back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Myzafer Pipa dhe koha kur ai jetoi e vdiq nga Ahmet Bushati

Gazeta

Myzafer Pipa (1914-1946)
Myzafer Pipa (1914-1946)

Myzafer Pipa dhe koha kur ai jetoi e vdiq

nga Ahmet Bushati

Në kohën që sapo donte me u hapë “Gjyqi Special” në kinema “Kosova” në Tiranë, 1 mars 1945, kush tjetër në Shqipni, si Myzafer Pipa, do të guxonte që me za të naltë t’i drejtohej trupit gjykues të atij gjyqi special me pyetjen e tij të famshme: “Si asht e mundun zotnij, që një trup gjykues, i cili për kryetar ka një ish-“teneqexhi” – ishte fjala për Koçi Xoxen – e për prokuror një ish-“kafexhi” – për Bedri Spahiun – të mundet sot me gjykue elitën e kulturës shqiptare? Pyetje kjo që në atë kohë do të bante përshtypje të madhe e që përmes Radio Tiranës e gazetës “Zëri i Popullit” do të përhapej me bujë kudo nëpër Shqipni e që si e tillë, bashkë me emnin e Myzafer Pipës të futun në histori qysh me atë rast, “gojë më gojë” e nga brezi në brez, jehona e saj, me vlerën e një shprehjeje lapidare e të një paralajmërimi të bamë në kohë për çfarë po e priste Shqipninë mbas ma shumë se 5 vjet lufte e gjaku të derdhun për liri e jo për diktaturë, do të mbërrinte deri në ditët e demokracisë. Edhe për kaq sa guxoi e foli Myzafer Pipa, në atë kohë me pasoja të rrezikshme, duhej të ishte e mjaftueshme që Shkodra ta shpallte, siç po e shpall sot, Qytetar Nderi të saj. Është me rëndësi të tregohet se kjo protestë e Myzafer Pipës e ky paralajmërim i tij, bahej në një kohë kur kudo në Shqipni kishte filluar të shtrinte hijen e saj të zezë një klimë e randë frike dhe terrori, si pasojë e “gjuetisë”, jo aq shumë ndaj ndonjë bashkëpunëtori të ish-pushtuesit sesa ndaj nacionalistëve, për rrezikun që ata do të paraqitnin për Shqipërinë e projektueme qysh me kohë nën tutelën e komunistëve të njohun jugosllavë. Për ilustrim, mjafton të tregohet se si në Tiranë, ndër ato ditë të para mbas të ashtuquejtunit “çlirim”, gjatë disa netëve me radhë do të rrëmbeheshin nga shtëpitë e tyne me dhjetëra nacionalistë të njohun, shumë prej të cilëve ish-ushtarakë e të vriteshin pa gjyq skutave e përroskave të periferisë së Tiranës. Për Myzafer Pipën, sikurse edhe për Arshiun, vëllai i tij ma i vogël, nuk mund të flitet pa provue në vetvete një emocion tronditës, që në një rast të tillë të shkakton fati i dhimbshëm i jetëve të tyne aq të mundueme e aq të vrame prej komunizmit. Si njeni, ashtu edhe tjetri, kishin kenë rritë edhe eduku në gji të një ambienti të ngrohtë familjar e shoqnor, me frymëzim patriotik e kulturor, si edhe me andrrat ma t’bukura për një t’ardhme të tyne të shkëlqyeshme, të cilën dita-ditës ata po e përgatitnin me zell e përkushtim të madh. Psikologjia e tyne, sikurse edhe shijet letrare, e sidomos idealet e tyne shoqnore e kombëtare do të ishin të kohës, kur ata po rriteshin.

Revista Fryma e Myzafer Pipes
Revista Fryma e Myzafer Pipes

Edhe pse disi të ndryshëm n’mes tyne si temperamente, për nga karakteri, si njeni, ashtu edhe tjetri, do të ishin stoikë deri në fund, sikurse njëlloj do të ishin për nga instinkti dhe bindja edhe për idetë demokratike, ide që n’atë kohë kishin pushtue mendjet dhe zemrat e tanë një rinie të shkollueme shqiptare. Për vëllezërit Pipa mund të thuhet pa frikë se, s’paku në Shkodër do të shëmbëllenin si sinteza ma e arritun e një rinie atdhetare e me prirje kulture të kohës së tyne, përfshirë edhe ne, brezi mbas tyne. Ndryshe prej Myzaferit jetëshkurtër, jeta e Arshiut, ndonëse relativisht e gjatë, do të ishte e ngarkueme me vuajtje dhe brenga të mëdha, e sidomos me një nostalgji, në të cilën Myzaferi i vdekun do të ishte plaga e tij e hapun përgjithnjë.
Myzafer Pipa asht quajtë si njeriu që me radhë pat kundërshtue tri diktatura, mes të cilave atë komuniste, e cila, shumë ma e ashpër se dy të tjerat, fashiste e naziste para saj, do t’i merrte edhe jetën, kur s’ishte veç një djalë 31 vjeç. Që Myzafer Pipa të shfaqej në të gjitha përmasat e personalitetit të tij si njeri, qytetar e patriot e që si i tillë të njihej nga “i madh e i vogël” në Shkodër, duhej pritë qershori i vitit 1945, koha kur edhe në Shkodër do të hapeshin “gjyqet e popullit”, ku Myzafer Pipa, me zotësi të dukshme profesionale e me një kurajë të pashembullt civile, do të mbronte shumë viktima të pafajshme, për t’u ba shumë shpejt edhe protagonist i atyne gjyqeve.
Duke mos e pa me vend zgjatjen me ngjarje të shumta tronditëse që kishin ndodhë në Shkodër deri në hapjen e atyne ‘gjyqeve të popullit”, theksojmë se hapjes së tyne do t’i paraprinte një propagandë intensive e me nota të forta revolucionare, ku rol të veçantë do të luanin Radio Shkodra, që për ato gjyqe s’do të pushonte ditë e natë, e si ajo edhe gazeta “Koha e Re” e Shkodrës me artikujt e saj rutinë, me qëllim që së bashku të krijonin atë atmosferë të randë e psikozë frike në popull, për çka kishin nevojë ato gjyqe famëkëqij.
Myzafer Pipa ndër ato gjyqe jo vetëm që do të mbronte me vendosmëri dhe pa lëkundje qytetarë të njohur ose jo prej tij, por ai ndërkohë po me aq dëshirë e guxim do të mbronte edhe njerëz të thjeshtë, përfshirë fshatarë e malësorë, të cilët ndër ato gjyqe do të ishin të detyruem që të paguanin respektin e tyne ndaj zakonit të trashëguem, respektin ndaj institucioneve të tyne supreme, siç mund të ishte për shembull mbajtja e një fjale të dhanë, rastet kur i kishte dhanë bukë e strehë një miku të tij apo edhe një tjetër njeriu në nevojë, raste këto, kur Myzafer Pipa do të kërkonte e gjente rrethana të atilla lehtësuese për ta, që do t’i vinin herë nga e drejta ligjore e herë-herë nga ajo zakonore.

Pamja e sallës së Gjyqit Special
Myzafer Pipa ne sallën e Gjyqit Special

Është për t’u vue në dukje se si salla e kinema “Rozafat”-it, ku zhvilloheshin gjyqet, do të ishte e mbushun plot e përplot me njerëz të futun aty me ftesa e se mes tyne do të kishte edhe grupe të organizueme lakejsh, që si të porositun që ishin për të demoralizue viktimat, herë mbas here do të thirrnin si në kor: “Plumbin ballit!” “Plumbin ballit!” ose “Tradhtarët në litar!” etj., ndërkohë që edhe prokurori Aranit Çela, i ndezun flakë siç do të ishte në të shumtën e kohës, sa nga urrejtja për viktimat që i kishte aty para e po aq edhe nga debatet e forta me Myzafer Pipën, s’do të pushonte së çirruri asnjëherë e kur në një rast Myzafer Pipa t’i drejtohej “trupit gjykues” për nevojën e pak etike që kërkonte zhvillimi normal i një procesi gjyqësor, Aranit Çela nga ana e tij mezi priste që buzagaz e me cinizëm, t’i përgjigjej Myzafer Pipës: “E po, ç’të bësh, ky është populli”. Po me vendosmëni e përkushtim ma të madh Myzafer Pipa do të mbronte klerin katolik, duke e paraqitë si absolutisht të përjashtuem nga feja prej çdo veprimtarie subversive, siç po u akuzonte, për çka Myzafer Pipa me vendim gjyqi do të pezullohej njëherë nga e drejta e ushtrimit të detyrës si avokat e mbrapa edhe të arrestohej, e një ditë, ai Myzafer Pipë, për një karakter të tij të çiltër e gazmor që kishte pasë, kishte pasë kenë vazhdimisht shpirti i një rrethi të tij shoqnor; ai Myzafer Pipë, që vite ma parë kishte pasë kenë dikur edhe pjesëtar i ekipit “Vllaznia” të futbollit, si dhe kryetar i shoqnisë studenteske “Besa”; që në Padova të Italisë ishte laureue për drejtësi e që kishte pasë drejtue me sukses edhe revistën kulturore “Fryma”; atë Myzafer Pipë që italianë e gjermanë e kishin pasë internue e që s’fundmi gjatë zhvillimit të “gjyqeve të popullit”, kur ai mbronte njerëzit e akuzuem për faje të paqena që ishte ndjekë me aq simpati nga një Shkodër e tanë, ai Myzafer Pipë pra, mbas dita ditësh me tortura të tmerrshme, pa përjashtue edhe “hekurin e skuqun”, të porositun për hakmarrje prej vetë Qemal Draçinit – në orët e vona të një nate tetori të errun me shi, përfundimisht do të jepte shpirt në mënyrë tragjike ndër duar të xhelatëve sadistë të Sigurimit të Shkodrës, të cilët, edhe si djallëzorë që ishin, do të kërkonin që të mblonin gjurmët e krimit të tyne duke zbrazur dy breshni të shkurtra automatiku, me qëllim që në të nesërmen, populli i Shkodrës të besonte në alibinë e tyne se “Myzafer Pipa u vra, tek po tentonte të arratisej prej burgut”. Myzafer Pipën e vrau komunizmi, meqë në rrugën e tij të çuemjes së popullit drejt “zeros”, do t’i duhej që atë popull ma parë ta vriste në vlerat e tij, t’ia vriste pra pikërisht ata njerëz që ma mirë i përfaqësonin ato vlera të tij morale e të kulturës, intelektualët e tij të papërsëritshëm e me formim perëndimor, mes të cilëve edhe Myzafer Pipën, me qëllim që ky vend, në pikëpamje të vazhdimësisë së tij të natyrshme e të perspektivës t’i ngjante një ditë një toke pa njerëz që t’i dilnin zot, për pasojë të secilës gja, shoqnia shqiptare edhe sot mbas 18 vjetësh demokraci vazhdon të jetë një shoqni e dezintegrueme e me krizë të thellë shpirtnore e morale. Duke përfitue nga ky rast i Myzafer Pipës e pa u shkëputë prej tij, mund të pohoj se në rrugën tonë të përtëritjes morale dhe shpirtnore kujtesa historike mbetet domosdoshmëni, kujtesa e asaj çfarë realisht ka ndodhë me vendin tonë nën regjimin komunist, që kështu të mund të shërbejë jo vetëm si bazë e identitetit tonë si popull, por edhe si bazë prej ku të nxjerrim mësime. Është thanë e provue se një popull pa “kujtesë historike” asht i destinuem që në një mënyrë a nji tjetër të përsërisë të kaluemen e tij, gja që përditë e provon jeta jonë politike e shoqnore. Nuk do të ketë bashkim të sinqertë në mes të popullit tonë e s’do të rifitohen vlerat e humbuna, për pa u ndërgjegjësue të gjithë për krimet e komunizmit. Këtej edhe randësia e denoncimit dhe e dokumentimit të atyne krimeve, që së paku ne, ish-të persekutuemit, po përpiqemi nganjëherë që t’i bajmë përmes librave që po shkruajmë, duke vue në vendin e tyne të merituem ngjarje me viktima e xhelatë, por që gjithsesi, janë të pamjaftueshme. Askush nuk duhej të mohonte natyrën kriminale të ish-regjimit komunist, duke ditë që edhe heshtja apo zbehja e tij pengon e vonon zhvillimin e procesit të integrimit tonë përmes vlerash. Të mos i nxjerrësh në dritë të vërtetat tona historike, memorien e tragjedisë komuniste, do të thotë që t’i mohosh popullit identitetin që ka, pa të cilin nuk shkohet në Evropë dhe askund.

Myzafer Pipa - Faqja e Perndjekjes
Myzafer Pipa – Faqja e Perndjekjes

Edhe vetë Bashkimi Evropian (BE) lidhur me sa më sipër, fjalë për fjalë, rekomandon: Të organizohen fushata ndërgjegjësimi kombëtar mbi krimet e shkaktuara në emër të ideologjisë komuniste, përfshirë edhe riparimin e librave shkollorë, promovimin e një dite përkujtimore për viktimat e komunizmit, ngritjen e muzeve dhe memorialëve, si dhe të një ekspozite të përhershme në parlament.
Mund të themi se jemi një popull në kërkim të vetes sonë të humbur, për çka po kërkojmë, së paku ne ish-të persekutuemit e bashkë me ne edhe një masë e konsiderueshme populli pa komplekse nga e kaluemja, që të kthejmë te “rranjët”, pra që të lidhim fijet, atje ku ato qenë këputë, te Myzafer Pipa me shokë, tek aspiratat dhe sakrifica e fundit e tyne e që megjithatë, s’po ia dalim e s’po ia dalim. Nuk po ia dalim, për faktin se, për fat të keq, vazhdojmë të mos jemi pjesë reale e asaj elite hera-herë apatike dhe indiferente, që harton programe e përcakton prioritete. Shkodra, si qark, e 601 të pushkatuemve nga regjimi komunist, e 136 të vdekunve ndër burgje, Shkodra e 2846 të burgosunve, e të 1924 të internuemve, si ta kuptojë faktin që edhe mbas 18 vitesh demokraci, të mos ketë një memorial a nji gur, që të dëshmonte çka ndodh me të gjatë regjimit të diktaturës?! Mungon vullneti për të mësue nga e kaluemja e jonë fatkeqe, e mungon në të njajtën kohë vullneti i mirnjohjes ndaj sakrificës së viktimave të komunizmit, që duhej të shërbenin si themel i sigurt i ndërtimit të demokracisë së vërtetë ne Shqipni.
Jo ma larg se 200 m prej këtu, për shumë fat tonin, ende vazhdon të mbahet në kambë ish-burgu famëkeq i Sigurimit, burgu me qeli të errëta si varre të një katakombi mbi dhé, që duke i pasë shpëtue shkatërrimit dhe harresës, vazhdon të ruajë dhe të tregojë në heshtje kujtimin e dhimbshëm të shumë e shumë dramave tragjike të ndodhuna brenda tij qysh para 60 vitesh, si burgu ku qenë shënue mundime të papërshkrueshme të qindra qytetarëve shkodranë, por edhe vendi ku prej torturave çnjerëzore qenë shue tragjikisht shumë jetë njerëzish të pafajshëm, mes të cilave edhe ajo e Myzafer Pipës, e mikut të tij, Qemal Draçinit dhe e sa e sa të tjerëve, ai burg i trishtueshëm, që ndonëse një “relikte” me vlera të pallogaritshme historie e dokumentimi, që çdo vizitori do t’i fliste edhe pa ndihmën e një ‘ciceroni’, e që si i tillë, të tërhiqte procesione vizitorësh, për fat të keq vazhdon të qëndrojë i braktisun e i mbështjellë nga heshtja e indiferentizmi i një vullneti të munguem nga ana e atyne që e kanë në dorë fatin e tij. Shpresoj se Shkodra – të cilën Myzafer Pipa me vlla e deshtën si rrallë kush tjetër – me këtë rast, të ketë shlye një obligim të saj moral të kahershëm ndaj Myzafer Pipës, ndaj njenit prej bijve të saj më të dashtun e të shquar, ndaj atij njeriu që i pari ngriti publikisht zanin kundër diktaturës që sapo lindte e gjithashtu ndaj njenit prej shembujve ma të ndritun të rezistencës antikomuniste.
Kemi bindjen, që rasti tipik i Myzafer Pipës, t’i shërbejë historisë dhe edukimit qytetar e patriotik të popullit tonë, të shërbejë si frymëzim e mesazh, që mbi gërmadhat e komunizmit ne të ndërtojmë një shoqni shqiptare me vlera demokratike, civile e të emancipueme, ideale e aspirata këto që Myzafer Pipën gjashtëdhet e dy vjet ma parë do ta çonin në burg e në vdekje të parakohshme e shumë tragjike.
Marrë nga gazeta Tema 4 Korrik 2008

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.