pёr lule e ndjell helme e vetё i hedh n’fyt me i provue me duer t’hapuna
pёr me i lanё lulet me u rrёzue e gojё zangatёrrueme herё e bardhё
herё e errёt herё flokёzhgulun e lёkurёçjerrun malit me i hy territ n’fyt e n’sy
sot janё tana ditёt nesёr kurrgja s’ka janё tana fjalёt e nёse i nxjerr zhduken
nё maje t’kresё e kam ditё gjithnji rrin nji pemё qё kalbet e kalbet kah nji fije kah
nji fije kah nji fije
e nёse je mbrenda don me u shtri n’bar e nёse je ndёr ujna don me u ndeshё
me Zotat qё t’i marrin sytё e t’i lshojnё pa hije ndёr gurё a n’ndoj manastir
duel gojёs s’vet Shejtani mbi nji grue cullak pёrmbys t’dёnuem
me vdekё a t’shlirueme me u djegё
tash s’kam diell as det veç peshёn e trupit tem qё digjet
e m’ban me u ndje e çmendun kinse prej mallit
14 Nandor 2011

(Poezitë i përzgjodhi: Jozef Radi)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.