Kostantin Arianiti – Kominata – Komneni 1*
eskluzive nga Prof. Lutfi Alia
…Pas pushtimit turk, në shek. XIV-XVII,
trojet tona u tronditën nga eksode masive,
që çuan në largimin nga vendlindja të më shumë se 300 000 albanezëve,
të cilët u vendosën kryesisht në Itali.
Fisnikët dhe një pjesë e popullit,
që i kundërshtoj pushtuesit osmanë, u detyruan të emigrojnë
për t’i shpëtuar persekutimeve e masakrave barbare të turqëve
dhe për të ruajtur besimin e krishterë…!
-Ky Sulltani qan me lot./Kam dhe një Skënder në Sopot
Flakë në mal dhe flakë në breg/ Gjorg Golemi thotë jam mbret…! Lutfi Alia
Historia e jonë nuk kufizohet vetëm në trojet ballkanike të banuara nga albanezo-shqiptarët, por është e pranishme dhe aktive nëpër botë, në shumë vende të tjera fqinje e të largëta, çka dëshmohet me historitë e popujve, që kanë bujt bashkatdhetarët tanë.
Në periudhën e Mesjetës, si gjatë invazionit sllav dhe pushtimit turk, shumë albanezo-shqiptarë emigruan në vendet fqinje, ku u sistemuan, mbijetuan, u organizuan duke ruajtur identitetin, kulturën, gjuhën dhe traditat e vendit të origjinës, madje nuk kanë reshtur së mbrojturi çeshtjen tonë kombëtare e njëkohesisht, kanë qenë protagonistë në historinë e vendeve bujtëse.
Albanezo-shqiptarët e emigruar kanë dhënë kontribute historike në Angli, Argjentinë, Australi, Austri, Bullgari, Egjypt, Francë, Greqi, Itali, Irak, Jemen, Jordani, Liban, Libi, Kanada, Tunizi, Siri, Spanjë, Turqi, Ukrainë, USA, etj, etj.
Pas pushtimit turk, në shek. XIV-XVII, trojet tona u tronditën nga eksode masive, që çuan në largimin nga vendlindja të më shumë se 300 000 albanezëve, të cilët kryesisht u vendosën në Itali. Fisnikët dhe një pjesë e popullit, që i kundërshtoj pushtuesit osmanë, u detyruan të emigrojnë për t’i shpëtuar persekutimeve e masakrave barbare të turqëve dhe për të ruajtur besimin e krishterë…
Komuniteti arbëresh i Italisë, i ka ruajtur traditat, kulturën dhe gjuhën e bukur albaneze, që me të drejtë Prof. Françesko Altimari e quan dialekti arbërisht, pasi është gjuha mesjetare që flisnin albanezët dhe arbëreshët e Italisë, pra ka ekzistuar krahas dy dialekteve gegënisht dhe toskënisht.
Arberëshët kanë nxjerrë figura të shquara, me kontribute në historinë e Italisë dhe ndërmjet tyre shquhet Kostantin Arianiti – Kominata – Komneni, pinjoll i familjes fisnike të Arianitëve.
Kush janë Arianitët?
Arianitët, përmenden për herë të parë në kronikat bizantine të shek. të IX, si fise malësore, që jetonin në lindje të Themës së Durrësit. Në shek. e XI, Arianitët rezultojnë zotët e trevave në rrjedhën e sipërme të Shkumbinit, në të dy anët e rrugës Egnacia, pra të Çermenikës, Polisit dhe Shpatit, por në shek. XII-XV, u zgjeruan dhe përfshin Tomadhean, Dibrën, Librazhdin, Mokrën (Mochino), Manastirin, Follorinën e më pas Mallakastrën, Vlorën dhe Kaninën.
Për sa i përket etimiologjisë të emrit Arianiti, një pjesë historianësh mendojnë se e ka origjinën ne fjalën indoeuropiane “arya – fisnik”, të tjerë thonë se rrjedh nga fjala albaneze “ara”, por me bindës është mendimi se lidhet me emrin e tribuve ilire Arinstae (Arinste), që në periudhën helene dhe romane, banonin në trojet e shtrira në të dy anët e segmentit qëndror të rrugës antike Egnacia.
Në shek. e XIV, familja Arianiti filloi të përdorë edhe mbiemrin Komneni, si homonim i familjes perandorake bizantine të Komnëenëve, por kanë përdorur edhe mbiemerin Shpata, si shprehje e të drejtës si zotërinj të trevës së Shpatit.
Disa pjestarë të familjes Arianiti, në shek. e XIII, përdornin mbiemrin Golemi, si rezultojnë në dokumentat e kohës fisnikët Arianit Golemi de Albania dhe Arianites Thopia Golemus e më pas Moisi Golemi, i biri i Muzak Arianitit. Një pjesë e medievalistave mendojnë se mbiemeri Golem është me origjinë greke Golemis, por pa shpjeguar lidhjen, disa thonë është sllav, që do të thotë “i madh”, të tjerë e shpjegojnë me origjinë nga ebraishtja Golem – gjigand, por shumica insistojnë se është deformim popullor i emrit Gulielm, mendim bindës ky, pasi Gulem Arianiti dokumentohet në shek. e XIII, Zot i Arbanon dhe nga kjo kohë, pasardhësit e tij, mbajnë dhe këtë mbiemër. Dihet se populli ynë e ka në traditë, që emri i babait të bëhet mbiemër i djemve.
Eksponent i pare i kësaj familje, i dokumentuar në shek. e XI është David Arianiti, i cili në vitet 1001 dhe 1018, ishte strategu i Themës së Selanikut (Maqedonisë), në shërbim të Perandorit bizantin Bazili II, i cili më pas e transferoi strateg të Shkupit, ku organizoi rezistencën kundër sulmeve të barbarëve bullgarë.
Në vitet 1049-1050, në shërbim të Perandorit të Bizantit, rezulton dhe Kostantin Arianiti, ndofta i biri, ose kushëri i Davidit. Kostantini u shqua në luftën kundër Peceneghëve, një tribu nomade turke, që në shek. e XI, zbritën nga stepat dhe sulmuan trojet lindore të Perandorisë Bizantine.
Në vitet 1190-1255, Arianitët u bashkuan me Shtetin e Albanisë të dinastisë Progoni. Në kët kohë, sipas ipeshkëvit dhe historianit ëilliam of Tyre (1130-1189), nga familja e Arianitëve përmendet fisniku Iohannes Carianica, pra me mbiemër, që më pas u shndërrua në Çermenika.
Në vitin 1253, në kronikat bizantine përmendet Gulem Arianiti, zoti i Albanon, i cili ishte i martuar me fisniken Irena – kushërirë e gruas së perandorit të Bizantit e pikërisht mendohet se ky është edhe motivi, pse kjo familje përdori dhe mbiemrin perandorak Komeneni.
Rreth vitit 1300, princi Budares Komneni (Comneni Budaresci princeps), u martua me një vajzë të familjes Golemi të Krujës dhe në vitet e mëpasëm, familja Arianiti përdori dy mbiemrat, Komneni dhe Golemi, që do ta ndeshim shpesh në shumë kronika dhe dokumenta të shek. XV.
Në vitin 1452, në një dokument të nxjerrë nga kancelaria e Mbretit Alfonsi V Aragona, shkruhet Aranit Golem de Albania, ndërsa Marin Barleci, përmend fisnikun Arianites Thopia Golemus.
Në dokumenta të ndryshe, familja Arianiti përdor disa mbiemra: Komneni, Golemi, Topia, Shpata dhe Çermenika (Carianica), të shoqëruar me titujt e fisnikërisë, sidomos titullin princ.
Në vitin 1267, Arianitët janë ndërmjet 16 familjeve fisnike arbërore, që bashkëpunuan me Karlin I, për themelimin e Mbretërisë të Albanisë (1267-1373). Në vitin 1274, në marrëveshjen e Karlit I, me fisnikët albanezë, ndër firmëtarët e Aleancës rezulton dhe Aleks Arianiti, me titullin sebast.
Në dy dokumenta të viti 1304, të Princit Filipi Anzhù i Tarantos – Dominus Regum Albaniae (1294-1331) dhe Karli II Anzhù, Arianitët janë në listën e 16 fiseve kryesore arbërore, të cilëve u njiheshin privilegjet dhe e drejta e vetqeverisjes në trojet e tyre: “Filippi, princi i Tarantos……… i garanton privilegjet fiseve albaneze: Albët, Kotarukët, Shpatët, Buzëzijët, Aranitët, Markezët, Turbacejt, Lecenët, Skurajt, Zenevisët, Logoreskët, Matesët… etj”.
Në vitin 1319, Papa Gjoni XXII, i dërgon një letër fisnikëve albanezë, ndërmjet tyre dhe protolegatit Gulielm Arianiti, ku i bënë thirrje të bashkohen për organizimin e kryqëzatës antiserbe. Kjo letër e Papës, dërgur Gulielmit, dëshmon pozicionin e lartë politik, shoqëror dhe fetar të Arianitëve.
Në vitin 1373, emri i një pjestari të familjes Arianiti, gjendet i qëndisur në epitafin e Gllavenicës. Ky epitaf është njeri ndër tre punimet e këtij lloji të njohura deri sot në botë.
Në qendër te epitafit është i qëndisur trupi i Krishtit të vdekur, i shtrirë mbi një çarçaf, i rrethuar nga shenjtorë, serafinë dhe ëngjëj. Ky epitaf ka mbetur mister për studiuesit, të cilët po përpiqen të zbulojnë diçka më shumë rreth historisë së krijimit të tij, por edhe të teknikës së realizimit. Epitafi i Gllavenicës është objekt me vlera i kulturës mesjetare shqiptare, është një margaritar i krishtërimit, i historisë, i artit dhe i artizanatit albanez. Epitafi është i konceptuar si pikturë, andaj mjeshtri i ka përdorur të gjitha elementët e pikturës, si larminë e ngjyrave, dritë-hijet, madje dhe një pikë imagjinare drite, e cila ndriçon gjithë epitafin duke i dhënë vezullim qiellor.
Në buzët e epitafit është shkruar: “U plotësua (u qëndis) ky areas (epitaf) i gjithë nderuari dhe i hyjshëm i së mbishenjtës Hyjëlindëse të patundur, me shpenzimin dhe mundimin e episkopit të gjithëhirshëmit Kalisi i Glavenicës dhe i Beratit, në muajin mars 22, viti 6881 (1373). Ti që zotëron jetën, ah! si je trup i vdekur pa frymë. Në kohën e zotërimit të zotëve të shumëlartë të Serbisë, Rumanisë dhe gjithë Albanit dhe të vëllezërve Gjergjit dhe Ballshës. Dora e Gjergj Arianitit dhe arëqëndisësit”. Si kuptohet, një ndër mjeshtrit e punimit të Epitafit është murgu Gjergj Arianiti, i cili na e la të qëndisur emrin dhe njëkohësisht dëshmon përkatësinë nga familja Arianiti.
Aktiviteti politik i familjes së Arianitëve, është i mirëdokumentuar në shek. e XV, kur u shquan në organizimin e rezistencës antiturke, e kurorëzuar me çlirimin e trojeve arbërore nga pushtuesit osmanë. Figura qëndrore e me rol në këto vite të veshtira është Princi Gjergj Araniti (1376-1462).
Sipas Marin Barlecit dhe Gjon Muzakës, i ati i Gjergjit ishte Komnen Arianiti dhe nëna ishte e bija e Nikolla Zakaria, zoti i qytetit-port Budua. Në disa burime historike bizantine, thuhet se i ati mbante dhe mbiemerin Spata, (Arianit Spatensis).
Gjergji kishte dy vëllezër Muzakën dhe Vlladanin, si dhe një motër, e martuar me Pal Dukagjinin.
Gjergji u martua me konteshën Maria Muzaka, e bija e Andrea III Muzaka, dhespoti i Epirit, Zoti i Devollit, Muzakisë dhe i Himarës. Nga kjo martesë, Gjergji mori pajë trojet nga Mallakastra deri në det, përfshi Vlorën dhe Kaninën. Principata e gjerë e Arianitëve kishte dy kryeqendra, njera më e vjetra ishte Sopoti i Polisit dhe tjetra, ishte Kanina.
Nga martesa e Gjergj Arianitit me Maria Muzakën, lindën 8 vajza, ndër të cilët Andronika Arianiti, u martua me Gjergj Kastriotin, Vojsava me princin Crnojević të Malit te Zi, Kirana u martua me Nikolla Dukagjinin, Helena me Gjergj Dukagjini, Angjelina me car Stefan Brankoviçin e Serbisë, madje Angjelina është shenjtëruar nga kisha ortodokse dhe nderohet si Shën Nëna Angjelina.
Në 4 dekadat e para të shek. të XV, Principata e Arianitëve, me në krye Gjergj Arianitin u bë epiqendra e luftës antiosmane. Në vitet 1430-1436, Princi Gjergj Arianiti organizoj kryengritjen antiturke, që u kurorëzua me çlirimin e trojeve arbërore nga spahinjtë dhe timarlinjtë osmanë.
Për shtypjen e kësaj kryengritje erdhi vetë Sulltan Muratin II, i cili organizoi disa ekspedita.
Në vitin 1430, në betejen e parë në Byshek të Elbasanit, ushtria turke e komanduar nga Ali Beu, ish sanxhakbeu i Arbërisë, u shpartallua nga luftëtarët e Gjergj Arianitit. Kjo ishte fitorja e parë e albanezëve kundër ushtrisë së fuqishme osmane, për të cilën kronisti bizantin Halkokondili, shkruan: “Kjo fitore i solli lavdi të shkëlqyer organizatorit të saj, Gjergj Arianiti, që u bë figura qëndrore e jetës politike shqiptare të viteve ‘30”.
Kryengritjet e Gjergj Arianitit, nxitën dhe princat e tjerë të ngrihen kundër pushtuesit turk. Në veri, luftëtarët e Nikollë Dukagjinit morën kështjellën e Dèjës, në qendër Andrea Topia nuk mundi ta çlirojë Krujën, kurse ne jug Depë Zenebishi, zoti i Gjirokastrës, pësoi disfatë dhe komandanti i tyre e ra rob dhe u var prej turqve!
Gjatë vitit 1434, Gjergj Arianiti korri fitore të tjera, kësisoj në shkurt shpartalloi forcat e Sinan Pashës, bejlerbeut të Rumelisë dhe në dhjetor ushtrinë e Isak Beut, sanxhakbeut të Shkupit, ndërsa ne 20 prill 1435, korri një fitore të re, pas së cilës sulltan Murati II i ndërpreu ekspeditat kundër tij.
Fitoret e Gjergj Arianitit, e rritën besimin dhe vendosmërinë e albanezëve për të mbrojtur lirinë e për të luftuar kundër pushtuesit të fuqishëm otoman. Këto fitore kundër turqve, patën jehonë të gjerë në Europë dhe sidomos në Vatikan. Mbreti i Hungarisë, Sigismundi, bëri marrëveshje me Gjergj Arianitin dhe me Andrea Topian, për të luftuar kundër pushtuesve osmanë, por përpjekjet e tyre për organizimin e një kryengritje të përgjithshme antiosmane, nuk patën jehonë në vendet e tjera të Ballkanit.
Në 2 mars 1444, Gjergj Arianiti mori pjesë në Besëlidhjen e Arbërit, në Lezhë, ku mbështeti fuqishëm Gjergj Kastriotin në aleancën me princat albanezë dhe luftoi krahë tij, në të gjitha betejat kundër pushtuesve osmanë.
Në vitin 1449, vdiq gruaja Maria Muzaka dhe më pas Princi Gjergj Arianiti u martua me fisniken italiane Petrina Frankone, e bija e Oliviero Frankone, baron i Taurisano – Pulja dhe mëkëmbës i Mbretit të Napolit në Pulja. E ëma e Petrinës ishte arbëreshe, e bija e Zakaria – princi i Moresë.
Nga martesa me Petrinën (disa e quajnë dhe Despotina), lindën katër fëmijë, tre djem: Tommasi, Kostantini, Arianiti dhe një vajzë Maria Arianiti.
Ne keto vite, Gjergj Arianiti dhe pse i moshuar, vazhdoi të komandojë malësorët në luftimet kundër sulmeve turke, si shprehet raspodi në këngën e Gjorg Arianitit, e cila këndohet prej 550 vite nga banorët e Sopotit, të Librazhdit, të Shpatit, të Çermenikës e më gjerë, duke evokuar heroizmin e Princ Arianitit dhe të malësorëve.
Ky Sulltani qan me lot,/ Kam dhe një Skënder në Sopot
Flakë në mal dhe flakë në breg/ Gjorg Golemi thotë jam mbret…
Historiani J. De Lavardin në veprën “Histoire de Scanderbeg” – 1621 shkruan: “Gjergj Arianiti ishte një burrë i mençur, me rrënjë të lashta fisnikërie, me autoritet të madh, i aftë dhe me sens praktik në artin ushtarak. Ai kishte trup të fortë dhe bukuri të fytyrës, që çmoheshin shumë nga populli. Gjergj Arianiti quhej më i madhi ndërmjet albanezëve dhe maqedonasve!”.
Principata e Arianitëve nuk u pushtua, por ishte objekt i sulmeve të vazhdueshme të Perandorisë Osmane. Në ato vite, një nga ekspeditat turke kundër Principatës së Arianitëve, u thye rëndë në Shalës të Elbasanit. Për të festuar këtë fitore, Princ Gjergji dhe luftëtarët e tij, shkuan në Kishën e Shën Mërisë në Galigat të Shpatit, ku me 8 shtator organizohej panairi i të Premtes së Shën Mërisë, si tregohet në sagën e Gjorgj Arianiti:
Gjorgj Golemi trim me fletë/ N’Galigat shkon dy net,
N’Galigat, për Shën Mëri/ Do të shkojë me gjithë ushtri.
Komandanti i ushtrise turke, i informuar nga një tradhëtar albanez për largimin e luftëtarëve, u kthye nga rruga e ikjes dhe e sulmoi Sopotin e pambrojtur, duke e djegur, plaçkitur dhe masakruar të gjithë banorët. Gratë dhe vajzat e Sopotit, për të mos rënë në duart e turqëve u vetësakrifikuan, duke u hedhur nga shkëmbi në humnerë.
Këtë ngjarje tragjike, populli e ka mishëruar në këngën heroike, e njohur si saga e Gjorgj Golemit. Historiani Oreste Parisi (2013) në një studim rreth kësaj sage shkruan: “…kjo këngë nuk është vajtim për tragjedinë e madhe që goditi popullin e Sopotit, por është një këngë krenarie, gati një sfidë, është guximi i malësorëvë… dhe nga ana tjetër përçmimi për pushtuesit…”.
Në këtë kënge epike me 55 vargje, janë ndërthurur faktet historike me rrëfenjat popullore, që së bashku na ofrojnë të dhëna interesante rreth familjes fisnike të Arianitëve. Pasi evokon meritat e Gjergj Arianitit në luftën kundër turqëve dhe paqen e mirësinë, që mbretëronin në Sopot, rapsodi flet për ngjarjen tragjike, që goditi Sopotin dhe këtë e tregon nëpërmjet fjalëve të Maria Arianiti, vajzës së vogël të Gjergjit.
Zot, Maria ka nje fjalë,/ Mu te mani paska dalë,
Ti o princ, mos hyp në kalë,/ Do vij turku me na marrë.
……..
Ndal o At, ku po shkon,/ Do vij turku, na pushton,
N’Mollë të Kuqe ai na çon./ Pashë një ëndërr kët natë,
Sopoti na mori flakë,/ Ti o At dëgjomë këtë herë,
Se vjen turku e na ther./
Në këtë këngë, rapsodi ka përdorur elementet Homeriane të Iliadës, pikërisht profecinë ndjellakeqase të Andromakës. Maria ashtu si Andromaka, parathotë tragjedinë, që do të godasë rëndë malësorët e pambrojtur të Sopotit. Gjitheçka ndodhi atë ditë të shtunë. Masakrën makabre të barbarëve turq, poeti popullor na e tregon thjesht, por dhimbshëm nëpërmjet thirrjes dëshpëruese të princeshës Maria Arianiti, drejtuar të Atit dhe ne vazhdim kuptohen pasojat.
Në kontrast me tragjedinë, poeti popullor shpreh dhe guximin e malësoreve, burrave dhe grave sopotare, që luftuan me heroizëm kundër turqëve, madje e tregon me krenari si një sfidë të rrallë.
Mark Milloshi në Liqe,/ Luan shpatën posi dre,
Luan shpatën si dragoji,/ Dhe turqit i coptoj.
………………………
Sopotare moj të ngrata,/ Rrokni thika, rrokni shpata…
Në këtë fund tragjik, Maria Arianiti, duke i u drejtuar të Atit, shpreh dhimbjen dhe mallin për vëllanë, i cili nuk ishte në Sopot e pas kësaj ngjarje nuk do të takohen kurrë, pasi ai ishte në Itali, ndërsa Maria u mor robinjë nga turqit.
Gjel Çelikun, foshnjë të ri/ Na e çove në Itali….
Tragjedia e Sopotit, kujtohet me dhimbje të thellë edhe si mallkim nga sopotarët që emigruan në Itali, si tregon Antonio Bellusci, duke komentuar një këngë popullore të kënduar nga arbëreshët, që banojnë në komunën e Santa Sofia di Epiro, ku ndër të tjera thuhet: “Gjithë t’u shtunat ardhsin, ma vet e shtunia e Shalës maj mos ardht!”.
Pas masakrës së turqëve në Sopot, emri i Maria Arianitit nuk përmendet, por nga kënga kuptohet se ajo ishte robinjë kur thotë: “N’Moll të Kuqe ai na çon”, pra ne kuptimin se do ta dërgojnë prapa diellit (Molla e Kuqe në traditën popullore është dielli). Komandanti turk e dorëzoi Marien në oborrin e Sulltan Mehmetit II, madje thuhet se u bë Sulltaneshë dhe lindi një djalë, i cili më pas u bë Sulltan Bajaziti II, pra rezulton se duhet të ishte i nipi i princit Gjergj Arianiti…
Siç theksova më sipër, Princi Gjergj Arianit kishte tre djem, i dyti quhej Kostantin, por nga kjo sagë kuptohet se quhej dhe Gjel, që është forma e shkurtër dhe përkëdhelëse e emrit Gjergj.
Ekzistenca e dy emrave është dukuri e zakonëshme ndër popullatën e krishterë albaneze, pasi njeri ishte emëri i parë pas lindjes, që zakonisht ishte emri i njerit prej pararëndesve më të shquar të familjes dhe i dyti ishte emri i pagëzimit në kishë. Kjo praktikë aplikohet rregullisht dhe në ditët e sotme si në Polis dhe në Shpat.
Kostantin Arianiti – Kominata – Komneni
Pas vitit 1456, Princi Gjergj Arianiti, bashkëshortja Petrina dhe tre fëmijët u vendosën në Durrës, që si dihet ishte nën zotërimin e venedikasve.
Në Durrës, në vitin 1456, lindi Kostantini djali i dytë i Gjergj Arianitit me Petrina Frankoni, ku mori mësimet e para e më pas e dërguan në Itali.
Tomasi nuk u martua, ishte shëndetlig dhe vdiq në vitin 1484, ndërsa Arianiti, pasi jetoi disa vite në Itali së bashku me të emën, preferoi të rikthehet në Albania, ku u konvertua në myslyman, duke u shpërblyer nga Porta e Lartë, me detyra të larta ushtarake, por pati përfundim tragjik, pasi mbeti i vrarë nga bashkatdhetarët, gjatë një ekspedite ushtarake kundër malësorëve albanezë.
Rrëfenjat popullore thonë se Gjergj Arianiti i kaloi vitet e fundit të jetës në malet e Principatës, duke luftuar kundër turqëve, ndërsa në realitet ai u vendos në Durrësin e Venecianëve, si rezulton nga burimet arkiviale veneciane (ASVE, Senato Mar, vol. VII: c. 23). Në një dokument të kësaj kohe, rezulton se Dozha i Venecies, e kishte dhënë urdhër të posaçëm Paolo Kuirini (Quirini), Bailò dhe Kapidani i Durrësit, të përkujdesej me prioritet për familjen e Arianitëve.
Princi Gjergj Arianiti vdiq ne vitin 1462, në Durrës dhe u varros në katedralen e Shën Mërisë të ipeshkëvisë së Durrësit. Baronesha Petrina Frankone Arianiti Komnena e mbetur e vè, së bashku me tre djemtë, në vitin 1463, u kthye në Itali, fillimisht në trojet e prindërve, e më pas në Venecia. Pra Kostantini jetoi në Itali, ku bëri emër të mirë, sa përmendet dhe në historinë e Italisë.
Në Dizionario Biografico degli Italiani, volume 4 – Roma, i botuar nga Istituto della Enciclopedia Italiana 1962 (f. 141-143), Franz Babinger dhe Giorgio Fiori, trajtojnë historinë e familjes së Arianitëve, e në veçanti trajton figurën e Kostantin Arianitit Komneni, që ka jetuar në oborrin e Monferrato Conca (Rimini). (Rivista di storia, arte, archeologia per le Province di Alessandria e Asti, CVIII:1999, pp. 67-82).
Zonja Petrina, shkoi në Venecia dhe me 3 shtator 1463, u prezantua përpara Senatit të Vendikut, ku u kërkoi senatorëve mbrojtje dhe mbështetje për djemtë: Tomasin, Kostantinin dhe Arianitin.
Në 13 maj 1464, Senati i Venecias u njohu të tre djemëve të Gjergjit titullin patric venecian, madje familja e Arianitëve prezantohej publikisht me stemën e vet heraldike, me një pamje karakteristike, një mburojë rruzullake si e Akilit, me në qënder dy shqiponja, njera shqiponjë e madhe dykrenare, që mban në kthetra skeptrin dhe sferën mbretërore, ndërsa në qendër është një shqyt, me shqiponjë me një kokë, e rrethuar në mbrojtje të dy arinjëve dhe tre luanëve, në pozicion horizontal në ecje si luani i Kunavisë. Shqiponja dykrenare e Arianitëve gjendet e vizatuar në shek. e XIV, në një ikonë në shpellën e Letmit në Çermenikës, që njihet si trevë në zotërimin e Arianitëve.
Pasi Senati Venecian i njohu të drejtat e fisnikërisë së djemëve, Zonja Petrina, dëshironte të rikthehej në Salento, në pronat e prindërve në Leçe, por vdekja e Tommasit dhe vrasja e Arianitit e tronditën dhe e detyruan të ndryshojë mendim.
Në vitet 1484-1486, baronesha Petrina preferoi të transferohet në Romë, e ftuar nga Kuria e Selisë së Shenjtë, që i akordoi një mbështetje financiare asaj dhe Kostantinit.
Në Romë, Kostantin Arianiti hyri në shërbimin e Papa Sisto IV, ku për aftësi dhe merita i dhanë detyrën e protonotario apostolik edhe pse nuk ishte klerik, jo vetëm kaq, por nuk kishte prirje dhe dëshirë për t’i u dedikuar fesë.
Në të njëjtin vit, Senati i Venecies i rikonfirmoj titullin e patric venecian (ASVe, Misti del Consiglio dei X, vol. XXI, c. 117v, vol. XXXI, c. 228v, vol. XXXII, c. 229).
Me 11 korrik 1489, Perandori Federiku III, në një letër dërguar Papa Inocenci III, i konfirmon mbështetjen në favor të Zonjës Petrina, si dhe të Kostantin Arianitit, i cili pas vdekjes së Papa Sisto IV (1484), i kishte lënë detyrat në Kurian e Vatikanit. (Pjesa e Dytë)
Pas vitit 1492, Kostantini krahas mbiemrit Arianiti – Komneni filloi të përdorë dhe titullin Princi Maqedonisë dhe Duka i Akajas, çka i ka shtyrë historianët Babinger dhe Fiori, ta quajnë mashtrues, pasi sipas tyre, familja Arianiti nuk i kishte këta tituj. Me gjithë kritikat për përvetësimin e titujve nga Arianiti, të dy historianët theksojnë, se këto tituj dhe ofiqe, ia rritën prestigjin dhe shkëlqimin në rradhët e fisnikërisë italiane.
E veja e Gjergj Arianitit, baronesha Petrina Frankone Arianiti Kominata Komnena, së bashku me të tre djemtë, në fillim të vitit 1463 u kthye në Itali, fillimisht qëndroi në trojet e prindërve e më pas në Venecia. Më 3 shtator 1463, baronesha Petrina u prezantua përpara Senatit të Venedikut, për të kërkuar mbrojtje dhe mbështetje për djemtë Tomasin, Kostantinin dhe Arianitin. Në 13 maj 1464, Senati i Venecias i njohu titullin patrica venecianë të tre djemeve te Gjergj Arianitit.
Kostantini u rrit dhe u arsimua në Itali. Në ato vite, Italia ishte një shprehje gjeografike, e formuar me një mozaik shtetesh, që grindeshin mes tyre, si për divergjencat politike dhe ekonomike po dhe për mospërputhje mendimi dhe kulturash. Në mesjetën e vonëshme, në Itali ekzistonin shumë shtete të vegjël dhe disa të mëdha, të cilët provokonin konflikte, për të vendosur hegjemoninë dhe për të zgjeruar kufijtë e trojeve të veta.
Kostantini u rrit e u formua në këtë mejdis, por me pragmatizmin, inteligjencën dhe aftësitë e tij, bëri emër të mirë dhe karrierë, u shqua si fisnik, si kapidan dhe si diplomat, për çka dhe hyri në histori, duke u përmendur në të gjitha enciklopeditë e Italisë.
Kostantini, që në moshë të re u impenjua në funksione dha aktivitete të rëndësishme, të shtrira në të gjashtë shtetet e mëdha të asaj kohe, kësisoj bëhet protagonist në:
-Shtetin Papal, ku Papa kishte rolin qëndror për Kishën dhe në vizionin e politikës së shtetit;
-Mbretërinë e Napolit, fillimisht të drejtuar nga Anzhoinët e më pas nga dera e Aragonëve;
-Republikën e fisnikëve Medici të Firences;
-Dukatin e Milanos, fillimisht i drejtuar nga fisnikët Viskonti e më pas nga Sforca;
-Dukatin e Savojës;
-Republikën e Venecias (Venediku).
Në vitin 1483, Senati venezian i rikonfirmoi tre djemve Arianiti titullin patrica venecian, (Arch. S. Veneto, Misti del Consiglio dei X, vol. XXI, c. 117v, vol. XXXI, c. 228v, vol. XXXII, cc, 2, 29).
Në vitin 1484, vdes Tomasi e më pas dhe Arianiti e në këto rrethana dhimbje e trishtimi, baronesha Petrina dhe Kostantini u transferuan në Romë, të ftuar nga Kuria e Selisë së Shenjtë, që iu akordoi një pension asaj dhe djalit. Pas pak muajsh, Kuria Papale e mobilizoi Kostantinin në shërbim të Papa Sisto IV, i cili i dha detyrën e protonotario apostolik, pavarësisht se Ai nuk ishte klerik, madje nuk kishte as përkushtim fetar. Kur Kostantini u emërua në këtë detyrë, ishte 28 vjeç, çka tregon se Vatikani, ende shprehte respekt dhe nderim ndaj Princit Gjergj Arianiti, që ishte shquar në luftën kundër turqëve, por ishte dhe vlerësim për aftësitë kulturore dhe ushtarake të Kostantinit.
Në vitin 1486, u bashkuan ne Itali, dy deget e dinastise Arianiti, Kostantini dhe mbesa e tij, e bukura dhe e mençura Maria Brankoviçi, e bija e së motrës Angjelina Arianiti Komnena dhe e Stefan Brankoviçit, që kishte qenë dhespot i Serbisë, por në vitin 1459, pas protestave popullore e braktisi fronin e Carit dhe shkoj refugjat në Vienë. Familja e Brankoviçëve u strehua në oborrin Perandorak të Austrisë, kësisoj Maria u rrit dhe u formua në Vienë. Me ndërhyrjen e perandorit Federiku i III Habsburg, Marien e martuan me fisnikun e moshuar Bonifaci III Paleologu, Markezi i shtetit të vogël të Monferratos në Padania të Italisë veriore.
Në vitn 1484, Markezit Bonifaci III, i kish vdekur gruaja e parë, kontesha Elena di Bresse dhe po atë vit u martua me të bukurën Maria Brankoviç. Nga kjo lidhje martesore lindën tre fëmijë një vajze Margarita (1485) dhe dy djem Gulielmo (1486) dhe Gian Giorgio (1488).
Markezia e re, Maria ushtroi rol me rëndësi në drejtimin shtetit të vogël dhe të pasur të Monferratos. Markezi Bonifaci ishte i moshuar e nuk mund të ndiqte të gjitha aktivitetet e shtetit të tij, andaj me propozimin e gruas Maria, i kërkuan Kostantinit, të bashkpunonte si administrator. Kostantini e pranoj menjëherë ftesën, kësisoj në vitin 1486, la detyrën e protonotarios apostolik dhe kaloi në shërbim të mbesës Maria, markeza e Monferratos, madje u bë personi më i besueshëm i Markezit Bonifaci III. Kjo besueshmëri vërtetohet dhe në testamentin e vitit 1491, të Bonifacit të III, i cili e emëroi regjent të dy djemve, që ishin ende të mitur. Markezi Bonifaci III, i vlerësoj aftësitë e Kostantinit, kësisoj krahas detyrës të administratorit të shtetit të vogël të Monferratos së Padanias, në vitin 1489, e martoi me vajzën e tij Franceska Paleologo, e cila ishte e bija natyrale dhe jolegjitime, por e njohur zyrtarisht nga markezi.
Nga kjo martese, Kostantini mori nga Françeska një dhunti të madhe, ku përfshiheshin kështjella dhe troje, që i siguruan një mbështetje të fuqishme ekonomike dhe financiare.
Besimi, që i dhanë mbesa Maria dhe burri i saj Bonifaci III Paleologo, dhe sidomos martesa me të bijën e markezit, e bënë Kostantinin figura kryesore, sa e ngarkuan të administronte financën e Monferratos. Në kohë të shkurtër, Kostantini e forcoi dhe e zgjeroi shtetin e vogël Padan, pasi bleu pothuajse të gjitha trojet përreth si Suardi, Refrankore, Rivalta. Në vitin 1492, mori nën zotërim dhe Terruxhia e më pas Tonengo, Morasengo dhe Piazzo.
Në 4 mars 1494, vdiq markezi Bonifac i III Paleologo, duke e lënë pushtetin në duart e Maries si regjente dhe të Kostantin Arianitit, i cili në 1499, mori të drejtat e feudalit të shtetit të Monferrato.
Pas vitit 1492, Kostantini krahas mbiemrit Arianiti – Komneni filloj te perdori dhe titullin Princi Maqedonisë dhe Dukë i Akajas, çka i ka shtyrë historianët Babinger dhe Fiori, ta quajnë mashtrues, pasi sipas tyre, familja Arianiti nuk i kishte këto tituj. Megjithë kritikat për përvetësimin e titujve nga Arianiti, të dy historianët theksojnë, se këto tituj dhe ofiqe, i a rritën prestigjin dhe shkëlqimin në rradhët e fisnikërisë italiane.
Në fakt, të dy këta historianë kanë gabuar me gjykimet e tyre skeptike. Këto tituj nuk janë abuzivë, përkundrazi është dokumentuar se fisniku David Arianiti në vitet 1001 dhe 1018, ishte strategu i Themës së Selanikut – Maqedonisë, në shërbim të Perandorit bizantin Bazili II, e më pas strateg i Shkupit, ashtu si më vonë, një tjetër Arianit rezulton Duka i Akajas. Sipas rregullave të fisnikërisë, këto tituj i trashëgojnë meshkujt pasardhësit të familjes.
Perandori Frederiku III i Habsburgëve, i njihte titujt e fisnikërisë të familjes Arianiti, si rezulton edhe në letren e 11 korrik 1489, që i dërgon Papës Inocenti VIII, ku i kërkonte të ndihmohej baronesha Petrina, e veja e Gjergj Arianiti – Princit të Maqedonisë. Në shumë dokumenta të mëvonshëm, disa sovranë të kohës i shkruanin Kostantinit duke e cilësuar me mbiemrin perandorak Komneni dhe me titullin e princit të Maqedonisë, si Dozha i Venedikut në letrën e 17 marsit 1509, apo Papa Klementi i VII në letrën e 25 janarit 1528, ashtu si dhe Perandori Karli V, në letrën e 06. 02. 1529, që i komunikonte Princit të Maqëdonisë imunitet dhe mbrojtjen nga ana e tij.
Studiuesja Simonetta Angelo Comnena, në librin, “Storia e genealogia della Imperiale famiglia Angelo Comneno Ducas o Angelo Flavio Comneno Ducas”, botuar në vitin 2007, bazuar në shumë dokumentat të Arkivit të Vatikanit, Venecias, Kostantinopjës etj, tregon se nga familja perandorake Angelo-Komneno, rrjedhin – Jure sanguinis – tre familje fisnike albaneze dhe pikërisht saktëson Princin Gjergj Arianiti, Engjëllorët e Drishtit dhe familja Toka e Artës. Si shihet Engjëllorët dhe Komnenët kanë të njejtën origjinë, me zanafillë në shek. e XI.
Në 31 gusht 1057, Isak Komneni u kurorëzua perandor i Lindjes dhe po atë vit bëri krushqi me familjen fisnike të Angelo (Engjelli), kesisoj Teodora Komnena u martua me Kostantin Angelo (Engjëllin), duke krijuar dinastine Angelo-Comneno. Lidhjen e Arianitëve me dinastinë perandorake të Angelo-Komnenëve e konfirmojnë dhe humanisti ynë i madh At Marin Barleci në “De vita, moribus adversus turcas gestis Georgii Gastrioti MCXXXVII”; At Dhimitër Frangu në veprën “Comentario de le cose de’ Turchi, et del S. Georgio Scanderbeg, principe d’ Epyro”, botuar pas vdekjes me 1539; nga historiani Françesko Sansovino ne vepren “Dell’ historia Universale dall’origine et Imperio de’ Turchi”- 1564, i cili përfshiu dhe veprën e At Dhimitër Frangut. Sansovino tregon se e bija e Gjergj Arianiti Komneno – Angelo, Doneca Kominata Komnena (Andronica), u martua me Skënderbeun.
Origjinën nga familja perandorake Angelo-Komneno, kapedan Kostantini e pasqyron qartësisht në stemën e tij heraldike, ku sfondi masiv ngjyrë ari simbolizon origjinën nga Angelo (Engjelloret), fashat e zeza dhe shqiponja dykrerëshe, me kurorat perandorake, me skeptrin e artë në kthetrën e djathtë dhe sferën perandorake në të majtën dhe me shqytën e vogël me shqiponjën me një kokë, në sfondin e kuq perandorak simbolizojnë Komnenët.
Si fisnik i shquar, princi Kostantin Arianiti kishte dhe medaljonin e tij, njëlloj si gjithë fisnikët e tjerë, të gdhendur portretin dhe emrin e tij “Constantinus Cominatus”. Ky medaljon është riprodhuar në botimin e autorit G. F. Hill: “Corpus of Italian Medals of the Renaissance, II, London 1930, tav. 186, n. 1124”, por nuk munda ta mar pasi është i mbrojtur nga Copyright ©.
Kostantin Arianit Komneni – kapidan dhe diplomat.
Në veren e vitit 1491 ndodhen disa ngjarje të papritura, që e tronditën Italinë, por dhe që e bënë Kostantin Arianitin protagonist. Këtë vit, Mbreti i Francës, Karli VIII, i fryrë nga lavdia dhe zgjerimi i trojeve të mbretërisë së tij, me një ushtri të madhe zbriti në Itali, me synimin të pushtonte mbretërinë e Napolit. Këtë vendim e justifikoi me pretekstin se Ai kishte të drejtën e trashëgimisë së dinastisë të shuar të Anzhuinëve, prandaj u nis të merrte dhe fronin e mbretërisë së Napolit. Për të pasë liri kalimi, gjatë marshimit nëpërmjet shteteve të Italisë, për të qetësuar fisnikët italianë, që të mos organizonin rezistencë në realizimin e qëllimeve te tij, Ai përhapi lajmin se nuk do të pushtonte shtetet e tjera italiane, pasi objektivat ishin Napoli dhe organizimi i Kryqëzatës kundër turqëve në vendet ballkanike.
Lajmi i organizimit të kryqëzatës antiturke u përhap shpejt dhe ngjalli shpresa dhe mundësi, ndër emigrantët e shumtë albanezë, që kishin lënë vendlindjen dhe tashmë prej disa dekadash jetonin në Itali e ndërmjet tyre nxiti dhe Kostantinin, i cili e priti me entusiazëm idenë e kryqëzatës anti-turke, që shihte si mundësi të rikthehej në Albani, në vendlindje, që e kishte lënë në moshë të re.
Kostantin Arianiti, sapo u njoh me këtë plan të mbretit të Francës, i kërkoi mbesës së tij markezes Maria, që tashmë ishte regjente e Shtetit të Monferratos, që ta priste me nderimet e duhura mbretin Karli VIII, pasi Ai mund të udhëhiqte një fushatë kundër turqëve për çlirimin e Albanisë dhe të Serbisë, pra t’i krijonte mundësi atij dhe familjes së markezes Maria, të rikthehej si sovrane.
Kostantin Arianiti shpresonte, se mbreti Karl i VIII, sapo të pushtonte Mbretërinë e Napolit, do të marshonte në Pulja e të kalonte detin e të çlironte Albaninë, pra u nxit nga një ëndërr ambicioze të rikthehej Zot i trojeve të atit, Princit Gjergj Arianiti.
Në shtator 1494, Kostantini në krye të 300 kalorësve, e priti Karlin VIII në Asti dhe e shoqëroi në rezidencën në Monferrato. Nga bisedat me mbretin Karlo VIII, markeza Maria ashtu dhe kapidan Kostantin, u mbushën me shpresa për çlirimin e Albanisë dhe të Serbisë nga pushtuesit osmanë, madje mbreti i dorëzoi Maries të gjithë argjendarinë e tij personale, për ta përdorur në financimin e kryqëzatës kundër turqëve…
Pas këtij takimi shpresëdhënës dhe në pritje të pushtimit të mbretërisë së Napolit, Kostantin Arianiti u impenjua të organizonte një flotë me anije, që do të transportonte ushtrinë franceze nga Pulja, për të zbarkuar në Durrës dhe në brigjet e Albanisë. Për këtë kontribut të Kostantinit, Karli i VIII e dekoroi me “Gjerdanin e Artë të Shën Mikelit”.
Në këtë fushatë përgatitore u impenjua dhe kapidani gjenovez Andrea Doria, i cili kishte ndihmuar në eksodin e albanezëve drejt brigjeve të Italisë, e kësaj radhe mori impenjimin të kontribuonte në transportimin e ushtrisë së Karlit VIII drejt Albanisë.
Kjo fushatë përgatitore e Kostantinit ngjalli shqetësim në Republikën e Venecias, e cila nuk e shihte me sy të mirë invazionin francez në Itali dhe as përgatitjen e flotës, që e konsideronte një aventurë të padobishme, andaj e bllokoi flotën në Venecia dhe në mars 1495, e arrestoi Kostantin Arianitin, por pas disa ditësh, u detyruan ta lirojnë, pasi ai gëzonte imunitet, si mbajtës i titullit “patric venecian”.
Marshimi i mbretit Karli VIII, nëpër Itali, nuk shkoi si dëshironte, pasi fisnikët italianë organizuan rezistencën kundër francezëve. Në Betejën e Fornovo-s, me 6 korrik 1495, Kostantini me kavalerinë e tij, u rendit krah mbretit të Francës në luftimet kundër lidhjes italiane, por francezët u thyen, mbreti u kthye në Francë, ndërsa Kostantini u mbyll në Monferrato.
Me 27 gusht të vitit 1495, në moshën 29 vjeçe, papritur vdiq markezia Maria Brankoviç Paleologo, kësisoj u hap problemi i tutelës së djemve të mitur, trashëgimtarët legjitimë për të marrë drejtimin e shtetit të Monferrato-s. Meqë Gulielmi ishte i mitur, në këto rrethana, mbreti Karli i VIII dërgoi sekretarin – Filipin e Kamynes, i cili e ngarkoi Kostantinin guvernator edhe pse e kishin kundërshtuar një pjesë e madhe e fisnikëve të Monferratos. Këtë veprim mbreti francez e kreu pasi interesonte aleanca me Kostantinin, por dhe për faktin se Ai zyrtarisht ishte ndër trashëgimtarët e Monferratos, i njohur në testamentin e vitit 1491, të markezit Bonifaci III. Në vitin 1495, Kostantin Arianiti ishte guvernator i shtetit të Monferratos dhe tutor i dy djemve të mitur të mbesës Maria Brankoviçi dhe të markezit Bonifaci III Paleologo.
Afrimi i Kostantinit me mbretin Karli VIII i Francës, nuk u pa me sy të mirë nga sovranët e tjerë, kësisoj, Perandori Maksimiliani I, që u emërua pas vdekjes së të atit Frederiku III me 16 nëntor 1495, tentoi ta largojë nga francezët dhe ta afronte, duke e njohur zyrtarisht si tutor i djemëve Gulielmo dhe Gian Giorgio. Në vazhdim Perandori e emëroi ambasador dhe me disa misione diplomatike. Me këto vendime, Perandori Maksimilian I shpresonte ta bënte për vehte Kostantinin, por këto plane nuk funksionuan ashtu si dëshironte, prandaj në 12 qershor 1496, e braktis Kostantinin dhe në vend të tij, si misionar diplomatik emëroi zëvendësin e tij të përgjithshëm për Italinë.
Këto qëndrime ndikuan që Kostantini, të rikthehej përsëri me francezët dhe në takimin me mbretin Karli VIII, i kërkoi me insistim të rifillonin zbatimin e projektit të mëparshëm për organizimin e kryqëzatës kundër turqëve. Ky qëndrim ndikoi në rritjen e besimit dhe të prestigjit të Kostantinit në oborrin e Karlit VIII, aq sa Filip Kammynes përgatiti dokumentat e protokollit, për ta emëruar Kostantin Arianitin – Mbret i Maqedonisë. Në shtator 1496, Kostantini u takua me kapidanin Gian Giacomo Trivulzio e së bashku përgatitën mbështetjen për ushtrinë franceze.
Planet për organizimin e Kryqëzatës, për çlirimin e trojeve ballkanike nga pushtuesit otomanë dështuan, si nga vështirësitë për të krijuar koalicionin e duhur ushtarak, por dhe nga qëndrimi i venecianëve, të cilët për interesat e veta egoiste, sabotuan organizimin e flotës dhe mobilizimin e italianëve dhe të albanezëve në këtë koalicion.
Qëndrimi i Kostantinit si guvernator i Monferratos dhe roli i tij në politikën e kohës, tërhoqi vëmendjen dhe të mbretërive e të fisnikëve të tjerë italiane. Në dhjetor 1497, Kostantini priti Nikolò Foskarinin, i cili ishte ngarkuar me mision diplomatik nga Duka i Savojës Filiberto, i cili i kërkonte të forconin bashkëpunimin ushtarak dhe mardhëniet tregëtare.
Në vitin 1498, vdiq Karli VIII i Francës dhe në fron erdhi kushëriri i tij Luigi d’Orléans, i quajturi Luigji XII, i cili kërkoi të vazhdonte përpjekjet e Karlit VIII, për marrjen e Mbretërisë së Napolit e njëkohësisht, meqë ishte trashëgimtar i dukeshës Valentina Viskontit, pretendonte dhe të drejtën Dukatit të Milanos, kësisoj pushtimi i Milanos dhe i Napolit, u bënë objektivat parësore.
Në verën e vitit 1499, Luigji XII, në krye të ushtrisë franceze, i kapërceu Alpet dhe pas pak ditësh arriti në Monferrato, ku u prit nga Kostantini dhe populli, që ishte kthyer në favor të francezëve. Luigji XII, i kërkoi Kostantinit, që të rradhitej krah tij. Në gusht të vitit 1499 në betejën e Alessandrias, Kostantini me kavalerinë e tij u rradhit me ushtrinë franceze dhe së bashku i thyen forcat italiane të komanduara nga Galeazzo da San Saverino. Pas kësaj fitore, Luigji i XII e la Kostaninin së bashku me Gian Giakomo Trivulzio me një ushtri prej 800 kalorsish në mbrojtje të qytetit të Alessandrias.
Në tetor të vitit 1499, shkoj në Pavia, i kërkuar nga Luigji XII, i cili ishte zemëruar me Kostaninin, sepse i kishte dhënë leje disa armiqëve të tij, të burgosur në Monferrato, kësisoj kishte favorizuar arratisjen. Luigji XII, kishte filluar të dyshonte për Kostantinin, pasi e kishin informuar se ai po tentonte të krijonte aleanca të reja.
Kur u kthye në Milano në nëntor 1499, francezët e arrestuan dhe e dërguan në burgun në Vixhevano. Pas disa ditësh e nxorrën para trupit gjykues, që për ironi të fatit përbëhej nga miqt e tij: Trivulzio, francezi Trémouille dhe disa kapidanë të tjerë, të cilët e dënuan me burg në kështjellën e Novaras e më pas e internuan në Francë. Pas burgosjes, mbreti Luigji XII i sekuestroi pronat e Monferratos dhe pronat e gruas Françeska. Për drejtimin e pronave të Monferratos, mbreti emëroi administrator francezin Ligny. Kësisoj francezët e keqtrajtuan Kostantinin, i sekuestruan pronat, e persekutuan, e arrestuan disa herë, e çuan në gjyqe, e burgosën dhe e internuan.
Në fillim të vitit 1500, Kostantini, i ndihmuar nga një roje franceze, u arratis nga burgu dhe u fsheh në zotërimet e tij në Ozzano. Gjatë kësaj kohe tentoi të lidhej me Republikën e Venecias, por pa rezultate, andaj u detyrua të largohet dhe në muajin maj të vitit 1500, zbarkoi në Piza, por pizanët nën presionin e francezëve e arrestuan dhe e burgosën, me qëllim që t’ia dorëzonin francezëve.
Në fillim të muajit qershor, i ndihmuar nga disa djem pizanë, u arratis dhe qëndroi i fshehur në shtëpinë e një miku të tij në qytetin e Pizës. Ndërkohë francezët e kërkonin, madje arritën dhe ta arrestojnë. Në këto rrethana fiorentinët i bënë presion francezëve, të cilet u detyruan ta lirojnë, por sapo e morën në dorëzim, fiorentinët e arrestuan dhe e burgosën në Livorno. Përsëri arratiset dhe rikthehet në Piza, ku qëndroj i fshehur për pak kohë.
Në këtë kohë persekutimesh e ndëshkimesh, që pesoi Kostantini, e ëma Pietrina Arianiti, i bëri presion Venecias, që të ndërhynte te francezët, që të ndërprisnin persekutimet ndaj djalit të saj.
Në gusht të 1500, ai ikën nga Piza dhe shkon në Benevento ku e pritën dhe e trajtuan mirë, por pas pak kohe shkoi në San Leonardo, pranë Manfredonias. Në dhjetor të vitit 1500, gjendet në Venecia, në gjendje të dëshpëruar dhe i revoltuar me francezët, që ia kishin marrë të gjitha pronat e tij dhe ato të gruas.
Në janar 1501, u prezantua kryelartë e dinjitoz para Senatit të Venezias, si e përshkruan kronisti Sanuto (Diarii, III, col. 1381) ku kërkoi bashkpunim për mbrojtjen e të drejtave të tij. Në shkurt 1501, e priti Dozha i Venecias, Agostino Barbarico, por nuk gjeti mbështetjen që priste, atëhere iu drejtua për ndihmë Vienës. Perandori i Austrisë Maksimiliani I e mori në shërbim në oborrin e tij dhe në tetor 1501, e dërgoi në Trento. Në vitin 1502, e emëroi komandant reparti me 200 kalorës. Më pas Perandori i Austrisë e emëroj ambasador pranë Kuria Pontifiçe (Kostantin Arianiti als Diplomat zwischen König Maximilian I. und Papst Julius II. in den Jahren 1503 bis 1508 Stelzer, Winfried – 1968: “Römische Quartalschrift für christliche Altertumskunde und Kirchengeschichte Bd. 63 – 1968. S. 29-48).
Në shkurt të vitit 1504, Kostantini shkoj në Ferrara, ku u prit nga Duka Alfons d’Este, me të cilin lidhi një alenacë e në vazhdim shkoi në Romë, ku u prit në audiencë nga Papa.
Detyra e ambasadorit e favorizoi të zgjeronte njohjet, krijimin e miqësive të reja dhe të aleancave, që do t’i shfrytëzonte për rikonfirmimin e pozicionit të tij si feudal i Monferratos, madje jo rrallë kryente me shumë aftësi rolet si ndërmjetës me francezët, me Selinë e Shenjtë, me venecianët, me austriakët. Me këto ndërhyrje diplomatike, Kostantini shmangu një përplasje ndërmjet francezëve dhe shteteve të përçara italiane, si konfirmojnë të gjithë historianët e Mesjetës.
Në mars 1504, shkoj në Ostia për të takuar Cesare Borgia, të cilin e bindi, që t’i dorëzonte Shtetit të Vatikanit, disa fshatra, që ende ishin nën zotërimin e tij. Kur u kthye në Romë, zhvilloj një aktivitet intensiv diplomatik, për të forcuar raportet me Serenissiman e Venecies, çka fitoi simpatinë e Papës Giulio II. Këto takime dhe raportet e reja të miqësisë, Kostantini i shfrytëzoi për të rimarrë trojet e Monferratos e në këto traktativa mori mbështetjen e Guidobaldo da Montefeltro, që ishte Kapiteni i Përgjithshëm i Vatikanit. Për marrjen e pronave të Monferrato, Kostantinin e ndihmoj nga ana financiare e motra, Andronika Arianiti Komnena Kastrioti e cila ishte dama e shoqërimit e mbretëreshës së Napolit. Ekzistojnë shumë dokumente financiare në arkivat italiane për ndihmat që jipte Andronika Kastrioti. Sipas dokumentave arkiviale, Andronika ndërhyri pranë Këshillit të Venedikut dhe ne Vatikan, për ta ndihmuar Kostantinin.
Në prill te vitit 1504, Kostantini shkoj në Gjermani, si amabasador i Papes per te ndërmjetësuar në Marreveshjen e Paqes së francezëve me Perandorinë Austriake, qe arriti ta përfundojë me sukses. Në muajin maj u rikthye në Itali, por ende nuk ishte i kënaqur, pasi nuk po i realizonte objektivat, që të rimerrte pronat që ia kishin grabitur francezët.
Në korrik të 1504, Kostantin Arianitin e emëruan guvernator i Forlit dhe i gjithë Romagnias dhe u prit me nderime të mëdha nga arqipeshkvi Giovanni di Saco. Në muajin gusht shkoj në Cesena, por nuk mundi të kryente asnjë takim, pasi në këtë kohë ra epidemia e murtajës.
Në shtator 1504, u impenjua për të vendosur armpushimin ndërmjet Nikolò Guerra da Bagno dhe Tiberti, që ishin në luftë mes tyre. Në këto traktativa ndeshi vështirësi të mëdha për t’i pajtuar, prandaj kërkoi forca të reja, për të vënë nën kontroll situatën në Forlì dhe në Cesena. Për këtë arsye, dërgoi në Romë një misionar, që t’i u spjegonte këshillit të Kardinalëve situatën dhe t’i bindte për të dërguar përforcime, por meqë nuk i arriti asnjë ndihmë, mori një anije dhe shkoi në Ostia për të takuar agjentin perandorak Luka Rinaldi dhe një peshkop gjerman.
Pas shumë kërkesash drejtuar Vatikanit, me së fundi u prit nga papa Giulio II, të cilin e informoi për situatën e vështirë të krijuar në Forlì dhe Cesena. Papa i dha një repart të vogël ushtarësh. Me këto shtesa, në prill 1505, Kostantinin hyri në Forlì dhe u imponoi me forcë paqen fraksioneve ndërluftuese të Oriolit dhe Moretinit.
Pas këtyre rezultateve, e thirrën në Romë dhe i dhanë komandën e gardës Palatine, të formuar me 300 kalorës albaneze dhe balestrierë grekë. Në vitin 1506, si komandant i Gardës, e shoqëron Papën nëë viztat pastorale, në gusht në Peruxhia, në shtator në Forlì dhe në nëntor në Bolonja.
Në mars 1507, e urdhëruan të linte Forlìn dhe Romanjën dhe të kthehej në Romë.
Në shtator 1507, Papa Giulio II, e dërgoi Kostantinin në Gjermani, si përfaqësues i Vatikanit, në bisedimet për të krijuar aleancën me perandorinë Austriake dhe mbretërinë e Francës. Pikërisht në këtë kohe, perandori Maksimiliani I i Austrisë, i besoi misionin e ndërmjetësit me Vatikanin, që ta njihte Perandor dhe pse nuk ishte kurorëzuar nga Papa në Vatikan.
Ky aktivitet intensiv i Kostantin Arianitit, nuk u pa me sy të mirë nga Venecianët, të cilët filluan ta sulmonin dhe të kontrollonin lëvizjet dhe aktivitet e tij. Në mars 1508, Kostantini u ankua, sepse Serenissima i kishte hapur letrat, që nga Rimini i kishte dërguar Perandorit të Austrisë. Konfliktet e Serenissimas me Perandorinë Austriake, u thelluan në prill të vitit 1508, kur venecianët pushtuan Forlìn dhe kështjellën e Belgrado në Kormons, që ishte pronë e Kostantinit. Po në vitin 1508, Papa Giulio II e dërgoi Kostantinin të bisedonte me venecianët, për klauzolat e Lidhjes të Kambrai (Lega di Cambrai) dhe në këmbim venecianët t’i kthenin Vatikanit, Riminin dhe Faenzan.
Në maj 1509, Kostantini shkon në Gjermani për të takuar Maksimilianin I, të cilit i dorëzon 50.000 dukatë, nga ana e Papa Giulio II, për të financuar rifillimin e luftës kundër Republikës dë Venecias. Me t’u kthyer në Vatikan e dërguan në krye të ushtrisë për të marrë Pizzighettonen dhe Asolan, por pa sukses, sulmet e forcave të Arianitit dështuan.
Në qershor 1509, Perandori austriak e ngarkoi Kostantinin me mision të bisedonte me venecianët, që t’i dorëzonin Padovën Austrisë, por nuk arriti t’i bindi, andaj së bashku me forcat e Matteo da Bussettos e pushtoi qytetin, por Serenissima nuk e toleroi këtë veprim, kësisoj menjëherë e sulmoi dhe e mori Padovën, ndërsa Kostantini u detyrua të largohej.
Në këto rrethana organizoi një takim sekret me anëtarët e Këshillit të të Dhjetëve, për t’i bindur të dorëzojnë qytetin, por pa rezultate. Për të dalë nga situata e ndërlikuar, perandori Maksimilian I, e emëroi Kapiten të përgjithshëm të trupave italiane në shërbim të Austrisë. Në krye te këtyre forcave mercenare e pushtoi Viçencën e më pas sulmoi venecianët në Padova dhe vazhdoi sulmet në veri duke marrë qytetet e Goricias dhe Triestes së Friulit.
Në gusht 1509, mobilizoi një repart me mercenarë në Citadella dhe shkoi në mbrojtje të Padovës. Në shtator 1509, në rradhët e mercenarëve të mobilizuar nga Kostantini, shpërthyen kundërshti dhe pakënaqësi, sepse nuk ishin paguar për shërbimet e kryera.
Në tetor 1509, Perandori Maksimilian I e emëroi Komandant i ushtrisë së përbërë nga 2000 kavalierë dhe 1500 këmbësorë, që shkuan në mbrojtje të Vinçencës. Gjatë marshimit drejt Vinçencës, ushtria e Kostantinit sulmoi qendrat e banuara ku kalonte, duke kryer raprezalje dhe grabitje të popullatës.
Në nëntor 1509, shkoi në mbrojtje të Veronës, por pas konfliktit me Palisse, të cilin e sfidoi me duel, u detyrua t’ia lëshojë qytetin trupave të komanduara nga Gaspare San Severino. Pas këtyre ngjarjeve, Kostantini u kthye në Romë. Në dhjetor, Papa e dërgoi me mision diplomatik në Firence.
Në janar 1510, kaloi në shërbim të vencianëve dhe ndërmjetësoi të pajtonte Papën me venecianët. Në prill të vitit 1510, shkoi në Ravena e më pas u nis për në Gjermani, i ngarkuar me mision diplomatik nga Papa Giulio II dhe nga venecianët, të cilët i kishin dhënë mandatin të bisedonte me Perandorin Maksimiliani I, për të firmosur paqen me seicilin prej tyre në veçanti.
Në muajin maj, Papa e dërgoi në Pesaro e njëkohësisht e emëroi Roja i Përgjithshëm i Koncilit të Vatikanit, që u hap në kishën e Shën Giovanni Laterano në Romë, ndërsa Mbreti i Francës kishte kërkuar, që koncili të mbahej në Piza, që në këtë kohë ishte e pushtuar nga francezët.
Në fund të muajit shkon në Gjermani, me gjithë kundërshtimin e Papa Giulio II, që e donte pranë. Në muajin qershor kthehet në Romë dhe pikërisht në këtë kohë, Paolo i Lichtensteinit e kërkon të rikthehet në Gjermani, për të vazhduar traktativat e nisura për paqen. Para nisjes takoi Dozhin e Venedikut, i cili i dha 300 dukatë, për t’i përdorur si shpenzime për udhëtimin.
Bisedimet për paqe nuk dhanë rezultatet e dëshiruara, pasi Perandori Maksimilian I kishte shumë pretendime, që nuk mund të realizoheshin as nga Vatikani dhe as nga Venecia.
Në janar 1511, kthehet nga Gjermania e shkon në Kadore, më pas në Kioxhia, ku mori një anije për Ravena dhe arriti në Punta su Lago, ku takoi Papa Giulio II, të cilin e informoi për dështimin e bisedimeve për paqe me perandorin Maksimilian I.
Në vitin 1512, Papa Giulio II e emëroi Kostantin Arianitin, komandant i forcave të shtetit Papal. Raportet e miqësisë së Kostantinit me Papa Giulio II, ishin favorizuar dhe nga një rrethanë tjetër, lidhjet e krushqisë me kushëririn e Papës, Bartolomeo Giuppo Della Rovere, i cili ishte i martuar me Maria Arianitin, motrën e Kostantinit.
Më këtë informacion, ndërlikohet historia e Maries, motrës së Kostantinit, pasi disa autorë thonë se u kap robëreshë nga turqit, të cilët e dërguan në Stamboll, në haremin e Sulltanit, madje djali i saj u bë Sulltan i njohur si Bajaziti II, ndërsa Babinger e Fiori thonë se ishte e martuar me Bartolomeo Giuppo Della Rovere. Maria ishte e bija e Gjergj Arianitit, e cila në gjeneaologjinë familjes rezulton e lindur me gruan e dytë Petrina Forkone, pra është motra e vogël e Kostantinit. Këto të dhëna e kanë vështirësuar zgjidhjen e enigmës rreth jetës dhe fatit të Maria Arianiti, por më i besueshëm mbetet varianti i dhënë nga Babinger, pra dhe Maria shkoi në Itali me të emën dhe vëllezërit.
Në 3 maj të vitit 1514, kapidani Kostantin Arianiti ndodhet në Romë në krye të forcave ushtarake, që asistonin hapjen e Koncilit të Vatikanit në Kishën e Shën Giovanni Laterano, i njohur si Koncili Laterense V. Pozicionin e komandantit të trupave të Selisë së Shenjtë, e shfrytëzoi me mjeshtëri, për të realizuar qëllimet e tij, kështu në muajin korrik takoi në Trentino kardinalin Kurzense dhe së bashku shkuan në Monferrato, për të rimarrë pronat, që i a kishin rrëmbyer francezët.
Në mars 1515, Papa Leoni X e shpërblen Kostantinin, duke i dhuruar zotërimet e Fanos.
Qëndrimi armiqësor i francezëve e shtyu Kostantinin të dali hapur kundër tyre, madje në qershor u rradhit krah me zviceranët, duke kontribuar në thyerjen e francezëve. Në vazhdën e këtyre sukseseve, në muajin korrik 1515, në krye të 8000 ushtarëve, sulmoi dhe mori zotërimet e tij të Monferratos, kësisoj rikuperoi pronat dhe forcoi pozicionin e tij politik, ekonomik dhe ushtarak.
Në 1516, në krye të reparteve të kavalerisë shkoi në ndihmë të motrës dhe burrit të motrës Françesko della Rovere, të cilin e ndihmoi të rimarrë Dukatin e Urbinos.
Fuqizimi i Kostantinit u pa me xhelozi nga fisnikët e tjerë, kësisoj Lorenco dei Mediçi, e sulmoi dhe i a mori zotërimet e Fanos, duke u justifikuar, se ndërhyri për të vënë rregull e për të shuar konfliktet, që kishin shpërthyer ndërmjet fraksioneve në qytet. Këto rrethana e detyruan Kostantinin të shkojë në Romë. Marrje pronave nga francezët dhe nga fisnikët e tjerë italianë, e detyruan Kostantinin të shesë pronat e Terruxhia, Ozano, Rivalta e Tonengo dhe një shtëpi ne kantonin e Montarone, me një vlerë të përgjithëshme 30.000 dukatë të artë si rezulton ne aktin e shitjes: “Qui, il 16 agosto 1521, Mercurino Arboreo di Gattinara acquista da Costatino Comneno, principe di Tessaglia e di Macedonia (che vende anche a nome della consorte Francesca di Monferrato e dei figli), per tramite di due procuratori, il proprio Lorenzo protonotario apostolico e camerlengo del pontefice e il proprio maggiordomo Carlo Gazzino: i beni di Terruggia, Ozzano, Rivalta e Tonengo, unitamente a una casa in Casale, situata nel cantone di Montarone, davanti alla chiesa di S. Stefano, “quefuit quondam Facini Canis”, per 30.000 ducati d’oro. (ASVc, Famiglia Arboreo di Gattinara, marzo 3).
Në dhjetor 1521, me vdekjen e Papa Leoni X, Kolegji i Kardinalëve të Selisë së Shenjtë, e emëroi Kostantinin, komandant i 800 këmbësorëve, që të mbanin rregullin në qytetin e Romës.
Papa i sapo zgjedhur, Adriano VI, duke vlerësuar kontributet e Kostantinit për Shtetin Papal, e shpërbleu duke i dhënë në pronësi Mondainon dhe Kështjellën e Montefiore Conca (Konka), një qendër e banuar në malet rreth Riminit. Montefiore ishte prona e vetme e mbetur në zotërim, pasi të tjerat ia kishin sekuestruar dhe të tjerat i kishte shitur, përfshi dhe zotërimet e Monferratos.
Në gusht 1525, Papa e shpërbleu Kostantinin për shërbimet dhe devotshmërinë ndaj Vatikanit, duke i dhuruar në pronësi të birit, Arianitit, Kështjellën e Torrenovas.
Në muajin prill 1530, trupi i lodhur nga mosha, nga mundimet dhe nga një sëmundje akute, u dergj në shtrat për rreth një muaj. Me 8 maj 1530, pushoj së rrahuri zemra e Princit të Arianiteve, pra këtë ditë u nda nga jeta kapedani trim e diplomati i mençur, Kostantin Arianit Kominata Komneni, që bëri histori në Itali. Disa thonë se vdiq në Romë, sipas të tjerëve në Fano. Edhe vend varrimi nuk dihet me saktësi. Sipas Franz Babingerit, kapedan Kostantin Arianitin e varrosën ne Bazilikën e Shën Apostujve, por V. Forcella shkruan: “sipas regjistrit të kishës dhe zyrave të tjera të Romës (Roma 1874, p. 40, nr 117), Kostantin Arianitin e varrosën në kishën e Shën Agostinit, por varri nuk është gjetur, ndërsa emri i tij figuron i shkruar në latinisht në regjistrin e Kishës”.
Para se të vdiste, me 29 prill 1530, Princi Kostantin Arianiti la testamentin, të cilin fillimisht e ruajti noteri Lorenzo Leardini i Montefiores e më pas origjinali u depozitua në Biblioteka Komunale të Gambalunga – Rimini (cfr. Monumenti riminesi autografi raccolti e conservati da Michelangelo Zanotti notajo collegiato di Rimini, XIV, c. 23). Me testament, Kostantini i la të birit kështjellën e Montefiore Konka pranë Riminit.
Pasardhësit e Kostantin Arianitit
Nga martesa e Kostantinit me Françeska Paleologo, lindën 7 fëmijë, një djalë me emrin Arianit dhe 6 vajza. Pas vdekjes së Kostantinit, për Arianitin e ri u përkujdes e ëma Françeska. Nënë e bir jetuan së bashku për disa vite në keshtjellen e Montefiore Konka në Rimini.
Arianiti që në moshe të re, e kërkuan në Vatikan dhe e emëruan Prefekt i trupave Pontifiçe.
Vajzat e Kostantinit, u martuan me fisnikë italianë, andaj shumë historianë kur shkruajnë për këtë familje të gjerë e cilësojnë dinastia e Arianitëve.
Vajza e parë e Kostantinit me Françeskën ishte Andronika, e cila u martua me kontin Karlo III Toko, Dhespoti i Zante dhe i Artës dhe princi titullar i Leufkades.
Vajza e dytë Pentesilea, u martua me fisnikun Lek Dukagjinin, pasardhes i dinastisë së familjes albaneze të Dukagjinëve, që pas pushtimit turk iku dhe u vendos në Itali, ku prej vitesh jetonte dhe shërbente në oborrin e mbretërisë së Napolit.
Vajza e tretë, Hippolita (lindur ne 1507), në vitin 1525, u martua me Zenodio de Mediçi, konti i Verrukio dhe Skortikata. Në vitin 1531, i vdes burri dhe një vit me pas (1532) u martua me Lionello Pio, zoti i Karpi-t. Hippolita vdiq ne Meldola në vitin 1566.
Vajza e katër Polissena, në vitin 1524, u martua me fisnikun Rinaldo Ottoni, Zoti i Matelicas në Marke. Polissena vdiq në moshë të re, në vitin 1531.
Vajza e pestë, Deianira, fillimisht u martua me Gaspare Trivulzio, Zoti i Kasteldidone. Pas vdekjes së bashkëshortit ne vitin 1549, u martua me kontin Giorgio Trivulzio di Melzo, komandanti i trupave të Republikës Veneta. Në vitin 1556, Deianira mori nga pronaria e re e Monferrato një pagesë në dukate, si shpërblim për shërbimet e kryera nga e ëma Françeska, kur jetonte në Monferrato (ASMi, atti Notarile, Moriggia Gio. Giacomo, 1556 apr. 15.)
Elena, vajza më e vogël e Kostantinit me Franceskën, në vitin 1546 u martua me Don Juan de Luna kështjellar i Milanos. Nuk kishin fëmijë. Pas vdekjes të shoqit, Elena u vendos në Genova. Në testamentin e hartuar me 21 prill 1589, Elena i a dhuronte të gjithë pasurinë dhe zotërimet e saj stërnipit Françesko di Toko, pra nipi i të motrës Andronika (gruaja e Karlo Tokos dhespot i Artës).
Pas vdekjes së Kostantinit, gruaja e tij baronesha Françeska Arianiti, shkoj si damë e shoqërimit e dukeshës Kristina e Danimarkës, gruaja e Françesko II Sforca Duka i Milanos. Ndejti pak kohë në Milano, pasi e ftuan në Bar, në oborrin e Lorenës, si guvernatore dhe dama e shoqërimit e vajzave të dukes Françesko di Lorena, ku qëndroi deri në muajt e parë të vitit 1561.
Në aktin e lirimit nga këto impenjime, Duka Karlo, i biri i Kristinës së Danimarkës, e kompensoi shërbimin e lavdërueshëm të Françeskës, duke i akorduar një pension vjetor prej 4000 skudesh, me të drejtë depozite trashëgimie me testament, të një shume prej 600 skudesh, si e tregon vetë Françeska në akt-marrëveshje. Gjithashtu, duka i Lorenës, do të paguante 500 dukatoni në vit, trashëgimtarit të saj, që do ta emëronte vetë Françeska dhe pikërisht ajo caktoj të nipin, djalin e Andronika Arianitit Komnena Toko. Në dokumentat e ruajtura në arkivin e familjes Toko, gjendet dhe kopja e një donacioni prej 1200 dukatë ari (baras me 4000 dukatone), që dukesha Kristina e Danimarkës, akordoj në favor të Françeska Arianiti Kominata Komnena, me 25 qershor 1561. Edhe këtë shumë dukatesh ari, Françeska ia dhuroi së bijës Andronika Arianiti Toko.
Para se të rikthehej në Itali, Françeska Arianiti, me 26 qershor 1561, me testamentin e hartuar në Bar, kryeqyteti i Lorenës, me noterët Nikola dhe Pietro Hardy, të gjitha pronat që i kishin mbetur, ia kaloj në zotërim mbesës, vajzës së djalit Arianit Arianiti Komneni, e cila dhe ajo quhej Andronika dhe njëkohësisht ishte mbesa e Leonardo di Tokos.
Kur u kthye në Itali, markeza Françeska Arianiti u vendos në Koneliano Veneto, ku jetoi me vajzën Deianira, dhe dhëndrin kontin Giorgio Trivulzio, i cili ishte komandanti i trupave veneziane.
Markeza Françeska Arianiti në 17 dhjetorit 1561, la testamentin e fundit, duke anulluar të parët. Testamenti u hartua në Koneliano Veneto, në prani të noterit Francesco Kollalto dhe thuhet se “…në rastin e vdekjes të bijës Andronika Arianiti Toko, pa lënë trashëgimtarë, pensioni 500 dukatoni, do t’i kalohej vajzave Elena (e martuar me Juan de Luna) dhe te Deianira, e martuar me kontin Giorgio Trivulzio, pranë të cilit kaloi vitet e fundit të jetës.
Në të gjithë këto testamente, Françeska Arianiti Kominata Komnena, cilësohet e bija e markezit Bonifaci III Paleologo i Monferrato dhe mbajtëse e titullit Princesha e Maqedonisë.
Ndër të tjera theksohet se kishte shërbyer deri para disa muajsh si damë shoqërimi në oborrin e dukëve të Lorenës, të cilit ishin dhe bamirësit, që i kishin dhënë këto pensione.
Djali i Kostantinit, Arianit Arianiti Kominata Komneni, shërbeu si Prefekt i trupave Pontifiçe.
Arianiti, i vetmi trashegimtar mashkull i dinastisë Arianiti, në 15 nëntor 1551, në krye të trupave Pontifiçe, luftoi kundër dukës së Parmes – Ottavio Farnese, ku mbeti i vrarë. Kapedanin Arianit Arianiti Kominata Komnena, e varrosën në kishën e Shën Giovanni në Parma.
Arianiti, ishte i martuar, por nuk dihet emri i bashkëshortes. Nga kjo martese lindi një vajzë, që i dha emrin e Andronika, në nderim të së famëshmes principeshë Andronika Kastrioti.
Adronika e Arjanitit, ishte trashëgimtaria e fundit në rradhën e dinastisë së Arianitëve.
Në vitin 1568, Andronika u martua me kontin Orazio Trivulzio di Melzo, i cili vdiq në vitin 1573.
Pas disa muajsh, u martua me Giorgio Seko, konti i Mozzanika. Nga kjo martesë përfitoi konti Seko, i cili përvetësoi mbiemrin perandorak të bashkëshortes, kësisoj me krenari, por në mënyrë abuzive u njoh publikisht Konti Giorgio Seko Komneno.
Edhe me martesën e dytë, Andronika nuk lindi fëmijë, por pasurinë dhe mbiemrin perandorak, e morën pasardhësit e kunatës Virgjinia (e motra e burrit), e cila ishte e martuar me kontin Stefano Soçino Suardo. Në fund të shek. XVII, nipat dhe mbesat e Virgjinias, përdornin mbiemrin Suardo-Komneno.
Pjestari fundit i dinastisë Arianiti, ishte konti Fermo Komneno, i cili vdiq pa lëenë trashëgimtar. Arkivin e familjes së tij, konti Fermo ia dhuroi Spitalit të Madh të Milanos, së bashku me tërë pasurinë e trashëguar. Me vdekjen e Kontit Fermo Komneno në vitin 1841, u shua përfundimisht linja mashkullore e dinastisë së famëshme albaneze të Arianitëve, që për mbi 10 shekuj, jetoi me krenari dhe lavdi në të dy anët e Adriatikut, në Albania dhe në Itali.
Marrë nga dy numra të http://www.zemrashqiptare.net