back to top
18.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Një lis në “Katër Stinët” – Fotografi nga Gjon Mili nga Qerim Vrioni

Gazeta

Fotografi Gjon Mili (1904-1984)
Fotografi Gjon Mili (1904-1984)

Një lis në “Katër Stinët” – Fotografi nga Gjon Mili

nga Qerim Vrioni

Redaksia e revistës së madhe amerikane “LIFE” (Jeta), nxorri në qarkullim në vitin 1955, botimin me karakter mësimor dhe divulgues të titulluar “Bota në të cilën jetojmë” (The World we live in – Time Incorporated – New York, 1955). E gjithë lënda në të shoqërohet me piktura dhe fotografi të posaçme. Fotot e librit janë realizuar nga fotografë të njohur të “Life”, e njëherazi të shquar në historinë e këtij arti. Ndër ta përmendim A. Fainiger (1906-1999), A. Aizenshted (1898-1995), F. Goro (1901-1986) dhe Gjon Mili (Korçë,1904 – Nju Jork, 1984) Fotot, përgjithësisht janë me ngjyra, gjë fare normale për detyrën e ngarkuar: pasqyrimin e natyrës ashtu siç e kish ngjizur krijuesi.
Gjon Mili, fotografi i shquar shqiptaro-amerikan i shekullit të kaluar, përfaqësohet në libër me 15 foto, të gjitha me ngjyra, ato shoqërojnë pjesën teorike  të kreut të pesëmbëdhjetë. Ato shpërfaqin jo vetëm aftësitë teknike, por më tepër shijet artistike të autorit. Veçojmë për të shqyrtuar katër foto të një lisi të madh. Ndoshta ka qenë e menduar hollë zgjedhja e Milit për të fotografuar një lis të lartë e përgjithësisht të çveshur nga degët, për më tepër e një lisi, i cili grafikisht na kujton një kollonë lapidari. Këtë e bëjmë, përveç të tjerave edhe sepse fotografimi nga ai i pemës së lisit për të treguar ndryshimin e natyrës, diç na ngacmon kujtesën tonë. Lisi, është një dru pyjor jo frutor, mjaft i përhapur edhe në Shqipëri, që ka ndihmuar shqiptarët për ngrohje, ndërtime dhe orendi shtëpiake. Njëkohësisht, ai zë një vend të veçantë “ulur këmbëkryq” në krijimtarin gojore popullore. Përmendim këtu shprehje të tilla si: “lisi i gjakut” opse “lisi i tamlit” (pasardhës nga babai ose nëna), “qëndron lis”, “qysh kur ka mbirë lisi”, “dru prej lisi, grue prej fisi”, “lis me shumë degë”, “nuk ka hije lisi”. Edhe në letërsinë shqipe, lisi ka një vend të dalluar. Në këtë të fundit, poetët e kanë sendërtuar si një monument shpirtëror thellësisht shqiptar. Kështu kur shohim lisin të fotografuar në katër “stacionet vjetore të motit” nga  Mili, mendja vetvetiu na shkon tek dy poetët e mëdhenj të Rilindjes Kombëtare, De Rada dhe Naim Frashëri, e pikërisht në poemat e tyre madhore, “Milosao” dhe “Bagëti e bujqësi”. Poeti arbëresh, e përdor lisin për njehsimin e kohës, “lisa jeta kish ndërruar”-pra sa lisa i kishin lënë vendin njeri-tjetrit, aq kohra të reja patën zëvendësuar të vjetrat. Ndërsa, Naimi tek poema “Bagëti e Bujqësi”, lisi merr një përmasë më përfaqësuese, ai sikur kthehet në simbolin e vendit bashkë me malet, madhështia e tij e njëjtë me atë të malit, e përjetëshmja me të përkohëshmen. Poeti u drejtohet njësoj si të ishin të barabartë nga “pesha” me thirrjen, “O malet e Shqipërisë dhe ju o lisat e gjatë!”.

Gjon Mili "Kater stine!"
Gjon Mili “Kater stine!”

Kthehemi te fotografitë e Milit me lisin. Fotografi i shquar është lindur në Korçë, pesë vjeç është larguar bashkë me prindët në Rumani ku gjuhë e shtëpisë ishte shqipja. Duke u lindur e rritur në një mjedis tëresisht shqiptar, Gjoni i vogël, ndoshta e ka dëgjuar shpesh nga prindët e të afërmit fjalën “lis” si të flitesh për diçka të mirë e të dobishme. Në mendjen e fëmijës dalngadalë u krijua dhe ngulit kulti i lisit, për shumë vjetë “i strehuar” në hije në ndonjë vatër të trurit. Vite e vite më vonë, tashmë i rritur, takimi me lisin mbase e ka ngacmuar në nënvetdijen e tij për këtë dru e ta shikoj tani me syrin e fotografit artist. Kështu, tanimë burrë i pjekur e mijra kilometra larg vendlindjes, ai do ta fotografonte në të katër stinët duke e kthyer në një figurë simbolike. Mundet që nderimi për lisin të jetë edhe në kombe të tjerë, por na duket se tek shqiptarët kulti i lisit është i veçantë.
Ecim më tutje me fotot dhe stinët që përfaqëson lisi ynë. Fillimisht e mendojmë si një gjetje mjaft të goditur fotografimin e drurit nga poshtë lartë, si dhe marrjen nga afër trungut. Këtë pikë përngrirje (fiksimi) të objektit, Mili pothuajse nuk e ka ndryshuar fare përgjatë stinëve. Në stinën e pranverës lisi paraqitet i ndriçuar shumë mirë nga dielli i ngrohtë e i përtërirë pas dimrit. Flasin për ripërtëritjen e natyrës edhe gjethet e vogla të lisit dhe pemëve përqark tij. Fotoja tjetër që përfaqëson verën, nuk duket shumë qartë, pjesë të mëdha të saj janë hijet e gjetheve të zmadhuara tashmë, të lisit dhe të drurëve ngjitur me të, të cilat i dhurojnë trungut njolla të errëta. Në foto shihen vetëm disa copëza të vogla  të kaltra qielli. Vjeshta, me të kuqet dhe të verdhat e ndezura,  karakteristike sidomos për pyjet amerikane, nxjerr më në pah trungun  e lisit që duket si i shkëputur nga bimësia përreth, gjethet presin ndarjen përfundimtare nga pema, madje disa prej tyre kanë rënë një nga një në tokë. Ja dhe dimri, tashmë qielli është i çliruar nga gjethet dhe trungu i lisit dallohet qartë. Ndriçimi që bije mbi të është i bollshëm, vërehet mirë lëvorja që përbën mbrojtsen e drurit nga erërat e ftohta dhe acari, për t’i shpëtuar tharjes.
Dëbora, përgjithësisht në artet pamore, pikturë e fotografi, përbën simbolin e dimrit, motit shumë të ftohtë. Mili, ka zgjedhur një element tjetër, zhveshjen e pemëve nga gjethet, pra nuk shihet bora, por pasojat e saj, rënia e gjetheve. Gjetje interesante e diç filozofike e fotografit.
Mendojmë se këto foto nuk janë të porositura. Më të ngjarë ka që ato të hyjnë në atë pjesë çlodhëse të krijimtarisë si fotograf, në natyrë, jashtë qytetit. Këto fotografi te Milit, pahtësojnë jo vetëm këmbënguljen, por veçanërisht intuitën e tij si artist. Në fotografinë botërore dhe shqiptare, gjenden shumë shembuj të pasqyrimit të botës bimore në varësi të kushteve klimatike, por këto foto janë të veçanta sidomos në këndvështrimin grafik të subjektit. Pema nuk ka degë anësore deri afër majës, e kështu ajo krijon përshtypjen e një njeriu të rëndë, si një farë “monarku” të pyllit që edhe kur i afrohen dhe e errësojnë pemë të tjera, “ai” i lejon me shpirtmadhësi ato.
Duke vazhduar përsiatjen mbi këto foto të cilat shpërfaqin ndryshimin e stinëve nëpërmjet një lisi, mendimi ynë prek fshikurazi katër koncertet aq te njohura për violinë “Katër stinët” të kompozitorit italian te shek. XVII-XVIII, Antonio Vivaldi. E, duke kaluar nga arti i muzikës në artin e fotografisë, fare natyrshëm, këtë grup fotosh mund ta quajmë “Katër stinët” e Gjon Milit.
Përpiluesve të librit i kanë tërhequr vëmendjen fotografitë e “katër stinëve” të Milit, për trajtimin interesant të temës, në krahasim me shumë foto me këtë subjekt, por me natyrë kartolineske. Dhe mendoj se kanë goditur në shenjë. Fotografi shqiptaro-amerikan, përveç punës për revistën, gjente kohë edhe për etyde dhe ese fotografike, peisazhe e sidomos kompozime, çka tregojnë prirjen e tij për fotografinë e artit duke u ngritur mbi fotogazetarinë.  Këto fotografi në fushë të peisazhit, jo shumë të rrahur nga ai, shpalosin vlerat e shumta të Milit si një artist i fotografisë me shije të hollë estetike.
Prill, 2007

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.