back to top
0.5 C
Tirana
E hënë, 25 Nëntor, 2024

“Martin Camaj më propozoi veprën e Trebeshinës” – Bisedë me Abdullah Zenelin

Gazeta

Kasem Trebeshina dhe botuesi i tij në Prishtinë Abdullah Zeneli
Kasem Trebeshina dhe botuesi i tij në Prishtinë Abdullah Zeneli

“Martin Camaj më propozoi veprën e Trebeshinës”

Bisedë me Abdullah Zenelin – Botues i “Buzukut” – Prishtinë

Intervistoi: Violeta Murati

Për herë të parë Kasem Trebeshina është botuar në Kosovë,
në vitin 1991 nga Shtëpia Botuese “Buzuku”.
Abdullah Zeneli – botuesi i tij, thotë
se ka qenë ndërhyrja e Martin Camajt,
që e ka çuar drejt “ekskluzivitetit” të Trebeshinës.
Sipas tij, ky ishte nga gjestet e rralla në atë kohë,
sa njerëzore aq dhe kontekst historie për një shkrimtar nga Shqipëria
që ka vuajtur në burgjet e komunizmit,
vepra e të cilit nuk kishte parë dritën e botimit…

Në 90-vjetorin e lindjes së Kasem Trebeshinës është kjo kujtesë, që mblodhi dje në Akademinë e Shkencave studiues nga Kosova dhe Shqipëria, një organizim krejtësisht në një vullnet privat të studiuesit Behar Gjoka, që drejton qendrën kulturore “Pjetër Budi”. Mbi psikozën e krijuar se Trebeshina është i refuzuar studiuesit kanë rezervuar një vështrim modest, se si ky autor pothuaj gjithë krijimtarinë e ka shkruar në vitet ’50-të, ndërsa botimi, vajtja te lexuesit është bërë vetëm pas viteve ’90-të. Kjo “humnerë” njohje e receptimi të vonë lidhet me situatën disidente të Trebeshinës, refuzimin ndaj metodës socrealiste në letërsi. Megjithatë njohja e pakët, dhe studiues që nuk arrijnë të orientojnë drejt leximit këtë autor, e kanë bërë më komplekse figurën e Trebeshinës, i cili është unik. I gjallë që renditet në panteonin e letrave shqipe në mënyrë të padiskutueshme, edhe pse për veprën e tij ka situata të errëta, sidomos sa i takon dorëshkrimeve. Këtë gjendje përpiqet të na qartësojë botuesi i “Buzukut”, i cili garanton se kemi të bëjmë me vepra autentike, edhe pse vetë Trebeshina nuk është shprehur kurrë për këtë anë filologjike të botimeve të tij. Megjithatë, libri i fundit që vjen në 90 vjetorin e lindjes, me kujtime dhe esse, botuar së pari në gjuhën italiane, “Dafinat e thara” kërkon lexim përtej viteve që i mungojnë këtij autori, si fakte kur “daktilografonte” veprën por s’gjente mundësi botimi. Abdullah Zeneli thotë: “Trebeshina është profet, e ka parashikuar se më 2020 lexuesi i tij do të kthehet veprës…”

Kasem Trebeshina 2004
Kasem Trebeshina 2004

Ju përmendet Martin Camajn, i cili thotë se: ka kryer një gjest shumë njerëzor, duke ju sugjeruar botimin e librave të Kasem Trebeshinës. Kur ka ndodhur kjo? Kjo ndodhi në prill të vitit 1991, madje për habi, kjo dëshmohet edhe në kujtimet e Kasem Trebeshinës me titullin “Dafinat e thara”, që është pjesa e parë e librit, në kapitullin “Shpresa dhe zhgënjimi”, në fq. 394. Ishte sugjerimi i Martin Camajt që më është bërë mua përmes njohjeve të tij, dhe veprës së Kasemit. Kështu shpejt erdhi edhe botimi, doli në dritë libri “Stina e stinëve” vepra e parë që botohej pas Odin Mondvalsen… pothuaj 30 vjet përpara.
Dhe kur keni filluar botimin për herë të parë? Në vitin 1991, me librin “Stina e Stinëve” ku përfshihen të tri novelat e tij.
Si ka qenë pritja e Trebeshinës nga lexuesit apo kritika, e kujtoni? Po e kujtoj, patjetër: ishte një pritje e jashtëzakonshme. U pa menjëherë se kishim të bënim me një shkrimtar ndryshe, në një formë të shprehuri ndryshe, nga ajo që ishim mësuar të lexonim, nga realizmi socialist. Natyrisht edhe kritika e mirëpriti. Libri doli me një tirazh tepër të mirë për kohën, me 2 mijë kopje. Në fakt kjo u botua edhe më vonë, me tjetër titull “Legjenda e asaj që iku”, ku bëhet fjalë për të njëjtin titull botuar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, një vit më vonë në Tiranë. Por, botim historik do të quaja daljen e “Stina e stinëve”, pikërisht ky libër ishte me ndërhyrjen e të madhit Martin Camaj.
Ju e keni takuar ndonjëherë Kasem Trebeshinën? A keni marrë ekskluzivitet të botimeve të tij? Po sigurisht e kam takuar. Jam përpjekur në vazhdimësi ta botoj, duhet kuptuar që ne, në Kosovë ishim në rrethana krejt të tjera. Në vitin 1992, vizitova banesën e tij në Tiranë dhe mora mjaft dorëshkrime të tij. Por, më pas, patëm shumë probleme; filloi lufta në ish-Jugosllavinë. Në vazhdimësi unë e kam përcjellë veprën e tij, deri tani, me daljen e kujtimeve të shkrimtarit, tani në 90- vjetorin e lindjes së tij.

Trebeshina - Në botimet e "Buzukut"
Trebeshina – Në botimet e “Buzukut”

Sa tituj janë bërë nga botimi i parë deri tani, nga shtëpia juaj botuese? Gjithsej, ne kemi nga Trebeshina nëntë tituj të botuar. Por, kemi edhe ribotime të autorit pasi nuk gjenden më, janë 25 vite të shkuara, ku përfshihet qoftë poezia apo romani. Madje ai ka fituar çmimin “Buzuku” në vitin 2005 me romanin “Tregtari i skeleteve”. Natyrisht që një pjesë e mirë e veprës së tij është ende në dorëshkrim, ka ende shumë punë. Nuk është në fuqinë e një botuesi që ta botojë të gjithin si autor, pasi ai tejkalon numrin dorëshkrimorë ku dimë se janë mbi 100 tituj. Por, do të përpiqemi që brenda mundësive ta botojmë.
Nga pala shqiptare, nga institucionet e dy vendeve, a keni kërkuar bashkëpunim për botimin e veprave të Trebeshinës? Jo aspak… unë jam botues i pavarur dhe nuk kam kërkuar asnjë ndihmë nga institucionet qoftë në Shqipëri apo edhe Kosovë. Çdo gjë, që kam bërë e kam arritur me vullnetin, potencialet dhe mundësinë që kam si shtëpi botuese. Ndoshta nganjëherë të pamundshmen e kemi bërë të mundshme.
Ka një gjë të errët sa i takon veprës së Trebeshinës, momenti kur ai ka shkruar veprën dhe kur është botuar, pjesën më e mirë e veprave është shkruar në vitet ’50 e botuar pas ’90-ës. Në ç’formë, ç’variant kanë ardhur këto vepra tek ju për botim? Këto kanë ardhur tek unë si vepra të daktilografuar, si kanë qenë makinat e dikurshme të shkrimit. Janë dorëshkrime autentike. Këtë e dëshmon letra, koha, data kur janë shkruar. Në këtë drejtim nuk ka asnjë dyshim që këto janë autentike. Janë vërtetë autentike, nga dijet dhe nga stili. Është e pamundur që një shkrimtar në vitet ’80 të shkruajë 100 vepra brenda një viti. Nëse do të kishte ndodhur kjo, atëherë do kishim të bëjmë me një gjeni që nuk e ka as bota. Secili dorëshkrim ka datën në fund. Ato janë lehtësisht të verifikueshme. Unë kam pasur rastin vetë t’i shoh ato. Edhe në proceset e tij gjyqësore, duke u mbështetur në ato dorëshkrime e dëshmojnë pikërisht këtë, që janë shkruar në kohën që ato fakte të evidentuar datën, ditën apo vitin e shkrimit të tyre. Kjo është e padiskutueshme, dhe nuk duhet dyshuar aspak. Për këtë flas me bindje të plotë.
Si keni arritur t’i siguroni dorëshkrimet e veprës së Trebeshinës? Ato kanë ardhur tek unë qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë, ashtu edhe të tërthortë në kohën kur nuk kishim mundësinë. Për shembull, bie fjala për dorëshkrimin e vitit 1991, librit të parë që kam botuar ka vajtur nga Ardian Klosi tek Martin Camaj, dhe në formë elektronike është sjellë në Kosovë për ta botuar, sepse ashtu ishte koha, në pamundësi për të bashkëpunuar erdhi në forma të tjera. Atëherë ka qenë e pamundur nën ish-Jugosllavinë, dhe rrugët ishin po ashtu. Pra, librin e parë e kam marrë nga Gjermania. Por, edhe Ardian Klosi e ka dëshmuar këtë, duke qenë njohës i veprës së tij na ka siguruar se bëhej fjalë vërtetë për vepër autentike. Dhe në këtë drejtim nuk kam asnjë dyshim që nuk janë veprat e Trebeshinës.

Kasem Trebeshina - Kenga Shqiptare - 5 vellime
Kasem Trebeshina – Kenga Shqiptare – 5 vellime

Ju e keni lexuar veprën e Trebeshinës? Një pjesë të madhe të veprave që kam botuar i kam lexuar, por edhe nga librat që kanë botuar të tjerët.
Ju jeni botues, merrni përsipër riskun dhe suksesin e veprës së një autori. Çfarë ju ka lidhur më shumë, personalisht me krijimtarinë e Trebeshinës? Tek Trebeshina më ka befasuar sinqeriteti në veprën e tij, largpamësia. Mendoj se shkrimtari përveçse një lloj misionari është edhe një lloj profeti. Në këtë rast, Trebeshina është një largpamës i madh, është profet. Kjo më ka habitur. Ai është hyjnori. Këtë e them me bindje të plotë.
A ndikon fakti që jeta e Trebeshinës ndahet mes Turqisë e Shqipërisë, që botohet në Kosovë e pritet mirë? Jo, ky është një element i parëndësishëm që nuk ndikon në pritjen e veprës së tij. Madje, lexuesi i Kosovës e di këtë fakt mjaft vonë, pas viteve 2000. Sado që ka pasur problem në këtë drejtim në botimin e veprës “Mekami”, më 1994. Identifikimi i gjuhës së personazhit nuk ka të bëjë fare me autorin. Sepse, po të analizohej në këtë prizëm, vepra e Kadaresë është më e rëndë, më e vështirë. Prifti te Gjenerali, apo Gjenerali çfarë nuk flasin për shqiptarët, vjellin. Apo tek Kështjella krahasohet rezistenca e Skënderbeut me rezistencën e pesë kurtizaneve, apo personazhet te sulltanesha që pyet mikeshën e vet nëse ka harem Skënderbeu, ajo i thotë: si nuk ka harem Skënderbeu… Kështu në këtë aspekt nuk duhet barazuar me atë, që pretendohet që mund t’i ketë Trebeshina. Jo, ai është i pastër si loti në këtë drejtim. Këtë e dëshmon vepra monumentale e tij, “Kënga shqiptare”.
Meqë jeni botues, keni pasur dhe njohje me të sa edhe me veprën, në mungesë të tij, mund t’ju pyesim se si i shikon shqiptarët Trebeshina? Çfarë ju ka bërë përshtypje? Ai niset nga vetvetja. Është shqiptari që dëshiron ta shohë mirë shqiptarin. Dhe për ta parë mirë shqiptarin duhet t’ia dijë edhe dobësitë, t’i bëjë publike ato. Kjo është detyrë edhe e disidentit. Sepse ai dobësinë e diktatorit e bëri publike, e pësoi gjithë jetën, e ka pësuar edhe sot, me gjasë do ta pësojë edhe pak vite, siç është profecia e tij do të lexohet nga lexuesi shqiptar vetëm pas vitit 2020. Si duket në këtë drejtim ka të drejtë profeti Kasem Trebeshina.
Marrë nga Gazeta Mapo, 9 Gusht 2016

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.