Zëri i Nolit dhe një Fotografi e Vjetër
nga Qerim Vrioni
Ndërsa zërin e Nolit e kisha dëgjuar dhe para disa kohësh, atë të Fishtës e hasa për herë të parë ditët e shkuara. Priftin erudit ortodoks e kishin inçizuar gjatë një fjalimi për Shoqatën Atdhetare “Vatra” në Amerikë më 1962, ndërsa poetin katolik e dëgjova duke recituar pjesë nga poema e tij ”Lahuta e Malcisë” më 1937. Natyrisht të dy, me zërat e tyre, por sidomos me ato që thonin, të lindnin emocione të veçanta. E, kjo falë punës së gjatë kërkimore, të albanologut të përkushtuar, Robert Elsie, por edhe bujarisë së tij për t’i bërë të dëgjueshme nga të gjithë në internet (www.albanianlanguage.net), gjë për të cilin ai meriton shumë përgëzime dhe falnderime.
Noli, në fjalimin e tij para vatranëve (anëtarë të “Vatrës”), ndër të tjera përmend disa përvjetorë (“aniversarë” u thotë ai) që përkonin me atë vit (1962). Ndërmjet tyre ishte dhe ai i festimit të 4 korrikut 1918 (4 korriku – festa kombëtare e SHBA), kur ai bashkë me përfaqësues nga vende të tjera, ishte i ftuar nga Presidenca Amerikane në ceremonitë që do zhvilloheshin në Shtëpinë e Bardhë. Dihet që këtë rast, patrioti Fan Noli e shfrytëzoi mirë për të tërhequr vëmendjen amerikane ndaj Shqipërisë. Për këtë kremtim, inçizimi na mundëson të dëgjojmë nga goja e tij këto fjalë: “Vatra” u përfaqësua me delegatin e saj (Noli-shën.im) më 4 të korrikut 1918, përpara Presidentit Uillson dhe fituam një nga miqtë më të mëdhenj, i cili shpëtoi Shqipërinë nga coptimi”. Kjo fjali më nxiti t’i kthehem përsëri fotografisë që është bërë atë ditë në Uashington me Presidentin Uillson dhe të ftuarit e tij nga disa kombësi të botës. Fotoja është shkëputur nga një album i vjetër fotografik me pamje nga jeta e shqiptarëve që jetonin në SHBA, në fillim të shekullit XX, të dhuruar nga miku im, arkitekti i njohur dhe poeti, Petraq Kolevica.
Sipas protokollit mendojmë se Presidenti amerikan së toku më të grishurit e tij, janë fotografuar pas gjithë ceremonive të rastit, në shkallët e Shtëpisë së Bardhë. E veçantë është se të gjithë pjesëmarrësit e paraqitur në të janë diplomatë ose politikanë, përveç Noli që është klerik dhe i veshur me rason e priftit, ndonëse ai është thirrur atje si përfaqësues civil dhe jo fetar i një populli. Të gjithë, natyrisht ishin të gëzuar e të kënaqur, ngjarja ishte e shënuar, ata kishin marrë pjesë në ceremoninë zyrtare më të rëndësishme të SHBA, madje ishin fotografuar me Njëshin e Shtetit. Kjo s’ish gjë e vogël për personalitetin e secilit. Këtë gëzim e ka pasur edhe Noli ynë, por gëzimi i tij kish ngjyrë tjetër, ishte më i veçantë dhe më i ligjshëm, ai i kalonte caqet e ambicjes së çdo diplomati a politikani për të cilin kjo foto mund të shërbente si një dëshmi e qartë prestigji a aftësie. Shqiptari i ftuar dhe me trup të vogël kishte përfituar nga rasti dhe i kish paraqitur Presidentit Uillson gjendjen e Shqipërisë, sidomos rreziqet e shumta para saj. Anglishtja e kulluar dhe argumentat e pastra historike të Nolit përthithën vëmendjen e Presidentit që e kaloi cakun e një sjellje e zakonëshme kortezie diplomatike në bisedë. Ai po i bënte kështu një shërbim madhor populli të tij. Dhe, siç dihet historikisht, pas shkëmbimeve të mendimeve me priftin shqiptar që si i dërguar i “Vatrës”, përfaqësonte Shqipërinë (në atë kohë vendi me këtë emër nuk kishte qeveri të tijën), Presidenti Uillson i premtoi se do ta ndihmoj këtë komb të mos coptohej përfundimisht nga fqinjët shovinistë.
Historia flet se Uillson e mbajti me të vërtetë fjalën që i dha Nolit një vit më pas, më 1919, kur në Konferencën e Paqes në Paris, kundërshtoi me forcë shpërbërjen e Shqipërisë. Me atë qëndrim ai e renditi vehten ndër miqtë më të shquar të kombit tonë në historinë e tij. Prandaj, me sa dallojmë nga fotoja, Noli ka një shikim brenda të cilit është gëzimi i thellë dhe i përmbajtur, por edhe besimi tek fjala e madhe që mori për të drejtat e shqiptarëve.
Gjithë këtë vepër të lartë të tij, Noli, duke folur para antarëve të “Vatrës”, më 1962, e përmbledh vetëm me fjalinë “fituam një nga miqtë më të mëdhenj, i cili shpëtoi Shqipërine nga coptimi”, gjithsej 10-12 fjalë, por ato përfaqësonin atë hap të madh dhe historik që shmangu coptimin përfundimtar të kombit shqiptar. Dhe eruditi, letrari, por veçanërisht atdhetari i shquar me raso prifti, Fan Noli, flet për bisedën e tij me presidentin Uillson, sikur të bëhej fjalë për dikë tjetër, fare pa lidhje me të.
Le të kthehemi përsëri tek fotografia historike e përkujtimore mbi 90-vjeçare. Poshtë saj në albumin e cituar shkruhet diçitura përkatëse: “Delegatët e kombësive të ndryshme që ishin ftuar prej Presidentit Wilson në Washington për kremtimin e Ditës së 4 Korrikut, të cilët depozituan nga një kurorë për racat që përfaqësonin mbi varrin e George Washingtonit në Mount Vernon”.
Mendojmë se kurora që vendosi Noli në Mount Vernon, është historikisht e para që një përfaqësues zyrtar i shqiptarëve nderon simbolikisht një komb tjetër. Madje, si prift që ishte, e përfytyrojmë t’i përjetonte thellësisht ato çaste duke lexuar si nën zë, edhe ndonjë përshpirtje në gjuhën shqipe dhe këtë jo vetëm si rit fetar, por të dalë nga thellësia e shpirtit të tij.
Gjithashtu, siç e përmendëm edhe më sipër, fotografia ndoshta mund të ketë pasur ndikim në jetën a karrierën e ndonjë pjesëmarrësi në të. Por për gjithë shqiptarët është diçka fare ndryshe. Ajo përbën një trokitje në kujtesën historike për të mos harruar një nga momentet më të brishta të egzistencën së tyre si shtet. Meritën për këtë, ndoshta e kanë vetëm dy njerëz në fotografinë tonë, Presidenti amerikan Uillson dhe Shqiptari Fan Noli.
Diku nga mesi i fotos shihet fytyra e qetë dhe dinjitoze e Nolit, i cili përveç cilësive dhe vlerave të njohura kulturore dhe atdhetare, me fjalimin e tij para vatranëve më 1962, sikur do të thotë se unë bëra vetëm detyrën time si shqiptar.
Dhjetor 2008