back to top
9.5 C
Tirana
E mërkurë, 27 Nëntor, 2024

Drane Jakja, nëna që sfidoi komunistët me kufomën e të birit nga Luljeta Progni

Gazeta

Drane Jakja
Drane Jakja

Drane Jakja,

nëna që sfidoi komunistët me kufomën e të birit

nga Luljeta Progni

Si e zhvarrosi djalin 2-vjeçar
për të mos e lënë në Kampin e Tepelenës.
Historia rrënqethëse e gruas që kaloi gjashtë regjime

Drane Jakja, është një emër i panjohur për shumicën e shqiptarëve. Ka ndërruar jetë pak ditë më parë në moshën 100-vjeçare. Kam dëgjuar për këtë grua të pazakontë nga nëna ime, vite më parë. Nëna dhe vëllai im, jetuan në të njëjtën kohë me Drane Jakajn, në kampin famëkeq të Tepelenës në vitet e para të regjimit komunist. Kampi i Tepelenës është vendi ku kulmon drama e madhe e terrorit komunist.
Drane Jakja ishte një çikë bregdrinase nga dera e fisme e Jak Gjonit në Fierzë të Pukës. Nuse e Vuksan Prek Ndout, nga Nikaj-Mërturi, djalë i derës së patriotit luftëtar, Zeqir Dema i Btoshës. Drane Jakja ka jetuar në gjashtë regjime. Por ai që do të linte gjurmë të tmerrshme në jetën e saj, ishte regjimi komunist. Një rrugëtim 100 vjeçar i mbuluar me vuajtje, mundime dhe mbijetesë. Është gjyshja e këngëtarit të mirënjohur të muzikës popullore, Gëzim Nika. Ia ka mbërritur të mbajë në prehrin e saj nipa e stërnipa të brezit të pestë. Por kurrë, për jetë nuk do të shlyhej nga mendja e saj fati tragjik i të birit 2-vjeçar. Ajo e humbi një djalë 2 vjeç në kampin e internimit në Tepelenë. Historia është e pazakontë, tmerrësisht e dhimbshme. Është nga ato histori që kur i dëgjon të ndalet fryma.
Doruntina e kohëve moderne e ka quajtur Pjetër Meta, autori i disa teksteve që flasin për historinë e Nikaj-Mërturit. Drane Jakja është simbol i qëndresës mbinjerëzore. Eshtë gruaja që sfidoi fatin. Pjetër Meta e paraqet me detaje historinë shumë dramatike të kësaj gruaje të pazakontë. Një pëmbledhje e kësaj historie vijon më poshtë.

Tepelene - Kamp perqendrimi
Tepelene – Kamp perqendrimi

* * *
Si e zhvarrosi djalin 2-vjeçar për ta marrë me vete pas internimit
Në fundnëntor 1948, kur perdja e hekurt e Lindjes ra si gur mes dy syve në mes Shqipërisë Londineze e Kosovës Drane Jakja, u falmeshëndet përjetë me burrin e saj kaçak, Vuksanin, që ia ktheu pushkën komunizmit prej se kur hyni në nëntor 1944 në Qafë të Kolçit për me vra djemt e Nikaj-Mërturin. Drandja ia dha besën Vuksanit se ka me i rritë djemtë e me i ba burra në trollin e vet dhe ka me i përcjellë çikat nuse në dyer të mira. Kësokohe, ma i vogli ndër katër fëmijët e tyne, Zefi, ishte veçse dhjetë ditësh.
Në vitin 1949, pa i ikë dimni tokës, policia e sigurimi i shtetit e shpërngulën Drane Jaken me katër fëmijë në kalvarin e shtatë internimeve: tri vendqëndrime në krahinën e Nikaj-Mërturit, në Tropojë për gjashtë javë e, prej këndej, në kambë me djep në shpinë e fëmijë përdore deri në Kukës e, mbasandej, me makinë në Kalanë e Beratit, ku ndejtën tre muaj. Në fund, në dy kampet famëzeza, në Turan e në Tepelenë.
Në kampin çnjerëzor të Turanit, me disa tragjedi në ditë, ku edhe brenda 24 orëve humbën jetën 33 fëmijë, ia rrëmbeu vdekja edhe djalin e saj të vogël, Zefin dyvjeçar. Drane Jakja me tepër vështirësi ia bani një vorr të sigurtë me thellësi e dërrasa tek varrezat e ushtarëve italianë të luftës, sepse nuk donte me iu ndodh si disa të internuarëve të tjerë, që ua merrnin erozioni i malit apo ujrat e Vjosës eshtrat e të vdekunve të tyne të pafajshëm.
Po vjen koha me iu fal internimi një pjese të madhe të të pafajshmëve, pasi kampet ishin tejmbush me të internuar. Kjo për shkak se në Tepelenë mbërritën 49 kamiona me të internuar vetëm nga Mirdita pas vrasjes së Bardhok Bibës.
Kur mori lajmin se do të kthehej në vendin e saj, Drane Jakja sëbashku më çikën e madhe Zojën, u larguan nga kampi i Tepelënës në atë të Turanit, tek varri i Zefit. Drandja Jakja tue gërmue me mjete rrethanore e gishtat e saj të përgjakur e nxori djalin e varrosur para tre muajsh. E mbshtolli djalin fytyrë paprishun me çarçafë të bardhë të bamun katrash dhe rikthehet në kamp.
Por tragjedia vazhdoi. Shtatë javë e ka mbajt Nanëmadhja Drane Jakja djalin e saj në kampin e Tepelenës tue ia ba tana përkujdesjes e mshefjes e të higjienës, që t’ia ruajnë fytyrën djalit e vetes. Kur e pa se kurrkush nuk po mundej me e përcjellë për në Tropojën e largët, çohet e ta merr lejen e largimit e në një makinë rasti ngarkue me pambuk dhe niset nga Tepelena për në Shkodër. Aty shkon nga tregu, ku i kishte ble dikur rrobat e nusnisë e me kursimet e veta ia ble veshje e mbathë djalit të vdekun, që e kish lanë në hotel me fëmijët e tjerë në pritje të ardhjes së dajës së tyne. As në andërr, Zefi tashti çehrebardhë prej deke, nuk e kishte mendue veten të veshun aq bukur.
Doruntina reale, Drane Jakja, tamam si në legjenda, pasi kapërceu shtatë lumenj të mëdhenj nga Vjosa tek Drini, pasi kapërceu shtatë vargmale nga Tepelena në Nikaj-Mërtur, pas shtatë ditëve rrugëtim me makinë e në kambë nga kampi i internimit në Fierzë e në Btoshë, e varrosi Zefin e vogël dyvjeçar pranë gjyshit të tij, Prekë Ndout, në trollin e Zeqir Demës, në fshatin e tij të lindjes. Kahmos, nga dy anët e Drinit, nga Malësia e Gjakovës e Malësia e Madhe, erdhën në këtë rivarrim mortor të papamë e të pandiemë, me e krye me nderime traditore këtë përcjellje e t’pame.
Burrnesha e maleve shqiptare, Drane Jakja, ia kreu amanetin e vet burrit të saj e ndryshe nga Doruntina e lashtë e miteve iliro-shqiptare mbeti gjallë. Nanëmadhja Drane Jakja, ia nisi jetës shtatë herë nga e para: tri herë gjatë internimeve në Nikaj-Mërtur, një herë në Tropojë, kryeqëndren e atëhershme të rrethit, në kalanë e Beratit, në Turan dhe në Tepelenë. Ngulimi ma i fundit i saj, kur e filloi prapë nga e para, është Bukova në komunën e sotme të Llugajt në Lugun e Malësisë së Gjakovës, ku hapi tokë të re për truall e bukë, ngriti kullën e ndërtoi jetën e vet përmbi një gjysëm shekulli.

Drane Jakja dhe Gezim Nika
Drane Jakja dhe Gezim Nika

***
Kjo ishte historia e përmbledhur, e kësaj malësoreje të pazakontë. Ajo mbylli sytë pak ditë më parë dhe mori me vete gëzimet e dhimbjet e mëdha të kësaj jete. Kjo histori, bashkë me historitë e të gjitha atyre nënave që humbën fëmijët në Tepelenë, është një kushtrim i madh për këtë shoqëri që e ka varrosur me qëllim, të shkuarën komuniste. Brezat duhet ta njohin historinë ciladoqoftë ajo. Nuk mundet kurrkush ta fshehë atë sepse janë histori që do të rrëfehen brez pas brezi. Historia nuk zhbëhet.
Nuk janë dëmshpërblimet në të holla, (që premtuan e vazhdojnë të premtojnë qeveritë e pas viteve 90), larja me historinë e të shkuarës. Në respekt të historive çnjerëzore që një pjesë e madhe e popullsisë kaluan nën regjimin komunist, duhet të rrëfehet historia siç është. Lerini dosjet se ato nuk hapen kurrë. Nuk kanë si të hapen, sepse e elita politike i ka rrënjët tek ai sistem. Ky 25-vjeçare e dëshmoi këtë. Por duhet hapësirë që të rrëfehet historia siç ishte. Nuk mundet që mediat shqiptare të vazhdojnë të sjellin historitë rozë të drejtuesve komunistë e të fshijnë si të mos kishin ekzistuar këto histori tragjike që kaluan këto nëna, këta shqiptarë.
Është e njohur thënia se “një histori që harrohet është e destinuar të përsëritet”. E nëse nuk përsëritet në ato forma si nën regjimin gjakatar komunist, në të tjera mënyra e kanë përsëritur historinë në këto 25 vite. Ata që ishin të persekutuar në regjimin komunist, në një farë mënyre vazhdojnë të jenë të tillë edhe sot . Ata që ishin të privilegjuar nën atë regjim janë sot elita politike e vendit. E kjo elitë shkon përtej çdo imagjinate, dekoron persekutorët komunistë.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.