back to top
5.5 C
Tirana
E martë, 5 Nëntor, 2024

Edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi! Petro Nini Luarasit (1865-1911)

Gazeta

Petro Nini Luarasi (22 prill 1865 - 17 gusht 1911)
Petro Nini Luarasi (22 prill 1865 – 17 gusht 1911)

Edhe 99 herë të rrëzohemi,

përsëri duhet të ngrihemi!

105 vjetori i vrasjes së Petro Nini Luarasit (1865-1911)

“Çdo popull ka të drejtë të falet në gjuhën e vet:
Edhe Krishti ne na thënte
Unë jam grek, eni pas meje,
Do t’i themi pa mblidh mente,
Se shqiptari s’vjen pas teje…” Petro Nini Luarasi

Petro Nini Luarasi (1865-1911)
Petro Nini Luarasi (1865-1911)

Kongresi i Manastirit i zhvilloi punimet nga 2-3 prill të vitit 1910.
Ai tërhoqi vëmendjen e gjithë atdhetarëve shqiptarë për rrezikun e shkombëtarizimit dhe të aneksimit të territoreve të Shqipërisë nga shtetet fqinjë: Serbia, Greqia e Bullgaria. Serbia, u tha në Kongres, duke ndjekur një politikë shoviniste, synon të pushtojë Kosovën, të cilën e ka pagëzuar me emrin “Stara Serbia”, ndërsa qarqet politike të Greqisë po përpiqen me të gjitha mjetet, duke përdorur klerikët ortodoksë konservatorë e progrekë, shkollat e mësuesit grekomanë, të asimilojnë shqiptarët e krishterë dhe të aneksojnë territoret e Shqipërisë së Jugut. Petro N. Luarasi theksoi në fjalën e tij se këta klerikë fanatikë e grekomanë, të nxitur nga Greqia, mallkojnë e shkishërojnë banorët e fshatrave Progër, Negovan e Bellkamen sepse çojnë fëmijët në shkollat shqipe, ndërsa bandat e andartëve grekë, të paguar nga Athina, vrasin atdhetarët më të dalluar që përhapin mësimin e shkrimin shqip. Gjatë 5 vjetëve të fundit ishin vrarë në Negovan nga bandat greke 45 shqiptarë. Për të paralizuar këtë veprimtari Petro Nini Luarasi, përveç të tjerave, i propozoi Kongresit që të kërkonte që kisha shqiptare të ndahej nga Patrikana greke… Në Promemorjen prej katër pikash, që iu dërgua Portës së Lartë, parashtroheshin këto kërkesa: a) të jepej liri e plotë për mësimin e gjuhës shqipe, në përputhje me të drejtat kushtetuese; b) të mënjanoheshin të gjitha pengesat që nxirrnin autoritetet shtetërore për zhvillimin e lirë të kombit shqiptar dhe veçanërisht të mos lejohej asnjë lloj ndërhyrjeje në mënyrën e mësimit të gjuhës kombëtare (shqipe), duke ua lënë të drejtën e zgjedhjes së alfabetit të shqipes, siç qe vendosur në Kongresin e Dibrës, mësuesve (shqiptarë); c) të caktohej nga qeveria një subvencion për shkollat e të krishterëve shqiptarë, për t’i shkëputur ato nga ndikimi i Greqisë dhe d) t’i kërkohej Patrikanës nga qeveria që të lejonte përdorimin e gjuhës shqipe gjatë predikimit në kisha…”

Mesuesi i Shkolles Shqipe - Petro Nini Luarasi
Mesuesi i Shkolles Shqipe – Petro Nini Luarasi

Petro Nini Luarasi lindi në vitin 1865. Studimet i kreu në shkollën greke të Qestoratit e Hotovës në Lunxhëri të Gjirokastrës. Në Qestorat, në shtëpinë e mikut të babait, patriotit të shquar Koto Hoxhi, ai mësoi shkrim e këndim në shqip dhe u edukua me kulturë e atdhedashuri.
Më 1883, filloi punë si mësues i greqishtes në shkollën e Bezhanit. Atje ai filloi t’u mësonte nxënësve shqip. Veprimtarinë e tij të gjerë e zhvilloi në Kolonjë e Korçë, ku krahas lidhjeve miqësore patriotike, shkaktoi armiqësi të madhe me zyrtarët turq, klerin shovinist e bashkëpunëtorët e tyre.
Për këtë arsye u mallkua dhe u shkishërua familjarisht nga dy dhespotë të Kosturit: më 1887, nga Qirilli dhe më 1892, nga Fillareti.
“…I mallkuari dhe i shkishëruari Petro Luarasi, në bashkëpunim me propagandën protestante e masone, ka shkuar në fshatra të ndryshme të rrethit të Kolonjës, duke u premtuar emërimin e mësuesve shqiptarë për mësimin e shqipes, një gjuhë e cila nuk ekziston… Ata përhapin Dhiatën e Re, emisarë dhe libra të tjerë që janë kundër fesë sonë të shenjtë dhe që nëna e jonë, Kisha e madhe e Krishtit, ka kohë që i ka shkishëruar dhe djegur në turrën e druve… Shpallim se kushdo që ndikohet nga i mallkuari Petro Luarasi dhe shokët e tij, ose pranon mësues shqiptarë, do të shkishërohet nga i madhi Zot, do të marrë mallkimin e etërve të kishës, do ta zerë lebra e Gehazit dhe trupi i tij do të mbetet i patretur dhe do të përdhoset pas vdekjes…!”
Këto ishin fjalët e Fillaretit, dhespotit të Kosturit, më 20 shtator 1892, në mallkimin e tij për Petro Nini Luarasin.
Kësaj propagande shoviniste, Petro Nini Luarasi iu përgjegj në veprën “Mallkimi i shkronjave shqipe e çpërfolja e shqiptarit”, në të cilën pasqyroheshin dokumenta konkretë mbi abuzimet që bëheshin në emër të fesë.
“E vërteta bën fenë, dhe jo feja të vërtetën… Ta dashurojmë dhe ta përparojmë gjuhën dhe kombin tonë, si të vetmet tallanta që na besoi Perëndia për provë të vlerës sonë midis kombeve të tjerë… Kush është frikacak kundrejt së drejtës, bëhet tradhëtar i mëmëdheut dhe i vetes së tij” (P. N. Luarasi: Mallkimi i shkronjave shqipe…).
Kjo vepër bëri që fundi i tij të ishte tragjik. Ai u helmua nga qarqet fetare shoviniste. Kjo vdekje bëri një jehonë të madhe në botë. Disa gazeta shqiptare, angleze e amerikane shkruan për të.
Me futjen e psallmeve shqip në kishën e Luarasit në bashkëpunim me papa Stefan Luarasin ai debatoi edhe me Dhespotin e Korçës, Grigorin. Në lidhjet e tij me rrethet patriotike dhe zbatimin e platformës kombëtare, P. N. Luarasi bashkëpunoi me parinë bektashiane – moderatorë të myslimanizmit dhe me protestantët anglo-amerikanë, përfaqësuesi shqiptar i të cilëve qe Gjerasim Qiriazi. Mbi bazën e këtyre idealeve kombëtare familjet Luarasi dhe Qiriazi u lidhën në një miqësi shekullore, duke iu gjendur njëri-tjetrit në momente të vështira.

Shoqëria "Malli i Mëmëdheut", 1905, në mes Petro Nini Luarasi
Shoqëria “Malli i Mëmëdheut”, 1905 Amerike, në mes Petro Nini Luarasi

Në prill 1904, P. N. Luarasi arratiset nga burgu ku ishte mbyllur nga qeveria turke dhe u strehua në Shtetet e Bashkuara, si emigrant politik. Në Sh.B.A. Petro Nini Luarasi zhvillon një aktivitet të gjerë. Krijoi shoqëritë e para patriotike shqiptaro-amerikane: “Pellazgu” dhe “Malli i Mëmëdheut”, ndihmoi Sotir Pecin për botimin e gazetës “Kombi” dhe Fan Nolin që të kurorëzohej prift e të hidhte themelet për krijimin e kishës autoqefale shqiptare në Sh.B.A., themeloi librarinë e parë me libra shqip e anglisht, bashkëpunoi ngushtë me Kristo Dakon, lider i protestantëve shqiptarë në Sh.B.A., për të futur frymën kombëtare midis emigrantëve ekonomikë, të cilët ishin të tërhequr e të frikësuar nga reaksioni shovinist mbi familjet në atdhe. Petro Nini Luarasi përçoi kudo tezën: “Kombi mbi të gjitha!”.
Më 1908, u kthye në Shqipëri së bashku me disa miq e farefis, për të luftuar si komitë për çlirim. Në atë kohë u shpall Hyrieti e ai filloi veprimtarinë patriotike legale duke u lidhur ngushtë me misionarët protestantë amerikanë, e çiftin Kenedi.
Vdes i helmuar në 17 gusht të vitit 1911, nga armiqtë e kombit. Por fjala e tij u përjetësua në vepër: “Ruamani gjakun, se do të duhet për shkrimin e gjuhës shqipe… Edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi!”

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.