back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Letër Profës… n’Arbëri! nga Bajrush Morina

Gazeta

Akademik Mark Krasniqi (1920-2015)
Akademik Mark Krasniqi (1920-2015)

Letër Profës… n’Arbëri!

nga Bajrush Morina

Nji vit,
pa profesor Mark Krasniqin!

Profë!
Sot më shumë se kurrë kisha dashtë me ardhë të Ti, në banesën tënde në Prishtinë, aty ku ke kaluar gjysmën e jetës Tënde shekullore.
Sot ma shumë se kurrë kisha dashtë, paraprakisht me të thirrë në telefon, në numrin 04412430…, pastaj m’u ngjit nëpër 136 shkallët përpjetë deri në katin e 7-të, atyre shkallëve që jemi ngjit bashkë me dhjetëra e qindra herë, atyre shkallëve ku unë mbushesha frymë e Ti më thoje: “Hajde more çka je mbushë frymë, ani, djal i ri!”
Profë!
Sot kisha dashtë me ardhë prapë te Ti, me i ra ziles e me të pa te dera, të buzëqeshur si gjithnjë!
-A do mysafir o Profë?
-Hajde more hyn brenda, këtu ju si në shtëpinë tate!
Profë!
Sot kisha dashtë me ty me pi nga një gotë raki, asi rakie të sertë që Ti e quaje “raki për shnet!”
Pastaj, unë me të pyet Ty për shëndetin tand e Ti mua “Si e ke familjen Bajrush, a jeni krejt mirë… N’katund a po shkon ndonjëherë?! Pleqtë si janë! Bonju të fala!”
Sot, ma shumë se kurrë kisha dashtë me t’i sjellë përshëndetjet nga Tirana të Sali Berishës e të Jozefinës, me të tregu se Rruga e Kombit po vlon prej makinave… (Ti kishe me thanë: Rruga e Ibrahim Rugovës) se atje n’Shqipëri po shkojnë çdo vjet ma shumë se 1 milion shqiptarë (Ti prap kishe me thanë: “Kështu bëhet Bashkimi Kombëtar!”)Mark Krasniqi duke folur ne GjermaniProfë!
Sot kisha dashtë me të tregu se këta “të huajt” na i kanë pre teshat moti e tash po na bijnë të ngushta, se na i kanë vizatu kufijtë e na e kanë shty mexhën si para më shumë se një shekulli, kur, po këta “të huajt” kanë dashtë me e coptu Shqipninë!
E di që ishe ngrysë, ishe shqetësu, ishe bo nervoz, por nuk kisha pas qare pa të tregu se kufiri me Malin e Zi nuk është më në Çakorr, se Maqedonia na i ka marrë ma herët do ara e do kullosa, se Serbia ka me na shty edhe ma shumë kufirin ndërkaq me Shqipërinë nuk do të vendosim fare pika kufitare…
“Hiqu more kësaj pune, çka na duhet kufiri me Shqipninë! Atë kufi e ka prishë Sali Çeku e Agim Ramadani… S’ka ma kufi me Shqipninë!”.
Kështu kishe me thanë Ti kur unë do të tregoja ty për caktimin e vijave kufitare të shtetit të Kosovës sipas Komisionit shtetëror që udhëhiqet nga një nip i familjes Meha nga Prekazi.
Profë!
Sot kisha dashtë me ty të flas për shkencë, për kulturë, për Dritën, vajzën tënde me të cilën po flas në telefon shumë rrallë, për dajtë e Tu në Janosh, të cilët më kanë ftuar me dhjetëra e herë e që nuk kam shkuar asnjëherë, për Mustafën (“Vëllaun e madh” që po e shoh shumë rrallë – Kështu na ka emëru Veli Bytyçi, Ai vëllau i madh e unë i vogli!), për “maturantët” e tu që po i takoj herë pas here duke pi kafe të Grandi, fiks në ora 12 (aty ku e lenit ju çdo ditë takimin)
Ehhh, Profë!
Kisha dashtë të bëjë edhe ndonjë shaka me ty… (Shuj more se i tregoj gruas tate e ajo ta ngreh veshin! Hahahaha!)
Por, ti sot nuk banon më në katin e 7 të banesës tënde në Rrugën “Luan Haradinaj!”
E unë, as dje, as sot e as nesër, nuk kam më pse të vi për vizitë aty në banesën Tënde, siç të kam ardhë me dhjetëra e qindra herë!
Unë sot po ta shkruaj kët letër dhe do ta lexoj, kur jemi veç unë e Ti.
Unë sot do të vij me të vizitu Ty, atje, në banesën tënde të përhershme!
N’Arbëri!
Marrë nga http://botapress.info

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.